Karanxha: Skënderbeu autentik dhe modeli i Romës
| E Diel, 16.11.2014, 09:25 PM |

SKËNDERBEU AUTENTIK DHE MODELI I ROMËS ANTIKE  (DE ROMANORUM MAGISTRATIBUS)  PËR MBRETËRINË  SHQIPTARE. 

NGA ILIA S. KARANXHA

Një nga argumetat më të debatuara në shkencën albanollogjike ka qënë i lidhur me autenticitetin e portretit të Skënderbeut. Pranimi apo mos pranimi i vërtetësisë  qëndronte tek fakti se piknisja e inkonografisë kastriotiane dokumetohej gati gjysëm shekulli pas vdekjes së tij e për më tepër në artin  grafik. Pra kopje e ndonjë porteti më të hershëm e të panjour  që mund të hamendësohej por  jo të provohej. Kështu  debati  pro (O. Paskali, Dh. Dhamo, K. Frashëri, K. Biçoku, F. Hudhri etj.) e kundra (At Vinçenc Malaj), edhe pse në distancë, zhvillohej kryekëput mbi konsiderata subjektive.  Portreti më i parë e më i njohur në Shqipëri  u duk  për herë të parë  në vepra e të vetëqojturit Marin Barleti (ndryshe Beçikemi) Historia de Vita et Gestis Scanderbegi.. (maj 1522)që për një sërë shkaqesh të karakterit social, politik, ideollogjik e historik  mbarte  e trasmetonte në vetvete një sërë enigmash të cilat herë padashje e herë me  qëllim janë fshehur ose vazhdojnë të fshihen akoma bile edhe të mohoen.

Sidoqoftë portreti i botuar në veprën e parë e më të sukseshme  biografike merte edhe karakterin e  portretit zyrtar  për të cilin kemi mundur të përcaktojmë si autor grafistin fiorentin Lucantonio degli Uberti.  Ky portret  shërbeu për gjithë shekullin e XVI si gjenerues i  ikonokrafisë kastriotiane. Ishte shekulli kur  kërkesat  për portretin  e vërtetë e për burime sa më të sakta pretendoheshin jo vetëm  nga humanistët e shquar të kohës  por edhe nga publiku i gjërë i lexuesve.

Në këtë atmosferë të zhvillimeve humanistike  heshtjen e Marin Beçikemit për portretin autentik    Skënderbeut nxitojnë ta plotësojnë për intresat e tyre niprit e Pal Ëngjëllit  në të ashtuqojturën vepra e tretë e Marin Barleti  pra “Shkurtoria mbi jetën e papëve...” (Compendium vitarum  summorum pontificum...) e cila u botua më 1555 në Romë.

Veç  Ëngjëllorve historiani i shquar Paolo Giovio  autentiticitein e portretit të Skënderbeut e bazonte në ngjashmëria mes subjektit  të pikturuar dhe trashëgimtarve të Skënderbeut.  Përkthyesi i veprës të Barletit në Francë  De Lavardin përgjegjësinë për hershmërin e portretit të  Skënderbeut   më 1576 ja kaloi  koleksionit  e kozmografit të mbretit Andre Thevet(1516-1592) i cili  sipas të thënve të tij e kishte gjetur atë gjatë udhëtimeve në Lindje (1549-1552) në Buthole(?) të Shqipërisë.   Një portret  i gjetur mes arbërshve në Shën Paolo (Potenca ) mban poshtë mbishkrimin Vera Regis Scanderbeg effiges. Si portret i vërtë na paraqitet edhe ai që u botua më 1584 në të ashtuqojturën  vepër e Dhimitër Frankos. Portreti në shtëpinë në Romë ku bujti Skëndërbeu gjatë dimrit të vitit 1466-1467 trasmeton mbishkrimi se u restaurua besnikërisht sipas  imazhit të tij (ad fidem icones rest.(aurit))më 1843. Dëshmi të tjera për portrete të hershme të Skëndërbeut na sjellin N.Spata(1845) në lidhje me një murg domenikan nga familja e Tanush Topisë në Napoli  që ruante në qelën e tij portretin e Skënderbeut. Familja e Toptansave në Krujë kujton gjithashtu se ruante një portret të Skënderbeut që u sekuestrua nga autoritet turke dhe u dërgua në Stamboll(A. Degarand 1901, f. 213-214) por edhe piqerasit në Himarë kujtojnë  se në shek. XVIII një portret të Skënderbeut e kishin shpënë në Napoli.

Nga fundi i shek. XIX lindi ideja e pikturës së Skënderbeut nga Gentile Belini që u zvaris deri në ditët tona duke sjellë para lexuesve herë portretin e realizuar nga Cristofano degli Altisimo që ruhet në Firence, herë një portret të familjes Curani Shkodër dhe  herë medalejt me imazhin e Skënderbeut . Le të kujtojmë këtu se  gjatë gjithë shekullit që kaloj askush nuk e mori  mundimin në Shqipëri të  bënte ndonjë studim për jetën dhe veprën e Gentile Belinit për të parë e për të gjyrmuar në se  ekzistonte diku ndonjë pikë takimi mes Belinit edhe Skënderbeut.

Mbas gjithë këtyre pretendendimeve të  ndryshme    në dritën e fakteve më të reja   gjithçka që është shkrojtur(ikonollogjija) e gjithçka që është krijuar(ikonografia) në lidhje me portretin e Skënderbeut  mer tashmë e tutje një dimesion të ri.  Pikënisja e inografisë skënderbeiane nuk është më vitit 1522 kur humanisti ynë Marin Beçikemi botoi de Vita et Gestis Scanderbegi … por viti 1465 kur  kodi dorëshkrim  de Romanorum Magistratibus.. u ndriçua me portretin në minatiurë të  Skënderbeut. Ikonografia në këtë rast nuk mund të shkëputet nga aspektet historiografike, politike e ideollogjike që zhvilloheshin në ambientin roman në raport me Skënderbeun.

- Mbi  kodin:   De Romanorum Magistratibus e çfarë përfaqëson ai në vetvete dhe në raport me Skënderbene

Karakteristika bibliografike:

Fenestella Lucio ( Andrea Domenico Fiocco ): de Romanorum Magistratibus (Magjistratët   Romakë) – (Romë)  5 nëntor 1465

Është i shkrojtur mbi  pergamenë,  përmban 34 fletë, ka përmasa   30.2 x 20.4 cm e ka  32 reshta për faqe.  Është  i  ndriçuar nga  dy  miniatura të vogla ne tempera (f. 1 dhe 32). E para paraqet  shkruesin e kodit, në rastin tonë një prift domenikan, që i dorzon kodin një princi të ri,  e dyta është ajo e Skënderbeut.  Shkrimi  është korsiv  kancelaresk humanistik.  Lidhja në kadife të gjelbër të erët i takon shek. XIX

Ndodhet në : Harvard University, Houghton Library, Cambridge Mass. (USA):  MS Typ 496

Historia e këtij kodi dorëshkrim deri në mezin e shekullit që sapo kaluam mbetet e pa njohur, Shitja e parë e tij duhet të jetë bërë aty nga fundi i shekullit të XVI por gjurmët e tij nuk mund të ndiqen deri sa aty rreth vitit 1950  ra në dorë të shtëpisë së antikuarve  J&J Leighton i cili  informoj publikun për këtë relikë në  Catalogue 9 (New Series) London N* 789.  Fillimisht kodi u shit  në shtëpia më e madhe e ankandtit në  Londër Sutheby për  £320 (stërlina) mbas disa kalimesh  të tjera u ble  më 1961 nga Houghton Library e Universitetit të  Harvard -it  për  £750 (rreth 2250$) ku gjendet edhe sot me vendndodhjen MS. Typ 496.

Kodi dorëshkrim  de Romanorum Magistratibus është pjesa e dytë e kodit:  De  magistratibus sacerdotisque Romanorum (Magjistratët dhe priftërinjtë romakë ) e cila u shkrojt aty rreth vitit 1430 nga Andrea Domenico Fiocco(rreth 1400 – 1452) mirëpo qarkulloi nën emrin e historianit  romak të kohës të Tiberit,  Fenestella Lucio(rreth 50 para K – 20 pas K). Në shekullin e XV mendohej se ishte një vepër autentike  e shumë dukë,  princër apo kontë në Itali e pranonin  atë si një dhuratë të çmuar. Për këtë arsye sot variante të këtij kodi dorëshkrim i gjejmë në shumë biblioteka të Italisë(P.O. Kristeller: Iter Italicum...vol I-II).  Më 1475 u bë botimi i parë i  tij (Venedik) e rezultoi një sukses  i plotë. Deri më 1500 u realizuan shtatë ribotime (incunabola ). Një numur i madh botimesh u realizuan edhe gjatë shekullit të  XVI  dhe më 1544 e 1547 kemi edhe variantin në italisht të po kësaj vepre. Duke filluar nga edicioni i vitit 1561(Anversa) vepra filloj të qarkullojë me emrin e vërtetë të autorit Andrea Domenico Fiocco.

Në kërë vepër  trjatohen institucionet e Romës antike lindja dhe funksionimi i tyre, detyrat dhe raportet e ndërsjellta mes funksionarve të ndryshëm:  Senatorët, kalorsit  e ndërhyrjes të shpejtë, pretorët, prefekti, kuestorët, mbreti, dikatori, komandanti i kalorsëve, tribuni  i popullit, tribuni  i ushtarve, konsujt, legatët, kryegjykatësit etj. Një vëmëdje e veçantë i kushtohet mënyrës të sjelljes së mbretit  në raport me institucionet e ndryshme dhe me popullin.   Albanët dhe romakët përmënden shpesh në këtë vepër.

Përsa i përket kodit tonë dorëshkrim  me portretin e Skënderbeut nga studiuesit e ndryshëm  i është  dhënë përparësi kryesisht  aspekteve bibliografike, përshkrimit fizik,   origjinës  e historikut  të kodit mirëpo asnjëherë deri më sot  ai nuk është analizuar  në kontekstin e përgjithshëm të  ikonografisë apo historiografisë  skënderbeiane.

Më 1962 kur Curt H. Reisinger bëri prezanimin e këtij kodi në Houghton Library vuri në pah cilësitë e larta në hartimi e kodit   të Andrea Domenico Fiocco-s i cili datonte 5 nëntor 1465, foli për portretin në minaturë  një punim shumë i hollë e me gusto të veçanë  të Skënderbeut që sipas  Reisinger,  ai kishte vizituar  atë vit(?) Romën.  Ndërkohë përmëndi edhe faktin  se ky kod ishte identik me  kodin Saturnalia të Ambrosio Theodosiu Macrobus (aktiv 430 pas K.) i cili ndodhet sot     Victoria and Albert Museum (MS L. 1796-1952).

Më 1998  Stan Knight sugjerovi  se të dy kodet kishin qënë të bashkuar dhe i dyti mbante datën 14 gusht 1465. Përshkrimin e detajuar të Saturnalia e ka bërë Rowan Waston brenda të cilës ndodhet edhe stema fisnikërore e  familjes  Maffei  duke shtuar gjithashtu se që të dyja kodet ishin  nxjerë në treg para viti 1952 gjithmonë nga antikuari  J&J Leighton.  Prej këtu lindi ideja se edhe  kodi  ynë duhej t'i ketë përkitur familjes Maffei.

Data e përpilimit të de Romanorum Magistratibus   nuk le  më rast për dyshime për  imazhin  më të  hershëm të  Skënderbeut. Më tej duket mjaft  qartë  se pikërisht ky imazh me variacione të lehta  reflekton gati  besnikërish në portretet më të hershme të Skënderbeut që kemi njohur deri më sot.  Bile edhe disa riprodhime që i janë bërë portreteve që  ruheshin në muzeun e Giovios duken gjithashtu identike me minaturën e kodit sidomos grafika e Tobias Stimerit(1575) apo portreti me ngjyra që ruhet në Bib.  Ambriosania Milano. Nuk është larg nga imazhi i kodit as piktura që ndodhet në shtëpinë ku ka bujtur Skënderbeu më 1466-1467 dhe që ne e sodisim sot pas restaurimit që i është bërë  atij më 1843. Pra ikonografia që pasoi në shekullin e XVI  është një farë prove e autenticitetit të tij.

Meqënëse  ky kod vendos tashmë  një pikënisje të re në ikonografisë kastriotiane e në të njëjtën kohë  prek gjithë  kontekstin  historik, politik e ideollogjik të kohës së Skënderbeut në raport me ambientin  romak del e domozdoshme të shtrohen një sërë çështje.

Së pari a mund ta konsiderojmë këtë si porteti i vërtë i Skëndërbeut ? Aty ai nuk është cilësuar me emër por ekzistojnë vetëm dy gërma fillestare më të majtë e më të djathtë të portretit  E. V.  të cilat dikush i  konsideron  si monograme të  piktorit minaturist. Por nuk është për të përjashtuar mundësia që dy gërmat të kenë  tjetër kuptim p. sh  E(pirotarum)  V(icecomes) që do të ishte më e arsyeshme dhe  ka një lidhje llogjike si me teksin e kodit po ashtu edhe personin e portretizuar pra  Dukë i  Epirotëve.  E në qoftë se nuk është kështu atëhere dikush duhet ta ketë ditur që ajo minaturë paraqiste Skënderbeun. Në se ky është me të vërtetë Skënderbeu përse ju bashkangjit  dorëshkrimit të  Fenestella Lucios (d.m.th.  Andrea Domenico Fiocco-s): de Romanorum Magistratibus ?  Duhet riparë me kujdes edhe sugjerimi që bën  Stan  Knight  se kodi ynë  ishte pjesë e kodit Saturnalia.   Janë të gjitha mundësitë që ai të qëndronte edhe si kod më vehte edhe pse të dyja kodet janë shkrojtur nga e njëjta dorë e në të njëjtin vit.  Mirëpo paraqitja në minaturë e shkruesit në faqen e parë që i dhuron kodin një princi të ri e bën atë si njësi të pavarur dhe në se do të kishte qënë  një shtojcë e kodit Saturnalia  minatura me shkruesin  do të ishte vendosur në krye të këtij kodi që është realizuiar disa muaj para kodit tonë.  Mëtej del problemi si  u bë e mundur  që ky imazh të kalonte në formën e grafikës në vepra e Marin Beçikemit (ndryshe Barleti )de Vita et Gestis Scanderbegi ?   Marin Barleti (d.m.th. Beçikemi)  e mori atë nga  Raffaele Maffei Volterano-n(1451-1522), nga Petro Ëngjëlli(1444-1511 ose 1512) apo nga nipi i Skëndërbeut Ferante Kastrioti?

Në se kodi mbeti si trashëgim  i Raffaele Maffei  Volteranos  vetë emri i tij i lidhur me ketë kod do të ishte një farë garancie për vërtetësinë e shëmbëlltyrës së Skënderbeut. Ai qysh në moshën 17 vjeçare më 21 mars 1468 u emërua nga papa Paolo II scriptor apostolicus pra gati 2 muaj pasi kishte vdekur Skënderbeu duke zënë këshu vëndin e të jatit të tij  Gherardo  di Giovani Maffei(1408-1466) i cili ju kishte shërbyer katër papëve qysh nga koha Eugenio-s IV.  Pra bashkëkohës dhe gati bashkëmoshatar me Skënderbeun.

Me qënë  se kodi Saturnalia mbant stemën familjare të Maffei-ve dhe dy kodet janë identikë e të shkrojtur nga i njëjti shkrues lindi ideja se  edhe kodi ynë që është datuar më 1465 mund t'i jetë  dedikuar të jatit të Volterano-s. Hulumtimi në këtë pikë mund ta konsiderojmë akoma të hapura. Ndërkohë shihet  qartë që kemi të bëjmë me  një familje në poste kyçe në kurien Romane  e cila  ishte gati vazhdimisht e informuar për atë që ndodhte në Ballkan e në Shqipëri. Është pikërisht Raffaele Maffei ai që deklaronte në veprën e vet Commentarii (Komentarët-1506)  se Skënderbeu pasi u kthye nga Roma...thuhet se vdiq i helmatisiur  për më tepër në shkrimiet e tij ndjehet atmosfera e një njohje nga afër e familjeve fisnike shqiptare të dëbura nga turqit dhe të vendosura në  Romë përmbledhur këtu të vëllanë e Donikës,  Kostandin Arianitin  të cilin Maffei  e njihte nga shumë afër e nuk  kursehet të shprehë konsideratat më të larta.  (Shih: Noli: Vepra 4, ff. 448-450).

Në botimet e ribotimet gjermane të Historisë  së Skëndërbeut si kofermim  i vërtetësisë të Barletit shtohej  gati gjithmonë edhe shkrimi i Volteranos. Ato ishin të mbushura gjithashtu me shumë grafika që të ilustronin jetën e veprën e Skëndërbeut e botoheshin gati gjithmonë me portretin e tij. Një sërë grafistë të shquar si Jörg Breu -Plak, Jörg Breu i Ri, Hans Weiditz, Aman Jost  kontribuan në iliustrimin e  këtyre veprave.

Në Venedik një gjë e tillë  as që  duket gjëkundi e vetëm  më 1584 në veprën e të ashtuquajturit Dhimitër Frëngu, mbasi ishin bërë 10 botime të saj,  shfaqet një portret i Skënderbeut  ndërsa Pietro Rrocca që bëri përkthimin e veprës së Skënderbeut në italisht edhe pse realizoi katër botime të kësaj vepre (1554, 1560, 1568, 1580) në asnjë rast nuk vuri në ato ndonjë imazh të Skënderbeut. Ja pra ambienti romak dhe ai venecian ndryshonin krykëput nga njëri tjetri në raport me Skënderbeun.

Duket disi i çuditshëm fakti që portreti i Skënderbut ju bashkangjit një kodi dorëshkrim  në atë kohë  i konsideruar prej të gjithëve si “antik”  që fliste për  funksionimin e  instiucioneve shtetërore të Romës antike. Mbi konfliket mes albanëve prehistorikë dhe romakëve...Mirëpo jetohej në periudhën e lulëzimit të rilindjes evropiane, të ringjalljes të traditave,  historisë e zakoneve para kristiane. Të gjithë synoni të gjenin apo të krijonin lidhje me antikitetin i cili në mentalitetet e humanistëve të kohës  ishte tepër i idealizuar. Vetë familja e papa Piut II në Siena e mbate vehetn me origjinë nga heronjtë trojanë dhe për këtë arsye të birit ja vunë emrin Enea pra Enea Silvio Piccolomini vetë papa.  Kastriotasit në Napoli nga linja e Vrana Kontit e mbanin vehten për pasardhës nga mbretërit  e maqedonisë Antogoni dhe nga Piroja i Epirit. Ndërsa  Volterano do të shkruante se Skënderbeu..qe një burrë që pa pikë dyshimi, ishte një pasardhës i denjë i Pirros dhe mbante me të drejtë emrin Aleksandër. Kështu kur humanisti ynë Marin Beçikemi  paraqiti  veprën e Historisë të Skëndërbeut me ballinë nga  historitë  romake apo kur flet për lashtësinë e albanve nuk është një dalldisje e çastit  por mentaliteti i rilindjes evropiane kundrejt figurës së  Skënderbeut të cilin e lidhnin  edhe me albanët e Romës  Ishin pikërisht  Selia e Shënjtë ku emri i Skënderbeut ariti kulmin e lavdisë së tij sidomos gjatë papatit të Piut II i cili do ta caktonte jo vetëm si komandant të gjithë fushatës kundra turqve por deshta ta shpallte edhe mbret. Ja pra  një mbret sipas mentalitetit të kohës nuk mund të bënte pa  kodin  de Romanorum Magistratibus dhe nuk është çudi që një kopje t'i ishte dërguar apo pregatitut  posaçërisht  për Skënderbeun.  Humanistët e shquar në Romë që ishin shumë të lidhur me Selinë e Shënjtë e shikonin Skënderbun më shumë si një Orazio Coclite që ju ndërpret etruskëve  kalimin mbi urën (Sublice) në rastin tonë përparimin e turqve drejt Evropës  se sa si  Kryqëtarin  që do të shkonte të çlironte Varin e Krishtit. Por edhe Skënderbeu vetë  para princit të Tarantos e shpallte vehten një pasues  i Piros  e Aleksandrit të Madh  kur ndërkohë ishte edhe një mbartës i kulturës së lashtë ilire pellazge me  legjendën e Lejdës  mbi  vulën e tij sekrete. Rilindja  evropiane nuk kishte lënë pa prekur edhe  trojet shqiptare.

Në pozitat që Skënderbu  projektohej  në planet e Kalisit III dhe të papa Piut II Selia e Shënjtë  nuk mund të bënte pa një imazh të vërtetë të  Skënderbeut pa një kod institucional të mbretërimit të tij. Kështu kodin e Houghton Library MS.Typ 496 duhet ta konsiderojmë si kopjen dhe si  provën e ekzistencës të një tjetër portreti mbasi  në nëntor të vitit 1465 Skënderbeu nuk ka qënë në Romë dhe pregatitjet  për mënyrën e organizimit shtetëror kastriotian sipas modelit të Romës antike  apo përkujdesja  për  imazhin e tij duhej të  ishin siguruar  shumë më parë se nëntori i vitit 1465 mirëpo rrota e historisë për shqiptarët shkoi në një drejtim tjetër.


Firenze 11.X.2014

(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: