Çeliku: Rama tundi ''rrjetën sportive'' në Beograd
| E Merkure, 12.11.2014, 09:14 PM |

RAMA TUNDI “RRJETËN SPORTIVE” NË MES TË BEOGRADIT

NGA KALOSH ÇELIKU

Ditë më parë kur nga qielli i Beogradit në stadiumin “Partizani” zbriti “droni” me simbolin e flamurit shqiptar dhe me dy Baballarët e Kombit: Ismail Qemali dhe Isë Boletini, lojtarët e të dy skuadrave sportive kundërshtare, iu sulën “dronit” e jo “topit” të Mitroviq që e kapi për fyti me të dyja duart “patrioti” serb. Edhe kamerat televizive u përqëndruan te “droni sportiv”, topi mbeti në mes të fushës si kungull Stambolli. “Patriotët kuqezi”: “Ballisti” i Prishtinës, “Shferceri” i Shkupit dhe “vëllai” i Edi Ramës (sipas mjeteve të informacionit të Beogradit) u turrën me të katra se, kush e zbriti i pari “dronin” pa pilot me baballarët e kombit shqiptar në stadiumin e Beogradit?!

Analistët e dy shteteve “mike”, gjatë kohë u morën me “dronin” politik, që ateroi papritmas në satadiumin e Beogradit. Ndonjëri duartrokiti, falë Zotit që droni nuk zbriti një ”bombë atomike” në mes të stadiumit. E pak veta u morën me vizitën e kryeministrit shqiptar, z. Edi Rama. Askushi nuk e parashikoi “skandalin politik”, që mund ta bënte ky kryeministër me “vëllain” tjetër për nga babai para kamerave televizive në Beograd: Shpallë Pavarësinë e Kosovës: “Kosova e pavarur është tashmë një e vërtetë e pamohueshme.” Deklaratë e cila u cilësua si provokim nga kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, i cili në fund të konferencës nuk ia dha dorën kryeministrit shqiptar.

Arsye e plotë kjo e një “kurbani” politik, për të cilën pati të drejtë Edi Rama për pajtimin e të dy shteteve të armiqsuara me shekuj. Realitetin e hidhur, që ua përplasi në sy serbëve. Politika nuk ka moral, sinqeritet e as besë. Moti kohë. politikës shqiptare i ka munguar eksponenti i politikanit “guximtar”, Edi Rama. Ende i kemi të freskëta storiet filmike të Luftës së fundit në Kosovë (1998/99), dhe dëbimin e një popullate, masakrimin e mijëra të tjerëve dhe dhunimin e grave dhe vajzave te pragu i Shtëpisë. Kafshatë e mykur serbe të cilën me zgjatjen e dorës të dy kryeministarve duhej t’i mbyllë sytë dhe ta kapërdijë populli i Kosovës. Shteti i pavarur, që deri më tani e njohën 108 vende të ndryshme të botës, dhe e mbështeti edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, por ja që ende nuk do ta njohë Serbia. Xhadia, që ende i ka duart e përlyera deri në bërryla me gjak shqiptari. Përmëtepër, edhe ende nuk do t’i lajë para syve të botës me “sapunin” politik, në mes të Ballkanit. Popullit të Kosovës t’i kërkojë falje publike. Veprim politik, të cilin vështirë se do ta pranonte ndonjë popull tjetër historik, përveç popullit shqiptar. “Armëpushim” të cilin Ballkanin ende e mbanë të qëndrueshëm, nuk ia ka vënë flakën. Vite e shekuj duke e pritur Europën ta përmisojë veprën më të rëndë historike ndaj popullit shqiptar, atë që nuk e bëri deri më sot lufta, së paku ta bëjë politika.

Përmëkeq, deklaratën e Edi Ramës e mori si provokim?! Eksplodoi para kamerave televizive me parulla të vjetra shoveniste e nacionaliste: “Unë nuk do t'ia lejoj askujt që ta ulë Serbinë këtu në mes të Serbisë. Më vjen keq që zoti Rama ka shfrytëzuar këtë rast që të flasë për tema që nuk kemi rënë dakord se do të flasim. Serbinë nuk duhet ta ulë askush.” Përgjigje e cila nuk do të vonojë edhe nga kryeminstri shqiptar, z. Edi Rama: “Për sa i takon Kosovës, unë besoj se realiteti mbetet një dhe një i pandryshueshëm, pavarësisht përcaktimeve të ndryshme dhe mosdakordësisë së plotë që kemi lidhur me këtë realitet. Ne nuk mund të na pengojë që me njëri-tjetrin të bashkëpunojmë sepse rruga e secilit prej nesh, Shqipërisë, Serbisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnjës është një korsi në rrugën e përbashkët të Integrimit Europian. Sa më seriozë të jemi ne, aq më seriozisht do të na marrë Europa dhe kjo është një sfidë e përbashkët mes nesh.” Padashtas, zbuloi nën hi shpuzën e Vuçicit, se: “Qëndrimi ynë ndaj Kosovës është i pandryshueshëm, që Kosova është pjesë e Serbisë. Por është e bukur që të flasim, në ato që t'i themi njëri-tjetrit, sy më sy se çfarë mendojmë.”

Takimi politik kokë më kokë në Pallatin “Serbia”, mes kryeministrit të Shqipërisë dhe Serbisë, që ishte parashikuar të zgjasë 30 minuta, por në fakt zgjati 40 minuta, përfundoi pa asnjë shenjë buzëqeshje mes dy liderëve, madje pa e parë as në sy njëri-tjetrin si politikanë. Takim i cili paralajmëroi një dimër të ashpër politik në Ballkan, që i duhet edhe gjatë kohë këto dy popuj t’ia shtrinë njëri – tjetrit dorën e pajtimit.

Padyshim, përsëri qe një “fitore” e Edi Ramës. Vërtetë, “Çelësin e Beogradit”nuk ia dha Serbia, por “Qytetar nderi” njëzëri e shpalli Presheva. Populli shqiptar e duartrokiti për “guximin” në mes të Beogradit. Thaçi i Tetovës e ndjeu veten “krenar me qëndrimet e Ramës në Beograd”.  Adem Demaçi ia rrahu krahët: “ I lumtë Edi Ramës!” Qosja: “Rama u dëshmua në Beograd si lider i rajonit”. Punemadhe, që Presidenti i Republikës Serbisë Nikoliq e shpalli të “papërgjegjshëm” dhe nuk deshi të takohet me të si politikan dhe “ëndërrues i Shqipërisë Madhe”. Deklarata politike e Ramës e hidhëroi edhe ministrin e jashtëm serb, Ivica Daçiç, por i gëzoi shqiptarët anembanë Atdheut dhe miqtë ndërkombëtar. Deputeten e Parlamentit Europian, Tanja Fajon, që vizitën e kryeminstrit Rama e përgëzoi si, “hap të guximshëm për të ardhmen e rajonit”.

Vallë, a nuk ishte kjo ajo “bomba atomike”, që e parashikoi presidenti i UEFA -s Michel Platini?! Me siguri se, po. Dallimi, përderisa ende nuk dihet se kush e zbriti  “dronin” nga qielli në stadiumin “Partizani”: “Ballisti” i Kosovës, “Shferceri” i Shkupit, apo “vëllai” i Edi Ramës, “dronin me bombën politike” në mes të Beogradit e lëshoi Edi Rama. Kryeministrat e të dy shteteve, as nuk ia zgjatën dorën e pajtimit njri - tjetrit si politikanë, por i frynë zjarrit edhe më tepër në Luginën e Preshevës. Vizita e Edi Ramës në Preshevë u pritë me arrestimin e pronarit të kompanisë “Rrufeja”, punëkryesit e kësaj kompanie dhe nga Këshilli Organizativ i Komunës të Preshevës, Ilir Sadriu, që ishin të angazhuar  për vendosjen e flamujve shqiptar nëpër rrugët e qytetit.

Arrestime për të cilat ka reaguar edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama: "Të kapesh me flamurin e tjetrit do të thotë të mos çlirohesh dot nga hija jote”. Edhe pse, goli që duhet dhe pritej që ta japë Edi Rama në Tiranë, kësaj radhe ndodhi në Sheshin “Liria” (Pallatin e Kulturës), në Preshevë. E tundi “rrjetën sportive” të Serbisë.

Thashë: Rama “dronin” e Beogradit do ta zbresë në Tiranë…



(Vota: 61 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: