Meri Lalaj: Gëzuar ditëlindjen, Irini Qirjako!
| E Marte, 21.04.2015, 08:17 PM |

Gëzuar ditëlindjen, Irini Qiriako!

Nga Meri Lalaj

Sot është 21 prill dhe sot ka ditëlindjen këngëtarja jonë e madhërishme Irini Qiriako. Dyzetë vite në skenë dhe sërish një mrekulli sot në ditëlindjen e saj të gjashtëdhjetë. Zëri i Irinit tingëlloi kumbues i kristaltë në koncertin e sotëm duke na e mbushur shpirtin plot e përplot. Ajo doli në skenë me kostumin popullor të Shqipërisë së Jugut. Salla e Teatrit të Operës dhe Baletit e mbushur tej e ndanë dhe Irini fillon me “Këngët e Atdheut tim” me vargjet drithërues të poetit Lefter Çipa që të emocionojnë aq fort sa nuk mund t’i mbash dot lotët. Irinin e bukur e të qeshur e përshëndet këngëtarja e ardhur nga Kosova zonja Shpresa Gashi. (Ende kemi mall për vitet që kanë ikur e jemi takuar kaq rrallë me bilbilat e Kosovës.) Irini këndon dy këngë aq të njohura për ne të gjithë. “Te Rrapi në Mashkullorë” dhe “Do marr çiften do dal për gjah”. Irinin e përshëndesin dy balerinët Lili Cingu dhe Rexhep Çeliku me një valle baritore. Mandej mikesha e saj Sabahet Vishnja e përshëndet duke kënduar një jare shkodrane. Grupi folklorik i Zhulatit këndon një këngë ngritur enkas për bilbileshën Irini Qiriako dhe sa bukur ata gjashtë burra i dhurojnë nga një trëndafil të kuq. Këngëtarja Irini Qiriako këndon për publikun Potpuri dasme të Jugut. Valltarët e Ansamblit të Këngëve e Valleve e përshëndesin me valle të Tiranës, vallen e Gjakovës dhe valle çame.

Irinin e përshëndet artistja jonë, e mrekullueshmja Margarita Xhepa duke recituar një poezi dhe pas saj ngjitet në skenë posi një flutur mrekullia tjetër e skenës dhe ekranit tonë Tinka Kurti, që i dhuron këngëtares një tufë me lule të bukura. Kryetari Komunës së Preshevës i ardhur në Tiranë për këtë rast i dorëzon Irinit “Mirënjohjen e Preshevës”.

Ky koncert zgjati më se një orë e gjysmë dhe harruam gjithçka: lajmet e këqija, hallet e Shqipërisë, politikën...

Unë ndihem e lumturuar që jam bashkëkohëse me Irinin (emri i saj në gjuhën greke do të thotë Paqe) dhe Irini është paqja e mirësia vetë.  Më ka rrëfyer një mikesha ime se kur po këndonte Irini në një koncert në një park të Parisit njerëzit nuk shkuleshin nga vendi duke dëgjuar të mahnitur.

Riviola, bija e vetme e Irinit, është mjeke dhe po specializohet në Gjermani, ajo duhet të jetë jashtëzakonisht krenare për nënën e saj të mrekullueshme. Unë dhe ime bijë, të urojmë e dashura Irini edhe shumë vite të lumtur plot shëndet, të jesh e bukur dhe e rrethuar nga dashuria e njerëzve të tu të dashur.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: