Vangjush Saro: Dy poetë në trajektoren e fatit (2)
| E Hene, 16.02.2015, 08:47 PM |

Dy poetë në trajektoren e fatit

(Shënime për krijimtarinë poetike të Luan Xhulit dhe Edmond Shallvarit. Pjesa e dytë)

Nga Vangjush Saro

Nëse vendos të rimarrësh një shënim, kjo do të thotë se lënda që ke ndër duar, prapë të jep mundësi të thuash diçka. Edhe pse nuk ndërhyn dot në imazhet e fatit (artistik). Jam i ndërgjegjshëm ndërkaq, se në ndonjë nënvizim a detaj të pjesës së dytë të këtij shënimi, mund edhe të cek në kufijtë e përsëritjes; sikundër jam i bindur që po mëtoj të vë në punë një kamera të vëmendshme, që do të regjistronte nuancat dhe ngjyrimet karakteristike në një recital që e meriton të ndiqet. Pyetja që shtrohet është e vjetër sa bota: Përse? Përgjigjia lyp pak vëmendje.

Hyrje në termin “veçanësi”

Gjatë kohëve, sipas shkollave e rymave letrare, krijuesit kanë tentuar të shprehen në mënyra nga më të ndryshmet: me shenja, me numra, me simbole, duke i sjellë vargjet vertikalisht, duke i kombinuar në forma gjeometrike, në strofa e ritme nga më të begatat, mandej duke iu dhënë ngjyrë librave në faqe të veçanta, duke shkruar lehtë dhe pa shumë intensitet për ngjarjet e mëngjesit - sepse sapo ka filluar dita, njeriu është… mahmur - dhe duke e rritur vëmendjen në ngjarje të ditës, e kështu më tej. Në vorbullën e vlerave dhe halleve të letrave, kanë mbetur gjithnjë për t’u marrë në sy pak gjëra: gjetja, përjetimi shpirtëror, teknika e përsosur dhe sidomos individualiteti krijues.

Që në leximet e para dhe, pastaj, në hartimin e shënimit letrar për Luan Xhulin dhe Edmond Shallvarin, ajo që më bëri të qasem, ishte veçanësia e secilit, prirja e dukshme e tyre për të krijuar identitet artistik, çka është gjëja më e vështirë, në mos e pamundur, për shumicën e atyre që përpëliten në këtë profesion të rëndë, ku vuajtja për të gjetur dimensionin vetiak, është njëherësh lumturi. Këndo vetë, qoftë edhe si bretkocë. Kështu thoshte S. Esenin. Këtë koncept e gjejmë disi më të moderuar edhe te një tjetër autor me emër. Në vjershën “Rruga që s’e mora” poeti i njohur amerikan R. Frost na rrëfen se si ndër dy rrugë që iu shfaqën pyllit, ndoqi atë që ishte më pak e shkelur… Dhe kjo (ai nuk fshihet) kjo ka bërë diferencën…

Po rri edhe pak te termi veçanësi. Nuk kemi shumë lëndë për të folur në lidhje me individualitetin e poetëve shqiptarë në tërësi dhe nuk marrim përsipër as të mohojmë, as të pohojmë në mënyrë kategorike. Por prirja për ta ndërtuar këtë identitet, në tërësi, është një realitet; edhe te protagonistët e këtij shënimi. Pas disa pak kohësh, me kënaqësi konstatoj se L. Xhuli dhe E. Shallvari vazhdojnë të ecin dhe të qëmtojnë secili në shtegun e vet, tani në rrugën e vet, edhe pse në reliev të vështirë; (për hir të së vërtetës, ose mal i lartë ose pyll i papërshkrueshëm). Por ata dukshëm priren të ndërtojnë identitet. L. Xhuli përsiat gjëra të thjeshta në dukje, por në sfond vizaton një harmoni detajesh dhe hollësish (ngaherë të veshura stilistikisht); ai vjen gjithnjë e më meditativ, në kërkim të sintezave dhe duke u ngrënë dhemb për dhëmb me drojen se vargu i bardhë mund ta tradhtojë ndonjëherë; sigurisht, edhe e tradhton. Kurse E. Shallvari gjithnjë e më polemizues, aq sa humbet ndonjëherë polemikave e debateve - duke rendur pas mendimit, i çliruar nga mundimi stilistik - por gjithnjë në nota të larta, kërkues, me motive që i nxjerr nga vetja për t’i ndarë me të tjerët, si dhe duke përdorur në vazhdimësi kundërthënie dhe asonanca që janë ndër pëlqimet e tij…

Të kërkosh mënyrën për t’u shprehur...

Poezitë e L. Xhulit të kujtojnë jo rrallë një thënie interesante të protagonistit të romanit “Procesi” (F. Kafka). Fjalia është: “Unë vetëm zbulova shenjën, po heq dorë dhe s’dua të kuptoj...” Në poezinë e tij të çuditshme, ka një sërë përjetime të vuajtjes, pa bërtitur dhe pa kumtuar patjetër përfundime. Ai është... “Shok me rrezet, oazet e djersës”, mandej konstaton pothuaj me njëlloj cinizmi: “I ktheva xhepat në rërë të varfër limani...” Është një poezi që nuk të krijon ndijesinë se diku e ke hasur më parë. Edhe nocionet më të thjeshta, në vështrimin e tij poetizues marrin ngjyrime metaforike, si në vargjet “Të vërtetën e buzëqeshjes sime e rikopjoj/ me sytë që nuk ndërruan ngjyrë.” Ose: “Këtë verë, nuk bleva dot këmishë të re./ Përdora të vjetrën,/ zbardhur nga larja,/ rënduar me peshën e diellit mbi kuadrate.” (Këtë verë)

E. Shallvari kalëron në një mënyrë tjetër. Ai nuk “di” të tregojë. Nuk i pëlqen të përsiatë. Në vjershat e tij, ka gjithnjë frymë kundërshtimi, vlimi, përplasjesh dhe vetëpërplasjesh, që rëndom fillojnë me një gong. “Ja që më pëlqen të ec borës së pashkelur/ Shiut t’i lë trupin të luajë si në dush…” (Ja që më pëlqen) Loja e të ndërsjelltave është mjaft karakteristike për poezinë e E. Shallvarit. “Jam në shtegtim në të kundërt me zogjtë,/ në të kundërt me zogjtë e ngre dhe folenë./ Një çast takohemi diku në horizont,/ pastaj takohemi kur mendimet flenë.” (Shtegtim)

Ndodh që poezia të vijë si një dallgë që (pothuaj) nuk përplaset askund, por interpreton gjatë gjithë kohës, si të ishte një instrument shumëngjyrësh. Ne vjershën e L. Xhulit  “Nuk dalloj dot”, ka një kurbë sa vajtuese, aq edhe groteske. “Të çmendurit janë shtuar si bari i marsit/ dhe gjarpri i farmacive s’e fsheh dot kokën.” Pastaj, dallga, vargu, diku fillon e zbutet, e lë veten në duart e lexuesit, që ai ta vazhdojë. Meditimin. E. Shallvari në vjershën “Kundra” (unë do t’i sugjeroja ta rishohë titullin) thotë: “Përditë shkoj kundra, nesër gjithashtu./ Nuk di sa miq humba, sa nesër do humb.” (Kundra) Krijimtaria është ajo çka jemi, duke shtuar raportet me gjithë ç’na rrethon, nën një shi ngjarjesh dhe imazhesh që përthyhen pak a shumë si duam ne, si ne e shikojmë botën.

Qasje të ndryshme kah natyra, dashuria dhe Zoti

Dashuria frymëzon, si gjithë poetët, edhe protagonistët e këtij shënimi, por me masë; gjithsesi, edhe në këtë episod, ata janë mjaft të ndryshëm. I përkorë L. Xhuli në ndjenjat më intime, si një aristokrat. I vrullshëm dhe gjithpërfshirës E. Shallvari, duke reflektuar qëndresë ndaj viteve. Por edhe kur “flirton”, ai e bën këtë duke iu besuar gjithnjë antitezave, ndonjëherë edhe lojës së fjalëve: “Ajo është një grua, më shumë se grua./ Më pak se grua njëkohësisht është ajo.” (Ajo është një grua) Në shumë vjersha, ai ka krijuar imazhin e femrës ideale, të cilën e adhuron. “Unë rroj me ty çdo çast pafundësie,/ sepse besoj tek ty pafundësisht.” (Me ty) Por është po kaq i vëmendshëm ndaj dashurisë në gjithë dimensionin e saj tundues. “E ku ta dije ti, një shenjë priste prej teje,/ i ndrojturi pëllumb, të zbriste tek ty pranë./ Ai mbeti në qiell, si fjollë e bardhë reje,/ ti mbete përtej pritjes dhe pritjen vazhdon prapë.” (Me shoqëri pëllumbash)

Është e natyrshme ndërkaq, që duke vëzhguar dhe kërkuar në natyrë, një tjetër pikëtakim me poetët, ndijesitë pasurohen. Gjithë ç’vështron syri, janë gjah poetik për L. Xhulin; brenda dhe jashtë, në poezinë e tij ka shumë gri. “Oxhaku tymon duke sharë jugën/ dhe Morava e zhveshur kollitet e ftohur.” Në çaste më të ngrohta, kur edhe ngarkesa shpirtërore dhe gjendja krijuese janë në harmoni, zgjuar, pse jo me njëlloj pathosi, L. Xhuli niset të vizatojë peizazhe; por metaforat e heqin prej andej për ta risjellë në meditim, në përsiatje. “Akoma mbledh ngjyra në kopështin e vogël që ka mbetur;/ i përkëdhel, u jap dritë, i puth/ dhe i ftoj në çudinë ku pasurohen ëndrrat.” (Kopësht) Ndërkaq. E. Shallvari, në vjershën kushtuar Selanikut, na sjell një model peizazhi poetik. Ndonjëherë, edhe pak mjafton.

Mendoj, krijuesit kanë apo lëvizin në relieve dhe etapa të caktuara. E. Shallvarit i pëlqen të luajë me termat e besimit dhe të prekë tablonë dhe ndijesinë qiellore, me gjithë imazhet e tyre të çuditshme. Ka vjersha që besimi dhe termat i zbukurojnë; (sepse siç thotë edhe E. Jevtushenko, “Dashtë Qielli, të jemi pak Zot, vetëm pak...”) Por e vlen edhe kujdesi për të mos u pajtuar me monotoninë. Me terma të natyrës së religjionit, operon (rrallë) edhe L. Xhuli, mbase duke qëndruar disi më i kujdesshëm ndaj zgjedhjeve të tij stilistike, ku metafora zë kryet e vendit: “Zoti, unë dhe qeni im/ ngritëm një trekëndësh për të ngushëlluar veten…”  (Trekëndësh) E kotë të bëjmë një numeracion të temave... Edhe kaq, ishte në funksion të pangjashmërisë.

Fjalë për teknika të ndryshme poetizimi

Duke i qëndruar besnik linjës së pangjashmërisë, çka në fund të fundit në një kuptim është vetë krijimtaria, me pak vëmendje, mund të shikojmë ndryshime e individualitet edhe në aspektin apo episodin krijues të dy poetëve. L. Xhuli (duket sikur) vizaton me mendjen se kjo do t’i marrë mjaft kohë; ose mërmërit pareshtur, si deti në dukje i qetë, por duke iu dhënë mijëra reflekse fjalësh meditimeve pa fund. “Gjethet kishin dalë nga këllëfi i sythit/ dhe zogjtë kishin shtruar vezët e para të martesës./ Mamaja lidhte flokët me shaminë me oja jeshile/ dhe babai s’e vendoste më përmbi sy kapelen …/ Unë vonohesha më shumë mbrëmjeve/ dhe me xhel të djelltë i shtroja kaçurelat…” (Prilli i dikurshëm) Nga ana e vet, E. Shallvari i beson më fort fabulës, krijimit të ndërtuar (pothuaj) mbi një subjekt, që shkon deri te pamja e një tregimi lirik, ndonjëherë sarkastik, por ku gjithnjë shihet një ngjarje a një episod nga jeta, i shtrirë në pak vargje: “Nuk firmoset dashuria./ S'është kontratë marrëveshjesh./ Firma e saj është vetë magjia,/ që të ngjall edhe pas vdekjes.” (Firma e dashurisë) Por në një sërë poezi, rrëfimi i E. Shallvarit i ikën fabulës, shtjellon mendime, krijon imazhe, gjithnjë duke luajtur bindshëm me fjalët. “E hapur një portë/ Një portë e mbyllur/ Pa hyrë më thotë/ “Je brenda i kyçur”./ Pa dalë më thotë/ “Je jashtë, veç jashtë!”/ Hapmbyllur një portë/ Në pragun ditnatë./ Pa kyçin e portës/ Mes pragut të botës.” (Porta)

Loja me fjalën, është një nga detyrimet e njohura letrare. Përsëritja. Inversioni. Kakofonia. Siç shihet edhe nga vargjet që kemi përzgjedhur, këtë manierë, këto kombinacione, për shkak të së cilës poezia shumë lehtë mund të të ikë duarsh, E. Shallvari i njeh mirë dhe përgjithësisht i vjel me sukses. “Sot hallet e halleve, i thurra litar/ Në lak për t’u varur, litarin e lidha./ E lehtë ishte futja e kokës pastaj./ Dhe kështu i varur, nuk di se ku ika.” (Litari i halleve) Gjithë në shpalosjen e teknikave individuale, E. Shallvari shpesh përdor inversionin, kurse L. Xhuli preferon retrospektivat; E. Shallvari pëlqen gërshetimet e gjendjeve e të prirjeve deri në kakofoni, kurse L. Xhuli rëndon mbi varg metaforikisht, por duke i lënë të kthjellëta episodet që ka dëshirë t’i nënvizojë. Tek E. Shallvari, poezia merr trajta sinqeriteti dhe naiviteti gjer në keqkuptim. Poetesha e njohur ruse Ahmatova shkruante diku: “Dikush shkon rrugës pa tërthore/ një tjetër rrotull vjen...” Le të themi që E. Shallvari “shkon rrugës pa tërthore”. Kjo e bën shumë të afërt dhe të lexueshme poezinë e tij. “Shpëtomë, nëse më do, nga kjo krijes’ parajse,/ që ka fytyrën tënde, por jo, ajo s’je Ti!” (Më zgjo) Prirja kah pyetjet, polemika, përplasja në mendime e në përvoja, uni  gjer në tepri, dikton fqinjësi me antitezën; ajo vjen dhe pushton çastet e tij, vetëdijen, gjendjet e hidhërimit dhe gëzimit, rrënjët, degët dhe boçet e vjershave të tij:  “ Pastaj ul dorën me gishtat e saj/ dhe qesh në kulm, tej kulmit, qaj.” (Me gishtat e dorës)

Interesante është të vërehet që në tërësinë e gjetjeve të tyre, të dy poetët blatojnë gjendje dhe figura të freskëta, që ndryshe nga gjestikulacionet poetike të shumë krijuesve të të sotmes, nuk të tingëllojnë të konsumuara. L.Xhuli, shumë përzgjedhës: “Klorofili i fjalës, korentet e ajrit dhe ngjyra e dritës,/ pësuan ndryshkje si dritare e vjetër...” (E shkruar një të diel dhjetori) E. Shallavari, kaq naiv, por gjithnjë rob i së veçantës: “Sa të ketë më pas diçka,/ hidhe hapin për aty,/ siç e hedh Dielli në mal,/ kur ta bën çdo ditë me sy.” (Hapi)

Kuptimi i pikëçuditëses dhe disa përfundime

Në një reliev me shumë pamje, ndodh që disa të të ikin syrit; jo gjithnjë mund t’i përcjellësh dukuritë me të njëjtin intensitet dhe me të njëjtën vëmendje. Mungesa e vetëkontrollit artistik, endja pa sens në qiej ngazëllimi e vetëkënaqësie, do ta bënte krijimin tonë, krijimet tona… njëlloj karafe të kristaltë. Sipas një legjende, ky frut që rritej buzë Detit të Vdekur, ishte i bukur në pamje, por shkërmoqej po ta prekje me dorë. Nuk na duhet një krijimtari që të shkërmoqet… Ndjenja e më së mirës, që në fakt është vetë talenti, na tregon se sa të dobët jemi ndaj asaj që shkruajmë. Duke vështruar ngultazi në poezinë e protagonistëve të këtij shkrimi, ndjej dhe pohoj me shumë kujdes që ndonjëherë për L. Xhulin kufiri me prozën bëhet i rrezikshëm, një emergjencë. Ai flet kaq qetë e shtruar, tregon edhe në mënyrë të rëndomtë, tërheq ngadalë fijen e rrëfimit, aq sa të duket se poezia humbi, nuk ka më kohë të saj, ritëm, sugjestion artistik. Ndonjëherë gabohesh, poezia është sikur po zhvishet një grua dhe po tregon gjithë bukuritë e saj. Por ndodh që ajo është e rëndomtë ose e ka tepruar me tualet dhe erëza. Gruaja apo poezia? Ç’rëndësi ka! Bie fjala, në një pjesë të poezisë “Cilën biografi të shkruaj?…” rrëfimi shkon pa shumë interes e me pak ndijesi artistike. Po ashtu, te L. Xhuli ka fjalë që janë të parrahura si duhet me relievin letrar ose iu besohet më tepër nga sa do të duhej disa termave me tingëllim (nuk po e gjej dot fjalën e duhur) burokratik, të stilit administrativo-juridik; (montova/ qarkulloja/ mossuksesin). Kurse te E. Shallvari, gjetja e motivit, e fabulës, asaj çka do të thuhet, shpesh herë bëhet një portë e shqyer për (mos) këmbënguljen artistike. Në këto e sipër, kujdes, ngazëllehet lexuesi më pak i informuar dhe pa ndijesi të spikatura artistike, kurse vështron më nga larg lexuesi që do më shumë art… Në ndjekje të teknikave gjithnjë, edhe E. Shallvari operon me fjalë që nuk kanë stof poetik; ose tregohet i pavëmendshëm për më shumë fjalor, bie në një konsumim të panevojshëm të disa fjalëve; pothuaj gjer në raskapitje. (real/ reales, etj.) Ndonjëherë edhe brenda të njëjtës vjershë, ku rreh mendimi dhe poetika është e shëndetshme, mund të vërehet një bjerrje e përkohshme, sikundër rimat foljore, që në vështrimin tim nuk janë më të përshtatshmet për një poezi të kohës. (Cicëroj/ shtegtoj)

Nëse ka teprime, bjerrje sporadike apo edhe mungesë vijëmësie artistike, këtë autorët e pranojnë me shumë mundim. Por kjo veç, edhe duhet shkruar me shumë mundim. Çdo shkrim, ca më tepër ato që i cilësojmë shënime letrare, kanë një dozë subjektivizmi, në mos edhe pak brutalitet intelektual… Miku dhe kolegu im A. Papleka, në një diskutim letrar në Tiranë, jo shumë kohë më parë, u hodh e tha se nuk ka vend për vërejtje, nuk ka pse, ashtu i ka ardhur poetit… Nuk ndjej ndonjë tepri a mungesë motivimi në këtë mes, por le të flasim me sinqeritet; gjithmonë ka vend për më mirë. Ca më tepër, që këtë na e thotë edhe O. Uajld, i njohur për prirjet e tij estetizante. “Librat, thoshte ai, janë të shkruara mirë ose keq. Kjo është e gjitha.” Këtë aksiomë të gjetur, mund ta rithemi patjetër edhe për poezitë. Por... cilat janë shkruar keq dhe kush e pranon këtë? Sigurisht, e pranojnë apo qëndrojnë një çast për të parë çfarë mund të bëhet më mirë, ata që nuk kënaqen me ç’kanë arritur dhe kërkojnë më tepër. Edhe protagonistët e këtij shënimi, kam bindjen, janë krijues që nuk lodhen së kërkuari; motivi dhe fjala, gjendja dhe detaji, për ata janë gjëra shumë të rëndësishme dhe që nuk mund të shkëmbehen me çdolloj vargëzimi. Poetesha e njohur amerikane E. Dikinson thoshte: “Mësojmë duke u zbrapsur...”

Ani. Magjia e krijimit nuk gjykohet, edhe pse mendimet e sugjerimet mëtojnë të shëndoshet lënda poetike dhe teknikat letrare. Dhe vetëm kaq. Tani, si në një vjershë të D. Agollit, kur mendon të shkruash FUND (pra, fundi i librit, i një krijimi) befas të vijnë në mendje edhe mendime të tjera… Gjithsesi, kjo është për mbarë, që do të thotë se recitali të emocionon, ia vlen ta ndjekësh atë, sadoqë ndonjëherë ritmi bie apo ndoca hollësi kërcasin. Duke përmbyllur këto radhë, pa pretenduar për një vështrim shterues, mund të them se më e pakta, prej dy shënimeve, lind një i vetëm, që me modesti i regjistron disa vlera.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: