Drita Lushi: ''Bir i botës'', si bir i çdo shtëpie
| E Merkure, 01.04.2015, 09:13 PM |

“BIRI I BOTES”,si Bir i çdo shtëpie.

Mendime, rreth romanit të Demir Gjergjit.

NGA DRITA LUSHI

“Jeta?...Jeta përbëhet nga sekondat,orët,ritmet e frymëmarrjes,ditët, rrahjet e zemrës,nga lëvizjet dhe ngjarjet…”

“…mes drurëve lekurëbardhë të mështeknave,teksa shkelnim pa mendje mbi gjethe dushqesh, rrapesh, ahesh…kështu e shkelim të shkuarën. Ndërsa rendim për te çasti tjetër, dëgjojmë veç një rënkim të lehtë të saj nëpër hapat tona dhe…kaq”

***

Kështu shkruan Lumi në ditarin e vet, kur jeta e tij ishtë e bukur (për moshën rinore në të cilën jetonte, për ëndrrën, shkollimin dhe të bërit art) dhe e ndërlikuar njëkohësisht;

Kështu shkruan Ai, kur jeta ishte e dashur dhe e beftë, kur ishte me shpresë dhe me re ;

Kështu shkruante Djali, që mbante brenda vetes vuajtje dhe brenga,por edhe vullnet e buzëqeshje,e përmes këtij ditari dhe këtyre rreshtave, shpaloset një filozofi sa e vërtetë aq dhe e pafajshme, në një sinqeritet,që vjen prej syve të vëmendshëm, nga ku buron një e vërtetë si ajo e ditës kur zbardh…

Dhe ky ditar, bëhet njësh me lexuesin, e të duket befas se po lexon në një fletore me shkrim dore, gjithe botën e brendëshme të Fatlumit,këtij djali ëndërrimtar dhe guximtar, të paepur dhe trim që tall fatin e tij, jetën e vështirë, për të ngadhnjyer me botën dhe forcën e tij të brendshme.

Pasi lexon e kalon faqe pas faqeje, “BIRI  I BOTËS” bëhet si djali i çdo shtëpie, bëhet vëllai, miku, kushëriri i çdo lexuesi..dhe ne nisim ndjekim me sytë e mendjes, ndërsa lexojmë gjithë jetën e shkruar me jetë, që nga ngjizja, lindja, peripecitë, ndërsa Ai rritet krahas viteve edhe me jetë të tjera, me vdekje, me frymëmarrje dhe ngërçe. Duke vazhduar leximin,kemi para syve dhe vëmendjes, një tablo të plotë, ku autori është ai piktori,që na sjell si mjeshtër i vërtetë, një kuadër modern për nga ndërtimi.

Ndonëse subjekti ndërtohet nga një rrjedhë e saktë ngjarjesh, futja dhe rrëfimi i pjesëve në formë ditari,si tregime të shkruara,apo si ndërhyrje estetike dhe intriguese, japin një format të ri dhe të pëlqyeshëm të një romani, që për mendimin tim i kalon kufijtë personalë.

Ne nuk njohim vetëm jetën, fatin, rritjen e një djali si Fatlumi ndarë në periudha e vite.Ne lexojme dhe para sysh si një film pa zë, me metrazh të gjatë, shohim një periudhë historike dhe jetësore të një vendi  nga njera anë, dhe nga ana tjetër një djalë që rritet, merr e jep me këtë kohë, qoftë me ambjentin, vendet, ngjarjet, qoftë me personazhet.

Ne njohim anën politike, ngjarjet më të rëndësishme, të gjitha në një gjuhë të thjeshtë, të kuptueshme, pa lajle lule zbukurimesh në zhargonin, që flet një fëmijë, një burrë apo një grua, që jeton në ato vite, që përshkruhen në roman.

I veçantë është përdorimi  nga autori i emërtimeve si : “Buzagaz i Madh, “Katër Mjekrat” “Syzet e Errëta” etj,që personifikojnë figura të njohura të diktaturës komuniste jo vetëm në vendin tonë.Kjo është gjetje për të anashkaluar përdorimin e emrave konkretë, për të zgjuar kureshje dhe interes tek lexuesi që s’ka arritur t’i njohë, dhe për të rikujtuar përmes detajeve të gjithë ne, që kemi jetuar në kohën e tyre.

Ndërtimi i romanit duke iu shmangur një vije lineare të gatëshme, devijimi nga rrëfimi  kronologjik,lindja e një ditari interesant i jep larmishmëri në ndërtim dhe strukturë librit,dhe ndërhyrja e autorit në të tashmen, ku fut herë pas herë elementë të së shkuarës, është një gjë e bukur,të mban larg nga monotonia,është grishës dhe të merr drejt  faqeve të reja të tij pa kuptuar.

Një gjë që me bie në sy, teksa vazhdoj udhëtoj nëpër ngjarje vite dhe personazhe, është futja e autorit brenda botëve të personazheve të tij, duke folur me gjuhën e tyre, duke jetuar me  brengat e tyre, të fshehtat apo gëzimet e tyre, duke iu bashkëngjitur këtyre dhe emrat që u shkojnë per shtat qysh në lindjen dhe zhvillimin e personazheve të tij;

Përshembull Vajtimja, është një grua, që vërtet vuan dhe jeta e saj është për t’u vajtuar nga çdokush, që ndjen dertet e asaj gruaje por dhe të çdo gruaje shqiptare që kanë patur të njëjtin fat,është një grua, që ecën në një kalvar peripecish me dashje apo padashje dhe është jeta e rrethanat që përcaktojne fatet e personazheve dhe jo ata që përcaktojne jetën e tyre;

Fatlumi, Festimi, Bijona, Birjoni, Fari etj etj,-aq bukur i përshtaten qëllimit për ti shpalosur përpara nesh për atë, që ata përfaqësojnë dhe tejçojnë, me të gjitha ndodhite tek lexuesi.

Duke shfletuar librin, arrin të përjetosh dhe jetosh, nën peshen e emocioneve të ngjarjeve dhe personazheve në te gjitha dimensionet jetesore;lindje, dashuri, vdekje, ligësi,gëzim,pabesi,pafajësi, guxim, tradhëti.

Nuk është thjesht një rrëfim…është një rrëfim i lakmueshëm ku poetika s’i ndahet asnjë çast subjektit,në të gjitha gjendjet, që autori krijon përmes njerëzve që flasin e jetojnë, dhe botës së brendshme të tyre.

Ngjarje, vende,të papritura,situata të dridhëshme dhe që të mbajnë pezull e mes tyre luajne një jetë të vertetë njerëz, që të bëjnë t’i duash apo urresh, përshkrime të trishtuara mes gezimit të siperfaqshëm,dhe gëzime të mëdha mes vujajtjeve të thella, të gjithë dhe të gjitha  në një rrëfim të romancierit Demir Gjergji, dhe përmes “Birit të Botës” ne përjetojmë dhe mësojmë edhe fatet e shumë moshatarëve të tij,  në një vend dhe kohë jo shumë të largët.

Mendoj që romani “Biri i Botës”i kalon përmasat autobiografike duke na sjellë jetën e një kombi, një vendi, një krahine përmes një personazhi kompleks siç është Fatlumi,i cili  vjen në një rritje jo vetëm fiziologjike.

***

“Jeta ime!-klithi në kulm të haresë,-Shiheni jetën time!

Po fluturon në qiell”…

 

Drita Lushi.

prill 2015

Autore, poete-prozatore.



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: