Entela Binjaku: Studentët e mjekësisë…
| E Enjte, 02.04.2015, 08:38 PM |

Studentët e mjekësisë në sytë e një sociologeje…

Nga Entela Binjaku

Puna me studentët në Fakultetin e Mjeksisë nisi rreth 8 vjet më parë.  Bashkë me të nisi dhe rruga ime në mësimëdhënie.

Ndërsa ata i afroheshin profesionit të mjekut, unë i afrohesha profesionit të sociologut dhe provoja të vija në praktikë edhe  ato aspekte  pedagogjike    kisha përvetësuar gjatë viteve të Fakultetit.  Falë punës me ta mësova shumë..mësoj ende.

Falë tyre njoha profilin e studentit shqiptar, të  ish-gjimnazistit elitar e përmes punës me ta  edhe cilësinë e shkollave të mesme shqiptare.

Falë tyre mësova se shkollat e mesme të përgjithshme  të tilla si:  “18 Tetori” “ Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji” ,”Naim Frashëri”, “Ismail Qemali”,  “Partizani” etj., vazhdojnë të jenë në pararojën e shkollave të mesme publike shqiptare, po ashtu siç mësova se  shkollat e mesme jopublike si: “Flatrat e dijes”  “Perla”,  “Nehemia’, Kolegjet Turke etj., kontribuojnë mjaft në të mirë të shoqërisë përmes punës së madhe  që bëjnë me fëmijët që studiojnë në to.

Bashkë me studentët e Fakultetit të Mjekësisë njoha produktin që  krijonte matura shtetërore,  mësova sesi përllogaritjet e koeficientëve bënin pjesë të  këtij Fakulteti vajza dhe djem që kishin zgjedhur anglishten dhe matematikën si provime me zgjedhje,  edhe pse hendeku me këto dy fusha shkence, njëkohësisht  me pranimin në këtë Fakultet,  ishte përherë e më i  madh.

Nga puna me ta kam mësuar se dashuria e  periudhës së gjimnazit për matematikën ishte e pazëvendësueshme, se vendin e saj e zinte gjithmonë e më shumë nostalgjia; po ashtu kuptova  se biologjia dhe kimia që ata aq shumë i kishin studiuar gjatë  shkollës  së mesme, ishin larg së qenit “gjëra të thjeshta e të ditura”.

Nga puna me studentët e mjekësisë mësova sesi “programohet” një student që kërkon notën 10 ende pa filluar programi mësimor, sesi rëndësia e mesatares është aq e lartë sa ajo bëhet mendimi i  parë dhe mbizotërues deri në fund  të shkollës. Prej tyre mësova se specializimi është një gjë që mendohet ende pa filluar shkollimi.

Po ashtu gjatë këtyre viteve të punë mësova sesi fundjavat i gjenin  nëpër familje,  sesa të pranishme ishin familjet në përcaktimin e degës që ata kishin “zgjedhur”, mësova se “prindi ka dashur të bëhem mjek” ishte një fjali që përsëritej në breza dhe se “mamatë shqiptare ishte një faktor shumë i përcaktues në këtë “përzgjedhje”.

Me ndihmën e tyre kuptova se mjekësia mund të ishte ajo fushë që studiohej sepse “nuk kishin tjetër ku të shkonin” siç natyrisht mësova se të qenët mjek ishte profesioni që kishin dashur dhe ëndërruar veten që të vegjël.

Me punën me studentët  e Mjekësisë mësova se lëndët “sekondare” siç ata i quajnë mund të marrin një  vlerë nëse  i  identifikojnë ato  me personalitetin e pedagogut të lëndës.

Me punën time në këto vite  jam munduar t’u tregoj studentëve të këtij Fakulteti  se sociologjia gjendet kudo rreth nesh: në karrierën tonë, në familje, në qëllimet që kemi, në dëshirat tona madje edhe në vetë mendjet tona.

Puna me këta studentë të mirë më ka mësuar se vështirësia reale e punës sime qëndron në të kuptuarit e rëndësisë që kanë temat që trajtojmë gjatë orëve tona të pakta,  për t’i lidhur ato me realitetin ku jetojmë dhe me  shoqërinë e gjerë.

Ajo që kam synuar ka qenë që orët të jenë aktuale dhe bashkëkohore, siç kam synuar   të kuptojnë  se nuk është e nevojshme të jesh sociolog për ta “parë” shoqërinë sociologjikisht, por sociologu  mund t’i ndihmojë të kuptojnë  më mirë “botën ku kanë jetuar gjithmonë”.

Shumë prej ish studentëve të mij tashmë kanë nisur punën si mjekë dhe janë sot në po atë fazë që kam qenë unë… kur nisa të punoja me ta.

Ju dëshiroj vetëm suksese dhe shpresoj të jenë po aq të motivuar sa unë për të njohur më mirë mjedisin ku punojnë dhe për ta dashur njeriun me po të njëjtin pasion e humanizëm që kërkon puna me njerëzit…

Të tjerët që janë ende studentë…Atyre do t’’ju thoja po të njëjtën gjë që ju kam thënë në prezantimin tonë të parë: “rrugën e keni nisur…është vetëm çështje kohe”.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: