Drita Lushi: Klithma fryme
| E Marte, 03.02.2015, 08:10 PM |

“Më shumë se magjia e fjalës

së poetëve më në zë në Botë

mu desh lëkura ime ...letër

dhe s'di se sa ...bojë-lotë!”-

-KLITHMA FRYME-

e Lumturi Ymeri- (Bersava)

-Në  ledhatime poetike impresionuese-

NGA DRITA LUSHI

“Duke lexuar poezitë e Lumturi Ymerit, dy cilësitë që më vijnë shpesh në mendje dhe përsëris në(n)zë janë : “Fuqishëm dhe bukur”.

Përpos të gjithave, mua më mjafton të them se ajo ështe një krater i hapur, llava e të cilit ështe në rrjedhë  të vazhdueshme dhe do të vazhdojë të na befasojë me ngjyrësimin e saj poetik.”

…dhe ja, mu desh të citoja përsëri veten, dhe me plot bindjen  them që s’kam gabuar në asnjë gërmë teksa kam në lexim librin e ri poetik“Klithma fryme”, (dalë nga shtypi në fundvit 2014), të kësaj autoreje.

Libri është i konceptuar në katër pjesë që titullohen:

1 Planeti im

2-Frymë në klithmë

3-Mirazhe tingujsh

4 -Hi shpirti

Ky vëllim,(i katërti për Lumturinë) poezi pas poezie, shpalos një planet emocionesh të vërteta, të krijuara  mjeshtërisht dhe me një natyrshmëri mahnitëse varg pas vargu.

Fjala është e njëjtë, ajo që njohim, por të ndërthurura me njëra – tjetrën nga poetja,ato na japin një ndjesi të fortë,të besueshme, e janë të veshura aq bukur, sa na marrin në rrugë të panjohura, me të papritura poetike, ç’ka nuk është diçka e re, për këtë autore.

Në planetin poetik të Lumturi Ymerit takon jo thjesht poezi që lexohen, por mbi të gjitha… në fund të çdo poezie merr;

E ajo ç’ka merr, është pikërisht emocioni i shoqëruar me ndjesi të bukura e drithërima që prekin çdo shpirt të ndjeshëm njerëzor gruaje apo burri, mjaft që të lexosh jo vetëm me sy .

“Ti mbjell dridhërimën

në çdo pore

me sy,

me duar

me buzë

e fjalë

ngadalë…”

e më pas vazhdon

“Do të të duhen hambarë

dielli

qielli

gjithësia

e prapë s’ta nxë

 

Ndaj të jap borxh përjetësinë

veç,

ma kthe…!”

Poezitë e Lumturi Ymerit nuk janë të rastësishme;

Ato janë sintezë e një mendimi të qartë poetik, dhe mbi të gjitha shpalosen dhe lindin bukur estetikisht.

Ato jane shkruar jo në rimimin  tradicional, e as në varg të lirë prozaik.

Por ato kanë një ritëm te bukur, ku dhe rimimi vjen logjik e pa sforcime duke ruajtur bukurinë  dhe ndërlidhjen logjike- estetike të fjalëve...

Poetja shpalos bukur botën e gruas në të gjithë intimitetin e saj;

Fjalët, në penën e saj bëjnë magji në sytë tanë duke na tëhequr si magnet breda lojëfjalëve kuptimplota”:

“Ti, eh ti,

më thuaj pra, tani

ndaç, plas nga inati!

S’e shkruaj unë poezinë,

por ti!

Unë thjeshtë e kam gati…”

Dhe sa bukur vjen vargu  i saj, veshur në intimitet femëror:

...” Dy buzë

vizatonin dekoltenë

dhe gishtat  zgjidhnin

fjongo prej hëne…”

Nuk mund të lë pa cituar poezinë :

DITËT E JAVËS

Të hënën, Hëna seç pikon ar

gënjen një yll të bjerë

Të martën gdhij me të e marrë

në sy më çel pranverë

 

Të mërkurën, Mërkuri e mer lart

e enjte(m) duke pritur

Të premten, premtimi gjall’ e mban

përmallshëm paska zbritur

 

Të shtunën, shtratit shtroj jaseminë

Mbi ta flijojmë frymë

E dielltë, të dielën prej diellit tim

Shtatzanë,  pres një Hënë...

…Ku fjalët rendin njëra pas tjetrës në pasqyre të shtatë ditëve, që neve na japin kuptimin e përditshmërisë dhe vazhdimësisë.

Ajo përdor varg të shkurtër,konçiz, shpesh me një fjalë të vetme dhe karakteristikë janë dhe fjalëbashkimet shumë interesante.

“...Një natë

edhe një natë

dhe një,

bëjnë përnatë,

nxin sterrmenatë…

Por ti mos i shuaj

neonet e syve

ndezur me çelësin e buzëve…”

metaforat janë bashkudhëtare e të gjithë vëllimit dhe ato shkëndijosin aty shpesh e më shpesh...

Poetja mjeshtërisht arrin të na japë grimca fryme në vargje, duke i mbledhur dhe qëndisur si më poshtë:

Mekur pritja nga ikjet

Mekur puthja nga pritjet

Mekur fryma nga puthjet**

 

Pjesa e parë përbëhet nga lirika të mrekullueshme,të ndërtuara me dorë poeteje dhe mendje -zemër gruaje, andaj, thuajse gjatë gjithë kohës se leximit, të kaplojnë ndjeshmëri të thella pozitive.

Te vëna, sup me sup, shkallë shkallë, secila në vendin dhe fronin që i takon fjalët e saj janë ku një gdhëndje në ndërtimin e nje kalaje, që të grish të qëndrosh dhe pushtosh me lexim madje dhe të fantazosh...

...diku një mozaik ku ke dëshirë të ndalesh e ta kundrosh...në ngjyra, ndërtim dhe përmbajtje.

 

TOKA

 

Toka, eh, tokë e ngratë!

Ngre padi për çdo pëllëmbë

e imja

e jotja

me thika

me krisma

me e pa gjyqe…

e pirgje mbi pirgje

në krye ngul kryqe…

 

Toka është e rrumbullakët?

Oh, poo!

Po rrokulliset…

 

Shpesh habitem sesi çdo fjale Ajo i gjen komplementaren e saj, si në një ADN-poetike ku jo vetëm çdo fjalë,por edhe çdo gërmë, ka vendin e vet, çdo varg rrugën e vet, dhe poezia gjen autostradën e sigurtë per tek lexuesi.

Autorja nuk thur poezi për poezi, por në çdo krijim, na përcjell një shqetësim, një mendim, një mësim, një gjendje;

Cdo poezi të fut në meditim-e,  që të bëjnë të reflektosh ose gjykosh.

Poezia e saj, përvec bukurisë, ka një fuqi fjale që të bën të mbash leximin dhe rileximin po aty.

*

Të ndjej frymë!

Oh, sa t’i ndjej,

kërcitmat e lëndesës

në pragun e lotit

tek mësyn gjoksit,

shemb plasat e shpirtit

nga klithmat e heshtjes…

Futja në poezi e fjalëve të rralla, pikante dhe pak të përdorshme është veçori tjetër e këtij vëllimi poetik;Përdorimi i gegnishtes është një risi e vëllimit marrë frymëzimin nga udhëtimet e autores  në veri, apo qoftë dhe nga bisedat me miq gegnishtfolës si një dialekt  më shumë se i pëlqyeshëm për shumë poetë.

Duke rendur në stinët poetike të saj, dëbore apo diell, në mjegull a ngrica lexojmë edhe “Nëpër shi”, vargjet e saj te ndjera:

“Bie shi

jashtë xhamit

brenda mallit,

larg diellit

poshtë qiellit,

dhe në iris,

portretin tënd

m'a shprish...”

Dhe vjen një monolog i brendshëm i bukur që ka brenda dhimbje, shqetësim dhe gëzim përmbledhur në dyvargëshin:

“Sa dhembje nuk shoh pa gjyslyke?

Sikur ta kisha dhe ndjenjën miope?”

Ajo në këtë libër, ka perfshirë dhe poezitë dedikim, si p.sh ato për  Gjoke Becin dhe Vaçe Zelën,krijuar  pas vdekjes  së këtyre figurave të mëdhaja të artit shqiptar.

“…u dashka humbja

për të kuptuar dhimbjen e madhe,

dashurinë…

U dashka këputur fryma

për të pushtuar zëri, qiellin,

e shndërruar në yje…” – shkruan ajo për Vaçe Zelën.

Ndërsa për Gjoke Becin ...

 

“...Hapur krahët kaltërsia

zbret në këng’ fisnikëria

në lahutë, pas çiftelia

*

Një zambak i bardhë në gur

si një yll që s’shuhet kurrë”

Ketij vëllimi, autorja i ka bashkëngjitur edhe nëntë tercina të bukura si më poshtë:

ZEMRA…

 

Në goditjen e parë, kriset

Në goditjen e dytë, thyhet

Në të tretën. më, s’ndjen”

 

Ndër poezitë model për nga forca, vargu, fjala emocioni, metafora, mendimi  dhe domethënia, është poezia “Jeta në trekëndësh” ndër më të bukurat jo vetëm të këtij vëllimi;

 

“...Harrove , Njeriu modern,

se Toka e  Qielli

Hëna e Dielli

Qëllimi e Njerëzimi

janë Një

që po çon dëm

në Big Bang!

 

E ndërtove trekëndëshin Njeri?!

Varu tani!!!”

 

Ajo luan në “Intervale” poetike bukur, me hapësira, pushime,intensitet, frymëmarrje duke bërë të lakmueshme të jesh prezent-e në të gjitha këto gjendje;

...E unë jam ajo dallgë

e bardhë...

Të derdhesha përmbi

të rrëshqisja nën ty...

Shkumëzoj inatin

e thërrmoj bregun

dhe veten

në stërkalë

në valë

në mall...

 

“Sytë mbyllen

të shohin brenda trupit

vërshimet...”

Duke na dhënë një përfundim jo vetëm vetjak poetik, por mbi te gjitha njerëzor të dhe grishës.

 

Të shkruash letërsi,poezi, prozë,nuk ështe një mision;

Aq më shumë ta shohesh si një punë që duhet bërë.

Poeti shkruan, dhe vetëm lexuesi mund ta kthejë poezinë apo krijimin në një himn të ditës, apo vlerë jetësore,duke ngritur në piedestal poezinë së pari dhe përmes saj poeten apo poetin.

Të shkruash shpirtin me shpirt, po. At’herë mund të thuash që ke shkruar diçka.Madje ta shkruash në shkallën sipërore të sinqeritetit, natyrshëm rrjedhshëm,  ta bësh lexuesin të ndalë të përjetojë çastin dhe gjendjen tende...

 

“KLITHMA FRYME” ështe një vëllim me dimensione të vërteta, ndjenja të jetuara, të përjetuara,shumëllojshmeri tematikash; Atdhe, familje,femijë,dashuri, tradhëti, mall... mbi të gjitha, kanë njerëzoren dhe të prekshmen brenda tyre, jo fluide dhe ëndërrimtare.

Lumturia ia ka arritur, që me këtë vellim të ngrejë në një shkallë më të lartë poetiken e saj individuale e te krijoje nje profil unik, qe s’e gjen tek askush, të identifikojë  veten përmes krijimeve të saj, që do ti cilesoja  vërtet të bukura.

Pa dallim gjinie, krahine,niveli....po. Aty gjejnë dhe lexojnë të gjithë ata që duan të marrin emocion dhe të ndihen ndryshe në ditën e tyre.

Edhe në rilexim, të duket diçka e re- po.Edhe këtë e gjen përsëri.

Ajo tashmë është afirmuar si një poete e vërtetë me fjalë të paster e të qartë,me ngjyrim ala Lumturi, me varg të drejpërdrejtë, në lojë fjalësh, që të bëjnë të

mbash vëmendjen der’ në fund të poezisë.

 

“KLITHMA FRYME”- të zgjon pa klithma, por me frymë,bindshëm dhe bukur, fuqishëm dhe magjishëm, dhe  të kujton, se ekzitson ende emocioni pa të cilin dita dhe jeta s’ka kuptim.

 

Drita LUSHI.

3 shkurt, 2015.

Autore.



(Vota: 17 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: