Sejdi Berisha: Historia si dhomë e heshtur!
| E Diel, 12.04.2015, 04:14 PM |

RRËFIMI I NDRYDHUR APO HISTORIA SI DHOMË E HESHTUR...!

(Muharrem Kurti: “Data njëmbëdhjetë”- roman, botoi NACIONAL-Tiranë, 2015)

Periudhat kohore dhe ato historike kanë dëshmuar se rrugëtimi i njeriut në çfarëdo mënyre qoftë, nuk mund të shkapet nga barra e përplasjeve, e cila atë e bën të vëmendshëm apo edhe të detyrueshëm për ta kapur jetën mirë e rrast, por të cilën, dashtë apo pa dashtë, e vë në shumë binarë, që rrotullimin e ecjeve e shndërrojnë herë në dhembje, herë në krenari, herë-herë në filozofi, e herë në formulë historie, por shpeshherë të papërfunduar atë, apo të pa definuar deri në fund. Sepse, një gjë e tillë është e vështirë por edhe plot kureshtje të çuditshme... Edhe pse burimi i ujit, si jeta, e ka amën prej nga rrjedhë, ka shtratin nëpër të cilin përplaset e gjatë kësaj shkruan nga diçka për ecjen, por edhe heshtë e nuk tregon për diçka që përherë e ka në zemër e shpirt.

Janë këto elemente që pothuaj se kohës ia shtypin kokën për t’u hapur si kurorë, por edhe për të rrëfyer për gjithçka, e këto rrëfime kanë qenë të ndrydhura, apo edhe detyrueshëm janë shndërruar në mendim të ngujuar mendjeje. E, të gjitha këto, kuptohet, herë tkurrën bymehen e vetëm njëherë shpërthejnë. Këto gjëra mund t’i hasësh tek secili krijues, edhe tek ai që nuk shkruan, që nuk pikturon, që nuk këndon dhe tek ai që nuk bën as histori.

NGA SEJDI BERISHA

Pesha tredimensionale e një romani...

Tek libri “Data njëmbëdhjetë” i Muharrem Kurtit, që në fillim hasim në nismën rrëfyese, e cila të preokupon, dhe përnjëherë t’i detyron mendimet për ta kapur mirë jetën, por edhe katrahurat e saj, të cilat e kalitin njeriun, e bëjnë të qëndrueshëm, e bëjnë jo harrues, nganjëherë edhe të çuditshëm, por e bëjnë edhe bashkudhëtar të së mirës, edhe të së keqes, të madhështisë dhe tragjikes. Dua të them, se vepra e Kurtit, i ngjanë një kompozicioni trenash, në të cilin njeriu katrriset për të udhëtuar ndoshta me kohë, mirë, por edhe provokueshëm e në mënyra të ndryshme. Këtu qëndron edhe pesha artistike, letrare dhe filozofike e mbarështrimit të ngjarjes, rrëfimeve mbase edhe të gjërave që ta detyrojnë leximin e pakëputur të këtij libri, në të cilën spikatën dhe gërshetohen dashuria, dhembja e lufta për atdheun dhe historia.

Muharrem Kurti, i cili edhe në veprat që ka botuar deri me tash, dallohet si për kah niveli artistik dhe letrar ashtu edhe për kah mënyra dhe stili i shtruarjes së ndijimit shpirtëror dhe mesazhit në krijimtari, në këtë libër, nismën na bën kureshtarë me përshkrimin e personazhit bosht, Ilirit, i cili, jo pa qëllim, na servir këtë emër me provokimin kuptimor historik, por edhe për kah kompletja e karakterit të një të riut, i cili nuk personifikon vetëm vetveten! Dhe pastaj, na kyç në kataraktet e jetës, në rrjedhat shoqërore dhe politike, që pothuaj se asnjëherë nuk ishin në favorin e njeriut të kësaj toke, të këtij nënqielli, i cili gjithnjë ndoshta është detyruar të ecën mbi teh brisku, gjë e cila megjithatë ka forcuar karakterin dhe ka ngritur vetëdijen për të mos u lëkundur.

Mirëpo, edhe në këtë aspekt, autori na përkujton se njeriu i ynë sikur edhe nuk ka qenë gjithherë aq sa duhet vigjilent i njerëzores dhe as i kombëtares, edhe pse fjala është për një numër jo të madh, e kjo dëshmohet kur shkrimtari na i përmend trazirat-demonstratat dhe individët lojal ndaj së keqes.

Dikush mund të thotë se kjo ka qenë normale, për shkak të veprimtarive të ashpra të shtetit e pushtetit, ose të dypushtetit, sepse, një, ishte shteti shumëkombësh i “vëllazërim-bashkimit”, dhe tjetri, shteti i monizmit të paparë, kur, në të dy këto bashkësi artificiale, pothuaj se më shumë kishte burgje e kampe se sa çerdhe fëmijësh. Por, ndoshta për një arsye, burgjet ishin ato “kështjellat” me porta të mbyllura më dry, ku mendimi i njeriut evoluonte, vinte si brumë buke dhe përjetësohej në shkrim e dikur në libra, edhe pse, edhe shumë gjëra kanë mbetur në mendjen e njeriut të përvuajtur, e shumë sosh kanë ngelur fjalë e pathënë brenda mureve e qelive dhe të korridoreve të errëta të kazamateve, që ndoshta, dikur do të flasin edhe vetë muret.

Të gjitha këto, sikur menjëherë e pa hezitim, autori i bën pjesë të pashkëputshme me librin, dhe atë që në pjesën e parë të librit. Dhe, e tërë kjo i ngjanë një paraloje të dramës që do të ndodhë në skenë. Kuptohet, edhe me ndihmën e ndihmaqarëve të pushtetit sundues.

Përmes Ilirit dhe rrëfimit të tij, kujtoj se autori i librit “Data njëmbëdhjetë”, nuk e shpreh vetëm pozitën e popullit si një pjesë historie, por, përmes rrëfimit, gjatë gjithë romanit, tërthorazi apo edhe në aspektin e shprehjes së ngjarjes me logjikën e aritmetikës filozofike, reflekton edhe gjendjen e përgjithshme të individit dhe kolektivitetit, gjë kjo e cila ngjanë si një pasqyrë që shërben për ta kapur mirë kuptimin dhe detyrimin e jetës si faktor qenësor.

Pra, në trazira, demonstrata, reprezalje, burgosje, ngjarjet futen në një rreth për t’ua gjetur fillin dhe fijen e zgjidhjes të tyre, duke pasur parasysh paradigmat dhe historinë e çalë dhe të pashpirt, nëse mund të thuhet kështu, që nuk e kemi përtypur për së mbari dhe as nuk e kemi mësuar dhe as kuptuar efektin e helmit të saj, apo jemi bërë imunë në te! Sepse, edhe libri i ndaluar atëherë, në ato kohëra, jo vetëm se shtonte kërshërinë, por rriste edhe më shumë pezmin shpirtëror për gjithçka.

Koha kur edhe ëndrra dënohej-nuk guxohej as të shoqërohesh me ëndërrime...!

Autori, përmes personazheve të imagjinuara, na ofron edhe gjendjen e nderë, e cila padyshim se krijon dilema, halucinacione dhe pasiguri, se edhe ëndrra dënohet nëse tregohet, me bazë se as nuk guxohet as të ëndërrosh. Aq më parë, kur pas stuhive të protestave, pasojnë diferencimet politike të përgatitura e të trilluara mirë.

Dhe, “a ka ku shkon më keq se në Kosovë, kur ndjehesh i huaj në vendin tënd”! Ndërsa, kur postblloqet e policisë ngelin të ngulitura në mendje si frika në momentin e ekzekutimit me gilotinë. Për të gjitha këto, tani, autori, ngjarjen dhe rrëfimin andej e këndej kufirit na i shtron artistikisht, e që janë unikat historie të një popullit të lashtë dhe, “si ta pranosh robërinë liri të deklaruar...”!

Por, autori di aq bukur ta bëjë të pashkëputshme këtë ngjarje me gjërat më të bukura të rinisë, me dashurinë, që kjo relakson shpirtin për një moment, për të gjykuar e komentuar më mirë veprën në vijim.

Diana, puthja e parë dhe zjarri përcëllues, romanin e zhvendosin nga trakullima historike në rrëfimin artistiko-letrar, që me përshkrimin idilik, autori, librit i vë krahë dallëndysheje për t’i theksuar ngjarjet e ngrohta dhe mrekullitë përrallore të dashurisë, ndoshta e veçantë kjo!

Ndërsa, dashuria rritët, bëhet zjarr, por edhe sjellë dilema për të nesërmen, kur i ati i Dianës i thotë asaj të heq dorë nga dashuria me atë djalë.

Shih. Edhe në këtë fragment jete, autori, tërthorazi na sjellë ndërmend kapërthurjet e jetës së njeriut dhe të shoqërisë për kohën kur shkruan, që mund të pasojnë burgosjet, dënimet e veprime të ngjashme. Po ashtu, këtu vërejmë edhe reflektimin e së kaluarës tek familjet me “damka” kohe e sistemi, të cilat lexuesin e shpijnë për komentime ndër më të ndryshmet.

Prandaj, ndrojtja për çrregullime jete ishte prezent tek secili anëtar familje, e veçmas tek prindërit. Kurse, në anën tjetër, qëndron pingul dashuria e pastër si loti, ndërsa rinia është lulja dhe e ardhmja e vendit. Të gjitha këto mbesin tema bizare që e bënin dhe e bëjnë të lëngojë njeri, kombi, toka dhe ajri!

Ndërkaq, dashuria dhe kufiri i shpikur në mes një toke, ngre lartë temë tjetër, sa të dhembshme për dashurinë e dy të rinjve, po aq edhe për ndarjen e një kombi, të shumë familjeve, që sjellë e mbjellë mall, dhembje por edhe ëndrra të tjera, që autori i shtron artistikisht bukur. Andaj, romani “Data njëmbëdhjetë”, edhe pse shumë i ngrohtë dhe i lehtë në lexim, ai prezanton krijimtari moderne, ku rrahën e bëhen objekt trajtimi e studimi shumë komponentë të rregullimit jetësor, të cilët janë me peshë veçantie në aspektin e prekjes dhe të përjetimit të problemeve edhe të filozofisë të historisë së krijuar artificialisht, dhe këtë mendim na bën të qëndrueshëm edhe përshkrimi i kufirit, i cili i ngjanë hijes së rëndë, e cila çdoherë mund t’i shkaktojë të këqijat e mundshme për njeriun.

A ka gjë më të rëndë se njeriu të jetë i përndjekur nga biografia e vetë...?!

E, kalimit të kësaj vije të zezë e të sëmur, ia kishin mësyrë mijëra të rinj kosovarë për t’i realizuar ëndrrat e tyre në shtetin amë. Dhe, shih fenomenin: sa herë që kanë dalë nga shtëpia djemtë, nëna ka thënë: “Dole bir, a? U kthefsh i bardhë”! Edhe kjo thotë shumë për peshën e temës që trajton autori, për pasigurinë historike që kanë pasur gjeneratat gjatë periudhave kohore. Dhe, a ka gjë më të rëndë se njeriu të jetë i përndjekur nga biografia e vetë?!

Pastaj, të papriturat në kufi, që vetëm lisat e gjatë i fshihnin..., dhe gjarpri plotë me ngjyra në kokë që po lëshonte fishkëllimë kërcënuese; edhe në këtë përshkrim llahtarie të kalimit të kufirit, na imponohet metafora dhe mendimi i thellë filozofik për kohën dhe për kohën!

Dua të them se romani rrahë tema edhe në kornizat tjera kohore që duhet të na detyrojnë ta studiojmë këtë fenomen të llojit vet historik; “Sepse, gjarpri zinte monopatin dhe Ilirit i duhej kaluar pikërisht andej”! Rrugë e zënë, rrugë e mbyllur, rrugë që nuk i zihet besë! E, pse?! Pse, pra!

Tash na prezantohet ëndrra dhe dëshpërimi i njeriut, sërish për tokën e vet, por kësaj radhe të asaj pjese të atdheut për çfarë janë thurur dhe ëndërruar e ëndërruar gjërat më të bukura, më madhështore, janë thurur e shkruar vargje e tregime, janë kënduar këngë e këngë, dhe shkaku i tyre, janë mbushur burgjet me të rinj, janë hapur e shtuar dosje, janë hapur varre, janë kalbur eshtra, që as sot nuk u dihet vendi i prehjes as fjala e tyre e ngulfatur brenda shpirtit kurrë e pathënë.

Damkat që shëmtojnë bukurinë dhe lëndojnë historinë!

Kjo formë e rrëfimit, tash për tokën dhe vendin ëndërr, pra për shtetin amë, lexuesit i ofrohet, ndoshta si panoramë madhështore, apo pikturë e paparë me ngjyra plotë gjallëri e dashuri, por që, disa damka ia shëmtojnë bukurinë, ia lëndojnë historinë. Pra, edhe kjo është një pjesë e dimensionit të jetës. Tash, pasi personazhi i romanit, Iliri, kishte prekur tokën, nëse mund të thuhet, të shtetit amë, ai mund ta shikonte nga afër të mirën dhe të keqen që nga dalja andej kufirit, kur takohet me gruan plakë me armë në dorë, që ia drejton një të riu të veshur me pamje e dokë krejt ndryshe nga rinia e atjeshme, për ta ruajtur kufirin e mbrojtur atdheun...!

Edhe ky episod, fillimisht plot habi e zhgënjim e bën me peshën e rrëfimit psikologjik dhe jo fort logjik për një të ri nga Kosova, i ngarkuar me plot ëndrra për liri dhe atdhedashuri, edhe pse rojat e kufirit e kishin të ngulitur shprehjen e raportimit të tyre: “Nuk ka shkelje të reja të kufirit”!

Kujtoj se mjafton kjo, për ta kuptuar tensionimin e jetës me gjëra që sjellin vetëm dëm e gjëra tjera jo të mira. Ndërsa, dhoma e heshtur, ku vendoset Iliri pas kalimit të kufirit, mjafton për ta paramenduar gjendjen pa e shpjeguar tutje rrëfimin ne tij, i cili, edhe në atë situatë, dot nuk e harronte të dashurën, Dianën, me të cilën kishin planifikuar që bashkë ta braktisin qytetin e tyre, por i ati i saj kishte qenë këputës i shpresave të tilla. Ndërsa, shëtitja dhe marrja në pyetje në shumë qytete, Ilirit ia shtojnë merakun dhe i krijojnë pikëpyetje nga më të çuditshmet, edhe pse ai kishte dëshirë ta shëtiste dhe ta njihte sa më mirë shtetin amë, që tani iu kishte shndërruar si mllo, si diçka e bërë bos në gjoksin e tij.

Tani, dy pjesët e atdheut, Kosova e Shqipëria, në dy mënyra të ndryshme, duken si dy gjysmësfera që dallojnë, por as nuk mund ta shohin kthjelltë njëra-tjetrën...! Mirëpo, edhe në këto rrethana, dashuria i ngjanë burimit të ujit, të cilit, nganjëherë nuk i dihet se ku e ka damarin e rrjedhës, dhe se ajo gërshetohet edhe me atë dashurinë nga vendlindja. Veçoritë e tilla të jetës, nuk janë gjë tjetër, veç se panoramë e dokument, të cilat autori i shtron edhe si provokim, që lexuesi të jetë më praktik në kuptimin dhe shprushjen e tërë asaj, që me të vërtetë na ofrohet dhe imponohet si tortë feste, e nganjëherë edhe si pelin, ndoshta për t’i shëruar të gjitha plagët.

Iliri, Diana, Saran Gora, Eli, koha, kufiri, universiteti, studentja e Librazhdit, qytetet dhe dita e nesërme e prapakthimit, nuk janë gjë tjetër veçse gjerdan i temës së romanit, “shkaktarë” të hartës që “Data njëmbëdhjetë” bëhet dhe është simbol i të gjitha rrjedhave kohore, por edhe i rrëfimeve jo vetëm për historinë, as për jetën, qoftë individuale apo edhe e kolektivitetit.

Gërshetimi i dashurisë me atdheun dhe me vuajtjet-tablo e dhembshme rrugëtimi

Dhe kaptina e tretë, kthimi i sërishëm në pjesën tjetër të atdheut pas shtatë vitesh, ky rrëfim ka një perceptim në vazhdimësi të rrugëtimit të ngjarjes. Por, megjithatë, sërish reflekton në situatat dhe përplasjet e njeriut, i cili shpeshherë ka qenë dhe është si mish për top, siç thekson autori.

Iliri, si simbolikë apo edhe sinonim i lashtësisë, i qëndresës dhe i historisë, kthehet në vendlindje me një bagazh tjetër kujtimesh e përjetimesh, por edhe më i gatitur dhe i mësuar për t’u përballë me sfidat e jetës, qoftë në gjykata e burgje apo gjetiu tjetër. Edhe këtu, ai e gjen një mjegulli jete e pasigurie, një ecje me panjerëzi e me faktorë të shtypjes, poltronizmit, urrejtjes, spiunimit dhe të përplasjeve të tjera denigruese, të cilat autori i prezanton thjeshtë, por i ngjajnë tehut plot helm mbi të cilin duhet kaluar e mbijetuar. Dhe, tradhtia e Dianës ndaj Ilirit, fuqizon edhe datën njëmbëdhjetë, kur edhe shpërthyen demonstratat e studentëve.

Kurse, dënimi me shtatë vjet heqje lirie, Ilirin e rëndon me vuajtje dhe me tmerr të pafund. Andaj, edhe shtrohet pyetja: pse ai është në burg, çfarë kishte bërë?! A, pse kombi i tij është ndër shekuj i përvuajtur, i shtypur, i nënçmuar por gjithnjë stoik dhe me qëndrim vertikal. Ndoshta, edhe kjo është një prej çështjeve që këtë roman e bëjnë të debatueshëm dhe temë analize jo vetëm historike por edhe filozofike.

Dhe krejt në fund. Kujtoj se gërshetimi i dashurisë me historinë dhe me vuajtjen që krijojnë tablo të çuditshme jete e rrugëtimi, romani i Muharrem Kurtit, “Data njëmbëdhjetë” është një vepër bashkëkohore me vlera letrare artistike por edhe historike, ku të gjitha intimet, respektivisht, të gjitha fshehtësitë dhe rrëmujat e jetës i ngritë në piedestal, dhe si të tilla përjetohen mirë, por edhe ndërgjegjësojnë në aspektin e vetëdijesimit për ta mos harruar as më të voglin detal që i takon jetës, historisë së njeriut, kolektivitetit dhe njerëzimit përgjithësisht. Sidomos tash kur liria dhe pavarësia disi po vlojnë por edhe po përplasën për ta gjetur dhëmbëzoret e jetës normale dhe të bashkimit të përhershëm për këtë ëndërr.

Si e tillë, kjo vepër, me këtë temë e trajtim të tillë, e ka vendin e veçantë në letrat dhe letërsinë kombëtare.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: