Ndue Dedaj: Shuhet Kapidani i fundit i Mirditës
| E Premte, 23.01.2015, 08:57 PM |

SHUHET KAPIDANI I FUNDIT I MIRDITËS

DEDË GJOMARKAJ

Nga Ndue Dedaj

Shuhet në moshën 94-vjeçare Kapidani i fundit i Mirditës, Dedë Gjomarkaj, në shtëpinë e tij kapidanore në Shkodër, të cilit i jepet lamtumira nesër më 24 janar. Ishte djali i fundit i Kapidanit të Mirditës, Gjon Markagjoni, që gjatë Luftës së Dytë Botërore emigroi politikisht në Romë ku dhe vdiq në vitet ’60.

Deda me dy motrat e tij, Marten dhe Bardhen, bashkë me familjarët e tjerë të Gjomarkajve e kaloi jetën në burgje e internime deri në vitin 1991, kur u rikthyen në shtëpinë e tyre në Shkodër, ndërkohë që sarajet në Orosh ishin djegur nga partizanët në vitin 1944. Kronika e vështirë e internimit të gjatë të Gjomarkajve përshkruhet në një libër me kujtime të nipit të Dedës, Gjon Marka Gjoni, me titullin “Në udhën e vështirë të jetës”, përkthyer dhe në gjermanisht.

At Zef Pllumi ka shkruar se “Mirdita nuk mund të kuptohet pa Derën e Gjomarkajve”, paçka se gjatë regjimit komunist familja e Gjomarkajve jo vetëm u përsekutua thellë, por u nuk u përmend asnjë nga meritat e saj historike. Vetëm në diasporën e largët, Itali, Amerikë etj., ku rronte një pjesë e trungut të Gjomarkajve, vazhdonte të flitej për rolin e kësaj dre princërore për ruajtjen e autonomisë lokale dhe vetëqeverisjen krahinore.

Dedë Gjomarkaj “rrnoi për të tregue” historitë dramatike të Gjomarkajve, që u përsekutuan nga më i madhi te më i vogli i tyre, me gjithë gra e fëmijë, duke u ndalur veçanërisht në rezistencën antikomuniste të Mark Gjomarkajt, vëllait të tij të madh që u vra në vitin 1946, duke vepruar kundër regjimit komunist.

Vetë Deda, nga viti 1944 deri në korrikun e vitit 1990, ishte burgosur e dënuar katër herë, kishte bërë tre vite hetuesi, 16 vite burg dhe 31 vite internim. Një “Mandelë” shqiptar i gjallë deri sot, kur ndërroi jetë. Por pavarësisht se kishte kaluar një kalvar të jashtëzakonshëm vajtjesh si antikomunist kampion, Deda ishte një tolerant model, që rrezatonte fisnikërinë e derës së tij të njohur.

12 vjet më parë, ish-Presidenti Sali Berisha, duke shkruar për vdekjen e nipit të Dedë Gjomarkajt, Gjonit, ish-deputet pas 90-ës, shprehet se “ai ishte trashëgimtar i një prej familjeve më të shquara të kombit, qytetar i denjtë, qendrestar i madh dhe i vendosur që nuk e mposhti dot kalvari i kampeve dhe burgjeve komuniste”, fjalë që i shkojnë aq mirë dhe vetë ungjit Dedë, pasi jeta e tyre ishte identike, dhe për faktin se jetuan së bashku në të gjitha kampet e internimit dhe më pas në liri në selinë e tyre në Shkodër.



(Vota: 5 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: