Entela Binjaku: Një realitet i largët i jetimëve...
| E Merkure, 31.12.2014, 05:05 PM |


Një realitet i largët i jetimëve...

Nga Entela Binjaku

Në prag festash, shoqëria nëpërmjet aktorëve të saj, shton  vëmendjen dhe solidaritetin ndaj disa prej pjestarëve që krahasuar me të tjerë,  kanë situatë të brishtë të margjinalizimit. Në këto ditë ajo tregohet më e kujdesshme ndaj të moshuarve, jetimëve, fëmijëve të rrugës, të varfërve etj. Gjatë kësaj periudhe, shoqëria informohet për të disatën herë,  si jetojnë fëmijët në “Zyber Hallulli” apo  në “Shtëpinë e të moshuarve” në kryeqytet dhe thuajse nuk sheh aspak si jetojnë të tjerë fëmijë në situata të ngjashme,  në “Shtëpitë e tjera të fëmijëve”...Po e njëjta gjë ndodh edhe me të moshuarit, fëmijët e rrugës, ndërsa varfëria ka thuajse të njëjtën pamje kudo, e pasqyruar apo jo,  kombëtarisht apo lokalisht, ajo nuk ka nevojë për koment.

Kur me kolegët e Fondacionit trajtuam rastin e një djali jetim, aktualisht 26 vjeç, i cili punon ku të mundet, ose që shkon kërkon punë në Maqedoni,  është i pastrehë,  në kërkim të një jete sa më dinjitoze për të, mësuam për vështirësitë me të cilat përballet. Si ai ka dhe shumë të tjerë...

Për aq kohë sa jetojnë në “Shtëpitë e Fëmijës” ata gëzojnë mbështetje dhe kujdes nga shteti, por me të dalë nga këto dyer, për shkak se  janë si çdo i rritur tjetër në këtë vend,  fati i tyre është thuajse i braktisur, a thua se ata për shoqërinë ekzistojnë  vetëm për aq kohë sa janë të strehuar në to.

Papunësia, mungesa e strehimit, vështirësitë në arsimim, paragjykimet dhe stigmatizimi, rreziqet për sjellje deviante janë disa prej dukurive me të cilat ata rrezikojnë të përballen...dhe të gjitha këto në një vend ku “çdo gjë bëhet me mik”...ose “po nuk pate një mik” nuk “çan dot”.

Në këtë  atmosferë festash, me synimin për të sensibilizuar shoqërinë mbi problematikat e jetimëve,  njëra nga shtëpitë botuese në vend  solli  në dritën e botimit,  romanin  “Treni i jetimëve” të  autores Kristina Beikër Klain (Christina Baker Kline).

Me një shqipërim mbresëlënës të përkthyesit Agim Doksani,  romani i i botuar nga shtëpia botuese  Morava”,  u paraqit para lexuesve për të tërhequr vëmendjen ndaj rreziqeve më të cilat përballet jeta e një fëmije të mbetur jetim.

I frymëzuar nga një histori  amerikane ku identiteti personal dhe ai familjar  janë në një përballje të vazhdueshme e që zgjat  gjatë gjithë jetës, ky roman flet  për një histori të së shkuarës,  ku për anët e  errëta të jetës flitet pak.

Realiteti i fëmijëve jetimë, të braktisur apo të pastrehë kryesisht të emigrantëve irlandezë që niseshin me tren  drejt Miduestit me qëllimin e birësimit, paraqet dhimbshëm edhe traumat që i kanë shoqëruar. Ndërsa fëmijët i hipnin në këtë tren,  ai ndalonte në çdo qytet të Amerikës, kyu qytetarët pasi i shihnin, i kontrollonin nga dhëmbët, sytë, shtati  i  birësonin.  Nëse askush nuk i zgjidhte,   ata rihpinin në tren dhe ndalonin në stacionin tjetër, me të njëjtën shpresë.

Në radhët e të birësuarve kishte nga ata që priteshin ngrohtë, por shumë të tjerë keqtrajtoheshin, liheshin në mëshirë të fatit, shfrytëzoheshin për punë të vështira, apo detyroheshin të shkëpusnin dhunshëm çdo lidhje me motrat apo vëllezërit. Si të rritur,  shumë prej tyre as nuk e zinin në gojë më historinë e fëmijërisë, por vinte një kohë dhe ju lindtte dëshira të kërkonin në  arkiva për t’u njohur me identitetin e tyre.

“Treni i jetimëve”është një roman që ka tërhequr vëmendjen e shumë lexuesve dhe për muaj të tërë ka qëndruar në krye të klasifikimit amerikan. Kjo  dramë e  historisë amerikane flet për  vitet  1854 - 1929, kur më shumë se 200.000 fëmijë të braktisur, jetimë, hipnin në këto trena si pjesë e një projekti për t’i edukuar dhe shkolluar apo për t’u dhënë një familje.

Takimi mes dy personazheve, njëra vajzë rreth të 17-ave dhe tjetra një zonjë  e moshuar rreth të 90-tave  në fillimet e veta nuk dukej aspak premtues,  por siç romani dëshmon,  njëra ishte në pritje të tjetrës për t’i rrëfyer dramën e jetës së saj.

Romani përfaqëson historitë tragjike të së shkuarës në Amerikën e largët,  por mesazhet e tij mbështesin idenë mbi nevojën që shoqëria ka për të dëgjuar dhe vlerësuar çdo rrëfim jete.  Ashtu siç Garfinkel pohon “janë njerëzit ata që përpiqen t´i japin çdo ditë kuptim veprimeve të tyre dhe institucioneve ku jetojnë dhe veprojnë, dhe nuk janë institucionet që i detyrojnë, në mënyrë abstrakte dhe nga jashtë”.  Ndaj në këto ditë të fundit të vitit, mesazhet ndërgjegjësuese duhet të zgjojnë tek shoqëria empatinë dhe kujdesin,  në mënyrë që këto elementë  të zgjasin jo vetëm gjatë  këtyre ditëve.

Solidariteti dhe mbështetja në shoqërinë tonë  duhet të jetë konstante, të  shtrira  në kohë dhe  të përfshijnë sa më shumë njerëz të jetë e mundur. Vetëm kështu ne kemi ndërtuar atë shoqëri që mbështetet në njohjen e pjestarëve të saj, për të bërë të mundur përmirësimin e jetës së tyre.

Studimet nga fusha sociologjike kanë treguar se roli i botimeve me tematika që paraqesin ndjeshmëri të tilla,  është i rëndësishëm në formimin e ndërgjegjes shoqërore.

Ndër to ka studime që flasin për ndihmën që letërsia jep në përcjelljen e mesazheve që përmirësojnë jetën e  qytetarëve  vecanërisht kur ato paraqesin  situata kaq specifike, siç janë edhe  ato të realitetit të  jetimëve.

Mesazhi kryesor që japin këto studime,  siç David Neëman pohon,  është ai “se jeta jonë e përditshme,  përvojat tona ndikojnë dhe ndikohen nga realiteti shoqëror ku jetojmë”.  Prandaj dhe çdo kontribut që shoqëria jep përmes aktorëve të saj, është i mirëpritur dhe duhet  mbështetur.



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: