Albert Zholi: Flet këngëtarja Alisa Baraku Ndoci
| E Merkure, 04.02.2015, 08:26 PM |

Flet pedagogia dhe këngëtarja lirike Alisa Baraku Ndoci

- Çdo femër duhet të vendosë vetë pozicionin që do të zërë në familje, shoqëri apo profesion

- Femra duhet ti jap fund konceptit se mundësitë dhe hapësirat të na i krijojë shteti, apo të tjerët

- Si skena si pedagogjia kane një të përbashkët që quhet Art-Muzike

- Kam jetuar në Kosovë për 10 vite, ku kam punuar në Operën e Kosovës si soliste

-Më është dashur të rrezikoj edhe jetën duke kaluar për çdo dite në postblloqet policore Serbe për tu dhënë mësim fëmijëve kosovar.

- Nëse skena më jep mundësinë të shpalos pasionin, Pedagogjia më dhuron sadisfaksionin me nxënësit e mi

- Zërat tanë, Frederik Ndoci-Alisa kombinojnë bukur në këngën lirike

-Lidhja me muzikën: Gjyshi im ka studiuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës- Boston për Trombon

- Fëmijët nuk mund të jenë kurrë pengesë, përkundrazi, për mua janë frymëzim

Nga Albert Z. ZHOLI

Një këngëtare lirike e cila e shoqëron në gjithë rruëgtimin jetësor, por me lidhjen e shpirtit binjak me këngëtarin e mirënjohur Frederik Ndoci, duetet e tyre kanë sjellë nj frymë të re në krijimtarinë e saj artistike. Njëkohësisht Alisa është pedagoge në Universitetin e Arteve të Bukura, profesion të cilin e dashuron po aq sa kënga lirike. Sipas Alisias “Si skena si pedagogjia kane një të përbashkët që quhet Art-Muzike. Nëse skena më jep mundësinë të shpalos pasionin, talentin e të kënaq shpirtin e dëgjuesve me zërin tim, Pedagogjia më dhuron sadisfaksionin e punës sime të përditshme me nxënësit e mi”. Për më tepër ajo thekson se “Hapësirat çdo kush i krijon vete, besoj se ka ardhur koha që ti japim fund këtij koncepti se mundësitë dhe hapësirat të na i krijojnë të tjerët, e aq më tepër qeveritë. Fundja c'lidhje ka Qeveria? Çdo femër duhet të vendosë vetë pozicionin që do të zërë në familje, shoqëri apo profesion”.

-Kohët e fundit ju keni realizuar disa duete me Frederikun, mos vallë erdhi koha për të hyrë bindshëm në rrugën e bukur të këngës lirike ( e theksoj bindshëm pasi ju jeni rritur me këngën lirike)?

Unë kam mbaruar "Akademinë e Arteve te Bukura" për Kanto, qe do të thotë se rrugës së muzikës Lirike i kam hyre para 25 viteve profesionalisht dhe që në fëmijëri të hershme shpirtërisht. që do të thotë se jam rritur me muzikën Lirike, e cila është bashkudhëtarja ime që do më shoqërojë deri ne fund.

Cilat janë të përbashkëtat e zërave tuaj, Alisa-Frederik në këto duete ? Ka tonacione të zërit lirik Frederiku?

-Të përbashkët kemi përgatitjen profesionale vokale dhe pasionin. Por të kërkosh ngjashmëri vokale është si të kërkosh dy njerëz të njëjtë. Zoti na ka krijuar të veçantë, e po ashtu edhe kordat tona vokale.  Zërat tanë kombinojnë bukur ndoshta kjo është ajo që ju bën të mendoni se kemi ngjashmëri zërash.

Ku e ndjen veten më Mirë Alisa në skenë apo si pedagoge?

Si skena si pedagogjia kane një të përbashkët që quhet Art-Muzike. Nëse skena më jep mundësinë të shpalos pasionin, talentin e të kënaq shpirtin e dëgjuesve me zërin tim, Pedagogjia më dhuron sadisfaksionin e punës sime të përditshme me nxënësit e mi, kjo është forma më e bukur për të dhuruar dijet e tua tek brezat e rinj, plot pasion e ëndrra për te ardhmen.

- Nëna juaj një inxhiniere elektronike e rrymave të dobëta, po Alisa nga i mori ngjyrimet e muzikës?

Nëna ime vërtet është inxhiniere, por njeriu mund të ketë disa talente. Nëna ime ka kënduar në fëmijërinë dhe rininë e hershme te saj, ka një zë të mrekullueshëm me një impostim natyral. Muzika është një tjetër pasion dhe talent i saj. Por nuk është rastësi. Talenti i nënës sime dhe im gjithashtu, trashëgimin e kanë nga gjyshi im Kristaq Panduku. Gjyshi im ka studiuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës- Boston për Trombon në vitet 1920, pas diplomimit është kthyer në Shqipëri e për vite me radhë ka qenë drejtuesi i Bandës muzikore Shqiptare. Ndoshta lexuesit nuk e njohin shume, sepse dihet që këtu tek ne nuk i jepet vlerësimi i merituar njerëzve që vërtet e meritojnë. Por mund te them me krenari se gjyshi im Kristaqi ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në edukimin e shkollimin e muzikanteve të rinj, si dhe në Artin Shqiptar.

Tashmë me dy fëmijë, keni kohë për vete, për të pirë kafe dhe me shoqërinë?

Besoj se nuk është problemi tek koha, por tek njerëzit që nuk dinë apo nuk duan të krijojnë një marrëdhënie me kohën. Gjithmonë mund të gjesh kohë nëse do, sigurisht mund të jetë më e kufizuar. Por asnjëherë nuk i kam kuptuar ato nëna që vetëm qahen se nuk gjejnë kohë edhe për veten e tyre. Fëmijët nuk mund të jenë kurrë pengesë, përkundrazi, për mua janë frymëzim qoftë në rendësin që i kushton vetes apo edhe miqve.

-Qeveria Rama a ka krijuar hapësirat për femrat?

Hapësirat çdo kush i krijon vete, besoj se ka ardhur koha që ti japim fund këtij koncepti se mundësitë dhe hapësirat të na i krijojnë të tjerët, e aq më tepër qeveritë. Fundja c'lidhje ka Qeveria? Çdo femër duhet të vendosë vetë pozicionin që do të zërë në familje, shoqëri apo profesion. Ku ka dëshira, pasione dhe ambicie, patjetër që ka edhe hapësira.

Lidhjet me Kosovën?

Kam jetuar në Kosovë për 10 vite, ku kam punuar në Operën e Kosovës si soliste ku kam një aktivitet shume të ngjeshur. Kam qenë edhe soliste e Presidencës së Kosovës ku aktivitetet e mia koncertale janë pa fund dhe kam kënduar përpara personaliteteve më të shquara shqiptare  dhe Ndërkombëtare. Kam punuar edhe si mësuese e Kantos nga viti 1997-2001 në Liceun e Kosovës. Atëherë kur shtëpitë e shqiptarëve u kthyen në shkolla pasi okupimi Serb nuk lejonte mësimin Shqip. Më është dashur të rrezikoj ndoshta edhe jetën duke kaluar për çdo dite në postblloqet policore Serbe. Për këtë ndjej krenari, që edhe unë sadopak kam kontribuar në mësimin e shkollimin e te rinjve Shqiptar në Kosovë.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: