Drita Lushi: TuNgjat’Jeta, Rozafë!
| E Premte, 17.04.2015, 08:30 PM |

TuNgjat’Jeta, Rozafë!

Labirintheve të Kalasë së Shkodrës

-mbresa-

Nga Drita Lushi

Ç’ishtje kjo grua, kjo nënë, kjo vashë e re, që pranoi të futej e gjallë në varr ,ndonse kishte një foshnjë për të ushqyer e rritur, një burrë për ta dashur e kujdesur ,dhe një jetë për ta gëzuar dhe jetuar?

Ç’ishte?

Kurrë s’më ka mjaftuar legjenda, kurrë!

***

Ah, Kalatë…!

Më tundojnë të shkoj drejt tyre,sepse nuk ka histori, që s’dua të njoh,e që s’dua të di.E kush më shumë se kështjellat e një Vendi, mbartin kaq shumë ndodhi,mistere, të vërteta, gojëdhëna, emra, luftra, lartësi sa vetë ato?

Marr rrugën( me familjen time) drejt Shkodrës, me mendimin të shoh, të prek, të bisedoj pikërisht me kalanë e Rozafatit. Legjenda e murimit, më grish drejt të fshehtave dhe labirintheve, ku herë –herë, historia merr trajta të një princeshe dhe herë-herë, gojëdhëna ngrihet mbi historinë, duke marrë trajta të një hyjneshe.

Kjo kështjellë, e shumëpërfolur për historinë e saj të veçantë, ka tëhequr gjithnjë kuriozitetin tim,si grua, si nënë, jo vetëm poetikisht!

Orët, ecnin drejt perëndimit, kur u nisëm të vizitonim kalanë.

Së largu e shoh si ngrihet e gurtë, krenare,e lashtë, Rozafa… e në këmbët e saj, rrjedh po aq e qetë,e lashtë, e rrëmbyeshme ,e gjerë, nazemadhe Buna.S’di kush është më e bukur, por kjo ngelet  ta shoh kur të mbërrij në bedenat e  kështjellës.

Sa më shumë eci drejt saj, aq më të lexueshëm bëhen shekujt… Preferoj-më të ngjitemi në këmbë e avash deri në hyrje të saj,pasi ashtu më duket se bëhem pjesë e historisë, duke e prekur me çdo shqisë;me këmbë, sy, fantazi, e duke fotografuar  çdo gur edhe në memorje.

Bileta hyrëse në kala, ështe 200 lekë të reja për person,dhe sapo kaloj portën,gjëja e parë, që më bie në sy është varri i Rozafës, aty ku legjenda  thotë, që ajo pranoi të murosej  dhe kërkoi :

“- Shëndosh ju, o kunetë. Po unë do t'ju la nji porosi: kur të më muroni në mur, synin e djathtë të ma lini jashtë, dorën e djathtë të ma lini jashtë, kambën e djathtë të ma lini jashtë, gjinin e djathtë të ma lini jashtë. Se djalin e kam të vogël. Kur të nisë të kjajë - me njanin sy do ta shikjoj, me njanën dorë ta ledhatoj, me njanën kambë t'i tund djepin e me njanin gji t'i jap me pi. Gjini m'u nguroftë, kështjella qëndroftë, djali jem u trimnoftë, u baftë mbret e mbretnoftë!”

Shpesh, mendimet më shkojnë tek dy vëllezrit e mëdhenj që s’mbajtën fjalën, por u treguan grave të tyre sekretin që orakulli u pati thënë, se të nesëmen gruaja, që do sillte bukën do murosej në themele.

Dy vëllezerit e mëdhenj, u treguan grave të tyre që të mos vinin të nesërmen të sillnin udhqimin, vetëm i vogli nuk i rrëfeu gjë vashës së tij.

Njerëzit  e anashkalojnë faktin e mos mbajtjes së besës dhe fjalës së vëllezerve mes tyre.

Të gjithë përqëndrohen vetëm në anën pozitive, që kalaja u lartua e u rezistoi pushtimeve duke mbajtur në themel te saj, nje grua.

Ndoshta, nëse vellezerit do kishin mbajtur fjalen, gruaja që do murosej, s’do quhej Rozafë, ndofta s’do kishim këtë legjendë, ndoshta…

Thuhet në fantazinë e folklorit, që uji i bardhë gëlqeror i cili rrjedh nëpër kala, ka lidhje me qumështin që rrjedh nga gjiri i Rozafës.

Megjithëse e dëgjuar,e ditur, e lexuar, sa herë e çon ndërmend është kaq drithërues ky akt, aq sa, në këtë shekull, s’mund të imagjinojmë, që varrosja e gjallë e një gruaje, do mbante më këmbë, themelet e kësaj kështjelle, që ndërtohej ditën dhe prishej natën.Të emocionojnë fjalët e Rozafës drejtuar burrit dhe kunetërve..dhe “imazhi” i saj të duket se të shoqëron kudo; nëpër shkallë dhe mure, aty ku shkelim, pushojmë dhe shikojmë.

Djali që na shoqëronte më tregon një kuriozitet,duke u shprehur: ”gratë që kanë probleme, që s’mund të lindin, që kalojnë kalvarë të mundimshëm vijnë aty, dhe e prekin atë varr.”

Një foto si kujtim në atë varr-legjendë, dhe… vazhdoj më tutje

Ndonse pasditja është drejt fundit të saj,  përsëri ka ende  turistë dhe vizitorë. Ndërsa ecja, më dukej se edhe mbrëmja po mbante anën time, duke i shtyrë orët dhe minutat mbrapsht, dhe duke ma zbardhur kohën e qëndrimit në të.

Ne atë kala që zë 9- ha tokë dhe ngrihet mbi nivelin e detit në një lartësi 130 metra, kur gjendesh në majë te saj, syri të kap pamje të mrekullueshme rreth e qark, dhe merr ndjesi të papërshkruara lartësish!

Ndodhet aty një muzeum, nje bar kafe për vizitoret, që duan të çlodhen dhe ja, pak me tutje valëvitet flamuri ynë.…Ndërsa  era më merr flokët, mendimet kanë kohë, që rrugëtojne kurioze nëpër porta dhe oborre …historie!

Kalaja ka tre oborre, që vijnë dhe kalojnë me shkallë të brendëshme tek njëri- tjetri, dhe që aty duket i bukur dhe i madh si një pasyrë e argjendtë Liqeni i Shkodrës.

Kalaja ka edhe nje tunel të fshehtë që del në lumin Buna.

Qyteti, duket i pafundëm që aty… Rozafa është e lashtë, madhështore, ka parë luftra, pushtues, u ka qëndruar kohërave, por ajo që e bën atë më grishëse është, që ajo mban në themele të murosur një grua.Ndoshta, është kjo, që i jep asaj veçantinë nga kalatë e tjera shqiptare.

E nuk di, pse pyetjet brenda vetes nuk rreshtin së rendituri, dhe aty ku ngre krye njëra,nis një tjetër, që e përforcon ose, që e hedh poshtë, duke bërë që mendimet të gërshetohen diku,e me tutje, të marrin flatra të lira fantazie.

Pse Ai  Plak i Panjohur, që iu shfaq tre Vellezërve në nje moment dëshpërimi, kur muret e kështjellës nuk lartoheshin, u tha atyre, që duhej pikërisht të murosej një Grua,në mënyrë,  që muret e kësaj kalaje të mbaheshin?

Ndoshta sepse një grua, përfaqëson pjellorinë dhe trashëgiminë e jetës ndër breza, se ajo mëkon luftëtarë dhe qetëson shpirtra të egërsuar..ndoshta Muret do ishin të fortë, nuk do të prisheshin dhe do u bënin ballë pushtimeve.

Pse nuk kërkoi Ai Plak, të murosej, një burre trim, një luftëtar i fortë, një djalë i ri?

Pse, e pse e pse- pambarim të bukura, tunduese dhe munduese njëherësh, më qëndrojnë si kurorë mbi mendime.

Pse-të, janë të bukura dhe kur s’marrin përgjigjen e duhur.

Kalaja, tani  i bën karshillëk Shkodrës që dikur e mbrojti, dhe Shkodra duket se e përshëndet sa herë hedh sytë nga ajo kodër.!

Nuk di pse, më duket vetja si perëndi erërash në atë vend…

Ndërsa lulet e verdha të prillit, kanë mbushur oborrin  plot e përplot.

Një legjendë e veçantë, kaluar gojë me gojë, deri në kohët moderne.Ndërsa aty, të duket se e përjeton për së dyti dhe e sheh si në një film!

E ndërsa lë pas kalanë…qëndroj pak tek porta,nje foto me djalin që na shoqëroi dhe…

Zbres teposhtë dhe nuk mund te rrij pa kthyer kokën pas…e përsëri…!

Një vizitë nëpër Shkodrën e Rozafës, diku një kafe, diku një foto, diku një drekë…

Qyteti ka mjaft lëvizje, ndonse ditë pushimi,e objektet apo muzeumet janë të mbyllura, por kjo nuk më pengoi të kaloj pranë tyre, si dhe të shëtisja  në pedonalen ndërtuar aq bukur, që më kujtonte ndonjëhere stilin venecian.

E ndërsa Lori, vajza që më shoqëronte të djelën më tregonte, se në raste festash kisha dhe xhamia lidhen me një fjongo, duke treguar që besimet fetare dinë të jetojnë në paqe mes tyre.

Largohem në një mesdite pushimi  nga Shkodra,dhe ndieja, që një pjesë imja kishte ngelur pas…ende me Rozafën dhe Legjenden..!

Nuk di pse vargjet e Ndre Mjedës, me vinin në buzë vetiu…

Lamtumirë o mori Shkodër,

lamtumirë, o ti Cukal,

zhduket Buna nën një kodër,

zhduket Drini nën një mal…

***

Prilli ka çelur. Ështe Pranverë.

Drita Lushi, prill 2015..

Foto: Drita Lushi.



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: