Harallamb Kota: Si u tradhtuan hungarezët nga serbët
| E Enjte, 23.04.2015, 07:36 PM |

Si u tradhtuan hungarezët nga serbët dhe mashtrimi me Skënderbeun

Nga Harallamb Kota

Hungarezët kundër osmanëve

Hungarezët filluan përgatitjet për një fushatë të re ushtarake kundër osmanëve. Ndeshja midis dy ushtrive u zhvillua në Varna, në nëntor të vitit 1444 dhe fituan osmanët. Kjo fitore vendosi fatin e Ballkanit dhe të Perandorisë Bizantine. Në tetor të vitit 1446 në fushën e Kosovës, forcat e Huniadit u ndeshën me forcat osmane. Huniadi shpresonte në ndihmën e Serbisë nga perëndimi, e cila jo vetëm nuk i dha ndihmë, por pengoi forcat e Skënderbeut që të bashkoheshin me forcat e Huniadit dhe si pasojë Huniadi u thye. Pas fitores ndaj Huniadit, Principata e Osmanit e konsoliduar dhe tepër e fortë, po kthehej në një Perandori të fuqishme. Pas vdekjes së sulltan Murati II, në krye të shtetit osman erdhi Mehmeti II, i cili hartoi planin për pushtimin e Konstandinopojës. Në prill të vitit 1453, filloi rrethimi i qytetit, që zgjati 54 ditë dhe më 29 maj 1453, sulltani urdhëroi sulmin dhe pas një qëndrese të shkurtër të të rrethuarve, ushtria osmane doli fituese. Perandori bizantin Kostandini XI Paleologu u vra. Pas tri ditë grabitje, sulltani shpalli amnistinë dhe urdhëroi rifillimin e jetës ekonomike. Konstandinopoja u quajt Istanbul dhe u shpall kryeqytet i perandorisë Osmane. Pas Konstandinopojës ranë njëra pas tjetrës zotërime të tjera në More. Sulltan Mehmet Fatiu (pushtuesi), nuk i fshehu qëllimet për pushtimin e Italisë, Hungarisë e Gjermanisë. Në betejën e 27 korrikut 1456 zhvilluar në Beograd, Huniadi në krye të forcave ushtarake të përbëra nga hungarezë, çekë e gjermanë shpartalloi forcat osmane. Por pa kaluar tre vite, turqit pushtuan Serbinë dhe e kthyen përfundimisht në një provincë të Perandorisë Osmane. Nën osmanët, në vitin 1460 ra Peleponezi, në vitin 1463 Bosnja dhe Vllahia, e cila në vitin 1476 u kthye në shtet vasal të osmanëve, duke ruajtur një autonomi të brendshme. Më 26 janar 1479 ushtritë osmane arritën të pushtojnë Shkodrën, kështjellën e fundit shqiptare. Shqipëria hyri nën kontrollin e drejtpërdrejtë osman dhe ju nënshtrua një ndarje të re ekonomiko-administrative. Territori i saj u nda në vilajete dhe sanxhaqe. Zgjerimi i Perandorisë Osmane pas vitit 1517 me tokat arabe, sidomos me Mekën dhe Medinën, shënon fillimin e një epoke të re. Tashmë ajo u bë një kalifat islamik dhe sulltani konsiderohej mbrojtësi i botës myslimane. Lufta për pushtet dhe vrasja e vëllezërve, konsiderohej si vullnet i zotit. Qendër etnike e turqve vazhdoi të mbetet Anadolli. Pikërisht atje dhe në territorin e Thrakës Lindore, në gjysmën e parë të shek. XVI, u formua përfundimisht populli turk me një territor e gjuhë, me një bashkësi ekonomike dhe kulturore.

Fillimet e Islamizmit

Në vitet 1520-1566 nën drejtimin e sulltan Sulejmanit I, kufijtë e shtetit turk u zgjeruan. Në këtë periudhë filloi edhe procesi i islamizimit të grupeve të veçanta të popullsisë, i cili u bë në rrugë të ndryshme. Përveç devshirmesë, tregtisë së robërve, veçanërisht e grave dhe vajzave, islamizmi u nxit edhe me stimuj materialë. Për atë që bëhej mysliman krijohej një gjendje më e lehtë se për të krishterin që paguante taksë xhizje. Feudalëve, me kthimin në mysliman, u hapej rruga e ngjitjes në shkallët e administratës. Kolonizimi turk dhe islamizmi i një pjese të popullsisë ballkanase, janë procese të ndërthurura. Popullsia shqiptare që u islamizua, nuk u asimilua dhe nuk u kthye në turke.

Organizimi i pronës tokësore

Pushtimi dhe vendosja e regjimit feudal ushtarak osman, nuk mund të konsiderohej vetëm me okupimin e tij nga forcat ushtarake dhe me vendosjen e garnizoneve dhe të aparatit administrativ. Aristokracia feudale, duhet të bënte ndryshime të rëndësishme në formën ekzistuese të pronësisë feudale mbi tokën, e cila gjendej në nivele të ndryshme zhvillimi ekonomik. Në disa vende ishte vendosur prona shtetërore mbi tokën, në disa vende të tjera prona private ishte mjaft e fortë dhe ndër rentat mbizotëronte ajo në të holla. Në rajonet e thella malore, marrëdhëniet feudale ishin në stadin e parë të zhvillimit. Osmanët mbështetën zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve feudale dhe zbatuan disa sisteme. Në viset e Ballkanit u vendos prona shtetërore mbi tokën. Për shkak të luftërave të vazhdueshme dhe të nevojave të shtetit osman për një centralizim të pushtetit, duhej lidhur klasa feudale më fort ekonomikisht dhe politikisht me pushtetin qendror, nëpërmjet dhënies së feudeve me karakter të përkohshëm’ e të kushtëzuar me shërbim ushtarak. Osmanët krijuan një ushtri të fortë e të aftë kundrejt shërbimit, siguruan forca ushtarake të shumta e të disiplinuara. Gjatë kalimit nëpër këtë rrugë, u nevojit formimi i një klasë feudale me përmasa shumë të mëdha, e mbushur me elementë feudalë nga vendet e pushtuara. Sundimtarët, tokën shtetërore ua ndanin personave të veçantë: anëtarë të klasës, bashkëluftëtarëve dhe të afërmeve të tyre, me kusht që të kryenin shërbimin ushtarak. Kjo lloj prone shtetërore quhej “mirie”. Zotërimi trashëgohej në rast se djali plotësonte shërbimin ushtarak. Më vonë këto zotërime u njësuan sipas rregullave të përcaktuara, në tri forma të pronësisë: private(mylk),të institucioneve fetare(vakëf) dhe shtetërore “mirie”. Sipas legjislacionit osman, në mylk, në radhë të parë hynin pronat në zotërim të plotë, të vendosura brenda kufijve të banuar, shtëpi, troje, pronat bujqësore pranë qendrave të banuara, kryesisht kopshtet e më radhë bahçet. Mylku i Vërtetë, në traditën juridike osmane, trashëgohej sipas sheriatit, dmth.,pjesëtohej midis trashëgimtarëve, shitej, dhurohej e vakëfohej pa kufizim. Mylku jo i Vërtetë,ishte ai tokësor që u huazua tërësisht prej formacioneve shtetërore dhe i priu feudalizmit ushtarak osman. Në fund të shek. XVI, në Ballkan mylku u përhap si pjesë e sistemit feudal osman. Nëpërmjet mylknameve, sulltani u jepte Vezirëve e Komandantëve të shquar të lidhur me aristokracinë feudale të oborrit osman, disa prona tokësore. Pronari fitonte të drejta të plota mbi pronën: ta linte trashëgim, ta shiste, ta dhuronte, e ta vakëfonte sipas dëshirës së tij. Çifligu Mylk, ishte një formë e pronësisë mbi tokën, dhuruar feudalëve të veçantë përkundrejt detyrimit ushtarak, por ndonjëherë edhe të çliruar prej tij. Timare Mylk ishte forma e pronësisë mbi tokën, dhuruar feudalëve të veçantë përkundrejt detyrimit për të dërguar luftëtarë. Në rast se feudali nuk plotësonte detyrimin, nuk i merrej mylku, por i kërkohej prodhimi i mylkut për atë vit. Timari përfshinte pjesë të fshatit, fshatin, ose disa fshatra. Tokat e punueshme brenda timarit, u ndaheshin në parcela familjeve fshatare. Kur përdoreshin nga të krishterët quheshin bashtina, ndërsa kur përdoreshin nga myslimanët quheshin çifligje. Forma e Timarit si pronë ndodhi në kohën e Mehmetit I dhe mori zhvillim të plotë në kohën e Muratit II. Nga ajo kohë kemi regjistrin e tokave feude të Shqipërisë të vitit 1431. Me anë të blerjes dhe përvetësimit të tokës fshatare, zotëruesit i zmadhuan mylqet dhe u shtrinë edhe në qytet, duke blerë qindra dyqane, magazina, shtëpi, hamame, karvansaraje etj.

Taksat e Timareve

Taksat e Timareve vileshin nga Spahijtë të cilët nuk ishin pronarë tokash, por vetëm shërbëtorë ose nëpunës shteti, të deleguar nga pushteti qendror, si një institucion thjesht agrar. Spahijtë që nuk kryenin detyrën ushtarake, humbitnin zotërimin. Duke qenë në luftë të vazhdueshme Spahiu nuk kishte mundësi të organizonte ekonomi vetjake. Në këto kushte, shteti lejoi dhënien e ekonomive vetjake me tapi që të mos mbeteshin pa punuar. Këto toka me tapi, filluan t’i shtien në dorë spahijtë dhe përdorimi i tyre nuk kushtëzohej me shërbimin ushtarak. Duke ndjekur këtë rrugë, spahijtë krijuan ekonomi vetjake të jetërsueshme,të trashëgueshme, të pakontrollueshme nga shteti e të pakushtëzuar me shërbim ushtarak, gjë që çoi në krijimin e një kategorie të veçantë çifligjesh në zotërim të shtresave të ndryshme të klasës feudale. Kjo situatë u shoqërua nga një luftë e ashpër midis zotëruesve të pronave vetjake dhe të shtetit. Rritja e pronës së madhe tokësore bëhej nëpërmjet pushtimeve të reja dhe shkatërrimit të timareve të vogla, të cilat në kundërshtim të rregullave ushtarake dhe në shpërdorim të detyrës, binin në dorën e një spahiu. Përqendrimi i dy a më shumë timarëve në një dorë të vetme dhe rënia e interesit të feudalëve të vegjël për luftë, ishin disa nga shprehësit e rënies së sistemit feudal ushtarak osman. Spahijtë nuk merrnin pjesë në organizimin e prodhimit dhe bënin jetë parazitare në qytet. Për nevoja të fushatave luftarake shteti rekuizonte falas prodhime bujqësore e blegtorale. Për zonat që ishin afër luftës taksa e timarit ishte në natyrë, kurse për zonat larg luftës ishte në të holla. Shteti rekuizonte edhe prodhime bujqësore e blegtorale me çmime të caktuara, më të ulëta se ato të tregut. Si rezultat i grabitjeve, i plaçkitjeve të drejtpërdrejta e i shfrytëzimit të popujve të nënshtruar, si dhe nga vjelja e haraçit, tribuve vjetore e taksave shtetërore, të ardhurat e shtetit u rritën. Shteti osman kishte edhe monedhat e veta. Qytetet vazhdonin të ishin qendra zejtarie dhe tregtie. Një pjesë e madhe e popullsisë merrej me zejtari, të organizuar në korporata dhe në esnafe. Në qytetet e mëdha u zhvillua industria e endjes së pambukut dhe prodhimi i barutit.

Shërbëtorët e Sulltanit

Nga pallati sulltanor dilnin qeveritarët e komandantët ushtarakë të cilët konsideroheshin shërbëtor e skllevër të sulltanit. Postin e vezirëve e zinin njerëz po me gjendje “skllavi”, që siguroheshin nga robërit e luftës, nga fëmijët e familjeve fisnike vasale, nga tregjet e skllevërve dhe nga sistemi i devshirmesë. Sipas këtij sistemi, ç’do familje e krishterë raja, në 4-5 veta jepte një djalë të moshës 8-20 vjeç, i cili shkonte në pallatin e sulltanit. Më të mirët e të fuqishmit mbaheshin në pallat. Të zgjedhurit hynin në shërbim të sulltanit, pjesa tjetër hynte në repartet e kalorësisë dhe përgatitej: -si burrë shteti luftëtar që duhej të kapte postet më të larta të perandorisë, -si mysliman besnik që vdekja në shërbim të sulltanit quhej bekimi më i madh. Edukimi bëhej nga Eunuku i Bardhë. Kryeeunuku ishte kontrollor i gjithë pallatit dhe zëvendësi absolut i sulltanit. Ai bënte rekomandime pranë sulltanit për emërimet e gradimet. Djemtë e tjerë u jepeshin me qera fshatarëve mysliman të Anadollit, para se të hynin në radhët e ushtrisë, me qëllim të mësonin gjuhën e zakonet turke. Veziri i Madh ishte edhe ai zëvendësi absolut i sulltanit dhe mund të merte disa vendime pa u konsultuar me të. Aparati administrativ e ushtarak fillonte me spahiun, vazhdonte me sanxhakbeun, bejlerbeun dhe arrinte deri tek veziri i madh. Vend të veçantë zinte drejtimi i popullsisë jomyslimane. U ruajt organizimi i vjetër kishtar dhe Porta e Lartë njohu Patriarkun Ortodoks.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: