Ndue Ukaj: Kurthi i religjionit dhe historisë
| E Premte, 03.04.2015, 06:51 PM |

Kurthi i religjionit dhe historisë

Nga Ndue Ukaj

Religjioni dhe historia, po mbesin dy kurthe, prej të cilave nuk po arrijmë të shkëputemi dot. Janë dy tema e ligjërime, të cilat e dominojnë debatin brenda kombit tonë, dhe për të cilat, secili aksh shqiptari, ka një soj përgjigje. Madje, këto dy tema, thuajse janë të vetmet, për të cilat s’prajnë së foluri gjithë shqiptarët e kudondodhur.

Mjafton një gjest- sado i parëndësishëm religjioz a historik; një deklaratë apo veprim- dhe e sheh sesi turma të tërë kapërdihen dhe përhumben në hollinë e këtyre dy problemeve dhe debateve pafund. Dhe ec e guxo e thuaj se këto probleme janë të parëndësishme, kur sheshazi shihet se ato jenë fundamentale për kombin tonë, sepse na joshin, tërheqin, tendosin, ndajnë, përçajnë!

E kemi shenjtëruar tolerancën fetare, por ajo rezulton të jetë larg asaj për çka krekosemi.

Historinë nuk e kemi trajtuar dhe s’e trajtojmë si duhet. Nuk jemi të zotët të flasim objektivisht për të kaluarën, figurat historike, dhe për pasojë, nga pësimet historike, gjer tani, nuk kemi mësuar asgjë.

Konsensusi i krijuar me mund, rreth formulës "Feja e shqiptarit është shqiptaria" të Pashko Vasës, tani lëkundet seriozisht. Identitet e fragmentuara ngrehin krye.

Kjo formulë magjike, e pranuar me konsensus nga gjithë etërit e kombit- rilindës dhe të mëvonshëm, të krishterë e muhamedanë, për shekuj e dekada na ka joshë, mahnitë dhe ka ndihmuar emancipim dhe vetëdijen kombëtare. Në saje të kësaj formule, kemi përfituar kompromisin e munguar, dhe si rezultat, fituam pavarësinë kombëtare, më 1912, dhe shtetin e Kosovës, më 2008.

Këtë formulë besimi, e kemi pohuar me mburrje, duke e lartësuar si flamur uniteti, mbi dallimet tjera, kryesisht religjioze. Mirëpo, viteve të fundit, gjithnjë e më shumë, shohim sesi po shfaqet një refuzim i hapur ndaj formulës së Pashko Vasës.

Dhe mbi të, ngrihen lart e më lart, flamuj tjerë. Nganjëherë fetarë.

Tani kur shohim sesi divergjencat rriten, pyetjet që vijnë vetvetiu janë: Ku na shpie kjo gjendje?A jemi të gatshëm dhe të zotët të gjejmë tema të përbashkëta për gjithë shqiptarët, nëse e përmbysim këtë formulë?

A po hyjmë në një post periudhë, në raport me këtë formulë?

Këto pyetje e dilema po bëhen ekzistenciale; çështje hamletiane.

Gjithsesi, nuk mund të shmangemi nga pyetja: Ku ka zanafillën kjo krizë identitare? Për mendimin tim, këtë krizën e identitetit e kanë shkaktuar dhe sajuar bashibozukë të llojit të Haxhi Qamilit, me pretendimet se mund t’i ndërrojnë kahet e historisë. Tendenca e parë ishte fragmentimi i identitetit tonë, apo paraqitja e një identiteti hibrid, të llojit as-as. U pasua me sulmet ndaj figurës së Gjergj Kastriotit, dhe u vazhdua me tendencën qyqare për ndryshimin e historisë. Këto momente, sollën “vëllazërinë” me turqit dhe pasojat tani i kemi këto shthurje, për të cilat po flitet. Mjerisht, në këtë lojë u përfshinë edhe shumë intelektualë.

Dhe po guxojë dikush ta vë gishtin në plagët prej të cilave lëngojmë, kontingjenti i karagjozëve ngrihet në këmbë kudo, dhe aksh personi shpallet blasfemues, prishës i tolerancës, harmonisë e çka jo tjetër.

Ndaj, thuajse është bërë dukuri e përditësuar të dëgjohet, lexohet dhe debatohet për përrallisje primitive të klerikëve që mohojnë histori e kulturë; të historianëve që përbuzin historinë e tyre në favor të simpative religjioze, kryesisht neoosmane.

Mjafton një paradë religjioze, si ajo e futbollistëve shqiptarë, dhe ti e sheh sesi krejt shoqëria i ka sytë atje, flet e debaton për atë gjest, me një zjarrmi e pezëm të papërshkruar.

Ky stad ku ndodhemi, i ka shkuar për shtati politikës, dhe ka sforcuar tej mase këtë kastë kusarësh, që me ligjërimin e cektë, dijen e mangët dhe harbutërinë, ka sforcuar konjuktura shërbyese, duke e çintelektualizuar politikën; universitet duke i kthyer në fabrika ku prodhohen diploma, institucionet e dijes, në garda ku mbrohen idetë e tyre të cekëta.

Për  mirësi dhe ide të përbashkëta, askush s’ka kohë.

Për pasojë, turma zhurmagjinjësh, përdëllehen para politikanëve që shpallin vëllazëri me Turqinë pushtuese. Aty këtu- në këto turma, gjen të tillë, që zgjohen si oksidental e bien si oriental.

Kjo situatë, ka sforcuar artificialisht një kastë tekst shkruesish, që në dallgët e krizave identitare, përplasen sa andej e së këndej, pa zënë kurrë vend diku. Ata prehën më së miri, kur ka zhurmë, sepse zhurma shkon në favor të tyre.

E populli i mjerë, çka të bëjë ai?! Ai s’ka ku të ushqehet tjetër përpos në kroin e helmuar që e kanë çelur këta  injorantë, të cilët flasin dhe përrallisin pa pra.

Për ligjërimi tjera- diturore e racionale- njëherë për njëherë s’është kohë. Është koha e atyre që bëjnë zhurmë. Është epidemia e zhurmës, ajo që ka rrëmbyer si është më zi kombin tonë.

Mirëpo, përkundër gjitha tendencave, trilleve, një gjë s’mund të lëkundet: Identiteti ynë kulturor është Europian, dhe në këtë pikë, na dëfton historia dhe kultura. Ata që duan të sajojnë apo mbindërtojnë identitete tjera mbi këtë  identitet, bëjnë gafë historik, sepse kjo është aventurë donkishotiane.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: