Gjekë Gjonaj: Rrezart Cungu, tenisti më i mirë
| E Marte, 06.01.2015, 08:34 PM |

Rrezart Cungu,  tenisti më i mirë i vitit 2014 në Mal të Zi

Shkruan: Gjekë Gjonaj

Njëri nga tenistët e ri  më të  talentuar  në Evropë dhe në Botë , siç  ka deklaruar trajneri i tij , kroati Zoran Ivanisheviq pa më dyshje  është Rrezart Cungu, nxënës i klasës së dytë    gjimnazin e Ulqinit. Një sportist i lindur, në  zhvillim e sipër. Një emër  tashmë i njohur në mes të sportistëve të  rinj në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Një  tenist i ri para të cilit është një karrierë deri më tani , me sa dimë,  e paarritshme për bashkëkombasit e moshës së tij në historinë  e këtij sporti. Një tensit   që pretendon  të ngjitet  shkallëve që kanë kaluar    tenistët më në zë të viteve të fundit, Novak  Gjokoviq, Rafael Nadal e Roxher Federer.

Cungu  këtë rrugëtim  të gjatë dhe tepër të vështirë e nisi para diç më shumë se 6 vitesh, kur  e  filloi punën Klubi i tenisit “ Bellevue”, në qytetin e tij të lindjes. M’u atëherë e la la karatenë, ku arriti suksese të  mëdha. Si  karateist  fitoi shumë medalje.  Në moshën 9 vjeçare  u shpall  kampion i dyfisht i  Ballkanit.

Që nga fillimet  e tij me raketë në dorë, nuk i është ndarë tenisit. Prej asaj dite jeta e tij   ndryshoi dhe nuk ishte më njëlloj. Për të mësuar kishte  më pak kohë se nxënësit e tjerë. Sepse ai stërvitej  çdo ditë . Dhe jo pak, por plot katër deri në gjashtë  orë në ditë. I duhej  të ushqehej  sipas rekomandimeve të  profesorit të tij të tenisit. Të udhëtojë në shumë shtete. Të kalojë mijëra kilometra.  Sigurisht se ishte vështirë. Por pa sakrifica asgjë nuk arrihet.

Kur e filloi lojën e tenisit as që  mund të parashikonte një   përparim kaq të vrullshëm. Madje as  trajnerët e tij të parë, as prindërit që po e mbështesin fuqishëm, që në ditët e para.  Befasoi veten e tij. Trajnerët, prindërit  dhe adhuruesit , të cilët  kishin besim në të. Dëshmoi se krahas talentit puna është çelësi kryesor i suksesit. Derdhi shumë djersë në fushë.  U lodh dhe u stërlodh. Shpeshherë  deri  maksimumin e tij fizik e psiqik. Por me kalimin e kohës dëshmoi se me përpjekje të vazhdueshme mund të bëhesh i suksesshëm, ashtu siç është ai sot.

Viti 2014 ishte  periudha më e suksesshme  e karrierës së  deritashme të  Cungut .  Në çdo kompeticion që ai  ka marrë pjesë, ka shënuar fitore.   Ka fituar vende të para, të dyta dhe të treta në turne të ndryshme ndërkombëtare.  Gjunjëzoi tenistë  edhe më të vjetër se ai nga shtete të ndryshme të botës.  Fitoi  disa  kupa. Po sa diploma? Diploma dhe çmime ka plot dhe ato i ruan në shtëpinë e tij. Falë këtij suksesi  Rrezarti  rënditet ndër  10 tenistët e ri më të mirë në botë. Federata e Tenisit  e  Malit të Zi,  e ka shpallur me meritë  tenistin më të mirë për vitin 2014, në grupmoshën 16 e 18 vjeç dhe  e ka shpërblyer me  dy kupa. E megjithatë  Cungu tregohet modest, duke na thënë se  ka ende rrugë për të bërë dhe për  t’u shpallur  i pari në Evropë dhe në Botë. Për të , gjithçka është e mundur nëse gëzon shëndet të plotë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: