Albert Vataj: Pakohja e gjithmonshme e lirikut tragjik
| E Merkure, 18.02.2015, 09:06 PM |

Pakohja e gjithmonshme e lirikut tragjik Frederik Rreshpja

Nga Albert Vataj

Sot mbushen 9 vite, që atë ditë të cergët shkurti të vitit 2006, ditë kur u këput të gjallët e lirikut tragjik Frederik Rreshpja. Në 66-vitet e jetës së tij, siç e pohuar më 1998-ën: "... kam qenë gjithmonë i braktisur. Kam kaluar nga një braktisje në tjetrën". Në raste të tilla, thotë Ismail Kadare në një kapitull kushtuar Fredit në "Mëngjeset në Kafe Rostand"; mendimi i parë që të vjen lidhet me ndjesinë e fajit. Faji i vendit ku lindi, i vetë kohës, i një pjese të saj. Koha ka qenë jo e mëshirshme për Frederik Rreshpjen. Pasi ia mbylli herën e parë portat e saj, e sprapsi për herë të dytë, atëherë kur nuk pritej. Në poezinë e tij i kthehej e i rikthehej disa herë kohës. Jo për të marrë më të mirën, as për t'iu hakërryer: ç'ke që më spraps, por thjeshtë për t'i kushtuar një gjendje: marrëdhënien e tij me të" citon Kadare

Ky mishërim i së ithtës, i kujës dhe trishtimit, kjo gjënezë ndjeshmërie e formësuar nga tradita tragjike e kulturës botërore, nuk është i prirur shumë drejt së lehtës apo festives, megjithëse është i hapur ndaj mundësisë së kënaqësisë dhe misterit. Si mendje e formësuar nga mitet, nuk ka mënuar të mbrujë bashkësinë e tij ideale. Ai nget përnga terrenet e çaprazta duke dëshmuar shpirtin e vullnesës së drobitur. Ngulmon në paepjen e tij duke ndërruar më shpesh fushbetejat se sa kostumet. Prej zjarrit në shpuzë e përcëllon mishin, shpirtin e zhagit në vetmi si mbi zgarën e fatit të keq. Zoritet për gjithçka dhe askush nuk trandet ndërsa e trishta ku ka zgjedhur t'i mëkojë gjeninë e lirikut e kafshon ngadalë e papushim duke i'a shkoq dhëmbjet një e nga një e duke i lënë në shtatin e tij të drobitur plagët, plagët që e sëmbojnë po kaq sa dhe vargjet që i pikojnë si lot i njelmët në mishin e zhveshur prej mosbindjes për tu epur.

Ndësa sot në 9-vjetorin e ndarjes me poetin e ndërmendim në kujtime, ajo që rreket të mbushë këtë zgafellë të thellë të mungimit është vetmia, Zoti i tij tragjik. Është kjo fantazëm që tue na kujtu braktisjen, qaset të rrok një dhimbje që përtërihet prej zellit të modernitetit dhe shterrimit të shpirtit.

Fredi me mungimin e tij troket në portat e mbetura mbyllun; në zemrat e shkeluna prej zoritjes, hedh një çap të hutuem harrimi; në andjet e nderuna pezull, me një hukam të shterrun prej frymës që i'u këput këtu e 9 vite të shkuara, u ngrohë ftomën e ikjes; kushtron me kumbonën e përvajshme të Rrëmajve në çdo përvjetor e shterron në eshtnat e mpakuna hekash e mundimit. Prej ikjes vjen e ikjen na e kujton si shpagë të fatit që shkurem, shpresës që lëvduem e besimit që mëkuem. Vjen me ikjen e ikje na rrëfen si amshim.

Shkëndijat e përtëritjes së kujtesës që kryengrihet mbi harrimin:

Frederik Rreshpja për vete:

"Nuk e di nëse më ka mbetur ndonjë gjë në këtë botë, që të më gëzojë. Gjithë ç'kam dashur, e kam humbur. Por "Le të pyesim, nëse ai luftoi para se bota ta mundte"-, thoshte Pol Eluar. Pra, çdo gjë e kam humbur në mënyrën më serioze dhe nuk ankohem nga fati im. Kur trishtohem, shkruaj. Prandaj shkruaj shumë"

Hans Joachim Lanksch:

"Temat e tij janë humbja, dhimbja, vetmia, qi i derdh në vargje të nji individualiteti dhe bukurie prekëse".

Moikom Zeqo thotë:

"Ai ndihej tragjikisht i vetmuar. Duket sikur arti i tij fshihet nën maskën e jetes së rëndë"

Robert Elsie :

“… që në rininë e tij Rreshpja ka qenë një poet tronditës“

Henri Izrael:

“… është një poezi tronditëse dhe me një mjeshtëri që ne amerikanëve na mungon“

Ivanov, kritik rus:

"… ne kemi Pushkinin, Jeseninin, dhe shqiptarët duhet të jenë krenarë që kanë një poet të tillë"

Leo dë Rua, kritik francez:

"… u trondita nga ky njeri që përmban një gjenialitet ballkanik, që është vendi i lindjes së artit"

Mark Simoni:

"Tragjik në fat dhe lirik në shpirt, i pasur dhe i varfër njëkohësisht, virtuali i qiellit të shtatë dhe trupi i shtratit të ftohtë të një dhome të humbur, i vetmuar nga të gjithë dhe njëherësh mik i të gjithëve, i burgosur prej kujtimeve dhe brengave të veta dhe nga keqkuptimet e të tjerëve, mitik dhe mistik, Rreshpja është sa pagan po aq dhe apostull"

Shpëtim Kelmendi:

" Frederik Rreshpja është një formë e lirë e skandalit, si krimi a poezia: ai nuk është i privuar nga lulëzimi. Si njeri, është larg çdo lapidariteti, si poet një rreth i përsosur kthjelltësie, me një impuls të rrallë për të krijuar imazhe. Për ta riformuluar, poeti te Frederik Rreshpja është një ekzistencë e përsosur në trup të ronitur. Po a nuk është shkrimi shkatërrim i fizikes?"

Sadik Bejko:

"Kur shkruante, ai i mbyllte krejt portat e reales, si për të shkuar në anën tjetër të gjërave, vetëm atje në terrenet e tij. Dhe ishte aq i trishtuar, melankolik ne këtë mjegullnajë të fantastikes. Ama dinte ta shpjegonte qartë të errtën e së paarsyeshmes, të imagjinares. Ishte me dy këmbët i ngulur brenda kësaj bote. Fredi ishte për vdekjen e reales, më mirë do të thoshim për transmigrimin e reales në imagjinatë".

Azem Qazimi:

"Talenti poetik është dëshmia më e drejtpërdrejtë e një krijuesi. Shekulli XXI në të cilin sapo kemi hyrë, për poetët është më fatkeq se shekulli XX-të. Jeta edhe mbijetesa janë bërë simbolet e ekzistencës së artistëve. Këto simbole apoteozetike e dobësojnë njeriun, aq më tepër poetin Frederik Rreshpja, i cili i shkruan veprat e veta me një kthjelltësi aq të veçantë, aq të qetë dhe aq olimpike, a thua se që me gjallje jeton në “arkadinë” e poetëve të përjetshëm".

Astrit Cani:

Ai jetoi me mundime të mëdha, por me çfarë rezultatesh? Nuk mund të thuhet se ai shkoi një jetë fatkeqe, sepse fatkeqësia nuk është rezultati i asaj jete: rezultati është se vepra e tij do u falë njerëzve lumturi kudo e kurdo që të lexohet. Lexuesi do gjejë prore te ai mikun e përjetshëm. Është e çuditshme, më se e çuditshme: është mitike, qysh shpirti i tij, i ndodhur në një realitet të gjymtë e kthente gjithçka në dritë. Me sa duket ai,aq ngrihej përmbi kohërat e komunikonte lirisht me etërit e tij, patriarkët e poezisë shqipe: Bogdani, Fishta, Mjeda e Migjeni. Si Dante me Virgjilin.

... E do shumë të tjerë u lëshuen me amëlcim me e kujtu këtë vetmitar që parakaloi pahiri mespërmes harrimit.

Kur u takova s'pari dhe s'mbramiherë me Fredin

M'ndërmendet si sod takimi s'pariherë me të. Kjo me gjas bani vaki aty nga viti 1995. Një miku jem, që asokohe rrekej me e gjet vedin në regëtimat e poezisë, lyp një këshill prej Fredit. Shkuem për me e taku. M'bahet si sod. Dera gjysëm e hapun e oborrit na hedhi përball nji shpije që dukej se ishte ma shumë një trill mjeran sesa një strehë ku liriku shtynte ditët. Duel prej shpije tue i'u përgjigj t'thirrmeve t'drojshme të mikut tem, Mir Haxhia. E njihja ndër poezi por jo me mujt me e ravijëzu diqysh në përfytyrim. U shfaq nën degët e një peme gjysëm të zhveshur me një palë bizhama të stërpikuna me bojë vaji. Në kam kishte fut një palë këpucë të vjetra që dukej se i përdorte si për kollajllëk. I mori, pa teklif atë tufë poezishë dhe nxitoi t'i shfletonte aty, si për të shfaq interes. La një ditë kur duhej me shku me e taku e u falmeshnetëm tue ndërru dorështërngimet tona të drojshme. Se ç'u ba me poezitë ma nej nuk e mora vesh.

S'dytiherë e kam taku, të tjetërsum, nji burrë i veshun shik me kapele republika dhe persona që garantoni sigurinë fizike. Bahej fjalë kur ai asokohe ishte një botues. "Evropa" ishte shtypshkronja, pronar i së cilës ishte.

M'kishte rrëshqit edhe një herë në kureshtinë teme për me e pranu këtë krijesë të çuditshme në këtë qytet të pazakontë. Jetonte në një banesë të marrë me qira afër stacionit të trenit. E pashë tue ngjitë me mundim një përpjete që të çonte te hymja e pallatit. Në sup i rëndonte e njëjta çantë e zezë jo me shumë gjana në të, dhe në dorën e djathtë mbante një shuk gazeta të zhubravituna. Me kokën e ulun e kurrizin e përthyem mu fanit prek sysh.

Më vonë e kam taku me mikun tem, Shpëtim Kelmendi te kafe "Lux" dhe e kujtoj njashtu siç Kelmendi e përshkruan: Nji burrë shtatimët dhe i veshur me të zeza shfaqet e zhduket hapsinave gri të kryeqytetit ku dhimbshëm pulson ritmi fatkeq i botës sonë shqiptare. Një burrë i plakun, ndonëse nuk është më shumë se gjashtëdhjetë e tre vjeç, me një çantë të zezë e të vjetër hedhur në supin e djathtë, me një kapelë republika të vendosur pa kujdes në krye. I shpërqëndruem, i pavënë re prej njerëzish që enden përreth tij. I huaj. Ngjan vërtetë si i huaj apo si i sjellë përdhunshëm, pa lejen e tij e krejt papritmas, në një botë të panjohur ku i duhet të mbijetojë me çdo kusht. Jeton në zgrip të vëmendjes së njerëzve të zakonshëm, por edhe përskaj atyre të rëndësishëm, që herë mbas here mendojnë se përbajnë ndërgjegjen e së sotmes sonë.

M'bahet se kjo ishte hera e funit, deri një ditë rastësisht, tue mujt me u shqit zgjedhës së hekave të kryeqytetit, qi mora vesh se Frederik Rreshpja ishte fik, n'mjerim e n'vetmi, tue thith cingaret e huajtuna prej admiruesve të pakët, edhe ata hekakeq e t'pamujtun. Tash me te m'lidhin një dorë kujtimesh që feksin e zhduken mes rrumujës dhe poterës së kryeqytetit, bisedave me t'njoftunit dhe dashamirët e tij, ata të cilve u pikoi në shpirt fati i tij tragjik, ata që u orvatën me e shkul prej vetmisë sa merrte frymë ndër ne.


17.02.2015

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: