Një surprizë e madhe kundër sondazheve paraprake
| E Shtune, 22.11.2014, 07:23 PM |

Fitorja e Johannis në Rumani, shërben si një dëshmi e fortë e rezistencës së qytetarëve përballë korrupsionit dhe arrogancës së elitës politike.

Ka disa çaste magjike në zhvillimet e politikës demokratike, kur statistikat dhe përllogaritjet strategjike, rezultojnë totalisht të gabuara. Ka momente kur spontaniteti që gjenerohet nga mobilizimi qytetar, i tejkalon tërë pritshmëritë. Rezultati i zgjedhjeve presidenciale rumune, me fitoren e Klaus Johannis, eksponentit të Aleancës Kristian-Liberale, është prova më e gjallë, që ilustron rezistencën e suksesshme qytetare, përballë korrupsionit dhe arrogancës së elitës politike. Elitë që përfaqësohej në këtë rast, nga Viktor Ponta, kryeministër aktual, dhe njëkohësisht lider i Partisë Socialdemokrate të Rumanisë. I mbështetur fuqishëm nga votat e diasporës rumune, Johannis u zgjodh president në këto zgjedhje ku u vërejt një pjesëmarrje e padëgjuar (63.95 %) e votuesve. Gjithashtu demokracia rumune theu disa tabú themelore: Johannis është presidenti i parë i Rumanisë, që vjen nga jashtë kryeqytetit dhe që bën pjesë në pakicën rumuno-gjermane. Për më tepër, kjo është e para herë që një kandidat me fe jo-ortodokse, ia del të bëhet president në një vend ku Kisha Ortodokse, luan një rol vendimtar në shoqëri dhe politikë.

Ç’ka ndodhur pra?

Johannis është ndër të tjera një orator i dobët që nuk pati realizuar ndonjë fushatë të jashtëzakonshme elektorale. Por ndërkohë, Viktor Ponta është, në realitet, shkaktari i humbjes së vet. Siç thotë një personazh i Shekspirit, “njeriu me krenari të sëmurë, ia ha kokën vetes”. Vetëbesimi i tepërt dhe bindja për fitore, ashtu si edhe disa gjeste korruptive përgjatë fushatës zgjedhore, të bërë ditën për diell, pa asnjë drojë nga reagimi qytetar – ndërtesat e falura për Kishën Ortodokse; bonusi fiskal i momentit të fundit për profesorët; përçmimi për votuesit nga jashtë – iu kthyen Pontës kundër si një bumerang. Vota negative për Pontën, në një vend nën lupën e BE-së, për luftën kundër korrupsionit, ndëshkon kështu haptazi, përçmimin e elitës rumune kundrejt vlerave demokratike, duke zgjedhur një “outsider” i cili, megjithëse qe mbështetur nga një parti që ka problemet e veta korruptive, gjithësesi personalisht është treguar tejet i suksesshëm si kryeabashkiak i Sibiut.

Por për ta kuptuar politikën rumune pas Revolucionit të 1989-ës, duhen patur parasysh rrethanat historike dhe etiketat ideologjike. Në Rumani nuk ekziston një e majtë e vërtetë, që të mbështetet në parimet themelore të solidaritetit, barazisë shoqërore dhe autonomisë. Pas revolucionit, partia e Pontës – në rradhët e së cilës ende militojnë ish funksionarë të lartë të epokës së Çausheskut, si ish presidenti Ion Iliesku – ka monopolizuar krejtësisht frontin e majtë. Rënia e komunizmit në Rumani, nuk solli si rrjedhojë, ndonjë ndryshim të vërtetë të elitave drejtuese. Elitat komuniste e shfrytëzuan revolucionin për ta përforcuar kapitalin e tyre politik, dhe bashkuar atë me kapitalin e madh ekonomik, në mënyrë që të fitonin sërish hegjemoninë, dominimin politik.

Padyshim që sidoqoftë fitorja e Johannis, nuk do idealizuar. Sistemi rumun është gjysëm-presidencial, kështu që Ponta do të mbetet sërish kryeministër, dhe zgjedhjet e rradhës parlamentare, do të zhvillohen në 2016-ën. Është gjithashtu problematik fakti që poli i qendrës së djathtë në Rumani, është i përçarë. Për më tepër, partitë liberale rumune, megjithëse në masë më modeste, mbështeten nga rrjete oligarkësh të fuqishëm. Presidenti i ri do të përballet me pengesa strukturore në synimin e tij për të bërë reforma themelore, si për shembull pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe reforma e Parlamentit rumun (që është aq i madh, sa edhe vetë Parlamenti Europian). Por nëqoftëse presidenti i ri do të dijë t’i përdori me mençuri, mundësitë që i ofrohen nga ky zgjim politik që po ndodh në Rumani, më në fund, ka arsye për të ushqyer shpresa në punën e tij.

Analiza vjen nga Camil Ungureanu, profesor i Filozofisë Politike, në Universitetin Pompeu Fabra.

Zgjodhi dhe përktheu nga origjinali, Elvi Sidheri

 



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: