Sidheri: Një mendje-mbytur, që uron mbytje njerëzish!
| E Merkure, 22.04.2015, 10:00 PM |

Një mendje-mbytur, që uron mbytje njerëzish!

Nga Elvi Sidheri

Të them të drejtën, shumë gjëra më kanë kaluar shpesh nëpër mendje, dhe për shumë syresh çoku edhe kam shkruajtur gjer më tani, por ende, gjallë në botë se pata menduar deri më sot se do të shkruaja dikur për një personazh si zonja Daniela Santanchè.

Për ata që nuk e njohin (dhe nuk janë të paktë këta njerëz që e injorojnë krenarisht dijeninë lidhur me ekzistencën mbi këtë faqe toke të këtij njeriu; si ndër shqiptarët të cilët ajo përdhos me fjalët e saj, ashtu edhe mes italianëve të vendit të vet, që historikisht s’ia kanë fishkëllyer fare asaj dhe para-politikës së saj “da quattro soldi”, pra që s’vlen dy lekë!)... zonja në fjalë, i bie të jetë një deputete e parlamentit italian, që pasi ka ndërruar njëqind ngjyra dhe krahë politikë, tanimë graviton rreth Forza Italia-s së ish kryeministrit Berluskoni.

Duke qenë i nënshkruari (unë) një njeri që nuk ka pas menduar keq për zotin Berluskoni, si në kohët e tij të arta, ashtu edhe në “tempi bui” (kohë të errta) si këto që ish kavalieri po kalon tani, qoftë në sferën politike, në atë të biznesit, apo në fushën sportive; atëherë sigurisht që fjalë të tilla të dala nga goja e një bashkëpartiakeje të tij; më lënë veçse një përshtypje tejet të hidhur.

Por, fundja, një nga arsyet përse ish kavalieri u largua nga pushteti, ishte edhe vegjetimi përreth tij, i ulkonjave parazituese fashiste & raciste si Santanchè, apo edhe si mbesa e Duçes, Alessandra Mussolini.

Por, meqë historia na mëson që Çezarëve t’u japim ç’i takon Çezarit; dhe për shembull, të themi, edhe Neronit zjarrvënës, atë që i takon species së tij të marrë; atëherë zonja Santachè, nuk mund të dali palagur nga kjo çështje.

Fjalët e saj tekstuale para pak ditësh, lidhur me tragjedinë më të madhe të emigrantëve të ndodhur në detin Mesdhe, ku në brigjet e Libisë supozohet të jenë mbytur mbi 950 persona; patën qenë të tilla: “E vetmja zgjidhje që duhet zbatuar në terren është që aeronautika italiane dhe marina ushtarake të pajisen në mënyrën e duhur për të mbytur anijet me emigrantë qysh në brigjet nga ato nisen, ashtu siç patëm bërë në të kaluarën në Shqipëri...!”

Pastaj kishte edhe shumë “bla, bla, bla” dhe dërrdërrime të zakonshme kundër qeverisë Renzi në Itali, por ajo që neve si shqiptarë na intereson fort pashmangshmërisht në këtë pikë, është pikërisht thelbi i pohimeve skandaloze të zonjës së sipërpërmendur.

Atëherë, së pari, lidhur me anijen shqiptare “Katëri i Radës”, që në vitin e nëmur e të dhimbshëm 1997 u pat mbytur si pasojë e një përplasjeje me një anije ushtarake italiane, akoma askush, as drejtësia italiane, dhe as ajo shqiptare; nuk kanë thënë gjë lidhur me ndonjë përplasje dhe mbytje të qëllimshme të anijes shqiptare plot me emigrantë në ujërat e kanalit të Otrantos (ku vdiqën 81 emigrantë shqiptarë të mbytur në thellësitë e detit).

Po qe se pohimi i deputetes së njohur italiane, rezulton qoftë edhe pjesërisht i vërtetë ose me ndonjë grimë faktifikueshmërie në realitet, atëherë si do të venë punët vallë me këtë çështje paskëtaj tani e tutje?

Mos ndoshta kjo Santanchè-ja di gjëra që gjithë ne vdekatarët e tjerë të zakonshëm mes Shqipërisë dhe Italisë, në këto 18 vitet e fundit nuk i kemi ditur apo marrë vesh?

Përse zonja në fjalë nuk ia ka deponuar organeve të drejtësisë italiane apo shqiptare dijenitë e saj makabre lidhur me mbytjen e anijes shqiptare plot me emigrantë, që sipas fjalëve dhe bindjes së saj, paskërka pas qenë kryer me qëllim nga ana italiane?

Ndër të tjera, zonjën e sipërcituar, vetëm për shkak të llojit të deklaratave thellësisht deliranto- racisto-(pothuajse)-naziste kundër shqiptarëve, kundër kufomave të atyre martirëve të Otrantos së 97-ës (atyre trupat e të cilëve janë rekuperuar nga fundi i detit, dhe atyre të ngratëve që vijojnë të mbeten të humbur); duhej që pa ekzagjerim fare, autoritetet tona ta shpallnin ndërkombëtarisht të kërkuar dhe t’i paraqisnin lidhur me të, një kërkesë formale ekstradimi autoriteteve homologe të palës italiane.

Fundja, jo pak herë, autoritetet tona shqiptare të drejtësisë, nuk kanë ngurruar as edhe për një ditë të vetme, që t’u përgjigjen pozitivisht kërkesave të ngjashme nga kolegët e tyre të drejtësisë italiane, sa herë që ndonjë mafioz italian i nivelit të lartë, mesatar, apo të ulët qoftë, ka ardhur të bëjë tregëtira të paligjshme të çdo lloji dhe investime të dyshimta ose thjesht që të fshihet në Shqipëri.

Bashkëpunimi i suksesshëm, siç edhe dihet botërisht, është i tillë, kur ka një vullnet të mirë të dyanshëm.

Që domethënë: “Ne ua kthejmë juve mafiozët tuaj që kalojnë këtej nga anët tona, dhe juve na sillni Santanchè-në!”

Zonja Santanchè pohon pra me plot gojën se jo vetëm dëshiron dhe kërkon me forcë gomarore që ushtria e shtetit të vet, të pajiset me mjetet e nevojshme për të mbytur anijet e mbushura dingas me emigrantë të pashpresë (Po kjo fyçka, çfarë kërkon? Që marina italiane të përdori topat e luftëanijeve dhe predhat ajër-tokë të avionëve luftarakë, kundër të skamurve kockë e lëkurë që dergjen mbi njëri-tjetrin si mullar nëpër ca palo anije emigrantësh që mezi rrinë në sipërfaqe midis valëve të larta të detit Mesdhe? Çfarë është Italia e qytetëruar sipas mendjes perverse të kësaj gruaje? Një filial i ISIS-it gjë?).

Çfarë e dallon atëherë mendjen, gjykimin dhe vizionin e shtrembër dhe devijant të zonjës Santanchè, nga përçudnimi mendor i hajvanëve vrasës të Boko Haramit në Nigeri, apo nga kokëprerësit gazmorë video-xhirues të kalifatit në Siri?

Pse moj grua, që padyshim di të krihesh, të trukohesh, të mbahesh bukur dhe me elegancë, që di edhe të flasësh me elokuencë dhe rrjedhshëm gjuhën e hijshme italiane të Dante Aligierit; përse vallë t’i hedhësh gjithë këto veti dhe tipare brenda pusit më të errët të pështirosjes njerëzore, sa herë që fillon të formulosh një ide...!

Ide këto tërësisht të denja për gojën e një Adolfi megalloman të viteve 30-40 të shekullit që shkoi, të një Duçeje të krisur të po asaj periudhe, apo të një cilido fashisti ose racisti tjetër të djeshëm e të sotëm?

Po a e di ti vallë moj zonjë, që qoftë edhe ata fashistët e tu të dashur, dikur, megjithëse në dheun tonë patën shkelur si pushtues, këta shqiptarët që ti hamendëson hareshëm se marina e vendit tënd i paska mbytur qëllimisht në 97-ën, i patën ruajtur si bijtë e tyre, kur regjimi yt i adhuruar fashist kish kapitulluar në 8 shtator të 1943-it, duke ua shpëtuar atyre të pasmet nga plumbat nazistë?

Santanchè-ja, ka të drejtën e saj legjitime që të mos i pëlqejë shqiptarët, nuk ia mohon kush këtë shije raciste të sajën.

Asaj mund t’i pëlqejnë macet, krokodilët, harabelat dhe trumcakët, po njëkohësisht, në lokalet e Romës, pranë parlamentit italian ku ajo shijon me nge kafet e saj makiato apo espreso, Santanchè-ja mund të mos honepsi dot qentë dhe shqiptarët (ose këdo emigrant tjetër).

Asaj mund t’i oshëtijnë ende në mendje thirrje si “Juden raus” (Jashtë hebrenjtë) dhe këto thirrje prapanike mund t’ia ketë ënda që t’ua mveshi shqiptarëve; t’i pëlqejnë këngë të ndryshme të këmishëzinjve fashistë e gjëra të këtij lloji; por ajo që asaj i ka shpëtuar nga vëmendja, është se në 2015-ën kafshëri të tilla të përbindshme s’mund të dalin (pa pasoja) nga goja e një politikaneje të lartë të nivelit të saj, aq më tepër në një vend si Italia që qëndron me meritë të plotë në pararojë të demokracisë europiane sot, dhe që ka qenë djep i civilizimit qysh mijëra vite më parë nga Perandoria Romake e këtej.

Për ta mbyllur, përshkrimin makabër të mendimit të saj lidhur me tragjedinë e padëgjuar në detin Mesdhe, dhe qindra jetët e pafajshme të emigrantëve të këputura në mes atje; zonja Santanchè; e kurorëzon me idenë se “ajo që bëmë në të kaluarën në Shqipëri (mbytjen sipas saj të qëllimshme të Katërit të Radës dhe 81 emigrantëve shqiptarë nga përplasja ende e pazbardhur me anijen ushtarake italiane “Sibilla”); është “zgjidhja e vetme” për t’u përballur me emergjencën emigracion që fshikullon brigjet italiane prej vitesh!

Tani, pa u lodhur fort, “zgjidhje të vetme”, “zgjidhje finale” e kështu me rradhë, para Santachè-së, kanë propozuar dhe vënë në zbatim, me efekte skajshmërisht lebetitëse, të tjerë aventurierë që kanë qëndisur kapitalin e tyre (inekzistent) politik, mbi “sallatë-grirjen” e pafundme raciste, që përherë drejtohet si bataré mitralozi racistoid, kundër më të dobtëve, të varfërve, të pamundurve etj.

“Zgjidhja finale” dështoi në 1945-ën, “Zgjidhja e vetme” e Santanchè-se, ka lindur e dështuar po ashtu sot!



(Vota: 5 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: