Shkrime nga Faik Konica me tematikë aktuale
| E Hene, 09.03.2015, 08:29 PM |

Përgatiti për botim me drejtshkrimin e sotëm

Monet Maneshi

Fytyra e turinj të Shqipërisë

"Fytyra e turinj të Shqipërisë" është një rubrikë satiro-letrare e krijuar nga Faik Konica te "Albania" e tij e llojit "Portrete e karaktere". Kjo kronikë shoqërohet herë-herë nga një rubrikë tjetër satirike, të cilën ai e quan, me shumë lezet e shije, "Një koqe kripë", përkthim nga frëngjishtja i togëfjalëshit "Grain de sel" për të shfaqur kështu grimcat e veta humoristike nëpërmjet personazhit të Demir-Onbashit krijuar prej tij. Këto dy rubrika satiro-humoristike, tepër të suksesshme për kohën, shfaqin nga ana tjetër një lojë mjeshtërore të fjalëve me stërhollje të mendimit dhe me një mësim të madh, përherë aktual, nga i Madhi Konica, i cili kërkoi me ngulm, si rrallë kush,  stërvitjen mendore të popullit  për përparimin e tij, në stilin modern të kohës . Por le t'ia lëmë fjalën  Faik Konicës, apo Trank Spirobegut, sipas pseudonimit të tij, atij mjeshtri të gjuhës letrare shqipe dhe gjallërues nga më të zellshmit të shpirtit të kombit shqiptar.

Fytyra e turinj të Shqipërisë – Silahu i zapties

Faik Konica

Një mik më dërgoi një copë fletë që gjeti në silah të një zaptie tosk. Kjo kartë është për të vënë re: e ndotur në një vend me vaj a me dhjamë, në një tjetër me gjak – gjak kauri a gjak pule? – bie erë hudhër, duhan e raki. E me një dorë që dridhet a s'ka zakon të shkruaj, një sërë mendimesh radhiten, si një sërë margaritarësh. E vura nën qelq, e po e vë re ditë për ditë me çudi, si një gjë e kushtueshme dhe e rrallë, që duket njëmijë vjetësh e vjetër, po që është e re, e tanishme. Duke mos qenë një njeri që e ka për zakon t'i mbajë krejt për vete gjërat e mira, si lakmitar i pangopur, - po shfaq këtu se ç'thotë Karta e Silahut:

1. Nuk më pëlqen penda e hekurt [pena me majë]. Kalemi i shkretë është më i mirë: i bën një  majë nga të dy anët, e me njërën shkruan, me tjetrën kruan kokën a kurrizin kur të hanë.

2. Ngjyra [boja] s'më pëlqen aq e hollë: duhej të ish e trashë, që edhe të shkruaj, edhe të më zërë vendin e melhemit për plagët e këmbës.

3. Këndova programin politik të një shoqërie shqiptare. S'më pëlqeu. Programi im është: kush ka vjedhur më tepër pula nëpër fshatrat e kaurëve është më tepër matriot a mëmëdhetar, e ai duhet të jetë më i pari.

4. Kur të bëhet Shqipëria më vete, krojet do të derdhin raki në vend të ujit, e do të rrimë tërë ditën të shtrirë në diell, të "llafosemi", të pimë e të kruhemi me kalem.

5. Jam gati të vritem për Shqipërinë, po me një kusht: të mos vdes! Që pastaj të rrojë mirë, sepse të gjithë do më nderojnë e do të më japin duke thënë: "Ja, ky u vra për Shqipërinë".

T. Sp. [Trank Spiro] (Albania, gusht, 1902, nr.7)

Një koqe kripë

Në një kaush[kazermë] zaptiesh, një atdhetar bën propagandë; thotë se "atdheu është vendi ku flenë kockat e më të dashurve." – Po ahere (thotë Demir-Onbashi, të cilit i vete mendia te pulat që ka vjedhur e ngrënë), të mos i themi  atdhe, po puladhe, se besa! që nga Gjiri i Prevezës e gjer në anë të Shkumbit [Shkumbinit] kam lënë kudo mijëra kocka pulash, e s'kam kocka më të dashura!

(Albania, janar 1903, nr.1)

Një [tjetër] koqe kripë

Një e thënë latine e Kohës së Mesme, e ndryshuar pak:

Homo homini lupus - Njeriu për njeriun është ujk.

Femina feminae lupior - Gruaja për gruan është më ujke [ulkonjë].

Albanus Albano lupissimus - Shqiptari për shqiptarin është fare ujk [në shkallën sipërore].

 

(Albania, qershor 1902, nr.5).

 

Këpucëgrisurit

 

Shkon e vjen poshtë e përpjetë

Këpucëgrisuri i shkretë,

Shkon e vjen edhe përgjon,

Ç'thotë atdhetari e ç'mendon.

Ha bukë bashkë me atdhetar,

Edhe e bën veten gomar...

Me atdhetar motin shkon,

Por në bukë e kripë e tradhëton.

Se kështu është jetë e fëlliqtë e tij,

Me fitu bukë me tradhëtij...!

Këpucëgrisur i mjerë,

Si nuk të pashë të mbathur njëherë.

Po me gjysmë këpucë në kam [këmbë],

Për Ramazan e  për Bajram?...

Pra, besoi fjalëve të mia,

O i mjerë të ka vra Perëndia!

Se ai që vëllain e vet tradhëton,

Me gjysmë këpucë jetën e shkon!...

Një me këpucë të reja. (Albania, tetor 1902, nr.9).

Partitë politike në Shqipëri

Është mëse e njohur poezia dritë flori e Faik Konicës Anadollaku në mësallë, që si një « ka, - ha e ha, shembur me pilaf, fryrë me hoshaf, që llup bakllava, hallva, revani e muhalebi, që kërkon syltiaç e kulaç, të tëra për një darkë, të tëra për një bark... » Veçse kjo poezi koniciane e përkryer, e cila shënon kulmin e poezisë sonë satirike, është edhe kaq aktuale lidhur me llupësinë e pangopësinë politike, sa nuk ka si të shmanget edhe vetë shprehja e viteve 90 e ndoca «politikarucëve » tanë : « hani derra, pini, derra » ! Mes sofrës shqiptare shtruar paq.

E shkëlqejnë atëherë vargjet lapidar të Faik bujar Konicës në mbyllje të Anadollakut në mësallë : More Dudum kokë-kungull / Gojë buall e bark- rrumbull / Thuamë, - të rëntë pika ! / Ç't'u desh ty politika ? »

Shkrimi i mëposhtëm konciz i Faik Konicës Partet (partitë) politike në Shqipëri, me një ironi asgjësuese të paparë, është botuar në revistën e tij Albania. Po e japim me drejtëshkrimin e sotëm. Komentet janë të tepërta.  (Monet Maneshi)

Partitë politike në Shqipëri

Faik Konica

« Tani, nisën të duken partitë politike që ka në Shqipëri. Ka një parti xhonturke, anëtarë të të cilit janë gjithë shqiptarët me mend. Ka një parti greke, me anëtarë gjithë ortodoksët pa mend. Ka një parti gegësh, me anëtarë gjithë gegët e Kosovës.  Qëllimi i kësaj partie është të godasin serbët ku t'i gjejnë dhe të mos paguajnë gjë te qeveria. Ka një parti malësorësh, me anëtarë gjithë malësorët që s'interesohen për gjë tjetër veç kanunit të Lek Dukagjinit ; më së fundi, ka dhe një parti kombëtare shqiptare, qëllimi i së cilës është vetqeverimi i Shqipërisë. Kryetar i kësaj partie është Perëndia, anëtarë janë gurët dhe drurët e Shqipërisë dhe ka katër qendra veprimi : një në Pol të Veriut, një në Afrikë të Mesme, një në Alaskë, dhe një në Kinë ».

(Albania nr. 5, 1907)

Kemi nevojë për qeveritarë, jo për kasapë

Faik Konica

Po te "Albania", mendjendrituri e i larti Faik Konica, që njihet për qendrimet e tij kundër banditizmit, diktatit, dhunës fizike, atentateve e grushtshteteve, tek përdor në të kundërt ai vetë një gjuhë fshikulluese e satirike nga të paparat në krejt shkrimet e tij, boton edhe një shënim të shkurtër që po e sjellim në vëmendje të lexuesit tonë me drejtshkrimin e sotëm. Ja ç'thotë Konica:

« Drita », fletë shqipe që del në Sofie, shkruan në numër të 4 marsit 1905 : « Nesër, kur t'i dalë shpirti së ngordhurës Turqi, atëherë të gjithë shqiptarë lypset të bëjnë kështu : çdo shqiptari mysliman, kur të flasë turqisht e të thotë ekemk, su, si dhe çdo shqiptari ortodoks, kur të flasë greqisht e të thotë psomi, nero, t'u presim me thikë jo vetëm gjuhën, po edhe hundën e veshët ». − Tani jam i sigurt se kemi edhe ne një burrë shteti (fr. homme d’État) ! Bravo, i lumtë atij që shkruajti ato fjalë, të cilat dëftojnë se çfarë vetash janë disa ndër ata që thonë se « punojnë për kombin ».

Të presim gjuhë, hundë e veshë !… Domethënë paska ndër ne një anë politike e cila ka shpresë ta qeverisë një ditë vendin me mënyrat e kanibalëve. Shumë bukur ! Sa për anën tjetër, ana e shqiptarëve që janë armiq të kanibaliesjës, e që më parë se çdo tjetër gjë kërkojnë të sigurojnë jetën edhe paqen e secilitdo, ajo anë do të sillet në këtë mënyrë përpara atyreve që « thonë ekmek, su, psmoni, nero » : « nuk do t'u japë patentë të hapin dyqan a të tregtojnë përveç atyreve që do jenë të zotët ta mbajnë defterin e tyre në gjuhë shqipe. Kjo do arrihet, dhe aq do ta bëjë ana e shqiptarëve të qytetëruar, në qoftë se kombi çlirohet një ditë dhe në qoftë se puna vete gjer atje. Shqiptarët me mend s'duan të punojnë me thikë për t'iu turrur botës. Kemi nevojë për qeveritarë, jo për xherahë e kasapë.

(Albania, nr. 1, janar 1905).



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: