Gani Mehmetaj: Partia që e bëri shtetin dhe historinë
| E Merkure, 24.12.2014, 12:58 PM |

Partia që e bëri shtetin dhe historinë

Në 25-vjetorin e formimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (Lidhja e Tretë e Prizrenit)

Askush më shumë sesa Ibrahim Rugova nuk u shqua për guxim intelektual, me deklarata e intervista për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Kosovë,  për krimet që po i bënte shteti jugosllav. Student i Parisit, me rrënjë të thella në traditën shqiptare, “Çeta e Profetënve” të Pjetër Bogdanit, një rilindësi shqiptar e evropian qe interesimi i tij fondamental. Ai ndiqte modelin e Vaclav Havelit, disidentit të njohur çek, po ashtu shkrimtar.

Nga Gani MEHMETAJ

Ngjarja më e rëndësishme e gjysmës së dytë të shekullit XX sigurisht është formimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë shqiptare në ish-Jugosllavi dhe partisë më të madhe shqiptare që ka funksionuar ndonjëherë në Gadishullin Ilirik. Themelimi i LDK-së u bë  në rrethana të çuditshme, shumë të ngjashme me rrethanat e formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, atëherë kur rrezikoheshin territoret shqiptare, sepse në të njëjtën mënyrë po rrezikohej qenia kombëtare shqiptare një shekull më vonë.

Ndihej shpartallimi i afërt  i Jugosllavisë, burgut të shqiptarëve. Njëkohësisht  ndihej shkërmoqja e diktaturës shqiptare në Tiranë, regjimit më të egër në Evropë. Perëndimi nisi t’i drejtonte reflektorët e interesimit në Ballkan si asnjë herë më parë, pasi e dobësoi Bashkimin Sovjetik.

Në fund të viteve të tetëdhjeta zhvillohej një situatë paradoksale. Në tërë Evropën Lindore komunizmi po shkërmoqej, diktaturat po dobësoheshin, ndërsa në Jugosllavi ndodhte e kundërta. Në këto rrethana u formua Lidhja Demokratike e Kosovës, partia e parë shqiptare në ish-Jugosllavi. Formimit të LDK-së i parapriu një debat i brendshëm, kryesisht nëpër kafene. Debatet u mbajtën në ëmbëltoren “Elida”, të kryeqytetit, nga gazetarët e shkrimtarët e “Rilindjes”.

Para se të zgjidhej kryetari i LDK-së, njeriu më energjik e sistematik i debateve, i përgatitjes së dokumentacionit, i përgatitjeve të tjera për formimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ishte shkrimtari dhe redaktori i “Rilindjes”, Jusuf Buxhovi. Të tjerët e kanë dhënë kontributin e vet, kryesisht me ndonjë vërejtje, preferencë apo me mbështetje morale, por të kenë bërë punë konkrete, asnjëri nuk mund të lavdërohej para mbledhjes konstituive. Që në javët e para pati vërejtje pse grumbullimi i dokumentacionit e formulimet e statusit mbaheshin disi fshehtë, megjithëse asnjëri nga ne nuk merrte vesh në formulimet e statutit, në procedurat administrative e juridike.

  ditën e themelimit lista u zgjerua me emra të rinj, të cilët të entuziazmuar vunë  nënshkrimet.

Nuk u bëra kurrë anëtar i  Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, prandaj anëtarësimi në partinë shqiptare më dukej  interesante edhe për faktin sepse e konsideroja parti kombëtare. Shumica prej nesh ishim të sigurt që pas aktit të konstituimit, apo mbase para tij, policia serbe do ta shpërndante grupin nismëtar e grupin nënshkrues, ose mund të na arrestonin, sepse rrethanat e tjera e paralajmëronin një gjë të këtillë. Këshilltarët e zyrtarëve të lartë që na dërgonin ndonjë mesazh, më shumë kërcënim e krijuan atmosferën e frikës e të pritshmërisë në tension, megjithëse edhe pa kërcënimet e tyre e dinim fare mirë se ç’mund të na priste.

Formimi i LDK-së u bë më 23 dhjetor të vitit 1989 në objektin e “Kosovafilmit”, i cili iu dha në qeverisje Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, derisa Azem Shkreli ishte drejtor i “Kosovafilmit”, meqë ata dolën  në objektin e ri.

Ka shumë spekulime për propozimet për kryetar të LDK-së, ka edhe të vërteta në disa libra për këtë fazë të rëndësishme të konsolidimit të demokracisë e pavarësimit të Kosovës. Nuk më kujtohet saktësisht kush ishte për Rugovën e kush për Qosjen, nuk e di as pse u dha emri i Qosjes, kur gjatë gjithë kohës nuk u lakua fare emri i tij, të gjithë e patëm parasysh Rugovën që nga fillimet e para. Buxhovi tha se Qosja nuk e pranoi kandidaturën. Megjithatë, më bëhej se propozimi i kundërkandidatit të Ibrahim Rugovës qe lojë e “pluralizmit politik”, sepse askush nuk e mendoi seriozisht R. Qosjen kryetar të LDK-së, askush nga grupi ynë nuk e propozoi.

Por një gjë dihet fare mirë: askush më shumë sesa Ibrahim Rugova nuk u shqua për guxim intelektual, me deklarata e intervista për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Kosovë,  për krimet që po i bënte shteti jugosllav. Ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, intervistat e tij në mediat perëndimore përfliteshin pastaj nëpër kuluare, bënë jehonë të madhe në Jugosllavi, kurse shtypin e Beogradit e nxitën të shkumëzonte kundër tij.  Fjala i dëgjohej e lexohej edhe në opinionin europerëndimor. Student i Parisit, me rrënjë të thella në traditën shqiptare, “Çeta e Profetënve” të Pjetër Bogdanit, një rilindësi shqiptar e evropian qe interesimi i tij fondamental. Ai ndiqte modelin e Vaclav Havelit, disidentit të njohur çek, po ashtu shkrimtar. Për disa muaj e pushtoi botën demokratike me guximin, mençurinë e maturinë që nuk e pati asnjë intelektual tjetër.

Më kujtohet situata e nderë, derisa shëtisnim në mbrëmje me një grup gazetarësh të rubrikës së kulturës, erdhi Ibrahim Rugova dhe na u bashkua. Vazhduam tutje të ecnin në korzo, u ulëm në kafen para tetarit, ndërsa ai na tregoi se posa ia dha një intervistë televizionit francez, jashtë Prishtinës. Që t’i shmangej përcjelljes së shërbimit sekret serb, ekipi i rryer francez e futën në kombin e tyre duke e dërguar nëpër rrugica, për t’i ikur  ndjekjes. Dhe prapë e sollën afër sheshit kryesor për siguri. Na tregoi se që të mos përsëritej (disa javë më parë foli për të njëjtin televizion), ua propozoi për freskim Rexhep Qosjen, por ata i treguan se Qosja nuk pranoi të fliste.

Ishte e kuptueshme, secili ruhej në atë kohë kritike.

Shumica prej nesh prisnim që do ta arrestonin Rugovën, sepse ata kishin arrestuar njerëz edhe më me pak “mëkate”, mirëpo guximi i tij për të shpërthyer bllokadën informative në televizionet perëndimore, duke dalë në kreun e emisioneve televizive me emër, iu bë engjëll mbrojtës. Ambasadori amerikan u bë engjëlli tjetër mbrojtës edhe më i fuqishëm. Kështu, derisa ne shkonim disa dhjetëra hapa prapa, ambasadori amerikan e Rugova ecnin para nëpër gjysmën e kryeqytetit. Ecja publike e njeriut të shtetit më të fuqishëm të botës me Rugovën kishte një domethënie për policinë e shërbimin sekret serb. Sigurisht edhe njerëz të shërbimit të fshehtë jugosllav i shkonin pas, ose anash, ndërsa ne nuk i vërenim.

Prandaj, nuk mendoj se propozimi i Ibrahim Rugovës, kryetar i LDK-së, ishte rastësi. Asnjë situatë a ngjarje e asaj kohe nuk ishte rastësi, gjërat diku koordinoheshin, kurse ne kush më shumë e kush më pak ishim figurantë të situatave e të veprimeve.

Fati ynë u gjendëm në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Shkonim rrjedhave të lumit të rrëmbyeshëm që na shpinte në detin e qetë, ku synonim. Por të gjithë ishim të vetëdijshëm se mund të ngelnim diku thepave të shkëmbinjve nëntokësorë apo të mbyteshim.

Formimi i LDK-së u bë sepse na u dhanë disa sinjale nga jashtë, elita intelektuale reagoi në kohën e duhur, popullata na mbështeti pa rezerva, ishim të gatshëm të sakrifikonim etj.

Në Kosovën e gjendjes së jashtëzakonshme kërkohej rrugë tjetër për të shpëtuar nga shtjella e vrimës së zezë. Paralelisht me vënien e masave të dhunshme në shumicën e institucioneve, u shkarkuan pjesa e madhe e zyrtarëve të lartë të Kosovës jo pse nuk punuan me zell për neutralizimin e rezistencës, por sepse në Komitetin Qendror të Serbisë e në shërbimin sekret jugosllav ishin të pakënaqur me punën e tyre, ata e shuan me gjak e me tanke autonominë, nuk u duhej më demagogjia e parullave të vëllazërim-bashkimit.

Në këto rrethana të gjendjes së jashtëzakonshme, akti i konstituimit të partisë së parë shqiptare në ish-Jugosllavi, u bë në ambientet e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, ku më shumë sesa entuziazëm të frenuar, mbretëronte atmosferë tensioni, me tym duhani, me pak karrige e shumë njerëz, gjysma e të cilëve rrinin në këmbë e në korridore. Sipas rregullave u tha se duhej lista prej 100 vetash, kështu që pos emrit tim, nënshkrova për babanë, lejen e të cilit e mora, ndërsa dy vëllezërit më të vjetër erdhën të nënshkruheshin personalisht. Disa emra të njohur publikë e pëlqyen rahatinë e shtëpisë në vend se t’u ekspozoheshin rreziqeve, megjithëse disa prej tyre i thirra personalisht. Më inkurajoi ardhja e shumë njerëzve.

Formimi i LDK-së bëri jehonë më të madhe sesa që e priti optimisti më i thekur. Mbizotëro një eufori e jashtëzakonshme. Më kujtohet se ato ditë vinin me mijëra njerëz të regjistroheshin, ndërsa ne të gjithë i regjistronim me zell. Kur na mbaronin fletët e regjistrimit, me disa veprimtarë, një herë edhe me Bujar Bukoshin shkuam në Pallatin e Shtypit në katin e parë të shërbimeve të përbashkëta, ku Nazi, një punëtor, në mënyrë të fshehtë i shtypte formularët e regjistrimit, të cilat prapë me Bujarin i dërgonim në LDK.

Lidhja Demokratike e Kosovës u emërtua duke pasur parasysh Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, një organizatë politike çlirimtare, e cila fatkeqësisht nuk pati jetë të gjatë, por jehona e saj u shtri në të gjitha territoret etnike, ku u formuan degë. Askush nuk e thoshte publikisht, por shumë nga ne e mendonim LDK-në, Lidhjen e Tretë të Prizrenit. Por ta emërtonim në këtë mënyrë do të thoshte të ndërseje qentë e policisë. Prandaj nuk ia thoshim as njëri-tjetrit. Në të njëjtin parim u formuan degët e nëndegët e LDK-së në tërë Kosovën, madje edhe në Ulqin e Malësi, por që më vonë u inkuadrua në zgjedhjet e atjeshme.

  në ditët e para erdhën njerëz nga qytete e katunde për të marrë këshilla sesi duhej t’ia bënin për formimin e degëve e nëndegëve. U tregonim se duhej të formonin Grupin nismëtar, ose shpesh kishin formuar grupin nismëtar, propozonin organet e degëve etj. Brenda disa muajve në Kosovë u anëtarësuan mijëra anëtarë, dy-tri herë më shumë sesa anëtarë të Lidhjes Komuniste.

Ne shpesh talleshim me ata që kishin qenë në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, duke u thënë: ju për 50 vjet bëtë rreth 80 mijë komunistë me gjithë privilegjet e postet, që ofronin, por edhe presionet që ushtronin, ndërsa ne për disa muaj ua kaluam. U tha në medie se LDK-ja ishte partia më e madhe shqiptare në Gadishullin Ilirik. Dhe mbeti e tillë, sepse asnjë parti nuk iu afrua me numër as e tejkaloi

Ishte një eufori e rrallë. Ato vite ishin vite të solidaritetit të madh në mes të shqiptarëve, ndihmat që shpërndaheshin e siguronin çdo banor të Kosovës se nuk do të këtë nevojë t’ia shtrijë dorën okupatorit, as të vihej në shërbim të tij për bukën e gojës. Meqë fëmijët tanë dhe studentët i nxorën nga objektet publike, LDK-ja organizoi mësimin paralel nëpër shtëpi private. Përkujdesja sociale e shëndetësore bëheshin në mënyrë shembullore në bashkëpunim me shoqatën bamirëse “Nënë Tereza”. Rezistenca ndaj okupatorit bëhej me mosdëgjueshmëri e mekanizma paqësorë.

Për disa vjet u ngrit dhe funksionoi shteti paralel në raport me Serbinë, i bëmë të pavarura institucionet tona të të gjitha niveleve e fushëveprimeve me disiplinë të jashtëzakonshme të popullatës që e respektonte hierarkinë e shtetit të tyre. Popullata mori përgjegjësi e dha kontribut të jashtëzakonshëm si asnjëherë më parë gjatë historisë. Diaspora ishte burimi i rëndësishëm i financimit e i logjistikës, që u angazhua dhe u mobilizua si asnjëherë më parë me degët e nëndegët e LDK-së që u formuan në Perëndim.

Kurrë më vonë nuk do të zbrazet një energji e tillë pozitive, mobilizim kombëtar e gatishmëri që t’u falej a të harrohej e kaluara e atyre që kishin bërë të këqija.

Në atë kohë u ndërtua një filozofi e rezistencës paqësore jo vetëm në raport me pushtuesin, por u ndërtua filozofia e paqes në mes të bashkëkombësve, u kultivua që mosmarrëveshjet të zgjidhshin me biseda e dialog, u vu në pah toleranca ndaj të vetit, por edhe ndaj fqinjit. Debatet qytetare rrezatonin mirësi e mirëkuptim të pakufishëm në të gjitha shtresat sociale. Rugova e rugovizmi nuk u bënë vetëm sinonim i rezistencës paqësore pa përdorimin e dhunës, por edhe sinonim i kultivimit të qytetarisë tradicionale, me një përcaktim të qartë për Evropën Perëndimore e vlerat e qytetërimit të kontinentit të moçëm. Fryma e tolerancës, e mirëkuptimit e qytetarisë ishin vlera fondamentale.

Ndërkaq, mekanizmat e brendshëm të kombit për të mobilizuar rezistencën dhe për të forcuar identitetin shqiptar, të përbuzur e të nëpërkëmbur nga pushtuesi, thirrëm në ndihmë Gjergj Kastriotin –Skënderbeun, simbolin e bashkimit të shqiptarëve, iu kthyem rrënjëve, nisëm të betoheshim në emrat e princërve e heronjve iliro-shqiptarë si asnjëherë më parë, por pa patetikën folklorike, i rimësuan mësimet nga historia që të mos na përsëriteshin në historinë më të re, iu kthyem Perëndimit si asnjëherë më parë.

Si ta kishim porositur për fatin tonë e rrugën që zgjodhëm, emri i Nënë Terezës, Gonxhe Bojaxhiut, shqiptare, u bë emri më i popullarizuar në tërë globin, ndërsa ajo njëkohësisht ishte shqiptarja më e famshme. Ajo u bë ikonë e rezistencës, por edhe e solidaritetit ndër shqiptarët. Nënë Tereza, e cila do t’u hapë rrugë takimeve të Rugovës me Klintonin e vinte në pah shqiptarësinë e vet, ajo e gjakonte shtetin shqiptar, në të cilin nuk e lanë të shkonte derisa nuk ra diktatura komuniste, ajo gjakonte me popullin e përvuajtur shqiptar, prandaj angazhohej e lutej për të. Në filmin dokumentar amerikan për Nënën Terezë që e pashë më 1984 në një festival ndërkombëtar, ajo thoshte: “Kam lindur në Shkup në një familje shqiptare, Shkupi atëherë ishte kryeqytet i Shqipërisë”, ndërsa shikuesit e huaj shihnin të habitur, sepse Shkupi më nuk ishte në Shqipëri.

Fryma e re pati ndikim të madh në shtresat sociale e në kastën politike për një kohë të gjatë. Qytetërimi perëndimor nuk vihej në dyshim nga asnjëri, as nga ato grupe që ua kishin shpërlarë trurin me paragjykimet për kapitalizmin apo me paragjykimin fetar, edhe atyre iu hapën sytë, nisën të betoheshin në shenjtorë të rinj. Fryma e re, tolerante, e demokracisë qytetare, e kultivimit të krenarisë kombëtare, e qytetarisë evropiane, nuk e krijoi njeriun e ri, por e ndryshoi njeriun që i kishte kaluar të gjitha fazat e dhunës.

Kjo ishte fitore e madhe, që askush nuk mund ta mohojë.

Fragment nga libri në dorëshkrim “Ëndrra e madhe” (Fletë të shkëputura ditari 1981-2006 me portretin e Rugovës në dritëhijen e ngjarjeve dramatike).



(Vota: 16 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: