Murat Gecaj: Zef Mulaj - ''Lumenj ëndrrash''
| E Marte, 28.10.2014, 07:31 PM |

Dr.ZEF MULAJ: PËRURON LIBRIN POETIK, “LUMENJ ËNDRRASH”, ITALISHT

Nga: Murat Gecaj

 Këto ditë, në sallën “Biageti” të bibliotekës së qytetit Porto Recanati, Ankona-Itali, dr. Zef Mulaj, poet e shkrimtar dhe studiues në farmaceutikë, përuroi librin me poezi “Pieni di sogni i fiumi” (Lumenj ëndrrash). Ishin të pranishëm lexues të profesioneve të ndryshme, shumica italianë, poetë e shkrimtarë dhe studiues. Morën pjesë edhe kryetarja e Bashkisë së qytetit, Av.Sabrina Montali, punonjës të administratës shtetërore e private vendore.

Rreth përmbajtjes së këtij libri foli prof. Lino  Palanca, publicist, shkrimtar  e studiues. Në librin e autorit shqiptar, dr.Zef Mulaj, ai evidentoi vlerat letrare, kulturore, shoqërore e politike. Në poezitë e tij trajtohen  çështje me rëndësi të periudhës aktuale, që përjetojmë, të cilat janë, gjithashtu, shqetësim i politikave ndërkombëtare.

Në përurim e mori fjalën edhe kryetarja e Komunes,  znj.   Sabrina Montali, e cila e vlerësoi punën e këtij autori shqiptar, si studiues e poet, që jeton e është përshtatur mirë në mjedisin italian. Ajo nënvizoi se, ndër të tjera, dr.Zef Mulaj është një krijues me vlera letrare, kulturore e shkencore.

Pastaj, përurimi vazhdoi me recitimin e disa poezive të këtij vëllimi, nga poetja dhe aktorja e njohur, Aida Angjelici. Ndërsa në kitarë luajti mjeshtëri Antonio Ascolese.

Në mbyllje, dr.Z.Mulaj i falënderoi përzemërsisht, si folësit dhe gjithë pjesëmarrësit në këtë veprimtari mbresëlënëse.

Pjesë e kësaj ngjarjeje kulturore ishte shpërndarja dhe nënshkrimi nga autori i një numri të konsiderueshëm librash, për lexues të interesuar. Ata e përgëzuan atë,  si për këtë botim të ri dhe për botimet e mëparshme të tij, në poezi e prozë dhe në fushën e shkencës farmaceutike.


Tiranë, 27 tetor 2014

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: