Pikëpamjet politiko-juridike të Luigj Gurakuqit
| E Merkure, 04.03.2015, 07:44 PM |

PIKËPAMJET POLITIKO-JURIDIKE TË LUIGJ GURAKUQIT MBI SHTETIN NË SHQIPNI

Nga Romeo Gurakuqi & Tomi Treska

Në këtë kohe, kur forcat përparimtare të këtij vendi po përpiqen për me e ba funksional shtetin bashkëkohor, me sundim të së drejtës, me demokraci funksionuese, liberale dhe parlamentare, trashëgimia që na kanë lanë pas Etërit të Kombit, asht nji prej pikave të referencës që do të duhet ma së pari të mbështetemi. Midis ma të shquemve qi kanë lanë nji trashëgëmi të tillë udhërrëfyeseme vlerë edhe për sfidat demokratizuese,dhe të qendrueshmërise shtetnore asht edhe ajo e bashkëthemeluesit të shtetit, Luigj Gurakuqit. Përpjekjet e atyne që dishrojnë me ba nji gja të njimendte për Shqipninë e shekullit të XXI, nuk do të ishin të plota pa reflektue edhe mendimin politiko-juridik të Luigj Gurakuqit mbi Shtetin, të Drejtën, Lirinë dhe Demokracinë.

Për Gurakuqin, ndërtimi i nji shteti te ri e modern àsht nji detyrë sa e madhe, aq edhe e shenjtë, sepse “lypet të marrim parasysh gjithë jetën e kombit tonë”, për t’i sigurue atij të tashmen e të ardhmen. Në këtë rrugë duhet “të kemi parasysh vetëm të mirën e popullit, të mirën e atdheut e të lamë mënjanë gjithë mejtimet e tjera”. Në çashtjen e ndërtimit të shtetit shqiptar, Gurakuqi i përmbahet “udhës së mesme”, e cila do të thotë: hartim i “ligjeve që i përshtaten popullit tonë…tue marrë parasysh zakonet e gjithë viseve të Shqipnis, tue marrë parasysh nevojat e të gjithë krahinavet”. Udha e mesme àsht rruga që do t’i sigurojë vllaznimin e gjithë popullit, i cili duke u udhëhequn nga “ligje të përbashkëta”, do të garantojë “jo vetëm rrojtjen e tij, por edhe përparimin e qytetnimin e vet”.

Themeli i ndërtimit të shtetit janë statuti, kodet dhe rregulloret . Shteti në tanësinë e vet territoriale duhet të ketë nji unitet ligjesh, sepse në këtë mënyrë siguron efekshmërinë e veprimtarisë qeveritare dhe zbatimin e reformave. Kjo nënkupton domosdoshmëninë e eliminimit të privilegjeve të cilat ma mbrapa, bahen objekt i lindjes së trazinave. Në nji vend të prapambetun ekonomikisht, ku mundësia e trazinave dhe e kaosit àsht evidente, bahet i domosdoshëm ndërtimi i ligjeve të forta dhe vendosja në krye të punëve të qeverisë e njerëzve të zot e besnik. Në planin e jashtëm nji masë e tillë ka ràndsi mbasi u tregon vendeve të përparueme e të qytetnueme të Europës, se Shqipnia i ka mundësitë me u qeverisë në mënyrë njerëzore.

Ligjet e drejta duhen për “me siguruem lirinë e ndergjegjes, të fjalës e të shtypit e të drejtën e pasunis, për me rregullue marrëdhanat ndërmjet organeve të shtetit e me caktuem funksionet e tyne, për me evituem diktatyrat… pa pasun nevojë për gjakderdhje, por tue qarkuem me ligje ata qi mund t’i andrrojnë”. Duke bamun ligje moderne -thotë Gurakuqi, – do të bajmë të mundun “zhvillimin arsimuer e përmirësimin ekonomik, dy gjana për të cilat ka ma tepër nevojë populli i ynë”. Në këtë rrugë duhet “të mos shkojmë ala tyrka” -thotë Ai,- por të ndërtojmë nji shtet të pajisun me “ligje konstitucionale”, që do të thotë, nji shtet i së drejtës sipas modeleve të përparueme evropiane. Në zbatim të kësaj ideje, Gurakuqi qysh në vitin 1921, i jepte ràndësi të vëçantë ndarjes së pushteteve brenda shtetit. Sipas Tij, detyra parësore e Parlamentit shqiptar do të ishte me përcaktue “detyrat e tri fuqivet të shtetit, exekutive, legislative e judiciare”. Këto tri pushtete duhej të ishin të pavaruna nga njena-tjetra dhe kjo do të sigurohej me ligj. Ky ligj, do të duhej të garantonte pavarësinë e nji pushteti ndaj tjetrit. Sipas Gurakuqit, kjo do të realizohej kur dy pushtete të mos mishërohen tek i njejti person, pra “…ja të parapëlqejmë deputetsinë, ja të marrim nji nëpunësi tue hequn dorë nga deputetsia”. Kjo ide reflekton përvojën ma të efekshme të zbatueme ndër vendet Perëndimore dhe qëndron edhe sot aktuale, veçanërisht për kushtet e sotshme të Shqipnisë. Mendime tepër realiste, të përparueme e origjinale ka shfaqun Gurakuqi edhe për shkallen e centralizimit të shtetit. Teorikisht, Ai ishte për nji shtet të decentralizuem, por në kushtet që ndodhej Shqipnia e 1921-shit duhej që “ma perpara se të ndajmë administratën e të bajmë desentralizasion, duhet të formojmë konsijancën e njisinë kombëtare, atëherë vetëm mund të aplikojmë” decentralizimin (R.G.,T.T.).

Ligji, për Gurakuqin, àsht vendimtar për ndërtimin e nji shteti bashkëkohor shqiptar, “…pse vetem tue u zbatuem ligjet e tue u shikjuem drejtësia, populli mund të shkojë përpara, atdheu mund të lulëzohet. Nën mbretnimin e ligjës e të drejtësis nuk do të mund të merren masa arbitrare kundër popullit. Nji nga shqetësimet ma të mëdha të Tij gjatë seancave të Këshillit Kombëtar kanë qenë pyetjet që Ai u ka drejtue shpesh qeveritarvet: “A e ruani njësinë e nomit (ligjit)?; A janë të gjithë shqiptarët barabar? (para ligjit) (R.G.,T.T.).

Respektimi dhe zbatimi i ligjshmërisë konceptohet nga Ai si nji kusht i domosdoshëm për jetëgjatësinë dhe mbijetesën e shtetit të së drejtës. Ligji duhet të jetë i ndërtuem në mënyrë të atillë që të mos i lihet ndonji “deriçkë e çilun atij që e ka në dore ligjën, për shpërdorime” Në rast se nji abuzim i caktuem àsht i përsëritun disa herë, Parlamenti vendos nji dispozitë ndaluese në ligjin themelor.

Legjislatori i aftë e i ndershëm e ndërton ligjin në mënyrë të atillë që detyron zbatimin e tij në të gjitha strukturat dhe hallkat e administratës dhe eviton zbrazëtinat ligjore, që mundësojnë abuzimet. “Ma e para detyrë e atyne qí i thonë vetes përfaqësues të popullit, pjestarë e mprojtës të fuqisë ligjvuese, àsht t’i nënshtrohen dhe ta respektojnë ligjin. Vetëm atëherë Parlamenti ka të drejtën morale t’i kërkojë qeverisë të zbatojë ligjet dhe vendimet e Parlamentit dhe të thërrasë në llogaridhanie për realizimin e zbatimit të ligjshmënisë.

Ligji dhe lirija janë të lidhuna në mënyrë të pazgjidhshme për konceptet juridiko – politike të Gurakuqit. Liri brenda kuadrit të ligjës, sepse perndryshe kemi shkapërcimet e popullit dhe shpërdorimet e nënpunësve. Demokracia e mbeshtetun në ligj dhe liberalizmi kaotik janë dy gjana të kundërta. Dhënia e lirisë çdo qytetari, që të apelojë mbrënda kufijve të ligjës, do t’i krijojë mundësinë atij që të veprojë në mënyrë paqësore dhe do të sigurojë në vend paqen shoqnore. Kur ligji të sigurojë lirinë e plotë dhe të drejtat e qytetarit, atehere ai do të veprojë legalisht e nuk do të ketë ma nevojë të perdorë violencën, as të kërkojë udhë të tjera ilegale.

E lidhun ngushtë me respektimin e ligjshmënisë àsht problemi i ruajtjes së ren dit publik. Në konceptet juridike dhe sociale të Gurakuqit shkaku bazë i prishjes së rendit publik, àsht i bazuem në dizorganizimin, korrupsionin e shkatërrimin e administratës, njikohsisht dhe në paaftësinë e nëpunësve të ministrisë përkatëse, që ka në varësi përkujdesjen e kësaj gjendjeje jetike të domosdoshme për mbarëvajtjen e Kombit. Nji qeveri për ruajtjen e rendit publik ka dy rrugë: së pari atë të dhunës dhe së dyti atë të prevenimit. Gurakuqi u rekomandon politikanëve e ligjvënësve shqiptarë, prevenimin me masa ligjore të këtij fenomeni. Për me arritun këtë objektiv duhet që trupi legjislativ, të cilit i përket pushteti dhe përgjegjësia kryesore, duhet të ndërtojë ligje të rrepta ndaj prishësve të qetësisë publike dhe jo falje të paprincipta.

Duke i analizue mà tej shkaqet e mungesës së rendit, i përmbahet idesë, se ky fenomen dhe moszbatimi i ligjshmënisë àsht karakteristikë e vendeve me zhvillim të ulët ekonomik e kulturor. Ndaj, ndër anët e tjera që ndihmojnë në prevenimin e këtij fenomeni, bile “ma e nevojshmja àsht shkolla”; duhet t’i mbushim mendjen shqiptarit, qi të jetë i bindun në ligjet e shtetit e të bashkëpunojë për vëllazërimin e për Atdheun .

Parlamenti për Luigj Gurakuqin àsht nji vend i shenjtë, sepse “këtu çkoqiten e mprohen interesat e kombit dhe të atdheut”. Kjo e drejtë legjitime buron nga vota popullore e në këtë kuptim Parlamenti në nji shtet demokratik, àsht shprehës i vullnetit të popullit. Gurakuqi i njeh Parlamentit ato kompetenca bazë që i kanë përgjithsisht shtetet përëndimore me regjime parlamentare, si për.shembull. nxjerrja e ligjeve, kontrolli ndaj qeverisë, përcaktimi i politikës së mbrendshme dhe të jashtme të shtetit, vendosja e taksave etj. Ai thekson, se këto kompetenca duhet të njihen e të vihen vetëm në funksion të shtetit e Shqipnisë. “Parlamenti – shkruen Ai, – duhet të ruhet prej çfarëdo influencash të cilat mund të dalin të damshme, si në politikë, ashtu n`ekonomi. E më të vërtetë për nji shtet si ky i yni, – vazhdon Ai -, shtet i vogël, akoma i pakonsoliduem mirë, faktori politik duhet përdorur me urti të madhe, pse mund të na shndërrohet në dorë nji shpatë me dy teha, që pret në dy anët. Ràndësia e shtetit tonë në politikën e përbotshme àsht aq tepër e vogël, sa që nuk mund të besohet kurrë që t’arrijmë me ndërruem për nji herë qëndrimin e Pushtetevet të mëdha kundrejt nesh, cilido qoftë shërbimi që të përpiqemi t’u bajmë apo të drejta që t’u japim. Po të nisim pastaj të krijojmë privilegje të njinjishme, do të shtërngohemi t’u apim edhe të tjerëvet. Në këtë mënyrë nuk do të shkojë shumë kohë e në rasën ma të parë, do të mbarojë indipendenca ekonomike e për nji herë edhe sypranija politike e jona”.

Duke folun për Qeverinë, Luigj Gurakuqi thekson se nji “qeveri e fortë àsht vetëm ajo qi mund të mbështetet ndë nji shumicë të madhe të Parlamentit”, dhe njëkohsisht ajo “duhet të sillet njëlloj për të gjithë, nuk duhet të ketë dy masë e dy peshime”. Gurakuqi ia njeh kompetencat ekzekutive Qeverisë dhe àsht për zbatimin sa ma të plotë e të drejtë të tyne. Por në të njàjtën kohë duke dashun të bàjë diferencim mes Qeverisë si organi ma i naltë i Pushtetit Ekzekutiv dhe Parlamentit si organi ma i naltë i Pushtetit ligjvanës, Ai diferencon natyrën e vendimeve të tyne. Sipas Tij, “urdhnat ministror, nuk janë nome”, (ligje, R.G., T.T.). Kjo pikëpamje e lejon ate të përfundojë se, “nuk duhet të mendojmë se Qeveria àsht e zbritun nga qjelli”.

Efikasiteti i punës së Qeverisë varet nga përbamja dhe zotësija e Administratës. “Nënpunësit e tepërm -thotë Gurakuqi, – i sjellin popullit dame të shuma e të ndryshme, shtojnë shpenzimet për rroga të panevojshme, ndërlikojne veprimet e Administratës me formalitete burokratike, largojnë inteligjencen prej tregtisë dhe industrisë, fusin në punë edhe njerez të paaftë…. Administrata e jonë, – këshillon Ai, – të jëtë si nji maqinë e lehtë, të ketë pak nëpunës, por të zotë, nëpunës të paguem mirë, por të marrun me konkurs”.

Sa për ushtrinë kombëtare të shtetit shqiptar, Luigj Gurakuqi mendon që ajo të jetë nën përkujdesjen e kontrollin e Parlamentit.

Pushteti gjyqësor përfaqëson për të, nji nga tre fuqitë e shtetit. Ai duhet të jetë i pavarun nga Pushteti Legjislativ dhe nga Qeveria. Por në të njejtën kohë “drejtësia -thekson Ai, – duhet të mbajë gjithmonë parasysh terezinë e Perëndeshës Temi, e cila nuk varesh kurrë as me njanën, as me tjetrën anë”.

Duke e vleresue si të nji ràndsie të veçantë raportet mes shtetit dhe besimeve fetare, Gurakuqi na ka lanë aksioma aq të arrime, të cilat duhet të jenë parasysh kurdoherë në trajtimin e këtij problemi. Ato janë rezultat i formimit të Tij kulturor dhe demokrat-liberal, i njohjes së thellë të veçorive kulturore dhe fetare të popullit tonë.

Përcaktimin e saktë të rezultatit të këtyne qëndrimeve të tija, na e ka dhanë Fan Noli, i cili shkruan se Ai “qëndronte aq larg fanatizmës fetare të ngushtë, sa muhamedanët e Veriut kishin një besim të pakufishëm”, aq sa në Gegëni, “s’ka patur një tjetër udhëheqës, i cili…bashkonte rreth vehtes së tij, katolikët e muhamedanët gegë”…” Ai ka qenë aq pak regjionalist sa, që kur lindi çështja kombëtare, s’ka patur një gegë patriot, aq të dashur midis toskëve sa Gurakuqi”.

Pra të jesh i pranueshëm nga të gjitha aspektet e kompleksitetit shqiptar, duhet me kenë shumë i madh, duhet me pas vizione të kjarta, largpamëse, kulturore, politike e mbi të gjitha nacionale. Në Kongresin e Durrësit, në mbledhjen për formimin e qeverisë së kryesueme nga Turhan Pasha, Gurakuqi i përmbàhet idesë, se të gjitha fetë duhet të jenë të nderueme. Çështja e lirisë dhe nderimit të fevet në Shqipni, duhet të zgjidhet simbas formules:”Feja e lirë në shtet të lirë”. Gurakuqi “…àsht kundra qi në nji mbledhje kombëtare të përmenden fjalët toskë e gegë e të krishterë e mysliman”. Shteti shqiptar duhet të udhëhiqet nga këto parime në çashtjen fetare: “Besime të lira në shtet të lirë, mostrazim i shtetit në çështjen e besimtarëve, nderim i njeni-tjetrit për besimin e shoqishoqit”. Zbatimi i këtyne parimeve sigurohet me hartimin e ligjeve të drejta e të njinjishme që garantojnë “lirinë e nderimin e besimeve, e tue ndaluem që shteti të përzihet në punet e tyne”. “Trazimi i shtetit në çashtjet fetare, jo vetem që àsht i padrejtë, por, sidomos në Shqypni, mund të dalë edhe fort i rrezikshëm. Po të nisë e të përzihet shteti në punët e njenit e të tjetrit besim, për të mirë a për të keq tyne, do të shkaktohen hidhënime e pakënaqësi, do të rrjedhin vi shtirsi e ngatërresa”. Në ketë konteks ligji themeltar i shtetit në paragarfin që përcakton të drejtën e ushtrimit fetar, duhet të saktësojë se “gjithë ministrat e fevet”, dhe “kleri i të gjitha fevet i math e i vogël”, duhet të jenë qytetas shqipëtarë prej lindjes shqypëtare, duhet të dijnë gjuhën shqipe aq mirë qi t’a përdorin lehtësisht e të gëzojnë të drejtat civile e politike”.

Romeo Gurakuqi

Tomi Treska

Universiteti Europian i Tiranës

https://romeogurakuqi.wordpress.com



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: