Elvi Sidheri: Bunkerë (për t’u përmjerë)!
| E Merkure, 26.11.2014, 08:40 PM |

Bunkerë (për t’u përmjerë)!

Nga Elvi Sidheri

Hapja pompoze (“In pompa magna”siç do thoshin italianët) e bunkerit tejet “artistik” ku hamendësohet se andej nga vitet 70-ë, në të lajthitur të tij, shoku Enver, vente për t’u “mçyer” (fshehur) nga bombardimet thellësisht imagjinare të koalicionit trepalësh anti-RPSSH (imperialistët amerikanë, social-imperialistët sovjetikë dhe revizionistët kinezë), gjeneroi një grumbull pikpyetjesh.

Mënjanë dilemave të zakonshme të modelit: “A është bunkeri vend për të bërë art?” – ajo që shumëkujt do t’i interesonte të dinte, do të ish në realitet, diçka tjetër, më e veçantë...

Për shembull ndokush mund të sugjeronte, që në muzé në Shqipërinë e post-tranzicionit (pas diktaturës... së bunkerëve dhe ndërtuesve të tyre) të ishin shndërruar dhjetëra ish kampe përqendrimi, burgje monstruoze të shfarosjes në masë të inteligjencës, elitës kulturore dhe të përfaqësuesve më të shquar të shoqërisë shqiptare, të atyre që përgjatë 45 viteve, nuk e ulën kokën dhe që e ngritën zërin kundër regjimit bunker-ngritës komunist.

Siç e dimë, kjo gjë s’ka ndodhur, e shumë pak gjasa ka që ndonjëherë të ndodhë ndërkohë.

Përse vallë?

Për shkak se kampet e përqendrimit, apo burgjet mesjetare të epokës moniste, kanë nisur të rrënohen me përpikmëri, qysh prej rënies së diktaturës në 1990-ën, dhe sot vështirë se Spaçi, Burreli, Tepelena etj, mund të shërbejnë më si ngrehina të gjalla, ku të mund t’u tregohej brezave të ardhshëm shqiptarë, apo aq më tepër vizitorëve të huaj, lidhur me gjëmën enveriste që pllakosi për pesë dekada Shqipërinë dhe popullin e saj.

Në vendin tonë “kujtesë-fshirë”, mungon tërësisht një “Auschwitz”, i ruajtur më së miri në formën e tij origjinale, porsi ish kampi nazist i shfarosjes në masë të hebrejve në Poloni, ku njerëzit e sotëm, të mund të shohin me sytë e tyre dhe të ndiejnë me shqisat e veta në lëkurë, vuajtjet, poshtërimet dhe gjithë krimet e tjera nëpër të cilat diktatura komuniste dhe enveriste, i pati bërë të kalojnë qindra-mijëra shqiptarë deri 24 vjet më parë.

Por (se unë ngul këmbë në idenë dhe filozofinë se gjithmonë ka një “POR”), meqë në këto dy dhjetëvjeçarë e gjysëm, bunkerët që i kemi patur (“Për ideal të Partisë”) me shumicë, akoma nuk kanë mbaruar,janë shkatërruar apo tretur nga toka dhe koha, atëherë, shkojmë dhe ia fusim një muzé të shëndetshëm në njërin syresh!

Me të dëgjuar e kam sidoqoftë, se shoku Enver në kohë të Luftës Nacional Çlirimtare, se ç’na qe “mçyer” si miush, edhe në zonën e Çermenikës (tek një “Nënë Zyraja” duan të thonë)...!

Pse nuk u ngrit vallë një muzé edhe aty?

Bunkeri i inauguruar me pompozitet madhështor para disa ditësh në periferi të Tiranës, siç kushdo mund ta ketë kuptuar tashmë (nëse nuk e dinte), kish pasur si qëllim parësor dhe unik të ndërtimit e të vetë ekzistencës së tij thelbësore, vetëm e vetëm, “mçyerjen” (fshehjen shtatë pashë nën dhé) të shokut tonë Enver dhe të shpurës së tij diktatoriale.

Ç’ndryshim parimor ka pra, midis një “mçyerje” në bunkerët e maleve të kryeqytetit, me një “mçyerje” tjetër, në kohë lufte për më tepër, nëpër Çermenikë?

Aq më shumë kur për protagonist, kemi gjithmonë askënd tjetër përveç shokut merhum Enver?!

Kështu pra, edhe një muzé në Çermenikë, e ka rradhën mesa duket tashmë!

Bunkeri thonë se është gjithësesi interesant për syrin dhe kërshërinë e turistëve të huaj.

Ndaj dhe, nuk do mend, që për hir të tyre, neve nevojitej që të rimobilonim një vepër idioto-megallomane të para dyzetë viteve, dhe që sërish bashkë me të, ta ringjallnim fantazmën e Enverit dhe 200 petritëve të tij.

Pas një viti të tërë me pensionistë truzbrazur e mendjezbërthyer që mësynin kohë pas kohe nëpër ceremonira përkujtimore të 70 vjetorëve të ndryshme të LANÇ-it, tanimë, vampirin Enver që si përherë “ka harruar të vdesë” (apo mos ndoshta, disa... “kanë harruar se ka vdekur”), na e fanepsën prapë në bunker.

Se ku tjetër do e fanepsnin fundja?

Çfarë “vepre” tjetër madhore ky (pa)burrë na la mbrapa përveç bunkerëve?

ASGJË PREJ GJËJE!

Por (ja edhe njëherë “Por”), një muzé i këtij lloji (enverist) mund të hapet në mënyrë, trajta dhe formë “shumë artistike”, edhe në ish Superfosfatin e Laçit ose tek Metalurgjiku ajër dhe tokë-ndotës i Elbasanit (aty ku si pasojë direkte dhe indirekte e veprës dhe mendimit largpamës të shokut Enver, në bashkëpunim dhe këshillim të ngushtë me ish shokët kinezë, ende sot e kësaj dite, vijojnë të lindin gjela që bëjnë vezë dhe viça me tre koka, për shkak të kontaminimit masiv të ambientit dhe ekosistemit).

Por mbi të gjitha, unë që racist as jam e as që ndihem sadopak, nuk do të doja, që ky bunkeri që u rinovua dhe u hap madhështisht për publikun e gjerë shqiptar e të huaj, të ishte i vetmi në llojin e tij në Shqipëri, që do pësonte këtë fat dhe fund të lumtur.

Pse more njerëz, po me reston e 800 mijë bunkerëve shqiptarë të kohës së diktaturës, çfarë do të bëjmë kështu ne?

Të njerkës kanë qenë ata të ngratët gjë?

Apo fakti (me rëndësi kapitale siç duken bathët), që tek ky bunkeri specifik i Shish Tufinës, është menduar se do të flinte, hante, pinte, pshurrte, dhiste, e ku do të jepte urdhëra për të vrarë, varur, pushkatuar, përgjuar, torturuar, spiunuar, përndjekur, therur e masakruar banorët e këtij vendi shoku Enver, e bën ndoshta atë më të rëndësishëm sesa bunkerët e tjerë “të zakonshëm” të hapërdarë anembanë Shqipërisë porsi shumë herpesa plot qelb (monist)?!

Lëre pastaj faktin, se ky na paskësh qenë një “bunker bërthamor”!!!

Nuk e vë aspak në dyshim se në ndërkohë, presidenti Karter në SHBA, Brezhnjevi në Moskë dhe Ten Hsiao Pini në Pekin, tërë fokusin e vëmendjes së tyre, në Shish Tufinë, tek Bunkeri (antibërthamor) i shokut tonë Enver e kanë pasur asaj kohe...!

Kështu pra miq lexues, ky bunkeri antibërthamor (“lesh me qime të përzime” – thotë populli në të tilla raste pallavrash në vepra dhe në sjellje) i Enverit dhe regjimit të tij të izoluar nga pjesa tjetër e planetit, në botëkuptim, veprime dhe mendësi, meqë pranë Shish Tufinës dhe varrezave të saj është gjendur për rastësi, si një varr pa asnjë nder apo lavdi, i marrëzisë dhe ligësisë të atij sistemi dhe Liderit të tij, duhej të kish përfunduar njëherë e mirë tashmë.

Por meqënëse ne kemi qëlluar të jemi një popull që me “Lugetërit” na e ka ënda të bashkëjetojmë në përjetësi, atëherë këta “qoftëlargër”, i thërrasim kohë pas kohe, sipas rastit dhe nevojës.

Pikëpyetje...: “Përse vallë në 24 vjet në Shqipëri, janë rrënuar tërë kampet e përqendrimit dhe të punës së detyruar skllavëruese, nuk janë gjetur ende kockat e mijëra të pushkatuarve pa gjyq nga regjimi enverist, dhe njëkohësisht, vila e Enverit rri në këmbë për shtatë palë qejfe në mes të Tiranës, ashtu siç gjallon akoma edhe përçapja diletante në formë Piramide, për ta “faraonizuar” kujtimin e diktatorit tonë gjakpirës, apo edhe bunkerët e tij të shumtë sekretë?

Mister!!

Përse vallë s’i bie askujt mendja (e këtu e kam fjalën edhe për disa palë qeveri të djathta që e kanë drejtuar këtë vend disa herë pas 90-ës) që të ngrejë një muzé në qytezën e Maliqit, në kujtim të vuajtjeve dhe punës çnjerëzore të kundërshtarëve të regjimit monist, që u detyruan mizorisht që të thanin me përdhunë, kënetën famëkeqe me të njëjtin emër si qyteza e sotme?!

Mund të ishte një muzé tepër “artistik” edhe ai, po të bëhej.

Ky është vetëm njëri nga një pafundësi shembujsh që më vijnë pareshtur në mendje, pasi Shqipëria është një vend i mbushur anë e kënd, me memorie kampesh, torturash, mënxyrash, hekurash, dënimesh kolektive, shkeljesh të të drejtave elementare të njeriut, me gjakun dhe eshtrat e atyre që regjimi i bunkerëve enveristë, i cilësonte si “antiparti” apo “armiq të klasës”.

Kudo pra, do të kishte vend për ndonjë muzé tejet më të denjë, njerëzor dhe të merituar, sesa bunkerët e regjimit dhe diktatorit.

E çfarë do të gjejnë të huajt, që supozueshmërisht do të vijnë për të parë me sytë e tyre, bunkerin e shokut Enver aty në periferi të kryeqytetit?

Asgjë më tepër sesa një konfirmim të mëtejshëm, të imazhit të tyre të shabllonuar të Shqipërisë!

Kaq!

Nothing more!

Po ç’na duhen ne malet, fushat, kodrat, gërxhet, lugina e Valbonës, Thethi, Vermoshi, Berati tremijë vjeçar, Gjirokastra në gur, Riviera Joniane, bregdeti i Adriatikut, Korça, Pogradeci megjithë liqen, Voskopoja, Dardha, Shkodra qytet i kulturës e gjithçka tjetër, që natyra na ka falur!

Jo ore, turistët, gjithë këto dhurata të Perëndisë dhe të Natyrës, ashtu si edhe të tëra dëshmitë e ekzistencës dhe të krijueshmërisë së spikatur të shqiptarëve në këtë vend, do të duhet që t’i barazojnë me zero, dhe t’ia mbajnë vrapit me të katërta, për tek bunkeri sekret (prandaj në Tiranë, prej dekadash e dinin të gjithë se ku ndodhej, se ishte shumë sekret !!) i shokut Enver.

“Shabllon turizëm” i thonë këtij shqeto!

Atëherë, meqë jemi tek tema e shabllonëve të shumtë, të tepërt e të zakonshëm mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, e ngaqë siç duket, kjo është edhe një arsye përse ky Bunker është rikonstruktuar nga e para, dhe i është ofruar vizitueshmërisë së publikut vendas e sidomos të huaj, mundësitë në këtë fushë janë të pakufizuara.

Le të bëjmë turizëm edhe me gjithë shabllonët e tjerë, falë dhe nëpërmjet të cilëve, të huajt përciptazi na njohin.

Të bëjmë ndonjë muzé të “Gjakmarrjes” dhe “Prostitucionit” për shembull.

Të ftojmë turistë e t’i çojmë në Poliçan për të parë sesi dhe ku, prodhohen “Kallashët” tanë, arma që treçereku i Europës, pret që të shohë, sapo zbret apo shkel në tokën shqiptare.

Të bëjmë një muzé të filmave “Taken” dhe të marrim me shpenzimet e shtetit shqiptar, edhe regjisorin Luc Besson-in, bashkë me Liam Neeson, në mënyrë që ndonjëherë ata vetë, t’u shpjegojnë turistëve të huaj “shabllon-dashës”, sesi bandat shqiptare, rrëmbejnë, vrasin e presin vashëzat e pambrojtura dhe naive të Europës së civilizuar.

Si përfundim, e dini se kush do të ishte përdorimi dhe përshtatja më e drejtë e një Bunkeri monist si ai i Shish Tufinës?

Do ish tepër e udhës që mundësisht të vendosej edhe një teleferik apo lidhje rrugore urbane e drejtpërdrejtë me atë vend nga Tirana, në mënyrë që aty të vërshonin banorët e kryeqytetit, të cilët, në mungesë të përhershme të një banje publike në metropolin tonë, të gjenin atje mundësinë, që brenda Bunkerit bërthamor të diktatorit, të zbraznin rregullisht, gjithë jashtëqitjet e tyre personale!



(Vota: 14 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: