Pëllumb Gorica: Vjeshtë në Byshek
| E Merkure, 26.11.2014, 06:53 PM |

VJESHTË NË BYSHEK

UDHËPËRSHKRIM  NGA PËLLUMB GORICA

Gjithmonë i pres me dëshirë udhëtimet eksploruese në gjirin e natyrës  aq më shumë, në ato vende që lidhen me histori misteresh.

Ishte ftesa e miqve të mi nga qyteti i Elbasanit dhe dëshira për të kaluar ca çaste kënaqësie pranë natyrës piktoreske të Byshekut, i padiskutueshëm si një ndër mjediset më piktoreske të trevës së Elbasanit dhe më gjerë. Kur udhëton nëpër peisazhin e tij sikur heq nga supet ca nga hallet e përditëshme dhe me gëzim lëshohesh në monumentet e natyrës piktoreske.  Udhëtimi drej këtij vendi është kënaqësi. Bysheku ndodhet në një zonë disi të pyllëzuar, 7 km nga qyteti i Elbasanit, pjesë e krahinës së Shpatit. Vend i bukur me histori e legjenda mbresëlenëse, me njerëz të mençur, krenarë e shumë bujarë.

Rruga për atje ndjek rrjedhën e kundërt të lumit Shkumbin, ku natyra ka krijuar një luginë piktoreske. Fshatrat janë të sistemuara me shtëpi të bukura, toka të mbjella me bimë bujqësore e pemë frutore. Përtej luginës, përfund një pylli me plepa, shelgje e rrepe si një shirit ngjyrash, rrjedh lumi Shkumbin, ndërsa  tutje nga lindja mali Bukanik të shfaqet madhështor dhe të afron pamje të tjera të mrekullueshme e të papërsëritshme. Ai këtu është i menjëhershëm në ngjitje dhe i rri si mburojë kësaj lugine. Ecim, duke soditur peizazhet e thithur ajrin e stinës me aromë frutash. Kushdo që vjen ndihet i mbytur me këto bukuri mahnitëse. Rrepet që rriten në këtë zonë janë tipar i veçantë dhe një pasuri drusore monumentale, ashtu siç është një tjetër karakteristikë e këtij vendi, uji i pastër e i ftohtë, që rrjedh nga shumë burime. Larmia e peizazhit e bënë më interesant udhëtimin tonë e të shoqëron këndshëm. Një qiell i kaltër me diell, sikur natyra ka vendosur të na e bënte dhuratë këtë bukuri. Çatitë e shtëpive ngjyra -ngjyra shndrisin nën rrezet e diellit me një ndriçim të rrallë. Një flladi i lehtë të përkëdhel fytyrën. Kalojmë rrugës dredha - dredha dhe përpara të shpaloset me tërë bukurinë e saj të rrallë panorama e Byshekut: një mrekulli e natyrës me një sharm të veçantë dhe mahnitës. Po për fat të keq ndërtimet e vjetra të qendrës turistike janë të shëmtuara dhe të lëna në mëshirë të fatit, na zhgënjejnë paksa.  Është ajo çka përbën mbresën e parë sapo shkel këtu në këtë vend të bekuar dhe të lenë pas dore  Por, magjia e natyrës, drurët e moçëm me forma të çuditshme, uji i pastër, gjethet e zverdhura të paraqiten si një telajo e pikturuar me ngjyra të djellta. Të befasojnë dhe magjepsin pamje të tilla të peizazheve piktoreske e sidomos të monumenteve të gjelbra të natyrës, që kanë vlera historike. Lumi Shkumbin, që rrjedh pak metra më poshtë, dhe që është ca i fryrë nga shirat e këtyre ditëve, gurgullon me mërmërimën e tij këndshme. Bashkë me fëshfërimën e rrepeve ai të freskon akoma më shumë. I ngjan një simfonie kjo mërmërimë,duke të relaksuar skajshmërisht e të rrëmben befasishëm dhe patjetër  duke të bër për vete. Mundohem ato t’i fiksoj në celluloid që të mbeten në memorien dixhitale për brezat. Është një kënd vërtet shumë i veçantë, të thotë Ahmet Mehmeti, miku ynë poet, por edhe specialist i njohur i pylltarisë. Është një kontrast jetsor përballë ajrit të ndotur dhe betonizimit pa kriter të qyteteve tona, që në çdo stinë të mrekullon me çlodhjen, qetësinë, argëtimin. Pushteti i natyrës së bukur të prek me sy tej e tej një mori drurë rrapesh madhështorë të zgavruara, që mezi i pushtojnë 5 burra. Të frymëzon peizazhi mbresëlënës me çastet e mrekullueshme miqësore. Pranë tyre, i sistemuar në vija e kanale gurgullon uji i ftohtë, që rrjedh pa pushim nga të çarat e shkëmbit të hirtë, duke shpërndarë përreth currila të arta dhe një bimësi ujore. Më tej uji krijon turbulenca e pastaj tretet ngadalë nëpër zall drejt lumit Shkumbin. Në vjeshtë, uji i pastër, që rrjedh prej të çarave të shkëmbinjve ngjyrë gri e që merr me vete gjethet e zverdhura e të rëna të drurëve pranë rrapeve shekullorë të larta e të moçëm me format e tyre të zgavërta krijojnë një pamje të rrallë.  Fakti është se këto drurë madhështor rrepesh kanë histori të çuditshme që ende tregohet edhe sot. Ajo zë fill tek e ashtuquajtura mbjellje e rrapeve si hunj. Dikur në këtë vend mendohet se ka egzistuar një stacion ku pushonin kuajt dhe këto drurë rrepesh janë hujtë e ngulur ku kanë qënë lidhur kuajt e udhetimeve. Bysheku. është një vendbanim i vjetër. Në shekujt e parë të pushtimit turk është njohur me emrin Bozursek. Me ndryshimet e mëvonshme etimologjike ai mori emrin Bushek. Sipas hulumtimeve të historianëve të krahinës, Busheku, në mesjetë ishte një fshat i madh me shtëpi afër njëra - tjetrës, ku macja hidhej aq lehtë nga njëra çati te tjetra në të gjithë fshatin. Është vendi ku janë shpalosur ngjarje të rëndësishme historike. Këtu janë zhvilluar edhe beteja të përgjakshme të cilat i njeh historia e kësaj krahine. Dy beteja janë zhvilluar në shekullin e XV. Historia dhe lumi rrjedhin pranë njëri tjetrit.

Bysheku është i pëlqyer jo vetëm nga banorët e rrethinave, por sidomos për banorët e qyteteve të Elbasanit, Peqinit, Cërrikut, Tiranës. Në stinën e dasmave, ata, që lidhin kurorë, vijnë këtu e vazhdojnë të shpalosin traditën pagane të pagëzimit të çifteve me ujin e këtij burimi të shenjtë për t’i patur si kujtime të ditës më të bukur të jetës së tyre e natyrisht edhe pamjet piktoreske të rrepeve madhështore të Byrshekut. Por më i gjallërueshëm Bysheku shfaqet në Ditën e Verës, festës më tradicionale të trevës së Elbasanit,nga moshat e ndryshme të banorëve. Vendasit sigurisht janë krenar me këto bukuri, që u ka falur natyra me koloritin dhe ndërthurjen e objekteve, por u duhet ta mirëmbajnë këtë perlë.

Fryn era e Krastës dhe uturima e rrjedhës të krijon në shpirt një ndjesi gati hyjnore me emocione të veçanta. Në këtë natyrë piktoreske orët kalojnë të mbushura me çaste mbresëlënëse dhe bisedat për poezinë, historinë, pasionet, udhëtimet, miqtë, por edhe  me me gatimet tradicionale të krahinës. Gjen edhe humor të çiltër me dëshirën për të ardhur sërish këtu në këtë natyrë të paqtë vjeshte,

Bysheku është atje i mbuluar me një mjegull të përpurt enigmash historie dhe kolorit vjeshte. Në horizont mali i Bukanikut këmben ende me qiellin këngë dhe balada madhështore. Ç’mrekulli!



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: