Pëllumb Gorica: Mirënjohje për mësuesin
| E Premte, 06.03.2015, 08:40 PM |

MIRËNJOHJE PËR MËSUESIN

Në gjurmët e traditave arsimore në zonën e Sulovës

NGA PËLLUMB GORICA

Ndodh që njerëzit të çfarëdo kategorie qofshin këta, të impenjuar për të ecur me ritmin e kohës e kthejnë kokën herë pas here prapa për të nderuar e kujtuar me respekt, ata që kanë treguar përkushtim, ndërgjegjje. Sidomos ata që kanë derdhur mund dhe dashuri me profesionin e tyre. Vitet ikin, por në kujtesë mbetet respekti për mësuesit që mbollën dijen. Është një profesion ku mirënjohja e kontributi për shoqërinë dhe edukatën është e pakrahasueshme. Banorët e fshatrave të Sulovës së Elbasanit kujtojnë me mirënjohje të thellë mësuesit që punuan në shkollat e fshatrave të tyre nga qyteti i Elbasanit. Është një kontribut 100 - vjeçar. Në fillim të shekullit të kaluar, si në mbarë Shqipërinë e pushtuar dhe të mbushur me varfëri, mjerim e padituri, ishte e madhe dëshira për dije e arsimim. Për këtë shumë herët edhe në krahinën e Sulovës u hap shkolla shqipe. Për hapjen e shkollës së parë kontribuan patriotët e Elbasanit, sidomos Aqif Pashë Elbasani, Lef Nosi, Ahmet Dakli e Emin Matraxhiu. Shkolla u hap në Mollas në vitin 1916. Si mësues i parë ishte Dhimitër Deliana (Konomi) nga lagjia Kala e Elbasanit. Mësimin e zhvilloi në xhaminë e Mollasit me kushte të vështira. Nxënës të ulur në dysheme, por me dashuri për dije. Ishin 24 nxënës nga disa fshatra të Sulovës. Nga kujtimet e familjes Deliana në Elbasan ruhet një dokument thuhet se Dhimitër (Taq) Deliana dha mësim në shkollën e parë të Mollasit gjatë Luftës së Parë Botërore, ku shërbeu për një vit. Këtë e vërteton një dokument i përpiluar nga pleqësia e fshatit Mollas në këtë periudhë, e firmosur dhe e vulosur me pulla takes, ku thuhej se të ardhurat i shkonin Kryqit të Kuq. Në librin e Ilir Kaninës “Arsimi në Shqipëri në vitet e Luftës I Botërore“, faqe 58 është shkruar: “Më pas në shkollën e Mollasit në vitin 1918 erdhi mësuesi nga Elbasani Qamil Xhani, i cili punoi deri në vitin 1920’’. Me historikun e shkollës së Mollasit lidhet pazgjidhshmërisht emri, përkushtimi dhe veprimtaria e gjatë e mësuesit nga Elbasani Musa Kongoli. Ai punoi si mësues në Mollas në vitet 1920-1924. Historitë gojore kanë arritur tek brezi i ri nga ish nxënësit e tij, që në tregimet e tyre e kanë dhënë shumë bukur madhështinë e këtij njeriu. “Ishte i ri kur erdhi në Mollas, një djalë i burrëruar para kohe nga hallet.” E kujtojnë me respekt për disiplinën, taktin pedagogjik dhe dëshirën e zjarrtë për t’u mësuar fëmijëve sulovarë shkrim e këndim. Ai nuk ishte vetëm një mësues i mirë, por edhe një patriot i vendosur, që luftoi deri në fund të jetës, për përparimin e vendit. Në gjysmën e parë të shekullit XX, historia e arsimit në Shqipëri ka ecje e ngecje, vështirësi. Shkolla e Mollasit, si e vetmja në Sulovën e Poshtme, kishte probleme me ambientet, kushtet, largësinë e mësuesve, por edhe të nxënësve. Këto i dëshmojnë tërthorazi të dhënat arkivore kujtimet e ish nxënësve, mësuesve elbasanas që punuan këtu. Kjo i detyronte herë pas here autoritetet e kohës që ta mbyllnin. Sipas dokumenteve, në vitin 1924 numri i shkollave në gjithë vendin erdhi duke u pakësuar ashtu si mësuesit që jepnin mësim. Në vitin 1925 regjimi i Zogut e mbylli shkollën në Mollas me mësues Musa Kongolin. Kur askush nuk interesohej për shkollën dhe as për mësues patriotët sulovarë protestuan. Ata e ndjenin nevojën e arsimimit të fëmijëve dhe nuk mund të linin ata pa dituri, prandaj kërkuan me çdo kusht vazhdimësinë. “Historiku i zonës së Mollasit” shkruan:“ Një grup patriotët sulovarë shkoi te prefekti i Elbasanit dhe kundërshtuan këtë vendim të qeverisë, duke kërkuan me insistim rihapjen e shkollës. Qeveria nga presioni u detyrua që të rihapë atë”. Për shkak të vështirësive që dolën nga kriza ekonomike në vitin 1931, shkolla e Mollasit u mbyll përsëri dhe nxënësit mbetën pa mësim disa muaj. Qeveria e Zogut kërkoi, që mësuesit t’i paguajnë vetë populli siç paguan hoxhën e fshatit, sepse nuk është parashikuar në buxhet. Për shkak të kushteve të vështira, por edhe të largësisë, mësuesit ndërroheshin herë pas here, duke punuar në periudha të shkurta. Përmendet puna e palodhur e mësuesit Hysen Pajenga. Ai edukoi breza nxënësish sulovarë, midis të cilëve edhe mësuesin e parë sulovar, Riza Cërrikun i cili nuk do të harronte gjithë jetën: “E kam ende të freskët në kujtesë mësuesin e klasës së parë. Ishte njeri i mirë, që përpiqej për të na mësuar, megjithëse ishte i rreptë ’’. Mësues të tjerë  elbasanas që në këto vite ushtruan profesionin në Mollas ishin “Llaz Topalli, Spiro Gjirazi, Maliq Mullaholli, Musa Shehu etj”.(“Historiku i zonës së Mollasit”) Sipas mundësive punuan pa u kursyer dhe e deshën profesionin e mësuesit, i deshën fëmijët, banorët e natyrën e krahinës. Ata shpesh u përplasën me opinione negative për arsimin e fëmijëve prej banorëve, se nuk u duhet shkolla, kush do t’i ndihmojnë të ruajnë bagëtitë. Shumica e mësuesve ishin diplomuar në Normalen e Elbasanit, e cila ishte në atë kohë institucioni më i lartë dhe më i kualififikuar arsimor i vendit, ku jepnin mësim një plejadë e tërë pedagogësh të spikatur e patriotë të flaktë. Është periudha kur familjet elbasanase do të sakrifikonin për arsimin dhe kulturën dhe pavarësisht mundësive të pakta ekonomike, vepronte një frymë e përbashkët në Elbasan për arsimimin, që vinte si rezultat i një tradite të hershme. Një kohë tepër e vështirë kur Shqipëria së pari vuante nga varfëria e tejskajshme dhe arsimit aspak i kushtohej vëmëndje. Ndoshta sot nuk e besojnë, por ja që kjo është e vërteta e jetës së këtyre mësuesve për të shpërndarë dijen e mësuar fëmijët edhe në Sulovë. Mësuesi nderohej nga të gjithë në Sulovë. Shumë prej tyre në këto vite e më vonë banonin në familjet e sulovare.Midis tyre kishte edhe nga ata që vepronin me metoda antipetagogjike, ndëshkime fizike ndaj nxënësve. Shkolla e Mollasit prej mësuesve elbasanas që në fillimet e saj ishte një fidanishte e patriotizmit dhe e formimit kulturor për brezat e ardhshëm në Sulovë.

Përpjekja për zhdukjen e analfabetizmit pas Luftës së Dytë Botërore ishte e madhe. Kudo kishte skamje, por dëshira për të përhapur dije më e madhe. Janë fakte që bëjnë të njohur kontributin e të tjerë mësues elbasanas. Është me interes të tregonim se kujtimet për këto vite, vlersojnë sakrificat e mësuesëve, seriozitetin e dëshirën për punë të mira, dashurinë për profesionin fisnik. Vitet kalojnë, por nuk do të harrohet durimi, këmbëngulja, vështirësitë me shqetësimin e vazhdueshëm për ambiente të përshtatshme, mungesat e mjeteve, frekuentimin i nxënësve e mbarvajtjen e mësimeve. Ishte koha kur nevojat për arsimtarë ishte e madhe me hapjen e shkollave në çdo fshat. Mjaftonte të kishin arsimin e mesëm. Jo pak prej tyre patën në fillim vështirësi të përballonin jetën e fshatit. Një sërë pyetjesh zinin vend në mëndjen e tyre, se si do të ishte vendbanimi, si do të ishin njerëzit e mbi të gjitha si do të përballonin kohën aty. Ishin vite që mungonin shumë gjëra. Mungonte komunikacioni. Nga Elbasani në Sulovë në ato vite të para të pas çlirimit të vendit vinin më shumë në këmbë se sa me makinë. Deri në Gostimë mund të gjeje mjet, që edhe kur kalonte ndonjë kamion shpresa mbetej vetëm te zemra e shoferit, që duhej të paguaje përndryshe duhej të ecje, por mandej në fshatrat e Sulovës ecnin në këmbë, mes rrugës së shkretë, të ftohtit, baltës në dimër, me vështirësi kalonin lumin Devoll e përrenjtë dhe në verë nuk i shpëtonin vapës përvëluese e pluhurit. Mësuesi Astrit Bishqemi kujton: “Nga Dumreja, vitin tjetër arsimor më hodhën në krahinën e Sulovës, tre vjet në Selvijas dhe një vit në Mollas. Luftë me padijen, me baltrat, me ujët e lumit Devoll.” Në fshatrat e Sulovës u emëruan dhjetra mësues. Kujtohen me nderim: Mehmet Dardha, Itarik Peshtani, Mithat Leka, Nazif Baholli, Mustafa Shupaku, Galetana Çaushi, Astrit Bishqemi, Loni Duda, Faik Pleshti, Xhaferr Guriçi, Nuri Dushku, Sami Domni, Dilaver Shkodra, Zeliha Shkodra, Ethem Mullajonuzi, Rruzhdi Belegu, Mustafa Pajenga, Albert Stoja, Hysen Pobrati, Sabaudin Pobrati, Liri Arapi, Ismail Kafexhiu, Sami Paralloi, Bexhet Belegu, Nafie Çaushi, Ollga Zhupa, Esat Gjevori, Hysen Saraçi, e sa a sa të tjerë që punuan pak vite. Përshkrimi i punës së çdo njërit prej tyre tregon se ishte i vështirë. Sulovarë të ndryshëm e midis tyre edhe Xhevit Çela, Ramiz Nasufi, Hekur Braushi, Alush Xheria flasin me respekt për mësuesit e kësaj periudhe. Mosha ka bërë të vetën, flokët u janë zbardhur e diku u kanë rënë, por nuk harrohet Astrit Bishqemi, aftësia e tij profesionale dhe zelli për punë, të cilin ai e tregoi edhe ndërmjet kolegëve me paraqitjen, ngrohtësinë shpirtërore dhe pasionin studiues. Kujtohet Sami Domni, si një ndër mësuesit që punonte shumë në organizimin e orës së mësimit dhe me pasionin e tij ngjallte tek nxënësit për ta bërë shkollën më të dashur. Të shkruash për Dilaver Shkodrën, do të thotë të shkruash për një intelektual, një njeri të kompletuar dhe, mbi të gjitha, që e donte profesionin, dijen, zhvillimin. Bashkë me shumë kolegë të tjerë, për çdo ditë ai ndërtonte një vizion të qartë të arsimimit të sulovarëve.

Në fund të viteve ‘60 edhe në fshatrat e Sulovës u kalua në arsimin 8-vjeçar dhe në fillim të viteve ‘70 u hap shkolla e mesme bujqësore me dhe pa shkëputje nga puna në Mollas. Hapja e këtyre kategorive të shkollave dhe shtrirjes kërkonte edhe mësues më shumë, por dhe të kualifikuar. U emëruan mësues të tjerë nga Elbasani si: Vilson Karanxha, Rifat Xhina, Marjeta Osmani, Kujtim Spahiu, Arben Haxhiymeri, Eva Kajanaku, Abedin Stringa, Flora Vyshka, Ardjan Papajani, Fitnet Struga, Natasha Ballta, Mimoza Gremi, Agim Tarba, Avni Isai, Vladimir Ganjolli, Spiro Kallajxhiu, Shefki Ruda, etj, të cilët janë vetëm disa nga shumë e shumë emra, që nuk kanë qenë vetëm mësimdhënës, por, duke u përfshirë në jetën e fshatrave, u shquan si aktivistë shoqëror, pjesëmarrës e drejtues në veprimtaritë kulturore -sportive. Ishte koha e një masivizimi të madh të aktiviteteve kulturore-sportive. Me kulturën e tyre në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale e ndërtuan hapësirën e punës, miqësisë në interes të këtij zhvillimi shoqëror të fshatrave dhe pas shumë vitesh u kthyen në Elbasan, falë vlerave që shfaqën si mësues me perspektivë. Përhapën në Sulovë kulturën e qytetit dhe po shumë morën nga traditat e Sulovës. Meritojnë mirënjohje për kontributin që kanë dhënë në formimin cilësor të brezave të tjerë. Nuk harrohen lidhjet e tyre me sulovarët dhe fëmijët e tyre, dashurinë e ndërsjelltë që ekzistonte, një dashuri e pastër si vetë jeta, e cila mposhte varfërinë e brengat. Mjafton të shtojmë se ashpërsia e kësaj kohe, krijoi edhe ndaj mësuesve dënime dhe persekutime. Pushtetarë të pazotë që me prirjet e tyre të paaftësisë e fodullëkut e si të padenjë për pozita të tilla, luftonin me intriga vlerat, kontributet. Mësuesit, në sajë të kapacitetit mendor e kulturës që i karakterizonte, por edhe të mbështetjes, dashurisë nga mjedisi i ngrohtë e mikpritës i sulovarëve, i anashkalonin këto me punë përkushtuese me nxënësit. Thuajse shumica e mësuesëve në këto vite ishin të rinj. Me përkushtim për zhvillimin e arsimit dhe kulturës, rininë e kaluan fshatrave të Sulovës, në Selitë, Linas, Mollas, Dragot, Selvijas, Floq. Kjo ishte edhe koha më e bukur e jetës së tyre. Ishte praktikë e sistemit të kaluar qeverisës, që të emëroheshin nëpër fshatra mësues, mjekë, ekonomistë të sapodalë nga shkolla. Kjo periudhë e rëndësishme do të linte gjurmë në formimin e karakterit të tyre. Profesioni i mësuesit u jepte gëzim dhe vrulli i moshës i bënte të kapërcenin vështirësitë. Ndaj shumica nuk ranë në limonti, veçse lexonin shumë, studionin gjuhë të huaja. Bëhen përpjekje për përgatitjen e mësuesve nga Sulova, për të cilët kishte nevoje ajo. Emri i mirë dhe puna që bënë kujtohet edhe sot, se asnjëherë nuk ka munguar kujdesi, zemërgjërësia, mikpritja e respekti. Duke u kthyer në retrospektivën e asaj kohe ata ndjejnë nostalgji për këtë respekt vlerësues. Përmendim një fakt kuptimplot, që banorët i respektonin dhe ishin bujarë me ta, i ftonin në gëzime. Ky nderim një vlerësim i punës së tyre, për thjeshtësinë, sjelljen e kulturuar,për t’u hapur sytë fëmijëve. Interesante është që për vite me radhë jo pak mësues jetuan dhe punuan familjarisht. Nuk mund të harrohen çiftet e mësuesve: Sulejman e Dafina Haxhihasani, Eqerem e Vjollca Isai, Pandi e Marica Strati, Albert e Myzejen Palloi, Pëllumb e Marjana Dedja, duke lënë gjurëm përjetsisht të pashlyera në mëndjen e sulovarëve. Jo pak prej tyre ruajnë momente të bukura, por edhe vështirësi si jehona kujtimesh në thellësi të shpirtit, të cilat, i kanë shoqëruar gjatë gjithë viteve të jetës. Dikush  ishte  me cene në biografi dhe ai shtet në themel të tij kishte ndëshkimin. Në secilin prej tyre shikoje të materializuar përkushtimin dhe dashurinë për profesionin e mjaft cilësi të humanizmit, mirësisë, që sot kujtohen me një lloj respekti të veçantë nga banorët. Pa harruar të shkruajmë se edhe për shkak të karakterit të tyre të ftohtë apo edhe disnivelit kulturor të banorëve, një pjesë qëndruan larg miqësisë dhe virtyteve. Ndoshta, edhe të demoralizuar nga që nuk e kishin pritur mirë emërimin në Sulovë, por e përgjithshmja është se shumica e tyre e ndjenin veten të lidhur me shkollën, nxënësit, banorët. Nuk harrohen vështirësitë dhe ajo punë kolosale që u bë. Natyrisht ka qenë vitaliteti me impulse të shumta, i cili ishte i domosdoshëm për të përballuar mundin e vështirësitë e krijuara në vitet më të mira të jetës së tyre. Në shkollën e mesme të Mollasit punuan vite me radhë një grup profesionistësh të zotë, që më vonë u bënë profesorë në Institutin e Lartë “Aleksandër Xhuvani”, sot Universiteti i Elbasanit, si Arben Haxhiymeri, Abedin Stringa, por edhe profesionistë të tjerë në gazetari e institucione shtetërore si Sulejman Haxhihasani, Pëllumb Dedja. Niveli i lartë teorik dhe pedagogjik ishte i lavdërueshëm në përgatitjen e brezave. Nxënësit të zellshëm edhe pse të veshur e mbathur keq, nuk mungonin, duke ardhur në mësim të lagur e të mardhur në dimër, pasi bënin përditë 3-5 kilometra rrugë. Mësuesit elbasanas ishin krenarë kur nxënësit e tyre të cilët vijonin formimin intelektual në shkollat e larta brenda e jashtë vendit me rezultate të shkëlqyera.

Sot në shkollat 9- vjeçare të Linasit, Selitës, Selvijasit, Floqit dhe të mesmen e Mollasit vazhdojnë të tjerë mësues elbasanas, të cilët ecin në gjurmët e traditës së mirë si misionarë të dijes në Sulovë. Përherë për këtë kontribut mbetet diçka pa u thënë e pa u shkruar. Puna shpesh anonime e mësuesve e bën të vështirë atë kronikë jetësore të kësaj armate. Në një ditë të shënuar si 7 Marsi ata formojnë lulen më të freskët të mirënjohjes së kësaj zone.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: