Murat Gecaj: Libër i ri nga Prof Shefik Osmani
| E Marte, 21.04.2015, 06:19 PM |

LIBËR I RI I PROF. SHEFIK OSMANIT, PËR CIKLIN E ULËT SHKOLLOR

Nga Prof. Murat Gecaj

Në vitet e jetës së tij (Shkodër, 20.05.1923-Tiranë, 21.07.2012) prof. dr. Shefik Osmani shkroi e publikoi mjaft vepra didaktike e shkencore, nga fusha e arsimit tonë kombëtar, si dhe qindra artikuj e studime me tematikë të tillë, në gazeta e revista të ndryshme, brenda e jashtë vendit tonë. Kështu, me zellin, aftësitë dhe këmbënguljen e tij, hartoi e botoi afër 40 tituj të librave kërkimorë, studimorë e shkencorë. Ata mbeten pasuri e çmuar për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë, për ta njohur ende më mirë udhën nëpër të cilën kaloi shkolla dhe pedagogjia shqiptare, ndër vite. Por vetëm vdekja e ndau atë nga kjo punë e lodhëshme e frytdhënëse. Pra, ai la dorëshkrim ose të pambledhur në libra të veçantë, shumë punime e studime me vlera. Ndërsa, falë aftësive të rralla profesionale e shkencore të bashkëshortes, Urti Osmani-“Mësuese e Popullit”, ato po bëhen pasuri e lexuesve tanë. Kështu, pasi ajo shkroi vetë dhe  publikoi librin e parë, pas ndarjes nga jeta të tij, “Përjetë me Shefikun”(Tiranë, korrik 2013), e vazhdoi punën e zellshme për mbledhjen e sistemimin e shkrimeve, sipas tematikave të ndryshme. Pastaj, njëri pas tjetrit, ua dhuroi lexuesve librin “Vlerësime për prof.dr. Shefik Osmanin”(Tiranë, janar 2014) dhe dy me emrin e tij, “Figura të shquara të arsimit dhe pedagogjisë”(Tiranë, qershor 2014) e “Ligjërata dhe shkrime të zgjedhura”(Tiranë, korrik 2014).

Siç është e njohur nga lexues dhe studiues të interesuar, të arsimit dhe pedagogjisë sonë, gjatë jetës së tij, prof. Sh.Osmani dha ndihmesë të veçantë për trajtimin e çështjeve me rendësi të ciklit të ulët të shkollave shqiptare. Kjo ishte arsyeja se përse Urti Osmani punoi afër një vit dhe me këmbëngulje për mbledhjen e sistemimin e shkrimeve, që flasin për këtë tematikë. Fryt i kësaj pune, është libri i sapobotuar, “Probleme të ciklit të ulët”(Tiranë, mars 2015). Redaktore është Ma.Fatmiroshe Xhemalaj (Tiranë) dhe recensentë: prof.dr.Vehbi Hoti (Shkodër) e prof.as.dr.Kolë Tahiri (Brukesel). Libri është venë në qarkullim nga SHB “Filara”-Tiranë e përmban 422 faqe. Ai është botuar me teknikë të lartë dhe shoqërohet me mjaft fotografi e grafikë të ndryshëm.

Në hapje të këtij botimi janë shkrimet kritike: “Cikli i ulët, në kënvështrimin e një studiuesi dhe didakti të shquar”(nga prof.dr.Vehbi Hoti) e “Për një shkollë, ku formohet personaliteti i njerëzve të lirë”(nga Ma.Fatmmiroshe Xhemalaj-Shehaj).

Ky libër është ndarë në katër pjesë. Në të parën, flitet për bazat psikologjike të të mësuarit, ku autori tërheq vëmendjen dhe trajton çështje të tilla, si: “Inteligjenca është e matshme”, “Liria dhe karakteri”, për të folurit dhe qendrimin e nxënësve në bankë etj. Më tej, trajtohen probleme të përmbajtjes së të mësuarit dhe nënvizohet fakti se themeli i shkollës vihet që në ciklin e ulët; flitet për disa çështje të formimit gjuhësor të nxënësve dhe për lëndë të ndyshme, si leximin letrar, matematikën etj.

Dihet se në jetën shkollore ka rëndësi vendimtare procesi i mësimdhënies. Prandaj, në pjesën e tretë të librit, janë botuar punime me interes të këtij autori,  si: për metodat e punës mësimore në ciklin e ulët dhe debatin mësimor, për rëndësinë e bazës materiale didaktike-mësimore dhe të organizimit të ekskursioneve mësimore etj. E pandarë nga mbarëvajtja e punës, në tërë ciklin e ulët, është kujdesi ndaj  organizimit, drejtimit dhe edukimit në shkollë. Prandaj, në pjesën e katërt, janë botuar përfundime metodike e shkencore të prof. Shefik Osmanit, si: “Udhëheqja e shkollës dhe dokumentacioni”, trajtohen çështje me rëndësi se si duhet të ndërtohet orari i mësimeve dhe si bëhet analiza e një ore mësimi. Po në këtë pjesë, jepen mendime dhe këshilla të vlefshme për cilësitë dhe autoritetin e mësuesit e të prindit, se si duhet të jetë mjedisi shkollor, në shërbim të edukimit, si mund ta krijojmë muzeun e shkollës etj.

Parë në tërësi, edhe ky botim i ri i prof. Shefik Osmanit, i përgatitur me kujdes e profesionalizëm nga “Msuesja e Popullit” Urti Osmani, është me vlera të shumta didaktike e shkencore. Për mjaft çështje, që trajton, është një udhëzues praktik, si për drejtuesit dhe mësuesit e ciklit të ulët të shkollave 9-vjeçare. Prandaj është mirë që ai të jetë, si në bibliotekat e tyre, por dhe të vetë mësuesve tanë.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: