Sejdi Berisha: Pelegrinazh poetik
| E Marte, 06.01.2015, 06:58 PM |

PELEGRINAZH POETIK,

BRENDA DHE JASHTË NDIJIMIT SHPIRTËROR...!

(Brahim AVDYLI: “Shtegtimi i Lirisë”, poezi -2014)

Nga Sejdi BERISHA

Krijuesi, Brahim Avdyli, nuk është i panjohur për lexuesit, qoftë në trojet shqiptare qoftë edhe në mërgatë, me krijimtarinë e tij, veçmas me poezi, dhe si i tillë edhe kësaj radhe, ai na sjell një libër me poezi, me titull që dëshmon peshën krijuese të tij, por edhe këmbëngulësinë për t’i sjellë opinionit vlerat shpirtërore dhe kulturore e letrare, të cilat i reflekton në vargjet dhe poezitë e veta.

Ai, këtë libër me mbi njëqind faqe, e fillon me një poezi si prolog, “Në vend të dashurisë”, me të cilën, lexuesit, thuaj se ia shfleton “pelegrinazhin” e tij jashtë e përbrenda shpirtit, për konsideratën, për fatin dhe përplasjet e atdheut dhe të kombit, reflekton tërë ndijimin dhe rrugëtimin e tij shpirtëror, sepse: “Fusha e ndjenjave/shtrihet/pranë lumit të gjakut/përtej/bjeshkëve të dhimbjes/nën dritën që perëndon/duket vdekshëm”.

Dhe, menjëherë në ciklin e parë, me titull. “Ujëvarat e mallit”, poeti na “detyron” që poezinë ta shijojmë dhe ta përjetojmë pakëz më ndryshe, sepse, ai ka një kohë të gjatë që jetën e “harxhon” jashtë atdheut dhe jashtë vendlindjes, e kjo dhemb më shumë se çdo gjë, ndoshta edhe më tepër se mungesa e lirisë! Por, reflekton edhe rrethanat në të cilat në vendin e vet ka jetuar njeriu me ndrydhje e shtrydhje, me reprezalje dhe mundime: “...kur ndodhesha në perëndim/kur vërdallesha rrugëve të botës/për një metelik/ju të ulur mbi fron/ndoshta ëndërronit llullën e fildishtë/gjarprin e verdhë të perëndimit/e përmalloheshit për mua/në pamundësi për të më gjetur”.

 

Këndimi poetik dhe përpjekja për gjetjen e formulës së lirisë dhe të jetës së lumtur

 

Në këtë formë, autori ligjëron edhe për shumë gjëra, të cilat pasqyrojnë gjendjen dhe fatin e njeriut, ndoshta edhe sot e kësaj dite, por në formë tjetër. Vargu as poezia, mu sikurse edhe shpirti i krijuesit, nuk janë të liruar kurrë dhe në asnjë moment për forcimin e përjetësisë së lirisë, të fatit dhe të lumturisë, me të cilat ëndrrat dhe synimet e secilit realizohen ashtu siç do vetë njeriu. Pikërisht për këtë arsye, këndimi poetik mbështjellët dhe përlahet me formulën e lirisë dhe të jetës, që gjithnjë, kudo dhe kurdo nuk lëshojnë këmbësh: “ Liria është gjak/që rrjedhë nga pak/përderisa jetojmë/në këtë botë të përkohshme/me të drejtën e fjalës/nëpër dhimbje...”.

Në poezinë “Një letër me pak fjalë”, kushtuar, siç thotë një poeti të panjohur, forcon karakterin dhe mendjen e secilit, kur është në pyetje liria dhe atdheu. E një gjë e tillë, sikur provokon edhe ndjenjën dhe nevojën për vetëdijesimin dhe ndërgjegjësimin jo vetëm individual: “Për Atdheun/të Bukurën/për Njeriun e mirë/as fjalën e gjakun/s`do të kursejmë”!

Duke pasur parasysh mallin si tragjedi dhe dhembje kurbeti ndër shekuj të njeriut tonë, poeti, Brahim Avdyli, ligjërimin e begaton me atë peshën shpirtit të tij për ta shtrirë kujtimin si atlas apo si një gjeografi që nuk është parë ndonjëherë, pra, e tërë ajo që e rëndon mendjen mbase edhe qenien e tij. Për këtë edhe ligjëron: “Jam në Zvicër/por kujtoj se jam në Morinë/dhe e shoh veten/fëmijë/nëpër arat me misër/loz me rrezet e ngrohta të Diellit/që rriten në bukë të kallinjve”.

Krahas kësaj, poeti, me tërë zemrën nxjerrë vargje edhe për shumë të dashur dhe të preferuar të tij, siç është edhe nipi i tij por edhe shumë të tjerë. Dhe, shih sa interesant, me një begati e shkrumb për ta ruajtur traditën, historinë dhe vlerat kombëtare, ai, përveç dashurisë, nipit i sjell në mendje edhe vlerat që nuk duhet të harrohen ndër gjenerata, vite e shekuj, siç janë traditat që e kanë mbajtur gjallë popullin, pa marrë parasysh se në cilat periudha historike dhe kohore kanë jetuar e jetojnë dhe as në çfarë rrethanash politike dhe shoqërore. Dhe, ja se si vjershëron: “Sa herë u ktheva nga/vendlindja/i solla nga një pjesë të Atdheut/herë tirqit e xhamadanin/topin plisin e shqiponjën/herë çiftelinë e vogël”.

Ngjashëm ligjëron edhe për mbesën e vetë, e cila, siç na pasqyron autori, ajo i ngjanë një shqiponje që pushton hapësirat. E, shqiponja është edhe simbol historie, që mbikëqyrë çdo pjesë të tokës së saj: “...kalon nga Lindja në Perëndim/me sqepin agimeve/ta sjellësh për shpalim/shembullin e ditëve...”. Pastaj, rrugëtimin e jetës së saj, por edhe ëndrrën e poetit e reflekton me mjeshtri, por edhe me dëshirë e krenari: “...nuk e di cilën këngë/do të ma thuash/në ciklin përfundimtar të jetës/e di se të dua më shumë/mbi ditën e madhe të së nesërmes”!

Siç theksova edhe më lartë, poeti është shumë i përkushtuar për më të dashurit e tij. E këtë, sikur e ka bërë gjithnjë e më shumë me peshë shkrumbi, malli, nostalgjie dhe etjeje. Të gjitha këto, poezinë e këtij krijuesi e bëjnë më të ngrohtë, të afërt dhe më domethënëse, jo vetëm për autorin por edhe për auditorin e gjerë. Bile, përmes poezive të kësaj natyre, të “detyron” për të komentuar edhe gjëra të tjera të jetës dhe të periudhave kohore e historike. Këtë e diktojmë tek poezia “Gjaku i shenjt”, kushtuar babait: “Të vizitoj/e të sjell lule/me aromën e pranverave/nëpër botë/u desh të ikja /me dhimbjet e vetminë/pesha e jetës qe e rëndë/kudo merrja laps e letër/të përshkruaj/ata që ranë/për të mos vdekur më”...

Ndërsa, edhe për nënën, në poezinë, “Vargje për nënën”, përshkohen mesazhe të fuqishme, të cilat mbëltojnë dashurinë dhe sinqeritetin, e me këto bashkë, poeti na forcon me zërin e tij, se si duhet krijuar e ndërtuar karakterin e njerëzores dhe të amësisë, që janë alfa dhe omega e jetës të secilit mbase jo vetëm njeriut.

Jeta, edhe pse i ngjanë bukës, e cila piqet dhe ushqen, ajo, po që se thyhet, ndahet dhe përplaset. Atëherë, çdo gjë duket e tmerrshme, e pavlerë dhe e ngarkuar me zymtësinë e territ. Duke pasur për bazë tërë këtë, z. Brahim Avdyli na sjellë vargje plotë mesazh e filozofi të thjeshtë, por shumë të fuqishme dhe të qëlluar: “Të kemi borxh/më tepër se ajrin/se prehjen e përjetshme-/na ke ushqyer/me dromca shpirti/ na ke rritur/me drojën e përditshme/e veshur /me zhgunin e rrudhave të ballit...”!

 

Kur poeti përmes shtrirjes së vargut kapërcen edhe ligjërimin e vetë...!

 

Në ciklin e dytë. “Flatrat e qytetit tim”, poezia sikur vjen e bëhet gjithnjë e më përcëlluese, ose, poeti dëshiron të na bëjë pjesë të ndijimit të tij. Dhe, nëse e lexojmë me kujdes e vëmendje librin “Shtegtimi i lirisë”, këtë begati krijuese, lirisht lexuesi mund ta pasurojë edhe me përjetimin e vet. Ndoshta, këtë konstatim mund ta dëshmojnë edhe vargjet në vijim: “...athua/e/rëndë është pesha/kur guri qanë/pranë meje”. Të kësaj natyre janë edhe shumë poezi të tjera, si, “Peng kujtimi”, “Gjurmë kohe”, “Flatrat e qiellit” e kështu me radhë.

Ndërsa tek poezia, ”Metafora e dritës”, kushtuar poetit, Din Mehmeti, e që është e ndarë në disa nëntituj, autori i kësaj vepre, duke ligjëruar për madhështinë e këtij krijuesi, për peshën e vargut dhe përjetësinë e këshillave-vulë të jetës, ai kapërcen ndoshta edhe atë këndimin e vetë, duke rrëfyer aq përkushtueshëm, sikurse për një pjesë të trupit, që përfshinë edhe shumë mesazhe që pasqyrojnë jetën, thënë kushtimisht,  jo vetëm në një rajon apo pjesë të atdheut. Ja vetëm disa vargje për peshën e kësaj poezie që përfshin mendimin shumëdimensional: “...emri jehon krismë/nëpër kulla hyn/në përjetësi të poezisë/ shokë e gjallë /më vishesh nëpër breza...”! Ose edhe: “O Bacë, deshe të jetosh/në shpirtin e popullit/rrugën ta zinin ata nëpër këngë...”.

Historia e vendit, por edhe ajo e vendlindjes, e kanë peshën e një, të them, të një toke të pamatur! Andaj, kur është kështu, vargjet janë prekëse dhe therëse, që imponojnë diçka edhe të pazakontë për ta dashur e ndritur historinë, të kaluarën, për ta dashur e respektuar të sotmen për një të nesërme, të cilën aq shumë e ëndërrojmë, si dritën dhe ngrohtësinë e diellit. Dhe, për këtë, ja se si vargëzon autori i këtij libri: “A e dini ju sa herë jam rrëzuar nëpër metropole/duke qarë me zë/kalldrëmin e rinisë në Gjakovë,/kanë mbetur në kujtesë kinemaja dhe teatri i gjallë/që lozin tragjikomedinë e dhimbjes së pa ndalur”.

Për ta nderuar e respektuar historinë, poeti ka në konsideratë edhe pavdekësinë dhe kontributin e heroizmin e shumë personaliteteve, dëshmorëve dhe heronjve, të cilët kanë dhënë gjithçka nga vetvetja për lirinë dhe pavarësinë, për fatin e njeriut. Andaj, pena e poetit peshon rëndë më vargje plotë përkushtim, ndijim e  me zë kushtrimi. Një “temperaturë” të tillë poetike e hasim tek poezia, “Shkruar me lot”, kushtuar Jusuf e Bardh Gërvallës dhe Kadri Zekës: “Kam shkruar/këtë letër të gjatë/deri në fund të këngës/me lotët e derdhur pikë-pikë/... Anash/do ta hedhë këtë fletë/të shkruar në pa harrim/... nga Burimi /do të vijë Drita e juaj/për të pushtuar të gjitha Zemrat”!

Ndërkaq, në ciklin e tretë, “Krahët e hapësirës”, autori, vargjet e tij i “shkrinë” me etjen për vendin e vetë, duke vënë në spikamë përjetimet e tij në mërgim, dhe si me zili duke përmendur edhe shumë toponime të vendit ku jeton. Me këtë, ai, ndoshta përpiqet të bëjë edhe krahasime “injoruese”, sepse, malli shpirtëror nuk është hekur që nuk lakohet, por është histori e tërë e autorit, i cili përthuret në te për ta gjetur të lumturën e për ta luftuar të keqen. Andaj, B. Avdyli, këndon edhe kështu: “...vinë turistët e xhepit të fryrë/nëpër shtëpitë e vjetra/kërkojnë të gjejnë/shpellën e pa treguar me fjalë/le të buzëqeshë përballë tyre/Hotel Restorant Sonne/në “Togenburg” /bëhen picat e flakta/unë e marr/këngën time përtej vdekjes!”...

Dhe gjatë vargëzimit, sikur gjithçka i ngjanë një ngushtimi shpirtëror, kjo, gjithnjë për të treguar autori sa më shumë përplasjen e vetvetes për rrjedhën e rrugëtimit, i cili nganjëherë edhe nuk ka dritë as ndriçim. Këtë, gjithnjë thuajse e ngrit në piedestal duke kënduar edhe ndryshe nga e zakonshmja: “...liqenin e Schmerikonit deri në Rapperswil/me restorantet varg e vijë si yjet/nëpër Kaltbrunn e Uznach.../Kudo e kërkoj bunarin e thellë të ujit/e shoh një “P” me krihet e shqiponjës/atëherë i kujtoj ilirët nëpër hapësirën tënde”.

 

Poezia si hartë e qëndrueshme dhe kurrë e pashlyer e atdheut...

 

Duke iu referuar gjithnjë peshës të së kaluarës, qëndresës, por edhe përplasjeve nëpër periudha, hasim edhe vargjet, të cilat autori sikur i shndërron në hartë të qëndrueshme dhe kurrë të pashlyer, për t’ia bërë me dije lexuesit dhe botës, se: “...dhe çdo gjë fillon me gurët e kalave tona/që mbetën gjallë me fëmijët tanë e rindërtohen/nëpër suferina të pambaruara të Këngës!”...

Pra, një dekriptivitet i tillë i jetës, forcon mesazhin por edhe ndërgjegjëson për të mbikëqyrur gjithnjë e mirë, ecjen sikur nëpër teh të briskut të njeriut me të gjitha virtytet dhe vlerat që ka, sepse: “Gjurma e shkrimeve niset nga lashtësia”!

Mirëpo, duke pasur parasysh se poeti është djegur e përcëlluar në kurbet, ai këtë ligatinë historike e sheh dhe e përjeton, andaj edhe i thurë vargje nga më të ndryshme, që me të vërtetë, po që se “mbërthehemi” në lëkurën e tij, do ta arsyetojmë çdo ndijim të tij: “Kudo nëpër Evropë/vajton/përherë me pikëllim/e askush nuk të kupton/ty zog i nëmur prej qiellit...”.

Zog i nëmur, mund të kuptohet dhe të komentohet në mënyra të ndryshme. Por sido që të jetë, kjo është e dhembshme, është diçka që ta përkujton si një libër të pashkruar, ku, edhe pa shkronja, janë të mbyllura këngët e vjetra e të hartuara këngët e reja! Dhe, në kontekstin e tërë kësaj, që plotësisht kompozohet me trajtimin e temave të rëndësishme, por edhe të tilla që i ngjajnë rrëfimeve të përrallave edhe të miteve, provokojnë për komentim jo vetëm të vargut, por edhe të asaj që reflekton metafora dhe mesazhi përbrenda tij, mbase edhe përbrenda tërë librit: ”Ora e shtëpisë/ka trajtën e gjarprit/nën trarin kryesor/e vëzhgon shtëpinë/Ora e shtëpisë/i ngjanë hyjneshës së vatrës/është gjarpër i veçantë/që i ndjekë brejtësit”.

Në ciklin e katërt, ”Lejleku i ëndrrave të mia”, vargu bëhet më skofiar dhe reflekton ardhjen e lumturisë, të cilën duhet ruajtur e respektuar, ngase rrapëllimat e kohës por edhe ne, sërish mund ta lëndojmë si pëllumbin e bardhë!... Këtë mund të na dëshmojnë edhe vargjet tek poezia, “Lejlekët e dhimbjes sime”: “Nga ditët e para të jetës/vinë këta lajmëtarë/të ditëve të mira/dhimbjen e pashpjeguar/e godasin me sqepin e parë/në mes të moçaleve”...

Thënë shkurt, libri i Brahim Avdylit, “Shtegtimi i lirisë”, është një vepër që kapërthen biografinë pothuaj se të secilit njeri të tokës së autorit, çdo rrugë e qytet, çdo fushë e çdo mal, sipër të cilave përjetshëm rri duke hapur krahët shqiponja, si përjetësi e trojeve shqiptare dhe shtegtar i lirisë: “Me flatrat e qiellit/udhëtoni larg/për të ikur nga dhuna/për të gjetur pranverën”. Autori, librin e përfundon me poezinë si prolog, “Fryma e fundit”, me të cilën sikur ia vë pikën e qëndrueshme metaforike, e cila ndoshta mund të merret mu si një komplet ikonash të historisë: “Nga të gjithë fqinjët/toka e shqipes /është shkelur dhimbshëm/...e mbledhë veten/si mbiqenie/shtrydhë së fundi zemrën/të lëshojë/ulërimat e shpirtit/këngën e zjarrtë të lirisë ...”.

Prandaj, duke mos komentuar edhe shumë poezi të tjera, të cilat janë përbrenda librit, pra edhe në ciklit e fundit, por edhe duke pasur parasysh që kjo vepër i ngjanë vargonjve shpirtëror, autori na ka sjellë si një gjerdan ndijimet e veta, që e begatojnë fjalën e shkruar dhe përgjithësisht vlerat letrare kombëtare shqiptare.


04 tetor, 2014

(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: