Kalosh Çeliku: Duartrokitje të buxhetit
| E Merkure, 07.01.2015, 09:11 PM |

DUARTROKITJE 20 % TË BUXHETIT

PËR KULTURËN SHQIPTARE

NGA KALOSH ÇELIKU

Ministria e Kulturës në R. e Maqedonisë e shpalli Programin nacional në web faqen e vet zyrtare. Përçudi, mes atyre menifestimeve kulturore, nuk e pashë Xha Derallën. Plakun me mjekër të bardhë e kësulën e Bajram Currit në kokë, që këtë “grua” teknefese me siguri në mes të Dimrit Madh do ta nxirrte pas Çuke ta dërgojë nuse Përtejzalli te prindërit si mysafire, që të shoh një “ditë të bardhë”. Edhe revistën letrare Stili 97, një zë i ri në letërsinë shqipe, e cila krijuesve të rinj ua hapi dyert krah më krah. Sidomos, femrës krijuese shqiptare. Revistë letrare, që deri më sot kishte dalë në kohë lufte, ditë edhe më të vështira (58 numra). Ballinave të së cilës i kishte sjellë portretet e Letërsisë Shqiptare duke ua përkushtuar numrin personaliteteve historike letrare: Naim Frashëri, Asdreni, Gjergj Fishta, Fan Noli, Lasgush Poradeci, Mehmedali Hoxha, Sadudin Gjura, Frederik Rreshpja, Anton Pashku, Pano Taçi, Xhevahir Spahiu, Abdylazis Islami, Murat Isaku, Fadil Bekteshi, Mirko Gashi, Flora Brovina etj. Tunbatunët e Minisitrisë Kulturës, përpiqen t’ia zënë frymën, e ngulfasin në mes të Ditës Madhe para syve të lexuesve. Asgjë befasuese, edhe nga Programi nacional 2015 i Lidhjes të Shkrimtarëve Shqiptar të Maqedonisë. Mes atyre emrave nuk i hasa edhe emrat e disa krijuesve të mirënjohur shqiptar, por të partizanëve partiak me brekët arnë përmbi arnë nëpër këmbë.

Shkrimtarët e “vëllazërim-bashkimit”, kur  e kishin parë sesi katundarët e tyre me libra të arrirë artistik nën sjetulla e “pushtojnë” Ministrinë e Kulturës, turr me të katra të bëhen shkrimtarë e doktorë shkence. “Tefterët” e tyre të hallvaxhinjëve t’i nxjerrin nëpër tezga në Tun Batun para lexuesve. Kulminacioni “artistik”, t’i botojnë edhe si “bestseller” të “Letërsisë maqedonase”. Sytë filluan të më dhëmbin nga emrat e sojit anonim të Katundit Madh të “shkrimtarëve”. Anëtari i komisionit, përsëri kishte qenë nga Katundi Madh i tyre dhe e kishte mbushur programin e Ministrisë Kulturës me “vepra artistike” të arnuara arnë përmbi arnë nga letërsia botërore si në “bahçen” e babait pas shtëpie (hale), dhuratë nga “Pashai” i Perandorisë Osmane. Që, po ua hoqe emrat nga ballina, të duket se librat e tyre i ka shkruajtur vetëm një autor.

Realiteti, bota sot për sot njeh vetëm vlera të arrira artistike dhe kërcime në letërsi. E, jo “kalemxhinjtë”, që me përjashtim të dy - tre emrave, ende janë nën nivelin e krijuesve të mirënjohur shqiptar: Sadudin Gjura,  Mehmadali Hoxha, Mustafa Laçi, Nexhat Pustina, Abdylazis Islami, Murat Isaku e Daut Gurra. Nuk u zemrova me argatin anonim të Tun - Batunit, aqsa u zemrova me Ali Ahmetin, mu si Filip Shiroka me Babën Adam:

 

NJI ANDER

VJERSHË E KUSHTUEME TRATHTORVE

TONË…

 

Nji natë, n’javën, rash në shtrat me fjetë,

Zembra, m’ish helmue, gjumi m’kishte tretë,

Mejtoshe ç’po vuejnë tash burrat e Shqypnisë

Prej disa halldupve n’sherbim t’qeverisë.

 

Prej tradhtorve t’kombit, qi për me fitue,

Kuntr’ atdheut veprojnë, Shqypninë me shëmtue;

E kështu i helmuem nuk dijta se ç’them,

Shava t’anë njerzit ‘dhe babën Adam!

 

N’ket idhnim gjumi m’kishte ardhë,

E… nji plak me mjekër t’bardhë

Erdh, me petka porsi borë

Edhe me nji shkop në dorë:

 

- Ç’ke bre bir - m’thotë - Ç’ke me mue,

Qi m’ke sha e m’ke trazue?... –

- M’ndiei, o plak - thaçë, gabim ke,

- Nuk t’ kam sha as s’di kush je! -

Nuk po m’njeh - tha -  m’shiqo mirë:

Jam Adami plak, bre birë! -

 

Sa e njoha Adamin t’drejtën i diftova,

Se me njerëzit e botës shum keq u zemrova,

Qi Shqypnin po e hupin këta njerz t’ kqij,

Kta tradhtorë t’ kombit qi janë fares s’tij.

 

- Farës s’ime? Mos xen besë!

Gruen kisha tash  m’e nda!...

Tha - j’u ngrehne flokt e kresë.

- O babë - thaçë - bota nji tjetër

Nuk ka pasë, se ti ma t’vjetër…

 

- Po baj çudë - tha - me t’vërtetë

S’po  di, Eva, ku i ka gjetë,

Kta tradhtorë të patynzonë

Qi turpnuene emin t’onë;

E… me idhnim briti tue thanë:

“ Farës s’ime kta nuk janë!”

Se… me kenë t’ont - tha - tue qa

Gruan kisha tash me nda!...

Por kta njerz kan le ma vonë

Prej Kainit t’patynzonë,

Qi ka mbytun vllan e vet,

Vret mallkimi i Perëndisë,

Qi turpnon para njerzisë!

 

Dhe, thashë me vete: Ecejaket në Minsitrinë e Kulturës paskan edhe përfitime. Faleminderit, Tunbatunit. Përndryshe, nuk do të kishte lindur ky shkrim i gatuar me kaq zjarr artistik krah për krahu me Filip Shirokën.

Sekretari shtetëror, në vend që të vë rend dhe rregulla në Minstrinë e Kulturës, delë në mjetet e informacionit me deklarata teknefese për “vlerat” e përkrahura nga kjo ministri me shifra bombastike qesharake: “Kultura shqiptare në Maqedoni do të marrë 4% më shumë nga buxheti i Ministrisë së Kulturës gjatë vitit të ardhshëm.

Sipas sekretarit shtetëror Behixhudin Shehabi, projektet shqiptare në Ministrinë e Kulturës do të financohen me 720 milion denarë apo 20% të buxhetit të përgjithshëm të Ministrisë.” Punemadhe, që shqiptarët zyrtarisht thirren se janë 25 % në IRJ të Maqedonisë. Punë tjetër është ajo se, shqiptarët në numër e tejkalojnë edhe 40 % -shin, por kur është në pyetje buxheti i Shtetit të “pëbashkët”, ato do të pajtohen edhe me 20 % -shin si “pakicë kombëtare” në një thes me serbët, turqit dhe romët.

Zërin e ngre me masat që ka marrë kjo ministri për t’i ndëshkuar “kryengritësit”: “Me pak përkrahje në 2015 do të gëzojë veprimtaria botuese dhe folklori, pikërisht sektorë këta që më së shumti shkaktuan reagime në opinion kohë më parë.” Përkundrazi realitetit, që flet vetë Programi i Ministrisë Kulturës për vitin 2015, ku shihet qartë se me disa tituj më shumë janë ndihmuar mu ato “shtëpi botuese” dhe individë që manipulojnë me të dyja Shoqatat botuese shqiptare të librit. Ose, “institucione” kulturore me të cilët udhëheqin partizanët e Partisë Politike në pushtet. Mjerisht, bie në sy edhe themelimi i ”Institucioneve” të reja kulturore partiake, revistave kulturore njëpartiake duke ngulfatur revista letrare me një traditë të gjatë disavjeçare. Shkurt, Partia Politike Shqiptare në pushtet, përveçse me “politikë madhore”, merret edhe me “kulturë kombëtare patriotike”.

Kulminacionin “artistik” do ta arrijë me përmendjen e shifrave: “Në përqindje në 2014, mesatarja ka qenë 16 % kurse në 2015 pa ankesa mesatarja është 20 %. Përqindja është shtuar në pjesën e dramës dhe në bashkëpunimin ndërkombëtar.” Pyes veten unë si shkrimtar: Ku kanë teatër dhe dramë shqiptarët, kur të gjithë aktorët janë shkrimtarë, regjisorë dhe drejtorë të festivaleve të dramës?! “Kemi një ulje në veprimtarinë botuese dhe në folklor sepse kriteret kanë qenë më të ashpra. Është kërkuar që një ansambël të marrë pjesë në minimum 20 manifestime, ndërkaq me kriteriumet që sivjet kemi filluar në veprimtarinë botuese, aplikacionet individuale nuk janë pranuar por vetëm shtëpitë botuese”, ka thënë Shehabi.

“Hallall” u qoftë! Vërtetë, paskëshit bërë shumë për kulturën shqiptare. Përqindjen e keni rritur për 4%. Dorën në zemër, e “meritoni” edhe një mandat nga populli shqiptar. Unë, si Kalosh Çeliku sa për vete, nuk u kisha lënë as një ditë. Vetëm ju, do ta nxirrni kulturën shqiptare nga bataku, ku e keni rrasë deri në fyt vite me radhë me “aktivitete kulturore”. Vitin tjetër me siguri do ta rritni pak më shumë buxhetin klanor familjar, miqësor e partiak edhe për 5 %, që si pakicë kombëtare të arrimë 25 % -shin e buxhetit në këtë Shtet të “përbashkët”.

Edhe fundi i sukseseve sipas mjeteve të informacionit arrin “qëllimin” partiak: Ai (Shehabi), u zotua që gjatë vitit të ardhshëm do të përfundohet edhe projekti për bibliotekën e shumëpërfolur të Tetovës: “Sipas dinamikës së paraparë, nëse të gjitha këto aktivitete rrumbullakohen, puna fillon në mars. Domethënë projekti “Biblioteka në Tetovë” nuk është një ëndërr, është një realitet, faza e parë është kryer, faza e dytë është kah përfundimi dhe mendoj se kah viti i ardhshëm afër kësaj periudhë kohore, do ta kemi objektin karabina”, ka thënë më tutje Shehabi. Përsëri, patjetër duhet të ndërhyj unë në këto premtime boshe disavjeçare: Shqiptarët duhet të presin 25 vjet në “demokraci”, kur përmendoret e Shkupit 2014 u lindin pas mesnate për çdo ditë si këpurdha, që më në fund, mezi ta ndërtojnë një bibliotekë. Kohë qorre kjo në Ditën e sotshme, kur kemi libra me thasë e nuk kemi lexues. Unë, nuk i besoj, ju po të doni  i besoni, veten e paçit më qafë!

Shkrimin, e “syrgjynosur” e përfundon gazetari pa sherr e “sehirxhi”: Buxheti i Ministrisë së Kulturës sivjet peshon 3.6 miliard denarë. Patjetër, duhet të ndërhyj unë autori i këtij shkrimi: Pasi të përfundojë proekti Shkupi 2014. Car Dushani u ngritë lugat në breg të Vardarit. Shqiptarët, para kamerave televizive u përpoqën më kot ta rrëzojnë me çekiç druri. Ditën e nesërme i dolën zot heronjtë tjerë “maqedonas” me pushkë e thika në duar përpara institucioneve shtetërore të arsimit dhe kulturës, në Bit - Pazar. Qoseto ose Kasapi, përmendorja e paraqitur me pushkë dhe thikë në dorë qëndron para pallatit të Gjykatës në Shkup. Ironia më e madhe është se një vrasës me pagesë qëndron para një institucioni që duhet të ndajë drejtësinë (përballë Hasan Prishtinës në dy pëllëmbë park dhe Skënderbeut në parkingun e makinave.

Duartrokitje 20 % - shit të buxhetit për kulturën shqiptare! Deklaratë fundekrye qesharake në prag të Vitit Ri (2015). Babadimëri këtë Vit të Ri, si  “i dërguari i Shejtanit” nuk pati guxim të dalë në Bit - Pazar. Burri botës, nuk merret me vlerësimet artistike dhe kriteret profesionale, që njëherë e përgjithmonë në këtë Ministri të Kulturës të vëndoset një rend e rregull me kulturën dhe letërsinë shqiptare, po merret me shifra matematikore politike. Thashetheme. Premtime boshe, që popullit shqiptar nuk i interesojnë fare, por argatëve partiak pa asnjëfarë bagazhi artistik shqiptar, të cilët vazhdojnë ta vlerësojnë dhe sakatojnë kulturën dhe Letërsinë shqiptare. Përkrahin dhe stimulojnë klane familjare, miqësore e partiake me vlera nën nivelin e hartimeve të nxënësve të shkollave fillore.

E kam thënë njëherë në një shkrim vitin e kaluar (2014), tashti e përsëris: Fajin nuk e ka Ministrja e Kulturës (Kançevska), po Ali Ahmeti (“Abazi” i fushës) me shokët partizanë krah për krahu me argatët e Shoqatës të Botuesve Shqiptar dhe Lidhjen të Botuesve Shqiptar, që këtyre të arratisurve ua ka hedhur nga një asht derri para këmbëve, që të mbyten me vite njëri me tjetrin si qentë me zgjebe në mes të Dimrit Madh. Goditja pas shpine, kulturës dhe Letërsisë Shqiptare nuk i vjen nga pala maqedonase, por nga mashat e djersitura tinëzare shqiptare. Metodë e njohur kjo historike, siç thotë populli: hidhe gurin dhe fshihe dorën! Vite me radhë duke nëpërkëmbë kulturën dhe librin shqip. Herë me hoxhë, herë me tollumbaxhi, herë me rrugaçë Bit-Pazari (askushë) e herë me këshilltar anonim të kryetares Komunës të Tun Batunit, që në jetën e vet nuk kanë hedhur në letër ndonjë varg të hajërit, as rresht shkarravine në fletore. E, në anën tjetër si për inatë, Partitë Politike shqiptare në pushtet u japin guximin “bashibozukëve”, qoftë si ministra, qoftë si sekretarë shtetëror e anëtarë komisioni të vendosin për kulturën dhe Letërsinë Shqiptare.

Turp si nuk kanë të ulen në një tavolinë ballë për ballë me artistë të palës tjetër maqedonase?! Kulminacioni i ironisë: Përderisa dje, njëra shoqatë botuese e “sulmonte” Ministrinë e Kulturës (nxirrte më gjygj), e tjetra i dilte në mbrojtje në mjetet e informacionit, sot që të dyja krah për krahu do të marrin pjesë në Panairin e librit në Stamboll?! Vërtetë do ta kënaqin prezentimin e librit, kulturës dhe letërsisë shqiptare. Fenomen i çuditshëm shqiptar, që ndodhë vetëm në mesin e këtij populli të nëpërkëmbur me vite nga partitë politike shqiptare. Përndryshe, për nga veprimet kulturore të këtyre shoqatave botuese, populli do të thoshte: kape njërën dhe bjeri tjetrës sa të mundesh me të dyja duart nateditë deri në vdekje. Shkaku se, fajin janë duke e kërkuar te pala tjetër maqedonase, e jo te vetëvetja që vite me radhë janë duke organizuar vetëm pazare e “karavane të librit”. Përçajnë botuesit shqiptar në dy shoqata botuese, kur ne sot në IRJ të Maqedonisë nuk kemi shtëpi botuese as për një shoqatë. Tri - katër shtëpi botuese më në zë i kanë shqiptarët në këtë Shtet “demokratik”, të tjerat dalin në skenë vetëm kur partia e tyre vjen në pushtet si këpurdhat pas shiut. Ose, kur ndonjë anëtar komisioni nga Auto Shkolla, libraria, shtypshkronja, xhamia emërohet si anëtar komisioni në Ministrinë e Kulturës. Kabineti i Kryetares të Komunës të Tun Batunit edhe ajo turret t’i dalë në “ndihmë” kulturës shqiptare, që hë për hë e ka mbuluar këmbekrye bërlloku. E ka rrokë për fyti, ia ka zënë frymën. Jetë të gjatë kanë, aqsa Partia e tyre është në pushtet.

O Imzot, Katundin e Madh (“Kryeqendrën Kulturore Shqiptare”) me gjithë këto “shkrimtarë, poetë e doktorë të shkencave”, vazhdon ta mbulojë pa mëshirë ende bërlloku?! Zoti, siç duket nuk ka mëshirë. Natyra poashtu, i ka ligjet e veta: I dënon dhe shpërblen mëkatarët sipas veprave që kanë bërë për njerëzimin. Sekretarit shtetëror në Ministrinë e Kulturës po i përsëritet përralla e ujkut dhe dhelprës, kur që të dy bien në greminë. Dhelpëra, kur i thotë Ujkut: lëshoje rrënjën, kape këmbën!

Kohë qorre kjo, kur sot më së shumti kemi nevojë për tollumbaxhinj e barinj të deleve, sesa për “doktorë shkence e shkrimtarë” të partive politike…



(Vota: 57 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: