Drita Lushi: Plaçi se na plasët
| E Merkure, 12.11.2014, 10:00 PM |

PLAÇI SE NA PLASËT

- Rreth panairit të librit-

NGA DRITA LUSHI

Të kërkoj ndjesë Zoti im, që përdor këtë fjalë qysh në krye të shkrimit.

Shpresoj të më kuptosh Ti të paktën; Madje jo vetem të më kuptosh, por madje dua të më ndihmosh në hallin që kam.

Halli që kam, ështe më i vogli për njerzit dhe botën, por për mua është i madh.Leqë nuk dua ta quaj hall, jo!

Po e quaj problem, e problemet janë më të këqija akoma, se ato i krijojne njerzit.

Kisha vendosur me gëzimin që më karakterizon të shkoja në Panairin e Librit që bëhet në Tiranë, të merrja ca para në portofol se s’mund të kaloja përpara autorve miq dhe jo miq, pa i begenisur , pa një përshëndetje e pa u blerë librin.Se që thua ti Zoti im, këtu tek ne, shpirti mendja dhe koha po falen ose po ngelen rrugëve.E kam fjalën per librat, pra.

Por gëzimi ishte më i madh se do paraqisja dhe librat e mij të fundit,në këtë panair.Është i vetmi vend ku edhe nëse nuk i blen njeri librat, të paktën nuk shkilen, të paktën shihen…

Por do Ti, që shtëpinë botuese “ADA”,ku kam botuar librat unë dhe shumë autorë të tjerë, e krijuar qysh në vitin 1999, s’e pranuan në këtë panair, me gjithë të drejtën e pamohueshme për të qenë dhe ajo pjesëmarrëse ashtu si simotrat apo sivëllezërit e saj???

Unë e di  fort mirë se nuk i pasuron autorët shitja e 10,20,30, a më shumë librave, e di.

E shumta do shtynin një muaj të mirë me ato para(flas për ata që s’punojnë) dhe ata që punojne ca fundjava të bukura për frymëzime të reja.

Eh mor Zoti im!

Se qasën atë shtëpi botuese Brenda mureve te paepura të panairit, a thua se ajo s’kish libra, e ne që botojme aty  s’jemi njerëz, nuk shkruajmë, nuk lëndohemi dhe nuk zhgënjehemi.

Te lutem të më kuptosh ti të paktën, se rrokopuja që ndodh këtu nuk besoj të shkokolepset lehtë.

Dheeeee e di Zot?

Nuk është e para herë, që ndodh kjo.

Si unë ka dhe shumë autorë të tjerë që kishin shpresuar shumë tek ky panair libri që zhvillohet çdo vit në kryqytetin tonë të dashur që i thonë Tiranë.Për çfarë?

Thjesht që të paraqiteshin me librat e tyre;

Por jetojmë aty ku ca, kanë dy nëna, e ca, janë jetimë.

Kush do i zgjidhë këto padrejtësi Zot, e nëse jo robt e njerzit kush tjetër? Tek kush të shpresojmë Zot që të mos na vrasin shpirtin,kohën dhe zemrën që kemi vënë në ato libra, nga ca njerëz meskinë, të allishverisheve dhe të padrejtësive?

E, nuk besoj se është një emër i përveçëm që luan me ne.

E, nuk është hera e parë që ndodh.

E, nuk jam e vetme që ndihem kështu.

Pra më kuptove  pse përdora atë fjalë mallkuese?Eshte e vetmja barrierë që mund të përmbajë duhmën e zemërimit që vjen nga një shpirt i zhgënjyer.

Është hera e parë Zot që e përdor një fjalë mallkuese, por më vjen keq se duhet të të them se nuk ta jap fjalën, që do jetë e fundit.

Zotërinj organizues të këtij panairi, s’më mbetet veç t’ju them :

PLAÇI SE NA PLASËT.


12 nëntor 2014

(Vota: 13 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: