Flasin Redon Makashi dhe Kozma Dushi
| E Enjte, 12.02.2015, 07:11 PM |

Në QKMBMMSHP, u zhvillua një koncert i veçantë nga fëmijët e ushtarakëve

Një koncert mbresëlënës, “Ta duam më shumë Shqipërinë”

Nga Albert Z. ZHOLI

Para disa ditësh në QKMBMMSHP u zhvillua një koncert i veçantë nga fëmijët e ushtarakëve dhe punonjësve të Ministrisë së Mbrojtjes. Një koncert me këngë, recitime dhe  interpretime në kitarë nga fëmijë të moshave 7-13 vjeç. “Ta duam më shumë Shqipërinë” titullohej ky koncert që zhvillohet midis dy festave 11 janarit, shpalljes së Republikës dhe 14 shkurtit Festës së Shën Valentinit. Atë ditë salla kryesore e QKMBMMSHP gumëzhinte nga zërat e 60 fëmijëve dhe dhjetëra instrumenteve të ndryshëm, si violinë, fizarmonikë, xhaz, etj. Një ditë festive për  fëmijët që, atë mesditë shkurti i shihje të gjithë të qeshur. Sa atmosferë e bukur në një ditë gri. Koha sikur "dorëzohej" me grinë e saj përpara zërave të bukur dhe veshjeve shumëngjyrëshe të fëmijëve. Ishte një copëz pranvere në zemër të Tiranës, ku mes fëmijëve ishin prindërit, të afërm, gjyshet apo gjyshërit e tyre, që gëzonin në po atë masë.

Programi

Një program interesant, plot me këngë patriotike, recitime dhe tinguj kitare nga autorë të ndryshëm. Të gjitha këngët dhe recitimet kishin një frymë të thellë edukuese. Ky koncert ku kishte mbledhur në sallë më shumë se 150 vetë, u hap me këngën e korit “Globi rrotullohet”, një këngë shumë e dashur për fëmijët, një këngë që të zgjon dëshirën për të mësuar në thellësitë e globit tokësor, në pafundësinë e hapësirave të tij, vendndodhjen e atdheut tonë të dashur, Shqipërisë. Më pas vjen një interpretim në kitarë dhe disa recitime. Koncerti vazhdon me repertorin e të gjithë korit me këngët “Globi rrotullohet”, “Festa e abetares”, “Tring zilja”, “Potpuri këngësh korçare”, “Gjyshes sime”, “Në shtëpinë tonë” dhe së fundi kënga himn “Dua më shumë Shqipërinë”. Kjo këngë e ndezi më shumë atmosferën. Bashkë me fëmijët tashmë këndonin edhe prindërit. Prindërit ngrihen në këmbë dhe duke kënduar bashkë me fëmijët marrin pjesë në gëzimin e tyre, marrin pjesë në dhuntitë dhe preferencat e tyre jetësore. Nga ky grup për çdo vit kanë dalë këngëtarë, instrumentistë, piktorë që kanë bërë emër dhe kanë marrë pjesë në kompeticione të rëndësishme televizive. Fëmijët këndojnë me gjithë zemër. Zërat e tyre të bukur çajnë grinë e kësaj të shtune duke tërhequr edhe vëmendjen e kalimtarëve. Një këngë frymëzuese, për atdheun tonë, për Shqipërinë, që fëmijët i mbush me gëzim dhe forcë. Është një këngë me një muzikë dhe tekst të mrekullueshëm që të rrëqeth dhe të bën të vetëdijshëm për përgjegjësinë e emrit që mbart mbi vete. Entuziazmi i fëmijëve nuk njeh kufij dhe ata në vargjet e fundit, kapin për dore njeri-tjetrin dhe lëvizin trupat në harmoni si valë deti, për të përcjellë dashurinë që kanë për atdheun e tyre, Shqipërinë. Kur kënga mbaron, fëmijët përqafohen me njeri-tjetrin dhe pastaj me prindërit gjyshet, apo gjyshërit. Një moment tejet emocional.  Përqafime, lot gëzimi, mirënjohjeje, dëshire për të qenë kështu të bashkuar në emër të artit, këngës, magjisë së saj, që mrekullon çdo kënd. Kjo është kënga, muzika, që të përcjell mirësi, gëzim, harmoni, vëllazërim.

Redon Makashi-kantautor

Unë si pjesëtar i Qendrës Kulturore të Ushtrisë, ku kam katër vjet, mund të them se në çdo fund muaji ne organizojmë një koncert me këngë, recitime dhe interpretime në kitarë nga fëmijë të ndryshëm. Ky aktivitet është një aktivitet i parë në vitin e ri 2015, pas atij koncerti të bukur në fund të vitit 2014. Në këtë rast koncerti është një zë i veçantë midis festës së Republikës që kaloi më 11 janar dhe festës së 14 shkurtit që po vjen. Në këtë koncert janë gjetur element të rinj, këngë të reja apo pjesë instrumentale që nuk janë nuk janë luajtur më parë. Funksioni im në këtë institucion është të jap mësim në veglën e kitarës, një instrument i cili pëlqehet shumë nga fëmijët. Numri i tyre vjen duke u rritur nga dita në ditë, pasi fëmijët janë shumë kureshtar ndaj këtij instrumenti. Nga gjiri i këtij institucioni kanë dalë instrumentistë të vegjël të cilët kanë konkurruar në kompeticione të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare. Për mua ky institucion është një shkollë e vogël, ku fëmijët vijnë me shumë dëshirë dhe pyesin pa ndrojë. Kitara është një instrument shumë i bukur, mjaft i përhapur, ku fëmijët bëjnë dhe pyetje befasuese. Unë ndihem mirë mes tyre, ndihem i privilegjuar, më duken të gjithë si fëmijët e mi. Këtu ata marrin shumë dituri dhe mund të them se në çdo koncert do të ketë fëmijë që do të luajnë pjesë të ndryshme në kitarë. Në këto koncerte kanë luajtur dhe 5 fëmijë me kitarë. Por ne na vijnë fëmijë të mësojnë edhe në mes të kursit. Pra shtohen çdo ditë. Fëmijët shprehen se ndihen shumë të gëzuar dhe të motivuar në këto kurse, dhe falënderojnë Ministrinë e Mbrojtjes për këto kushte dhe hapësira të mëdha. Në këto katër vjet që kam këtu, kam nxjerrë më shumë së 30 instrumentistë ku mund të them se ka pasur dhe shumë vajza. Disa thonë si ka pasur vajza në kitarë?! Po, ka pasur më shumë se gjashtë vajza. Disa prej tyre kanë vazhduar Liceun. Madje dhe më tej. Kursi është çdo të shtunë dhe zgjat aq sa duan fëmijët. Sot ishte një koncert i bukur, plot gjallëri, plot variacione, ku fëmijët ishin tejet të gëzuar dhe të obliguar. Janë koncerte që përcjellin mesazhe atdhedashurie dhe respekti. Pra, janë model i edukimit dhe harmonisë mes fëmijëve. Të tilla koncerte do ti quaja të veçantë.

Erind Bajo-nxënës që mëson për kitarë

Unë jam në klasë të dytë të shkollës 9-vjeçare “Pal Engjëlli”. Kam dy vjet e gjysmë që vij në këtë kurs dhe mësoj për kitarë. Fillimet e para për mësimin e kitarës janë me babanë tim. Ai e përdor shumë kitarën dhe më nxiti dhe mua dëshirën. Unë kam kitarë në shtëpi dhe luaj dy orë në ditë. Por nuk e teproj pasi kam dhe mësimet. Këtu në kurs vij me shumë dëshirë pasi mësoj shumë dhe xhaxhi Redoni na mëson shumë mirë. Këtu ka kushte shumë të mira dhe shokë e shoqe shumë të mirë. Koncertet më nxisin të mësoj më shumë. Kur të rritem dua të bëhem një kitarist i mirë. E dua shumë muzikën. Ajo më qetëson dhe më gëzon shumë.

Kozma Dushi-këngëtar

Ishte një koncert specifik midis dy festave në kuadrin e koncerteve të çdo fund muaji që organizon Qendra jonë e Kulturës. Shihet se nga dita në ditë po rritet numri i fëmijëve që marrin pjesë në grupet tona të këngës, aktrimit dhe instrumenteve muzikorë. Kjo tregon se Qendra jonë ka profesionalizëm dhe kërkesa ndaj fëmijëve. Ne po përpiqemi që ata të jenë tek ne të afruar, të qetë, të dashur. Përpiqemi që tu mësojmë sa më shumë për këngën, për instrumentet muzikorë. Përpiqemi që tu mësojmë sa më shumë këngë të reja, këngë të bukura, këngë me mesazh, këngë patriotike. Dashuria e tyre për muzikën rritet nga dita në ditë. Çdo fundjavë ata këtu gjejnë miqësi të reja, gjejnë ngrohtësi, këngë të reja, muzikë të re. Formësohen në muzikë por dhe në respektin për artin, dijen dhe atdheun. Mund të them  diçka që, para disa kohësh në koncerte të tilla, fëmijët këndonin me superpozim me CD, ndërsa tani këndojnë live, këndojnë me zërin e tyre të vërtet. Kjo është e veçanta e aktiviteteve tona. Në këtë koncert çdo këngë ishte live dhe me muzikë live. Sot ata mund të kenë bërë ndonjë gabim në të kënduar. Por më mirë. Ne kështu i vërejmë gabimet, i shohim, i korrigjojmë. Kështu bëhemi më të vetëdijshëm se deri ku mund të arrijmë. Ky koncert na solli shumë risi por mbi të gjitha fëmijët i kënduan me zemër dhe shpirt atdheut të tyre. Ata morën dhe përcollën një mesazh shumë të qartë “Ta duam më shumë Shqipërinë”.

Duart e mirësisë

Tek tundin duart në ajër pas suksesit të koncertit, vetiu në gji ndjen një ngazëllim. Një fjalë e urtë thotë, tek fëmijët, se si rriten ata, shikohet e ardhmja e atdheut. Kur i shikon se si shpërndahen, ata duken si një lëndinë lulesh që përcjellin një mozaik ngjyrash dhe zërash që të relaksojnë. Kënga, muzika, i bën ata dhe më të bukur dhe më të qeshur. Përcjellin tek njeri-tjetri një dashuri dhe mirësi të dëlirë, pa asnjë paragjykim. Tundin duart në ajër që në grinë e ditës, duken si ylber ngjyrëshumë që rrezatojnë dritë. Në përqafimet e tyre ka një ngrohtësi shpirtërore që barazohet me engjëjt.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: