Elvi Sidheri: Italianët përqeshin kërcënimet e Kalifatit Mesjetar!
| E Merkure, 25.02.2015, 09:07 PM |

Italianët përqeshin kërcënimet e Kalifatit Mesjetar!

Nga Elvi Sidheri

Me shumë shpoti. Kështu i janë përgjigjur italianët kërcënimeve të militantëve të Shtetit Islamik nga brigjet e Dernas dhe të Sirtes, rreth 300 milje nga bregu italian, se kalifatistët do të arrijnë një ditë në Romë.

Militantët libianë të lidhur me organizatën fondamentaliste në fjalë, shpërndanë në web një video disa ditë më parë, ku tregonin therjen e 21 të krishterëve koptë egjiptianë, në të cilën gjithashtu, nuk patën humbur aspak rastin për të tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtar, mbi faktin se ndodheshin tashmë “në jug” të kryeqytetit italian, të cilin një ditë eventualisht edhe do ta pushtonin “me lejen e...”.

Po ashtu nisën të përdorin në Twitter edhe hashtagun:

#We_Are_Coming_To_Rome

Që domethënë pikërisht se kalifatistët e lartpërmendur, qenë duke ardhur me vërtik në Romë, plot 1600 vjet të mira pas vërshimeve të dikurshme barbare të pupujve gjermanikë, që patën kulmuar me “Plaçkitjen e Romës” të vitit 410 pas Krishtit, nga Visigotët e Alarikut, apo pas “Plaçkitjes” tjetër të “Qytetit të Përjetshëm”, nga fisi barbar gjermanik i Vandalëve dhe lideri i tyre Xhenserik, në vitin 455 pas Krishtit, kur Roma u plaçkit për 14 ditë me rradhë, episod historik ky, nga i cili rrjedh edhe fjala e njohur “Vandalizëm”.

Po aq kryeqyteti italian, dhe njëkohësisht qendra e besimit të krishterë katolik, është synuar të pushtohet edhe tjetërherë, si për shembull nga turqit osmanë, gjatë Betejës së Vjenës në vitin 1683, kur u bë e njohur edhe shprehja e famshme turke, që mëtonte të tregonte me një optimizëm paksa komik, se do t’u jepnin për të pirë ujë kuajve të tyre në Sheshin Shën Pjetër të Romës, pasiqë të kishin pushtuar Vjenën Habsburgase.

Sidoqoftë, hashtagu i larcituar “Romë-kërcënues”, u përhap me shpejtësi marramendëse, i shoqëruar me fotografi të karvaneve plot me fuoristrada dhe kamionçina kalifatistësh njëra pas tjetrës, të mbushura me militantë të armatosur gjer në dhëmbë, mbi të cilat valëvitej flamuri i sterrosur i Kalifatit.

-“Jeni të sigurtë që doni me të vërtetë të vini?”, ishte përgjigja e një italiani në Twitter, i cili tregonte një tjetër fotografi karvani makinash, por që në këtë rast kish të bënte me bllokimet e pafundme të trafikut që karakterizojnë ngahera kryeqytetin italian.

-“Po erdhët vërtetë deri këtu, bëni mirë që t’i shmangni orët e pikut të trafikut roman, sepse përndryshe s’keni për të arritur kurrë, ngaqë do të ngecni në unazë apo në ndonjë kryqëzim”, ishte edhe rekomandimi i një tjetër italiani, në një rrjet social.

E në fakt, ajo që pati nisur si një qesëndi e momentit, më pas u shndërrua në diçka si një fenomen ngjitës.

Ditët e fundit komentet shpotitëse të vetë italianëve me hashtagun #We_Are_Coming_To_Rome në Twitter, janë me qindra dhe nga më të ndryshmet.

Dikush ka postuar foto të grave me fytyrën të mbuluar krejtësisht me “nikab”, që hasin vështirësi të theksuara për të ngrënë një pjatë spageti, deri tek komentet therëse lidhur me situatën politike në Itali.

-“Keni ardhur vonë miq kalifatistë, Italia tashmë është shkatërruar nga qeveritë e saj”, shkruan një tjetër italian.

-“Nuk do t’i duroni dot taksat e shtetit italian, barra fiskale tek ne, është mbytëse edhe për ju”, shkruan tjetërkush, duke i kujtuar militantët e Kalifatit se për shembull “Trenat në Itali, gjithmonë vijnë me vonesë në destinacion!”.

Gjithashtu nuk kanë munguar as referencat lidhur me rrëmujën dhe dëmet e krijuara nga tifozët huliganë të Feyenoord-it hollandez javën e kaluar në qendër të Romës, ku u shkaktuan dëmtime të rënde në shatërvanin e “Barcaccia-s” në “Piazza di Spagna” para ndeshjes së Europa League midis AS.Roma dhe ekipit nga Roterdami.

-“Jeni me vonesë militantë të nderuar të Shtetit Islamik, sepse tifozët e Feyenoord-it, erdhën dhe shkatërruan gjithçka para jush”, kish shkruar në profilin e vet një italian, shoqëruar me fotografinë e ultrasëve hollandezë në qendrën historike të kryeqytetit italian, duke lënë të kuptohet se pas kalimit të këtyre tifozëve të dhunshëm, pak mbetet për t’u rrënuar nga ISIS-i dhe militantët e tij në Romë.

-“Kur të keni arritur në Romë, kini kujdes që të mos vishni bluzat e Feyenoord-it, e as që të flisni hollandisht, sepse mund t’u dalin probleme serioze pastaj”, kish këshilluar në profilin e vet një tjetër italian.

-“Pse nuk e pranoni që po vini në Itali vetëm për t’u ushqyer me specialitetet tona të mrekullueshme kulinare”, shkruante dikush tjetër.

-“S’është turp që ju pëlqejnë picat tona, as tiramisuja dhe makaronat, fundja dihet që në Raqqa dhe Mosul, nuk ka restorante për të qenë” ish një tjetër këshillë për militantët e mllefosur para se të ndërmarrin “sulmin final” drejt “Italisë Kryqtare”.

-“Në lokal, mos kërkoni kapuçino pasi të keni ngrënë drekë, sepse këtu në itali neve e pijmë vetëm në mëngjes. Besomëni që kështu është më mirë, ndryshe do t’iu marrin për idiotë”, këshillonte edhe një italian.

Kështu me rradhë, ndërsa dikush këshillonte llojin e akullores italiane më të shijshme për të provuar, deri tek Nutella e ëmbël dhe vendet interesante për t’u vizituar në Romë nga kalifatistët dhe familjet e tyre.

Gjithësesi, është e qartë që autoritetet italiane nuk e kanë marrë me shumë humor kërcënimin e Shtetit Islamik.

Libia gjendet vetëm 350 kilometra larg ishullit italian të Lampeduzës sidoqoftë.

Javën e kaluar qeveria italiane e Matteo Renzi-t, miratoi një ligj kundër terrorizmit, të cilin tani pritet ta ratifikojë edhe parlamenti i këtij vendi, për t’u përballur më mirë me një kërcënim të mundshëm xhihadist.

Italia është e gatshme njëkohësisht që të vihet në krye të një koalicioni ndërkombëtar që do të kujdesej për të frenuar avancimin e Kalifatit në Libi.



(Vota: 14 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: