Albert Vataj: Pjetër Arbnori - 80-vjetori i lindjes
| E Marte, 20.01.2015, 09:45 PM |

80-vjetori i lindjes

Pjetër Arbnori, i paepuri i "luftës për të mbetur njeri"

Nga Albert Vataj

Një burrë shtatshkurtër, me kokën që e mban ulur sikur numëron hapat që hedh, kalon hyrjen kryesore të godinës trekatëshe; sendërgjon një përshëndetje që merr formë përmes zërit që i kumbon prej zhguallit të një timbri paqtues, teatralitetit të dorës dhe buzëqeshjes që shkruhet me shumë dlirësi në portretin e tij. Pëshpërin ata hapa të lehtë në korridoret e selisë së Partisë Demokratike për t’u shterur nga shikimi në kthinat ku e shtegton për në zyrën e tij, gjysmëdrita e zvargët. Ky ishte rituali i përditësuar i politikanit, demokratit, themeltarit dhe drejtuesit të PD-së, Pjetër Arbnori. E ndërsa rrekemi të ravijëzojmë nëpërmjet një ndërmendje të vagullt portretin e këtij burri të pashoq, këtij fisniku që erdhi dhe u fik ndër ne si një pishtar, këtij intelektuali qëndrestar, kësaj pene të mendimit disident, këtij shpirti të kurajshëm e zemre delikate, veçse një mirënjohje e përunjur, kurrçka tjetër nuk bën fajde. Ai si erdhi iku, për të mbetur, jo një Shën Pjetër, por një dishepull i tij.

In memoriam në 80-vjetor

Sot 80 vite më parë, më 18 janar të vitit 1935 lindi në Durrës, Pjetër Arbnori, për t’u shuar në moshën 71-vjeçare më 8 korrik 2006 në një klinikë në Napoli, pas një sfide të pamundur me zemrën e cila pushoi për t'ia ndalur rrugën për më tej, pas një hemoragjie cerebrale.

Tek Pjetër Arbnori, Partia Demokratike kishte të mishëruar udhëheqësin dhe themeluesin e saj të mençur, të vendosur, të shquar; letrat shqipe tek ai ngulmonin njërin prej kalorësve më të zëshëm të disidencës; shoqëria shqiptare, humanistin e madh, bashkëvuajtësin, simbolin e qëndresës dhe sakrificës së mbinjerëzores, “Mandelën” e Ballkanit. Pjetër Arbnori, përkarshi krejt kësaj shpërfaqje mbetet i ngulmët si përfaqësuesi i denjë i letërsisë shqipe, asaj letërsie të shkruar në kushtet e terrorit. Ai do të mbetet një ikonë e historisë së re të pluralizmit shqiptar, përfaqësues dhe zëdhënës i shtresës më të nëpërkëmbur të shqiptarëve gjatë 50 viteve të diktaturës. Si politikan, ai formësoi një figurë dinjitoze në politikën e zallamahishme shqiptare, e vlefshme për t'u respektuar për ekuilibrin, tolerancën dhe vetëpërmbajtjen, derimsot e mbetur vetanake në mbamendjen e gjeneratës. Si deputet i plejadës së parë politike të viteve '90, ai ishte dhe mbeti deri në fund pjesë e filozofisë liberal-demokrate, me frymë të theksuar sociale. Ndërsa, si kryetar i Parlamentit, ligjvënës, ai do të mbetet në kujtesën e të gjithëve si një personalitet që të kujton figurat më të ndritura shtet-formuese shqiptare.

Sa jetoi ia doli të mbushte me një densitet të lartë kumtues, golgotën e tij të mundimshme me shëmbëllimit më të përkorë të një vullneti lirie. Në këtë kalvar të stërgjatë që gjarpëronte nëpër skutat më të terrta të ferrit komunist dhe vërshimet e përbindshme të llavës së ngadhënjimit, ai mbeti shpirtshëlbyer. Prej nistores deri në të mbramë, Pjetër Arbnori mundi të sillte në jetë veprimtarin politik të zellshëm dhe të apasionuar, një krijues plot sqimë dhe dritëkungues, një njeri të ndershëm dhe të urtë. Jetoi fatin e tij tragjik pa u ankuar asnjëherë dhe pa lypur ndere dhe favore.

Rrugëtimi i korifeut

Rrugëtimi i Pjetër Arbnorit si korife i veprimit dhe mendimit, i zërit dhe kushtrimit nisi që kur ishte 14 vjeç, moshë që ndërmendet të jetë angazhuar në grupet ilegale të asokohëshme. Dy vjet e gjysmë studime në Fakultetin e Filologjisë dhe rezultatet e shkëlqyera, e përcaktojnë qartë pritshmërinë e tij dijetuese. Më tej, ai u hedh supeve të njoma barrën e rëndë të krijimit të një organizate social-demokrate, programin e së cilës e hartoi vetë. Prej këndej, i shkruhet me thëngjill të kuq fati i tij tragjik. Më 1961, arrestohet dhe dënohet me vdekje për agjitacion e propogandë. Pas njëfarë kohe, dënimi i zbret në 25 vjet burg. Si pasojë e aktivitetit të pas hekurave e nën zgjedhë, i shtohet dënimi edhe me dhjetë vjet për agjitacion e propagandë. Në gusht të vitit 1989 lirohet, duke mbajtur mbi vete 28 vite e gjysëm heqje lirie në burgjet famëkeqe të diktaturës. Merr pjesë që në fillimet e para të lëvizjes antikomuniste në Shkodër, e cila daton 25 vite të shkuara, më 14 janar 1990, kohë kur u shtri përdhe torsi prej betoni i diktatorit. Ajo kacafytje me komunizmin që përpëlitej në agoni shënon shkënditë e para të flakadanit të lirisë në qytetin verior. Ishte në grupin themelues dhe zgjidhet kryetar i degës së PD-së për Shkodrën gjatë periudhës 1991-1992. Veprimtarinë e tij politike e pasuron besimi i vullnetit të sovranit, zgjedhja deputet në kohështrirjen 1991- 2001, kulmim i së cilës është detyra e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, 6 prill 1992- 24 korrik 1997. Përgjatë gjithë kësaj periudhe, Pjetër Arbnori dëshmoi vlerat më të epërme të një politikani bashkëkohor. Ai shquhej si rrallëkush për sensin e humorit dhe maturinë, tolerancën dhe urtësinë.

Nderet dhe vlerësimet

Përgjatë 71 viteve të jetës, Pjetër Arbnori është nderuar me titujt "Mësues i Popullit", "Pishtar i Demokracisë", "Qytetar Nderi" i qytetit të Vaut të Dejës. Gjithashtu, Asambleja parlamentare e vendeve frëngjishtfolëse, i ka akorduar titullin "Oficer i Madh i Urdhrit të Plejadës". Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, i ka dhënë medaljonin e argjendtë, "Nënë Tereza" dhe prerjen e artë "Georgus Castriotus-Scanderbeg" 27.11.1996. Instituti Biografik i Kembrixhit dhe Instituti Biografik Amerikan kanë futur biografinë e Pjetër Arbnorit në "Who is Who" të intelektualëve dhe në Fjalorin Biografik Ndërkombëtar botimi 26-27. Ka marrë medaljen e shekullit XX për merita. Akademia Kulturore, Romë i ka dhënë medaljen "Scodrinon" dhe diplomën 2001. Me Urdhrin "Nderi i Kombit", dekorohet (pas vdekjes) më 28.10.2011 nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi me motivacionin: "Personalitetit të shquar të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë, simbolit të sakrificave mbinjerëzore nën persekutimin komunist, politikanit paqësor dhe shkrimtarit të talentuar, intelektualit vizionar e qytetarit fisnik, që gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij ia kushtoi idealeve të mëdha të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të përparimit kombëtar".

Galeria krijuese e Arbnorit shkrimtar

Profili i këtij personaliteti do të ishte i paplotë nëse nuk do të kumtohej krejtçfarë përbën galerinë e kreativitetit letrar të Pjetër Arbnorit, të cilën megjithëse ai do ta rendiste si sekondare, pas politikës, mbetet më e qenësishmja veprimtari. Tharmi i atij shpirti krijues mëtohet për veçantinë e vet te ditari sekret"Lufta për të mbetur njeri", të cilin ka mundur ta mbajë larg flakëve të ferrit dhe makthit të qelive për 28 vite. Veprimtaria e botimeve e zgjatur në kohërendjen 1992-2000 nis me "Kur dynden vikingët", novelë, 1992, për të vazhduar me romanin "Mugujt e mesjetës", 1993; novelën "Bukuroshja me hijen", 1994; "E bardha dhe e zeza" roman, 1995; "E panjohura" - Vdekja e "Gebelsit" novela, 1996; "Shtëpia e mbetur përgjysmë", roman 1997; për të cilin Pjetër Arbnorit iu shtuan dhjetë vjet burg. Kolanën e tij krijuese e pasurojnë: Romani "Vorbulla", 1997; "Letër nga burgu", "Nga jeta në burgjet komuniste", studime historike 1992; "Brajtoni, një vetëtimë e largët", roman 2000; "Lufta për të mbetur njeri" - intervista 1990-2000 dhe "Andre Morua, Historia e Anglisë", përkthim 1996. Shtresohet më tej ky humus i përtëritjes së vlerave të letërsisë dhe kumtimit me "10300 ditë e netë në burgjet komuniste", 2003, (botuar në shqip dhe në anglisht); "Martirët e rinj në Shqipëri - i nuovi Martiri in Albania", 2004, (botuar në shqip dhe në italisht); "Martirët në Shqipëri - The New Martyrs in Albania", 2004, botuar në shqip dhe në anglisht). Për ta përmbyllur këtë punë vetëmohuese me përkthimet; Andrea Morua "Historia e Anglisë", 1998; William Shirer "Ngritja dhe rënia e Rajhut të tretë" në dy vëllime, përkthyer në burg, në vitin 1988. Në ditën e lamtumirës, Dritëro Agolli shprehet se vlera e Pjetër Arbnorit, i cili vuajti 28 vjet burg në kohën e diktaturës, qëndron në radhë të parë tek vlerat e tij njerëzore. Ndonëse me një jetë tejet të vështirë, ai nuk i maste kurrë njerëzit me metrin e përkatësisë partiake, por me vlerat e tyre njerëzore dhe morale. Pjetër Arbnori është shkrimtari dhe figura e mbijetesës së intelektualit në kohëra të vështira. Eshtë vërtet e pamundur të ndash figurën e tij si shkrimtar me atë të njeriut human dhe të butë. I tillë ishte dhe mbeti, atëditë e sot. Ne e kujtojmë dhe i shprehim mirënjohjen më të thellë për krejtçfarë ai bëri.

Epilogu

Sot e përkujtojnë të gjithë ata, tek të cilët mungesa e tashsavitshme e këtij personaliteti ka lënë një bosh të thellë, por në veçanti, bashkëshortja dhe dy fëmijët. Arbnori duke u rikthyer nëpërmjet kësaj "In memoriam" ysht në vetëdijen e politikës pendimin për harresën, me të cilën ata e ndëshkuan. Por emri dhe vepra e Pjetër Arbnorit do të mbetet e gjithmonshme në kujtesën e atyre që guxojnë edhe sot të besojnë në idealet, të cilave ai iu dha me mish e me shpirt.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: