Ndue Ukaj: Raport para një akademie
| E Merkure, 18.03.2015, 09:38 PM |

Raport para një akademie

Nga Ndue Ukaj

Para një auditori të përzgjedhur, siç mund të jetë ai i një akademie, mund të flasë vetëm dikush që shquhet për arritje shumë të veçanta në arte, filozofi e shkencë. Së paku kështu dëfton përvoja empirike. E kështu nuk mendon një shkrimtar i sërës së lartë, si Franc Kafka dhe kështu s’ndodh në letërsinë e tij.

Kafka, si gjithë shkrimtarët e mëdhenj, me krijimtarinë e tij artistike, shpërfilli ligjet e ngurta të njerëzimit, për t’i dhënë po këtij njerëzimi një letërsi të jashtëzakonshme - përmendore për jetë e mote. I tillë është edhe tregimi “Raport para një akademie”, një përmendore letrare, themelet e së cilës janë thadruara thellë në jetën njerëzore.

Në këtë tregim, lexuesi ndeshet me një personazh krejtësisht të pazakonshëm, joreal. Ai, s’është i llojit të Jozefit K, Gregor Samsas, madje as plakut, të cilin e ndeshim te tregimi “Përpara drejtësisë”. Por është një majmun që paraqet një raport para akademikëve. Dhe ky personazh, që në fillim, pohon se është i nderuar nga fakti se i është kërkuar të paraqesë një raport para tyre, lidhur me jetën e tij të shkuar si majmun. Personazhi majmun, para akademikëve rrëfen historinë nga momenti kur një ekspeditë gjahtarësh nga firma e Hakenbekut e kapi atë në Bregun e Artë. Ai u përpoq të tjetërsohet, por mbetet i vetëdijshëm se natyra e tij majmunore nuk është mposhtur tërësisht dhe si dëshmi për këtë tregon momente kur ai ka vizitorë dhe në këso raste, i heq pantallonat dhe tregon një vrimë ku u godit nga gjahtarët. Ky personazh, e ka të qartë se nuk mund të kthehet plotësisht te e vërteta e tjetër, majmunore, edhe pse një gjë të tillë do ta dëshironte. Ndaj, është në mes. Dhe rrëfen para akademikëve.

Personazhi i Kafkës, tregon se si i kishte vënë vetes për detyrë transformimin dhe një ditë rrëfen për arritjet e tij: “Po e ndjeja gjithnjë e më shumë veten rehat dhe të përveçuar në botën e njerëzve”, ndaj ka çka t’u tregojë atyre nga përvoja e tij e transformimit. Majmuni është ironik me auditorin e tij dhe në një moment shpërthen qesëndia e përçmimi: ”Që të them troç, ashtu siç më pëlqen të përdor imazhe për gjëra të tilla, pra po e them hapur: edhe majmunëria juaj, zotërinj, lidhur me aq sa keni diçka të tillë prapa në të shkuarën tuaj, po aq nuk të shqitet prej kush, sa edhe e imja prej meje.”

Mu në këtë pasus, autori e shpalos idenë e tregimit dhe intencën e qëllimore të kësaj proze brilante. Çka ka mësuar tjetër majmuni, që t’i raportojë auditorit të tij të përbërë prej akademikësh? Ai ka mësuar se duhet të flitet me çiltërsi dhe këtë s’ka sesi mos ta aplikojë me dëgjuesit e tij: akademikë. Atij iu desh të kalojë nëpër disa faza, derisa arriti në këtë nivel; duke hequr dorë prej shumë veseve majmunore. Dhe e para gjë që mësoi ishte dorështërngimi, sepse kjo tregon çiltërsi. Derisa tregon peripecitë e tij, vjen në një moment kur flet për rrugëdaljen, e cila, sipas tij, është e barasvlershme me fjalën liri. Këtë e kishte mësuar kur ishte në kafaz. Po, ç’pohon majmuni për këtë vlerë të madhe njerëzore, lirinë: ”Më lejoni të them kalimthi se lira si mjaft shpesh është vetëm një vetëmashtrim mes njerëzve. Dhe kur liria vështrohet si një prej ndjenjave më sublime, po aq sublim është edhe mashtrimi që i përgjigjet.”

Ky personazh, kur ndodhej në kafaz, shpëtimin s’e kërkonte te arratisja, por te adaptimi në jetën njerëzore. Dhe për të ishte fare e lehtë t’i imitonte njerëzit. Iu deshën vetëm pak ditë që të mësohej të pështynte “pastaj na u bë zakon t’i pështynim njëri-tjetrit në fytyrë; i vetmi dallim ishte se unë pastaj e lëpija fytyrën time për ta pastruar, kurse ato jo”- thotë ai.

Me kohë, ai mësohet të thithë çibuk dhe në fund edhe të pijë xhin, edhe pse kundërmimi i tij ia çrregullon keq zorrët. Mirëpo, u mësua edhe me të - dhe në këtë moment, mësuesit e tij, teksa e panë të llastuar, thanë: “Shihni more, ai po na flet!” Ky personazh, me ushtrime të forta, të pashoqe, arrin nivelin kulturor të një europianisti mesatar - mendon autori. Kështu, ai doli nga kafazi dhe mori rrugën e njeriut. Ndaj, s’ka sesi t’mos e ndjente vetën të kënaqur nga ky përparim dhe në fund të tregimit, me një përulësi, do t’u thotë akademikëve: “dua vetëm të përhap dituri.”

Kafka në këtë tregim godet veset e njeriut, sidomos ato të natyrës së tij të dytë, që mund të jenë egërsia e tij, ajo pjesa e reminishencës, që nuk shartohet dhe humanizohet. Po ashtu, si në shumicën e krijimtarisë së tij artistike, edhe këtu Kafka godet lirinë e kamufluar, dijen e tillë dhe sidomos humanizmin e rremë. Personazhi i këtij tregimi, i cili përvetësoi natyrën e njerëzore, aq sa është i gatshëm të bëjë raport para një akademie, i flet çdo lexuesi, siç i flet akademisë. Kjo është qesëndisje dhe frushkujt e kamçikut me të cilën Kafka godet shoqërinë burokratike, lirinë e maskuar, ndërgjegjen e vrarë dhe dijen e kufizuar, me të cilën kamuflohet njeriu i secilës kohë.

Kafka sikur kërkon nga lexuesi një përsiatje, një shtegtim të lirë në domethënien e përtejmë që ka liria, si përmasa më qenësore e njeriut. Nëse një majmun mësoi për çiltërsinë, duarshtrëngimin, lirinë, mësoi të pinte xhin - që ishte sfida e tij më e madhe dhe në fund, foli dhe përhap dituri, pse një njeri s’e le prapa të kaluarën e tij të keqe, vrazhdësinë, natyrën e tij majmunore? Këtu qëndron habia, thirrja, tendosja, për ata që e dëgjojnë dhe brofin: ai po flet. Kjo është habia letrare, e realizuar mjeshtërisht, që le një vrragë dhe shumë pyetje në ndërgjegjen e lexuesit. Dhe pas kësaj vijnë vrullshëm pyetjet e dilemat e makthshme:  Ç’ mund t’u thotë një majmun akademikëve? Apo pyetja tjetër, diç më e sikletshme, pse duhet akademikët të dëgjojnë një përvojë të tillë? Për më tepër, a ka kuptim një përvojë e tillë?

Metafora e këtij tregimi, përcëllon, është e mbushur me pezëm, hidhërim, qesëndi e humor. Ajo frushkullon, sidomos njeriun parazit, që s’e bren ndërgjegjja për asgjë; njeriun që nuk shqitet nga natyra e tij e majmunërisë apo që jeton vetëdijshëm në të. Ky tregim, përçon një mesazh për çdo shoqëri dhe për çdo kohë: njeriu ka nevojë të përhershme të përmirësohet, të shartojë të keqen e tij dhe të kristalizohet me ndjenja humane. Kështu, arrin t’i thyejë shabllonet e të menduarit, dogmat e ngushta, përtej kufjeve që ia parapërcakton dikush.

Letërsia e mirë është universale, ndaj qysh prej Goethes e këndej, në këtë çështje pak kush ka dilemë. Ndaj, a mund të mësojë lexuesi ynë i paktë, nga një tregim i tillë? Çfarë mund të mësojë? A mund të flasë ky tregim edhe për ne, për problemet tona? Pa mëdyshje, se po, madje shumë. Sepse këtë soj të personazhit, të tjetërsuar nga vetja e tij, shoqëria e jonë e dëgjon kudo dhe çdo ditë: në jetën intelektuale, akademike, mediale e politike. Ky soj i personazhit flet për kauzën e lirisë, qesëndiset me të, flet për dituri, për dinjitet e gjëra sublime dhe qytetari i thotë: Po, ai po flet. Qesëndisja e Kafkës shkon përtej imagjinatës dhe vë gishtin në një plagë prej së cilës lëngon edhe shoqëria jonë, siç lëngojnë shumë shoqëri në botë: Në plagën e kujtesës, të cilën shumë e mbulojnë, por e cila rri pushtetshëm mbi njeriun e çdo kohe. Një tregim i tillë, lexuesin e trimëron, e përmbush, e motivon në betejën e tij për mirësi, humanizëm e ndërgjegje; në betejën për ta mposhtur anën e errët. Vetëm imagjinata e një shkrimtari shembullor, si ajo e Kafkës, ka fuqi ta godet kaq furishëm dhe me elegancë natyrën e dytë të njeriut, sidomos të atij që mbërrin të jetë në godina të rëndësishme, siç mund të jetë akademia, qeveria, drejtësia, etj. Aq të lumtur janë ata me kolltukët e tyre, sa pranojnë të dëgjojnë rrëfime edhe nga majmuni. Kafka i thumbon veset e njeriut, sidomos të akademikëve, të cilët përbaltin dinjitetin e tyre duke dëgjuar raporte edhe nga majmuni dhe s’janë në gjendje ta largojnë nga podiumi. Po, sepse liria e tyre, është një vetëmashtrim. Personazhet e Kafkës i shoqëron paradoksi, ambiguiteti e absurdi. I tillë është edhe majmuni, të tillë janë edhe akademikët që e dëgjojnë. E tillë është letërsia e Kafkës; një vepër e madhe, prej së cilës mund të përfitojmë gjithmonë dituri, kulturë e horizonte të reja; të tilla çfarë mund t’i hapë vetëm letërsia me mundësitë e saj të pakufishme që ka për ta nxitur dhe ndihmuar emancipimin e njeriut dhe njerëzimit.

Shkrimtari i mençur, Franc Kafka, që pohonte se nuk ka letërsi të mëdha pa të vërtetën dhe moralin, qesëndiset me cenet, shpirtngushtësinë, natyrën e dytë të njeriut - majmunërinë e akademikëve, nëse ata e kanë pasur përpara një të tillë, vetëm e vetëm për t’i sforcuar vlerat fundamentale të njerëzimit: të vërtetën dhe moralin, pa të cilat shoqëria mund të shndërrohet në gërmadhë të njerëzve të çorientuar. Ndaj, forca tërheqëse e këtij tregimi, është e pamatshme, befasuese, tronditëse; një tërheqje për të cilën gjithsesi ia vlen të meditohet.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: