Sejdi Berisha: Kulla e qëndresës
| E Hene, 23.03.2015, 08:53 PM |

Në prag të 24 marsit, të vitit 1998, kur në Gllogjan, nisi Beteja e UÇK-së, me çfarë, si edhe në të gjitha viset e Kosovës, filloi faqen e re të historisë, po ua prezantojmë poemën “KULLA E QËNDRESËS”

kushtuar Betejës së Gllogjanit nga libri “FJALA E GJAKUT”, e cila është botuar në vitin 2006, e ku janë të përfshira tri poema: “Flakë po qet e nuk po digjet”-kushtuar luftës dhe të gjithë të rënëve në Prekaz; “Kulla e Qëndresës”-kushtuar Betejës së Gllogjanit dhe poema “Logu i Dritës”- kushtuar Betejës së Koshares.

Në këto tri poema janë përjetësuar emrat e të gjithë të rënëve në këto beteja historike për liri dhe për çlirimin e Kosovës.

__________

Sejdi BERISHA

KULLA E QËNDRESËS

-Poemë (në frymën popullore) kushtuar Gllogjanit-

__________

 

…-Çohuni o burra!...

Tërë Kosovën ta shëtisimin,

Ta vizitojmë,

Të përqafuar e dorë për dore

E moj Kullë e Dukagjinit…

Gjeneratat vijnë e shkojnë,

Për këta trima këngë do t’këndojnë!

Dhe, shih…voglushit

Sa shumë lotët i pikojnë!...

__________

(KULLË E DUKAGJINIT NË GJLLOGJAN

-SIMBOLI I DIELLIT QË DJEMTË

AMANET NA LANË!...)

(Një çun i vogël, krejtësisht i vogël, afrohet tek dera e oborrit të madh të Kullës dhe shikon shikon anë e përrreth. Zemra i rrahë si lepurit. Ndoshta jo ashtu. Diqysh ndryshe, dhe fjalët e tij era i bën jehonë. Jehonë i kthehen edhe përgjegjjet!

-Çka ka në këtë Kullë?!... Pse aqë shumë lule në oborrin e saj!

-Kjo është Kulla e Qëndresës… aty pushojnë dëshmorët e kombit.

-Si?!... –afrohet voglushi me plot lecka në trup e me sy zjarr, vetëm në hyrjen e Varreve të Dëshmorëve. Shikon e shikon. Tërë atë vend flakë e bën me dritën e syve. Një yll i madh e shndërrit vocrrakun dhe, sikur gjerë e gjatë ai yll i shpjegoi për varret, për lulet, për kullën, për qëndresën…):

 

Janë do kulla në Gllogjan,

Që tregojnë për historinë,

Rezistencën dhe trimërinë,

Për çfarë tjetër pos për lirinë.

Janë do male e do shkrepa në Dukagjin,

Prore llastohen, nuk durojnë robërim

Përë këtë kanë kurorë madhështore,

Që tregon për rritën e pastër

Me qumësht nënlokeje, bukë – kore.

Nëpër shekuj edhe mote,

Rritet zemra hidherake

Me dritën e pranverës.

Si e tërë Kosova pra,

Ka djemë në Deçan, edhe në Gllogjan,…

Që fushave dhe maleve zemrën ua dhanë.

Kullave përplot histori

Ngjarje të mëdha e të përhershme

Burrërinë ua bëjnë edhe më t’përjetshme.

 

1.

Të shkojmë radhazi, kurorë për kurorë,

Le të flasim pakëz për dëshmorë:

Në një kodër në Gllogjan,

Pesëdhjetë trima diellin amanet na e lanë.

Është Luani me lulet e majit

Që gjithnjë i kishte në zemër si stoli.

Kur kërkohej

Shlirë t’merr frymë kjo tokë,

Luan Haradinaj bashk me shokë,

Me Fehmi e Xhevë Lladrovcin

I madhështojnë bjeshkët e larta,

Kënga dhe fryma e tyre

Ujisin tokë e gjelbërojnë bokë.

Te Qafa e Mullarit diçka është parë

Afër fshatit Larë  diçka ka ngjarë!

Po dëgjon o Deçan,

Junik, Hulaj e Prapaqan,

Le të jehojë kjo fjalë

Edhe në Irzniq,Isniq e në Gllogjan,

Po, po,… edhe në Gllogjan,

Se pikërisht me gjashtë maj të vitit ’97,

Lulet kur marrin hov e shtojnë dashuri,

Luan Haradinaj në to-

Përgjithmonë u shtri!...

Të gjithë pyesin si me habi:

Ç’është ky diell kaq i madh?

Thotë Luani duke i qeshur fytyra:

Mos u trembni o të dashurit e mi,

Se ja,… këtë tokë po e shoh n’liri!

 

Pak lot i shkojnë t’vëllait, Ramushit,

Edhe shokëve tjerë,

Por edhe më shumë

Zemrat forcohen e bashkohen;

Kemi forcë bjeshkët t’i bashkojmë,

Pak me lot e pak me mallë,

Për herë të fundit Luanin e përqafojnë.

Uruan, kënduan e thanë:

O Luan…!

E bëre krenar Duakgjinin e tërë Kosovën,

E të mos flasim për Gllogjan.

 

2.

Në mars, për farën ëndërrojnë arat,

Merr kokë gjelbrimi,

Edhe lulet janë ndër t’parat

Në këtë muaj,… në Gllogjan,

Sa bukuri, sa madhështi;

Për këtë pranverë ishte i gatshëm,

Çdo plak dhe i ri,

Kurse shkolla edhe më shumë,

Bëhet vulë për dituri.

Mu për këtë,

Agron Mehmetaj me shokë t’vet:

Gazmend Mehmetajn e Himë Haradinajn

I mbrojnë nxënësit edhe shkollën,

Jo nuk ikin, kanë zënë priten:

Jemi të lumtur për të vdekur,

Fëmijët tanë shlirë duhet t’rritën.

Sikur u dëgjohen fjalët e fundit:

Nëna të vuajtura e baballarë,

Ruajini fëmijët e kësaj toke,

Janë filiza e bëhen trung,

Kështu do të shkojmë deri në fund –

Prej epoke në epokë!

 

 

 

Tash më shumë,

Ushton qielli dridhet toka,

Marsi përherë është i bukur,

Sot është edhe më i dashur;

Pra, me njëzetë e tre  t’këtij muaji,

Të vitit ‘98 ranë dëshmorë,

Të përjetshëm kanë mbetë

Agron Mehmetaj, Himë Haradinaj,…

Por edhe Gazmend Mehmetaj,

Ranë këta trima për atdhe t’vet.

 

3.

Do të jetë pranverë e nxehtë

Dikush këtë fjalë si dritë e ndezi,

Dëshmoi Arben Qerimi e Faruk Elezi.

Lufta e marsit edhe më tepër

Shumë të rinj i trimëroi;

Rruga Deçan-Gjakovë,

Në Prejlep e Ratavicë,

Për Arbenin ishte pritë e mirë

Sepse armikut s’i lënte rrugë as rrugicë.

Në muajin maj,

Kur edhe në zemër

Dashuria e lulet gufojnë,

Ori motra, ore vëllezër mbani mend:

Predhat e as sulmet e armikut

Nga Suka e Baballoqit,

As nga Hulajt e Podi i Gështenjave

S’kanë çka m’bëjnë!

 

Me njëzetë e gjashtë maj ’98 në Rastavicë,

U bë e përmotshme një dritë.

Në këtë rrugë, prej Deçani në Gjakovë,

Arben Qerimaj sikur u shndërrua

Në zanë të malit, në orë mbarë,

Siç ndodhi me Faruk Elezin

E Gjurgjevikut – pesë ditë më parë…

Në Grabanicë duke luftuar

Për Kosovë, Dukagjin e Drenicë.

 

4.

Ah, gjithmonë kemi pasur dëshirë

Popullin tonë ta shohim të shlirë;

Kështu kanë thënë vëllezërit

Likaj nga Carrabregu,

Ka thënë Enveri, Samiu dhe Lavdimi:

Oj toka e Kosovës

Ky është i yn’  kushtrimi,

Nuk na bën mirë jeta n’kurbet,

Do të kthehemi në Dukagjin

Për të luftuar edhe ne të tret’.

 

Iku maji e vjen qershori ‘98

Në Kosovë bëhet nxehtë e më nxehtë…

Në Carrabreg, Prejlep e në Deçan

Vjen armiku, por çap s’ia ban,

Se janë besatuar disa djemë

Dhe i tërë populli krejtë

Që këtë vend për ta mbrojtur

Me gjak e jetë:

Përballë shkollës “Lidhja e Prizrenit”

Po, po në Carrabreg,

Ku kanë mësuar shkronja  e janë kalitur

Femijët e kësaj toke

E kanë forcuar dashurinë

Edhe historinë e ditën  për lirinë:

Bjen Lavdimi më trim se trimi

Edhe një fanar lirie-

Një qershori ‘98

Do të shënohet vjet për vjet.

Aty vritet edhe Blerim Dërvishaj

nga Irzniqi,

Por trupi i tij nuk u gjet.

Kishte ikur, lart ishte ngjitur,

Tokën e Kosovës për ta bekuar,

Lirinë për t’na uruar!...

Një ditë më vonë,

Faik e Besim Haxhaj,

E mbrojnë fshatin Carrabreg;

Nuk lejojnë të mirret fshati,

As popullit

Në duar t’armikut t’i mbetët fati,

Ballë për ballë me armikun:

Si Faikut si Besimit

Gjoksi u bëhet mburojë

Sa Deçani e sa Juniku.

Jemi djemë të kësaj toke,

Mos u mërzitni baballarë

As ju nënloke –

Na varrosni në livadhe plot gjelbrim

Këtu le të mbesim si dashuri e si kujtim.

 

Muaj qershor

Plotë dashuri e me zë kasneci

Tek po thot Armend Kukleci,

Si shqiponjë e si rrufe:

Prejlepi, Juniku, Vokshi e Sllupi,

Edhe Pobërgja, Shapteji,

Gramoçeli e Carrabregu-

Janë këto vende

Ku gjithnjë lëvizte Armendi.

 

Nuk i linte vend armikut ky “Pejani”

Dhe me dritë të madhe në zemër

Bie trimërisht në Drenoc te Deçani:

Katërmbëdhjetë qershor ‘98

Armend Kukleci për tokë t’Kosovës

Mbetët i gjallë përjetë.

 

Në fund t’qershorit me datë tridhjetë

Jakup Agushi nga Drenoci i Klinës,

Vazhdon traditën e gjyshit,

Të babait dhe të të vëllait,

Tash jo në Lëvizjen Kaçake

Të Nue Përlleshit,

Por, për çlirimin e Kosovës

Në njësitin e komandant “Malës”,

Përherë i vërente të gjitha anët e medaljes.

 

Në Dranoc të Klinës

Jakupi i familjës Agushi,

Guximtar si kurkushi,

I shkaktonte humbje e tmerr armikut

Dhe me tridhjetë qershor ‘98

Jakup Agushi n’histori ka mbetë!...

 

5.

Pas qershorit vjen korriku;

Kudo në Dukagjin

Mposhtët armiku,

Ushton Loxha e Juniku.

Më saktësisht, me gjashtë qershor ‘98

Nga dështimet armiku ç’orjentohet krejtë.

Sa ligësi e në shenjë hakmarrjeje

Armiku i vranë tre të rinj në Qerhane –

Afër Loxhës, në Dardani:

Bashkim Mehmetaj, Ahmet Xhekaj

E Niman Bajraktari,

Biejnë dëshmorë

Pa u frikësuar asnjë grimë,

Se janë nisur nga fshati Rudicë,

Të rritur me frymë toke,

Që i thonë Klinë e Drenicë.

 

S’është asgjë paraja n’mërgim-

Thotë Rexhë Qorraj

Duke pritur me padurim

Që të kthehet në atdhe shqim;

Sepse, në Carrabreg e në Deçan,

Janë shumë nëna e motra

Që në shpirt të gjithave u dhemb,

Shumë baballarë e fëmijë

Që iu rrezikohet votra.

 

Vrasja e Osë Qorrajt në vitin 1912,

Gjithnjë duke u rritur,

Rexhën e shoqëron kudo në jetë.

Jemi shumë vëllëzër, or…

Nëse unë kam me vdek,

Edhe pesë kanë me mbetë!

Mos mendoni se mërgimi

Dashurinë për atdhe ta zvetnon;

Përkundrazi,

Heroizmi i këtij trimi

Më së miri na tregon:

Me trembëdhjetë ‘98

Në një luftë fyt për fyt

Ra në tokën e vendlindjes-

Aty pushon,

Dheu sipër trupit tij

Sikur këngën e lirisë

Gjithmonë e këndon!

 

Po këtë ditë,

Tërë Carrabregu n’mend e mbanë:

Ra edhe një i ri me emrin Artan,

Bir i Qorrajve- vjeç tetëmbëdhjetë,

E fali shkollën edhe gjakun

Të tjerët të rritën të qetë,

Të lumtur e në liri.

Dhe, sikur dëgjohet zëri i Artanit:

Por,… mos harroni o vllazni,

Vetëm bashk ecim në ardhmëri.

 

Mos më mb’loni me dhe trash,

Të dëgjoj kam dëshirë

Si do të ecni të lumtur e shlirë!

Prej Deçanit,

Kalojmë pakëz në Lug t’Baranit,

Për t’i thënë vetëm dy fjalë

Për një trim e për një djalë.

Ilmi Mushkolajn e mbani mend,

Nga betejat në Gllavicë t’Vranocit

E në Qallapek…

Por Ilmiu vazhon apet:

Në Rrasë të Zogut qenka shkru’

Për t’u ndalur e për  t’luftu’.

 

Dhe Ilmiu,…ishte më i riu

Nga gjashtë fëmijët që i kishte Sadriu-

Bie dëshmor në këte vend.

Rrasa e Zogut e ka t’vjetër historinë,

Dhe, sikur pikërisht për këtë,

Me nëntëmbëdhjetë korrik ’98,

Ilmiu me gjashtë shokë të tij,

E bëri edhe më të fortë përjetësinë!

 

6.

Më nënt gusht paskan thënë,

Çka lajmëron Sokol Sejfijaj

Nga fshati Gllogjan:

Malli për Kosovën edhe për nënën

Ma ka këputur shpirtin,

Ma ka rënduar zemrën.

Vendlindja peshë m’ka çuar,

Për t’u çliruar duhet luftuar!

Në luftimet në Baballoq,

Gramaqel e Shaptej,

Kudo si shqiponjë gjendet Sokoli…

Në Prejlep, Rastavicë e Jabllanicë,

 

Po po,…!

Me nëntë gusht të këtij viti,

Ra Sokoli,…lum nëna që e rriti!

Vetëm dy ditë më vonë

Çlirimi i Kosovës kështu e don:

Enver e Orhan Halilaj,

Poashtu nga Gllogjani,

Mu tek shkolla “Hasan Prishtina”,

Ranë dy lisa, u vranë dy trima.

Po këtë ditë,

Arton Hasanaj nga Rakoci,

I shtëpisë së Zhel Hasanëve,

Pos betejave në Gllogjan,

Në Bitesh-Dobrigje-Gramaçel,

Mbahet mend trimëria e tij,

Përballë s’ka kush t’i del.

U flijua për tokën, për lirinë,

E fali jetën, e nderoi Kosovën,

E madhështoi nderin e shtëpinë.

 

Edhe Naim Nimanaj nga ky fshat

I bashkohet Shtabit t’Gllogjanit,

Betimit dhe besës,

Simbolit të qëndresës;

Në Gllogjan, afër blinave,

Naimi bashk me Artanin bëjnë dritë,

Kurrë për të mos u fik’.

Në korrik – dita e trembëdhjetë,

Bëjnë luftë trimat-djemë të rinj;

Arben Ahmetaj kundron qiellin,

Sepse e ka profesion dhe ëndërron diellin,

Në fshatin Irzniq u bë dritë për t’mos u fik.

 

Nga fshati Qyshk i Pejës,

Dikush një tragjedi ceku,

Dhe pikërisht prej këtij vendi

Na është trimi Skënder Çeku.

S’do t’ia numrojmë as vetitë

As trimëritë…,

Por, fshatin Loxhë gjithkush e di,

Edhe betejën dhe çdo shtëpi;

Me shtatëmbëdhjetë gusht ’98,

Skënder Çeku ndërroi jetë.

Për heroizëm, për trimëri,

Me gradën Gjeneralmajor

Skënder Çeku nderohet

Dhe kurrë nuk harrohet!

 

7.

Edhe në shtator ’98,

Vazhdon lufta për t’u çliruar

E jo për t’vdekë.

Sërish si gjer më tani,

Kemi të bëjmë me një djalë nga Gllogjani,

Është ky Xhevat Sejfijaj,

Figurë e shumë betejave,

Në Dukagjin e gjithandej,

Më së shumti në Prejlep,

Por, edhe në Shaptej:

Jemi nëntë fryte

Të Muharremit e të nënës Ajnë,

Shpresat dhe vendosja për liri na mbajnë.

Në Bogiqe – bjeshkë me nam

Vritet Xhevati, por nuk shkon dam;

Bashkë me te-djemë si begu

Shpëtim Bobi i Lybeniqit,

Dhe Sadri Vishaj nga Belegu.

 

Me njëmbëdhjetë shtator ’98,

Kufiri shpërthehet mal pas mali

E breg pas bregu!

Dhe, kështu me radhë,…

Gjashtëmbëdhjetë ditë më vonë

Një zë tjetër thekshëm jehon:

Është vrarë Sadri Lokaj në Netic,

Trupi i tij është shndërruar

Në frymë kosove e lule bore,

Pra, nuk është gjetur

Por,… as nuk është tretur.

 

Kështu radhazi,

Në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan,

Edhe trupi i Mahir Lajçit tash pushon.

 

8.

Te Kulla e Dukagjinit,

Shumë dëshmorë po bëjnë dritë:

Hysni Ramosaj e Agush Gjoci,

Ranë në janar – u bën fanar!

Në prill kur bari dhe lulet

Fillojnë t’gufojnë,

Djemtë e Dukagjinit edhe më rrufeshëm

Trojet e veta tek po i mbrojnë.

 

Nga fshati Arrën afër Kukësit,

Dëgjohet zëri i Halit Cokës:

Po më pritni o vëllezër kosovarë,

Se kjo tokë duhet çliruar,

Ah medet, sa shumë ka qenë e robëruar.

Sa krenar është ky dhe,

Në Ratishë ra Halit Coka -

Tek u shtua edhe një faqe e re,

Tani janë krenari eshtrat e tij!

 

Një ditë më vonë,

Poashtu, në vitin ’99,

Artan Mehmetaj bëhet fli:

Ah mor djalë sa fortë toka t’përqafon,

Kurrë Kosova s’të harron.

Nuk e njohe armikun,

Artan, zemrën kurrë nuk e ke prishë,

Përgjithmonë u bëre dritë

Në fshatin Ratishë!

Në vend se fakultetin për t’a menduar,

Nga bangat shkollore,

Në lëvizje është inkuadruar;

Është ky Sylë Bezeraj nga fshati Rashiq,

Si në trimëri ashtu edhe në vendoshmëri,

Dot s’ia kaloi kush hiq!

-Mos trembi o vëllazni,

E kuptoj, edhe ju jeni të ri,

Por, na thërret Dukagjini,

Fshati, bjeshka e vrrini!

 

Më pesëmbëdhjetë prill ’99,

Paska qenë një moment i rëndë,

Ra Sylë Bezeraj në fshatin Maznik:

-S’është kjo asgjë o shokët e mi,

Se pa mu’  Kosova s’është fikë!

Me gjashtëmbëdhjetë prill ’99,

Disa trima siç është Shkëlzen Hima,

Nuk ka laps që shkruan

Për heroizmin dhe rezistencën,

Që ata treguan.

Nuk është Maja e Shkëlzenit,

Por është Shkëlzen Haradinaj,

E do dukagjinas tjerë-

N’vija të frontit në Ratishë e Dashinoc,

Në Pozhar e kudo mbarë,

Kanë vendosur që armikut t’i bëjnë ballë.

Ç’po ushtojnë malet e Maznikut,

Frikë e tmerr t’madh

I shkaktuan armikut.

Duke mbrojtur popullatën,

Në Duboçak të Bardhaniqit,

U shënua edhe një datë në histori;

Pas gjashtë vjet lufte për liri,

Bie Shkëlzeni me shokë të tij,

Janë këta Fatmir Nimanaj,

Hasim Halilaj e Luan Nimanaj.

 

Që në moshën dymbëdhjetë vjeçare,

Shefqet Mustafa i Gllogjanit,

I kishte pasur do veti e do teke:

Përjashtohet nga shkolla

Pse kishte shpërndarë pamflete…

Prej këtu atdheun

Edhe më shumë e adhuroi,

Për këtë u dasht edhe t’emigrojë.

 

Me njëzetë e gjashtë mars ’98,

Ai n’vendlindje kthehet apet.

Ka luftuar ky i ri për liri,

Në Baballoq, Gramaçel,

Në Prejlep e Carrabreg,

Në Rastavicë, në Loxhë e Raushiq

Pa u hamendur hiq as hiq!

Me nëntëmbëdhjetë prill ’99,

Në Rrasë t’Kosharës askush s’po qanë,

Por,… bëhet legjendë emri i një trimi-

Është ai Shefqet Mustafaj-“Dukagjini”.

 

9.

Fill’ në ditën e parë

Të majit ’99,

Lulet dhe gjelbrimi siç e kanë zakon,

Ngrisin emocionet-bari provokon,

Vullnetin për liri e fuqizon:

Agim Selmanaj vehten e vë në sprovë,

Më së miri tregojnë aksionet

Në rrugën Pejë-Gjakovë.

Katër herë u plagos,

Por kurrë dhe hiq nuk u plandos;

Kështu ishte në Rastavicë,

Në Shaptej, Dashinoc e në Dujakë,

Zemra e tij qitte flakë.

 

Vritet trimi në Ratishë,

Edhe pse trupi i pushoi,

Syrin edhe tash e kishte pishë.

Gjithmonë lirisë i besoi,

Kështu veten e përjetësoi!...

Vjen armiku t’uj u ngulfatë,

Këtë ia bëjnë djemtë sokola,

Siç është Skënder Gegaj

Nga fshati Turjakë.

Vepra e tij anë e kënd Dukagjinit,

Në Maznik, Buçan e në Zhebel,

Në Prigodë, Radavc e në Vrellë,

Në Ozdrim e sërish në Jabllanicë

Pa pushuar as pak as hiq!...

Me trembëdhjetë maj ’99-sa madhështi,

Po lufton Skënderi në Llugagji…

Atje bie për këtë tokë

Duke ia falur trup e kokë!

 

Dy ditë më vonë,

Po n’muajin maj  ’99,

Një i ri nga fshati Cërmjan,

A është shqiponjë apo asllan,

Sadri Shala luftë po bën,

Për jetë palla nuk i han:

Mortajë as armë tjetër

S’ka çka m’ban,

Thërret Sadriu si drangu si luan,

Trupi tij pushon n’Gllogjan,

Këtu pushon e vëzhgon,

Dhe për shumëçka,…

Për shokët e tij,

Edhe për vetveten prore tregon!

 

Po n’këtë maj të datës njëzetë e pesë,

Dy zemra përgjithmonë pushojnë

Dy trupa përherë tokën e përqafojnë:

Islam Berisha e Arsim Rama,

Është e vertetë-kështu thonë,

Ishin djelmosha si vetëtima,

Ashtu siç ishte,…edhe

Luan Qerimaj e Sinan Morina.

 

11.

Po n’këtë vit-në muajin qershor,

Përjetësohen edhe tre dëshmorë:

Jeton Dedushaj i lindur në fshatin Vuthaj,

Pasuron historinë e kësaj ane;

Kësaj radhe nuk janë

As Jabllanica as Rastavica,

As Loxha as fshati Tomoc,

Por janë fshatrat Lumbardh e Dashinoc.

Është edhe Burimi i Sadik Mustafajt,

Edhe Shpend Zeqë Malaj.

Kanë traditë për liri e për atdhe-

Njësiti i “Zhelave” as nuk njeh,

Nuk i trembet asnjë force

As armëve të rënda të armikut:

Tek Penda e Radoniqit,

Në Hulaj e në Zagermë,

As të atyre të Podit të Gështenjave.

 

Veç kësaj,…

Duke ndjerë përgjegjësinë

Ndaj popullit dhe opinionit,

Nga Novosella e Gjakovës,

Ai e sjellë sallën e operacionit.

 

Dhe, me gjashtë qershor  ‘99

Në Ratishë ra Burim Mustafaj…

S’është ngushllim por nderim-

Simbol i gjallërisë mbeti  emri-Burim.

Edhe Shpendi si Burimi,

U amshua, u nderua

Për trimëri, për liri.

 

12.

Në korrik ‘99-data dhjetë,

Radhiten në altarin e dritës diellit:

Mustafë Abazi e Nasip Bytyçi;

Zëri i tyre arrin n’kupë të qiellit,

Për liri, për Kosovë e për njerëzi!...

 

13.

Çuni i vogël viziton,

Lulë më lulë e varr më varr,

Diç mendon e diç kërkon:

Ka dhe shumë të tjerë…

Që, në mend i mbani,

Sali Çeku, Agim Ramadani,…

Shpend Mazrekaj që la gjurmë

Në çdo vend e në çdo trevë,

Në Kosovë, në Tanushë e në Preshevë!...

 

-Çohuni o burra!...

Tërë Kosovën ta shëtisimin,

Ta vizitojmë,

Të përqafuar e dorë për dore

E moj Kullë e Dukagjinit…

Gjeneratat vijnë e shkojnë,

Për këta trima këngë do t’këndojnë!

Dhe, shih…voglushit

Sa shumë lotët i pikojnë!...

 

*  *  *

(Vocrrakun e kishte zën gjumi mu në mesin e kurorave dhe luleve.

-Sa bukur, sa bukur!... A bën përgjithmonë këtu të rri? –kishte thënë ai në të zgjuar. Por, nuk kishte harruar,… të drejtohet kah kulla.

Prej këtu vetëm drita përhapet anë e kënd! –dëgjohet zëri jehonë. Kulla, por edhe hapat e voglushit ushtonin. Toka dridhej...)!



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: