Edmond Ismailati: Gani Gjosha, një hero
| E Diel, 07.12.2014, 08:02 PM |

Gani Gjosha, një hero i luftës dhe i punës!

Nga Edmond Ismailati - New York City

Memaliaj është një ndër vendet që ka më shumë dëshmorë të punës, një ndër këta është edhe heroi Gani Gjoshaj. Heroizmi i këtij memalioti, më ka shoqëruar qysh prej fëmijërisë time. Sa herë që kaloja përballë shtatores së minatorit në qendër të qytetit, me kujtonte këtë hero që nuk e njoha dot nga afër, pasi jo vetëm nga mosha ime shumë e vogël në ato vite, por ai u largua tragjikisht duke u përleshur me trimëri me pabesitë e nëntokës. Kështu na ishte ngulitur në kujtesën e disave prej bashkëmoshatarëve tanë edhe pse kjo shtatore ishte ngritur pak vite më parë se të ndodhte kjo tragjedi. Pasi kur binte biseda me më të rriturit, përgjatë kohës që po përgatitej ngritja e kësaj shtatoreje, skulptorit Muharrem Fushakati i ishin dhënë disa nga fotografitë e atyre minatorëve që kishin rënë. Edhe pse skulptori vendosi të punonte me një anonim të ngjashëm për të nderuar jo vetëm të gjithë dëshmorët e minierës, por edhe ata që përlesheshin çdo ditë me nëntokën. Ishte një zgjidhje shumë e spikatur, pasi aty gjendeshin të gjithë dëshmorët e minierës dhe të gjithë punëtorët e guximshëm që futeshin dhe dilnin çdo ditë nga nëntoka. Aty gjeja të mishëruar nderin dhe respektin që i bëhej edhe dëshmorit Gani Gjosha.

Tashmë është koha që nuk harron të kujtoj heronjtë e saj, ku me veprat e tyre u ringjallën për tu nderuar përjetësisht nga çdo brez. I tillë është edhe bashkëqytetari ynë Gani Gjosha. Ai u lind më 11 mars të vitit 1926 në Kaninë të Vlorës në një familje me tradita patriotike me prindër Dervish dhe Fatime (Miçi) Gjosha. Ishte fëmija i parë nga katër djem dhe tre vajza që kishte kjo familje. Qysh në moshë të vogël, si më i madhi i fëmijëve që ishte, i doli krah familjes duke i mbeshtetur në punët e ndryshme në ato kohëra. I rritur me frymën patriotike nga prindërit e tij, ai u burrërua para kohe dhe në moshë shumë të re, del partizan duke iu bashkuar Lëvizjes Antifashiste Nacional Çlirimtare për të zbuar pushtuesit që na kishin shkelur vendin tonë. Kështu ai bëhet pjesë e Brigadës së I-ë Sulmuese. Përgjatë luftimeve të njëpasnjëshme të kësaj brigade ai plagoset rëndë, ku e çojnë për kurim në fshatrat Çipin dhe Bolenë ku edhe shërohet.

Mbas mbarimit të luftës, ai vlerësohet me pesë dekorata lufte dhe gjithashtu gëzonte statusin e veteranit të LANÇ. Në vitet e para të çlirimit të vendit mbaroi një shkollë 2-vjecare në Sauk të Tiranës dhe me ta mbaruar atë filloi punë në degën e kufirit në Shupenzë të Dibrës, në Lezhë e më pas në vitin 1951 në Gjirokastër si referent për pasaportat e të huajve dhe pasaportat diplomatike. Këtë punë e bëri deri sa u çmobilizua më vitin 1956, vit ky që e solli të vendosej bashkë me familjen e tij për të banuar në qytetin Memaliaj. Në këtë qytet të populluar krysisht nga familje minatorësh, ashtu si pjesa më e madhe e këtyre banorëve që punonin në reparte të ndryshme të minierës edhe veterani i luftës Gani Gjosha shkon për të punuar si zjarrmëtar deri më 11 korrik të vitit 1970 ku humbi tragjikisht edhe jetën nga shpërthimi i një sasie të madhe të lendës eksplozive.

Nga biseda me djalin e tij Aleks Gjosha i cili është i dyti nga fëmijët dhe ka punuar një jetë në minierë edhe pse babai i tij humbi jetën në thellësitë e nëntokës, ai shprehet: “ Babai punonte zjarrmëtar në minierë dhe kishte marrë çantën me dinamit në shpatulla dhe kapsollat hedhur në qafë të dorës. Në ato vite, nuk ishte kjo rregullore që vazhdoi me mbrapa, se çdo ligj e rregullore është larë me gjak. Sot slejohet më tepër nga 10 kg dinamit e 30 kapsola. Atëherë merrnin sa kg eksploziv u duhej për fronte. Po ju tregoj ashtu siç kam dëgjuar nga i vetemi person që ishte prezent atje, nga i papërsëritëshmi Eqerem Goga. Kam dëgjuar që kishte marrë më shumë se 40 kg dinamit e 60 kapsola dhe duke u futur në thellësinë e krahut verior të minierës për të hedhur minat në frontet që ishin caktuar, ndodhi shpërthimi dhe u vra tragjikisht. Në shtëpi na prunë disa pjesë të trupit të tij. Drejtori i minierës së asaj kohe ishte Xhevdet Kuçi nga Bënça”.

Kam qënë shumë i vogël në atë vit, ku kujtesa ime ka qënë pothuajse në hapat e para dhe për të sjellë detaje rreth këtij largimi tragjik të shoqëruar me përleshje plot trimëri, pyeta një tjetër veteran të minierës i cili quhet Eqerem Goga i cili është ndodhur i vetmi në ato momente, sipas edhe rrëfimit të Aleksit, djalit të dëshmorit të punës Gani Gjosha. Nga biseda që kam shkëmbyer para disa muajsh me veteranin Egerem Goga mësova të shprehej si në vazhdim: “Ishim të dy bashkë tek depua e dinamitit për tu furnizuar para se të niseshim për punë. Kishim për të marrë 40kg dinamit dhe 250 kapsolla. Ngaqë kishte shumë Ganiu, i thashë ta ndihmoja për ta lehtesuar dhe mora aty tek 12 kg e cila ishte një pjesë dinamiti që tërhoqëm nga depua. Unë e mora këtë sasi dhe u nisa për në galerinë në drejtim të jugut, ndërsa Ganiu mori mbi supe një arkë me dinamit që kishte 24 kg dhe një çante tjetër të hedhur mbas shpine që mbante 6 kg dinamit dhe 250 kapsolla dhe u nis për nga galeria në drejtim për nga veriu.

Duke ecur, arka e dinamitit që kishte mbi supe i kapi tek kavua e troles dhe nga pesha që kishte mbi shpinë, për fatë të keq, bëri të mundur që të binte me shpinë. Çanta që kishte kapsollat dhe 6 kg dinamit, u hapë dhe ranë mbi shina ndërsa nga rënia e arkës mbi këto kapsolla (plasja e kapsollave) bëri të mundur ndezjen dhe shpërthimin e dinamitit. E dërgjova këtë shpërtthim edhe pse isha largë dhe shkova për të parë se çfarë ndodhi, pasi me shkoi mendja për keq. Pashë që ky shpërthim i mori jetën Ganiut në mënyrë tragjike. I tronditur nga ky aksident tragjik që mori jetën e shokut tim të punës Gani Gjosha, mblodha veten dhe kërkova një çarçaf (të bardhë) për të mbledhur pjesët e trupit të tij në pjesët e galeris ku ndodhi aksidenti. Ku nga shpërthimi i fuqishëm si pasojë e sasisë së madhe të dinamitit, trupi u dëmtua në mënyrë të papërfytyrueshme sa që ishte edhe problem ekspozimi i trupit me arkivol te hapur. Mbas kësaj e mora dhe e nxorra përjashta në sipërfaqe. Të tjerët më pyesnin që si do ja bëjmë për punën e arkivolit, pasi trupi që kisha mundur të mblidhja, ishte një trup i gjymtuar keq. U kërkova që të shkonte në banesën e fundit me arkivol të plotë dhe ashtu u bë. Vendosëm që mos të hapej arkivoli, pasi ishte e pamundur me atë gjendje që ishte trupi. Për të krijuar mundësinë e dhënies së lamturmirës së fundit siç bëhej sipas zakonit me arkivol të hapur, kërkova që tek pjesa ku do të vendosej fytyra e tij, do të hapej një pjesë dhe do të bëhej me xham, ku vetëm kështu do të kishin një mundësi për t'i dhënë lamtumirën e fundit. Gani Gjosha, ishte një burrë shumë i mirë, punëtor i dashur duke përmendur se ka qënë edhe partizan, ku për këtë të fundit më tregonte shpesh për aq herë që e pyesja. Me këtë karakter ai punonte shumë dhe na frymëzonte edhe neve. E kujtoj gjithmonë me dhimbje, për aq herë kurr më ngacmon kujtesën. U nda prej nesh si një hero i vërtetë. Njerëz të tillë meritojnë nderime dhe përkujtime ndër breza. I paharruar kontributi i tij heroik!”.

Padyshim që kjo ngjarje tragjike i kaloi përmasat e një tërmeti shpirtëror, jo vetëm tek banorët memaliotë, por tek të gjithë ata që e dëgjua. Dëshmori Gani Gjosha kishte hapur familje me Merieme Selimin nga Bënça, e bija e Lutos dhe e Qibro Shehut po nga Bënçëa e Tepelenës. Ata u martuan më 7 gusht të vitit 1948 në Kaninë të Vlorës dhe nga kjo famije e re, erdhën në jetë tre djemë dhe gjashtë vajza. Ata janë Shkëlqimi (që e njohin me emrin Agim), Hamide, Aderjana, Marjana, Luljeta, Aleksandër, Suzana, Artur dhe Ludmilla, të gjithë me mbiemërin Gjosha. Ganiu ka qënë shumë i lidhur me familjen e tij dhe bënte të pamundurën për të nxjerrë ndonjë të hollë apo ndihma në forma të tjera, për të ndihmuar familjen ekonomikisht, pasi kishte shumë fëmijë. Ai njihet si fotografi i parë në Memaliaj që kishte dhe aparatin fotografik të tijin. Me këtë profesion ai u vinte në ndihmë jo vetëm bashkëqytetarëve të tij në ditë të gëzuara, ditëlindje, fejesa, martesa apo aktivitete të ndryshme që zhvilloheshin në ato vite në qytet dhe në fshatrat përreth, por edhe nxirrte ndonje të hollë për të blerë filmat dhe çfarë ngelej, ua blinte ushqime fëmijëve.

Një tjetër përpjekje e ij ishte ajo e ngritjes së dy kopshteve të ndara në parcela të vogla. Një e kishte tek depua e ujit dhe tjerën tek zona qëndrore, ku ka qënë një burim nën Zhapokikë nga rruga kur vije në sektor. Në këto kopshte siguronte prodhimet e stinës si perime e fruta që ishin një ndihmë e madhe ekonomike për familjen. Pothuajse pjesa më dërmuese para viteve 1970 kanë patur nga një kopësht, pasi ishte e vetmja rrugë për të siguruar një ndihmë anësore, përveç pagës mujore e cila ishte e pamjaftueshme. Gani Gjoshën e tregojnë njeri shumë punëtor i cili kohën e lirë e shfrytëzonte në maksimum. Për të patur të ardhura të mjaftueshme që të rriste fëmijët me kujdesin më të madh që mund t'i afronte, ai solli nje kulture të re, atë të rritjes së mëndafshit.

Nga biseda me djalin e tij Aleksandërin, mësova detaje të tjera rreth kësaj kulture. Ai shprehet: “Babai kishte përshtatur në njërën nga dhomat që të riste krimin e mëndafshit. Rreth e rrotull dhomës dhe në mes, kishte ndërtuar nga 5 rafte. Farën e krimbit të mëndafshit e merrte me anë të një zarfi prej Gjirokastrës. Në atë kohë vlente 2800 Lekë dhe e hidhte duke e shpërndarë në raftet pasi i kishte shtruar me dërrasë e mbi to kishte shtruar gazeta. Ne fëmijët e bashkë me shokët e lagjes që ishin edhe bashkëmoshatarë, shkonim dhe mblidhnim gjethe menash gjithë masditet dhe ua hidhnim për t'i ushqyer derisa zhvillohej krimbi. Më pasë krijonte fëshikëzën e mendafshit dhe mbyllej brenda duke krijuar një top të vogël, tamam si veza e zogut por ky cikël nga fara e deri tek fëshikëza e mendafshit mbyllej për 2-3 muaj. Mbasi bëhej vjelja, babai e çonte në Gjirokastër atje ku blinte edhe farën. Në atë kohë, mesa më kujtohet, 1kg kushtonte 4500 lekë. Përgjatë gjithë vitit ne siguronim 2kg deri në 3kg. Nuk mund të merrnim më shumë, pasi më vonë dilte në flutur dhe se merrte Gjirokastra. Mamaja ime Meriemia nuk e la asnjëherë babanë vetëm. Kudo që ai transferohej për çështje pune si ushtarak, familja jonë ishte po atje. Në këto transferime, mamaja ka punuar në Diber në sektorin e kopështit si edukatore. Ndërsa në Lezhë ka punuar në gjendjen civile, në Gjirokaster ka punuar në kinkaleri dhe në Memaliaj punoi në repartin ndihmës së sharrës prej vitit1956 deri më 1968. Nga viti 1968 e deri sa doli në pension në vitin1981, punoi si përgjegjëse e sharrës dhe magazinire e lëndës së drurit për minirën në atë kohë.

Kur doli në pension, qëndroi në shtëpi si nënë me shumë fëmijë dhe për këtë është dekoruar dhe ka qënë në shumë aktivitete që zhvilloheshin për mbrojtjen dhe stimulimin e gruas shqiptare ku nënë Meriamia ka marrë pjesë si delegate edhe në kongresin e 7-ë që u zhvillua në qytetin e Shkodrës. Vëllai i madh Shkëlqimi (që e njohin me emrin Agim) ka punuar 7 vet nëntokë dhe më pas shofer. Hamideja (që i flisnin Dushi) mbaroi shkollën gjeologjike dhe punoi si gjeologe përafërsisht 20 vjet në Pukë. Ndërsa vitet e tjera deri në vitin1993, punoi në Gjirokastër si gjeologe me qendër te N.SH.N-a si arshivuese gjeologjike. Edhe pse babai dha jetën në minierë, ne nuk u ndamë nga miniera. Unë punova në minierë për 19 vjet rresht deri më vitin 1997, deri në momentin që u mbyll.  Edhe vëllai më i vogël Arturi ka punuar në minierë. Ndërsa motra e vogël Lludmilla ka punuar në fabrikën e pasurimit të qymyrgurit që ishte e lokalizuar në sektorin e tretë. Edhe pse i vogël kujtimet janë të shumta. Për ato që më pyete po shtoj se bashkë me djemtë e lagjes dhe bashkëmoshatarët e mij, shkonim shpesh për thana përtej në pyllin e Karaules, siç ishte kthyer në traditë nga memaliotët. Po ashtu shkonim edhe për peshk. Babai dallohej shumë për gjuetinë e peshkimit dhe e kishte shumë pasion. Mbaj mend kur gjuante natën duke hedhur fillot e dorës. Zinte aq shumë saqë unë zgjidhja të haja vetëm pestrofat, pasi llojet e peshqëve të tjerë kishin shumë hala.

Një punë të dytë për babanë në vitet e para kur ka ardhur në Memaliaj, ka qënë edhe ajo e fotografit. Ishte fotografi i parë i asaj kohe në Memaliaj dhe fshatrat përreth. Nga të hollat që siguronte, ishte një ndihmë ekonomike për familjen tonë. Ndërsa për humbjen e babait tonë përgjatë punës nëpër thellësitë e nëntokës, është vlerësuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të asaj kohe, me dekoratën i “aksidentuar me humbje jete në krye të detyrës”. Kjo dekoratë i është dhënë tre muaj mbasi kishte ndodhur kjo tragjedi për familjen tonë. U munduam që ta rruanim këtë dekoratë, por për fatë të keq nuk mundëm, pasi përgjatë kohës kurr ndërruam shtëpitë, në rrëmuja e sipër, besojmë se po aty e kemi humbur edhe këtë vlerësim që i kishin akorduar babait mbas vdekjes. Babai prehet në varrezat e qytetit Memaliajt. Gjithashtu, marr shkas nga ky mesazh dhe të uroj gjithë të mirat familjarisht, se jeni i vetmi memaliot që ke nisur një humanizëm të papaguar por që për ne vlenë shumë, pasi është një mundësi që na jep të njohim ecurinë e përditëshme me lehtësi bashkë me shkrime të karakterit dokumentaro-historik, të cilat na gjallin një nostalgji, ajo nostalgji që e kishim lënë në harresë. Ju përgëzoj dhe të përshëndes njëkohësishtë për këtë mision po aq fisnik, por edhe human.”.

Nga prindërit e mij kam dëgjuar se mbahet mend për një burrë fisnik, punëtor, i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë bashkëqytetarët dhe ata që e kanë njohur. Po kështu kam dëgjuar qysh herët edhe nga më të mëdhenjtë! Lufoi si trimat në LANCL kundra pushtuesve të huaj dhe mbas çlirimit të vendit humbi jetën në krye të detyrës duke punuar në thellësitë e minierës së qymyrgurit te Memaliajt. Nderime dhe respekt për heronj të tillë!

Do të ishte më me shumë interes të kontaktoja edhe me memaliot të tjerë që kanë punuar dhe ruajnë kujtime me dëshmorin Gani Gjosha, por disa nga bashkëmoshatarët dhe kolegët e tij kanë ndërruar jetë.    Me pak nga ata që ende jetojnë nuk m'u krijua dot mundësia që të kontaktoja, por falë faqes Memaliaj në Facebook u jepet mundësia, jo vetëm fëmijëve të tyre por edhe bashkëqytetarëve të tjerë, për të ndarë kujtimet e tyre. Në vazhdim do të lexoni të përfshira të gjitha mesazhet e tyre. Mësuesja Aleksandra (Arapi) Velaj: “Jetë të gjatë nënë Meriemes që edukoi ata fëmijë të mrekullueshëm edhe pse jeta i solli humbjen e bashkëshortit të saj”. Flamur Kasa: “Nderime! Mbaj mend plakun që thoshte se ishte burrë shumë i nderuar. Rrofshin dhe e kujtofshin familjarët dhe të afërmit e tij!”. Perlat Arapi: “Foto që përcjell fisnikëri. I paharruar kujtimi i tij! Mbaj mend i vogël kur është vrarë në minierë. Në kujtesën tonë është mbajtur dhe do të mbahet mend si njeri i thjeshtë dhe fisnik që rriti dhe edukoi fëmijë të shkëlqyer. Respekt! I paharruar kujtimi i tij. Studiuesi Novruz Xh. Shehu: “Në mos gaboj ka qënë edhe fotograf … Paqe e nderim!”. Mësuesja Luljeta (Nuraj) Koubati: “Ka qënë një njeri i mrekullueshëm dhe një prind i shkëlqyer. I paharruar kujtimi i tij … Lule Qama: “Ka qënë njeri i mbrekullueshëm. I paharruar kontributi dhe kujtimi i tij!”. Pranvera (Sotiriu) Micka: “Në kujtesen time më ka ngelur si fotografi i parë. Ishte i pamshëm!”.

Ndërsa ish komshiu i tij Përparim Haxhiaj, shprehet: “Më është ngulitur shumë thellë në memorjen time ajo ngjarje tragjike, jo vetëm tek unë, por tek të gjithë bashkëmoshatarët e mitur të lagjes tonë. E ndjenim boshllëkun e babait të Aleksit. Mundoheshim të sajonim sa më shumë lojra për ta lehtësuar dhimbjen e tij e cila ishte njëkohësishtë dhe e jona. Kështu u rritëm dhe e deshëm njeri tjetrin si vellezër e motra. T'i rrojnë të familjes e ta kujtojnë bashkë me nipër e mbesa. Për nënë Meriemen që me shumë dashuri, e sfidoi dhimbjen si burrneshë dhe i rriti e i edukoi me shumë sakrifica. I paharruar kujtimi i Gani Gjoshës. Nga vajza e tij Suzana Gjosha lexojmë këtë mesazh: “Babai im i mirë dhe i pafat për jetën e tij. Dhe ne fëmijët e tij të pa fat ku u rritëm me mungesën e tij përgjatë gjithë jetës që kaloi. Më kujtohet si tani kur luanim mbasditeve. Na ishte bërë zakon tek sheshi mbrapa shtëpis së nënë Athinasë. Aty luanim grumbull dhe herë pas here shikoja nga cepi rrugës kur ktheheshin grumbull prindrit nga puna. Unë gjithmonë vrapoja dhe e shtrëngoja fort me përqafimin tim. Akoma i kujtoj ato copëzat e buta të baltës së minierës që ndodhej mbi kombinoshet e tij bashkë me aromën e tyre. U rritëm ashtu me dhimbje, por ne kishim fat se kemi një nënë zonjë dhe burnesh që na rriti dhe na edukoi duke na ushqyer me dashuri për njerëzit. U gëzova shumë kur bashkqytetarët e mi e pagëzuan me emrin e tim ati, rrugicën që shkon edhe përpara shtëpisë tonë ku u rritëm. Faleminderit për këtë nderim dhe vlerësim të vërtetë që tregon se nuk e harruat kontributin e tij.

Kujtimet bëhen më prekëse kur lexon mesazhin e bashkëqytetarit Ilirjan Veizi. Ai shprehet: “Unë që po të shkruaj për xha Ganiun, kam ndjerë përkëdhelitë e tij njesoj si ju! Me kujtohet kur therrte sheleg dhe na skuqte mish ne të vegjëlve bashkë me të qeshurën e tij të veçantë. Xha Ganiu la një emër shumë të mirë, jo vetëm për familjen e tij, por edhe për gjithë qytetin tone të bukur të cilin e lau me gjakun e tij. Në këtë qytet ku u rriten edhe fëmijë të bukur dhe të edukuar. I paharruar kujtimi i tij!”. Myzafer Abedini: “Mbaj mend kurr babai im më fliste me shumë respekt për këtë burrë. “Njeri shumë i mirë” më thoshte im atë. Dhe vete si familje, janë njerëz shumë të mirë. I paharruar kujtimi i tij! Elektriçisti Neki Mura i cili ka punuar një pjesë të mirë të jetës së tij në miniere, shrehet: “Për këtë njeri kam respekt të jashtëzakonshëm. Ishte njeri i dashur, i urtë, mikëpritës dhe ka rritur fëmijë të mrekullueshëm. I njohë pasi kamë ngrënë edhe bukë në atë familje. Kam kujtimet më të bukura, sidomos me shokun tim Agimin, djalin e tij të madh. Më kujtohet kur këndonte shumë bukur këngën “Selito Lindo” (Qielli i lumturisë). I uroj gjithë të mirat familjes së madhe Gjoshaj. I paharruar kujtimi I njeriut të tyre të dashur, heroit Gani Gjosha.”. Aleks Shehu shprehet: “I paharruar qoftë kujtimi i tij! U kujtoftë brez pas brezi! Ai ishte jo vetëm një kuadër shëmbëllor, por dhe një prind i shkëlqyer që diti të rritë e të edukoje fëmijë të dashur dhe të respektuar. Margarita Musta: “Njeri i rrallë, i ndershëm, i zgjuar dhe i dashur. Kështu e mbaj mend unë ketë burrë legjendar! I paharruar kujtimi i tij dhe ti rrojnë fëmijtë! Ndërsa mësuesi veteran Thanas Hoda e vlerëson atë si në vazhdim: “I paharruar kujtimi i Ganiut të mirë! Me merita si luftëtar i thjeshtë në rreshtat partizane, që kurrë s'u mburr e s'u lëvdua! Kurrë nuk kërkoi privilegje! Cdo gjë e bëri për t'i shërbyer Atdheut! Punëtor i palodhur, i drejtë, i sinqertë, i besës, i qeshur e i pastër në shpirt! Këngëtar me zë bilbili! Kështu e kam njohur dhe e ruaj në mendjen e zemrën time! I vaftë shpirti në parajsë! Në fundë komentet tek faqja Memaliaj në Facebook, mbyllen me mesazhin që ka postuar mësuesja Lavdije (Thanasi) Dedgjoni. Ajo shkruan: “Vitet kaluan shpejt, por Ganiu ngelet gjithmonë në zemrat tona. Ishte një burrë ideal, i dashur me shokët, i ëmbël me familjen dhe fisin. Jepte shumë dashuri me fjalën e tij dhe po atë merrte edhe prej nesh. Familja jonë Thanasi e donte shumë se ai ishte i jashtëzakonshëm. Nuk harroj çastet kurr ai  nuk harronte të kthehej çdo ditë pas pune tek familja jonë për tu takuar me ne dhe hallën e tij. Na përshëndeste me dashamirësi të gjithëve. Prindërit e mij ku është edhe halla e tij, kanë ndërruar jetë dhe padyshim si njerëz të mirë, bashkarisht ata prehen edhe në parajsë. T'i rrojnë fëmija dhe i paharruar kujtimi i tij”.

Ndërsa tek shkrimi “Homazh për njeriun e mirë dhe birin e Labërisë Gani Gjosha.” të shkruar nga Namik Selmani i cili është edhe autor i disa botimeve, mësojmë edhe detaje të tjera që lidhen me jetën e dëshmorit Gani Gjosha. Përgjatë shkrimit të tij të gjatë, shkëputa disa nga fragmentet, të cilat po i paqaqes si në vijim: “13 vjeç ishte djalë kur pa që qielli i Kaninës të nxihet nga avionët e fashizmit. Nuk kishte lexuar shumë se ç’bënte fashizmi në botë. Jo dhe aq shumë, po shpirti i paepur i djaloshit po gatuhej me urrejtje. Po gatuhej si gatuhej në furrë buka e nënës së tij. Nisi të shkonte pas trimave të demonstratave. Donte Kaninën të lirë. Donte që Vlora të kishte flamurin të papërkulur atje buzë detit. E më tej nisi udhë. …

Atje ku kishte kaluar fëmijërinë një ditë u plagos. Doktor Ibrahim Dërvishi nuk e lejoi të vazhdonte më tej luftën e ai sërish për pak kohë në Kaninë. Po atë sërish e thërriste lufta, liria. Liria që të deh që të jep forcë që të bën më burrë se ç’je. Që të maturon. ...

Ishin udhë betejash për liri ku jeta është gjithnjë në fije të perit të hollë. E hapat e tij djalosharë shkuan në Drashovicë (Te ura në Drashovicë. Ç’hata u bë atë ditë!!). Përballë tij ishin gjermanët e para tyre ai filizi i lirisë së kombit të vet. Si në një film heroik ai do të ngjitej në një varkë për të luftuar në Sazan e në atë ditë vjeshte të vitit 1944 në tetorin e butë vjeshtor do të ishte një nga çlirimtarët e ishullit. ...

Tashmë si bahçevan. Nga ata bahçevanë që edhe sot kujtohen me ato që mbolli dhe që kudo thonë “Bahçja e Ganiut” Shpatet e Kaninës asnjëherë nuk ishin parë kaq të bukur sa nga dora e artë e Gani Gjoshës”. Në vazhdim, shkrimtari Namik Selmani i kushton edhe një poezi, ku pasqyrohen edhe artistikisht virtytet e dëshmorit Gani Gjosha. Poezin po e sjellim të plotë:

“Gani Gjoshi bir Kanine,

Qënke lule trëndeline.

Gani Gjosha, shkëmb në male,

Si shqiponjë flamurtare.

Gani Gjosha burrë me nder,

Fllad në malet sjell pranverë.

Gani Gjoshi, trim o burrë,

Besëlidhur për flamur.

Nëpër vite po bën tutje,

Me ca plagë si lulëkuqe.

Gani Gjosha, trim i trimit ,

Duararti, zë bilbili.

Fjale ëmbli mes urimesh,

Si të ishte mjaltë Kanine.

Gani Gjosha, burrë i besës,

Nder i bëka punës, djersës.”

Mbas publikimit të shkrimit “Homazh për njeriun e mirë dhe birin e Labërisë Gani Gjosha.”, Dr. Martin Cukalla i cili ka punuar inxhinier në ato vite shprehet: “Të nderuar miq! Jam shumë              i prekur nga këto shënime që lexova për njeriun e mirë Gani. E kam njohur së afërmi dhe e kam respektuar së tepërmi siç e meritonte të respktohej Ai burrë miniere. Familja e tij ka përse        krenohet. U uroj fat e mirësi të gjithëve”

Siç mësuam nga dëshmitë edhe nga mesazhet e mësipërme, heroi Gani Gjosha është nderuar edhe nga (ish) kryebashkiaku Pëllumb Bodeci dhe këshilli i bashkisë në atë kohë, duke pagëzuar një nga rrugët e qytetit Memaliaj me emrin e heroit “Gani Gjosha”. Heronjë si Ganiu dhe shumë të tjerë që dhanë jetën në minierën e qymyrgurit Memaliaj, do të kujtohen e nderrohen brez pas brezi dhe do të jenë krenar për kontributin e tyre heroik. Një ndër këta shembuj të pashoq është edhe ai i partizanit dhe heroit të punës Gani Gjosha.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: