Don Lush Gjergji: Papa Pali VI
| E Enjte, 16.10.2014, 06:55 PM |

Papa Pali VI (1897 – 1978)

Nga Don Lush GJERGJI

Giovanni Battista Montini u lind në Concesio (Brescia)  në vitin 1897, në një familje të mirë intelektuale katolike, besimtarë të angazhuar në veprimet baritore të Kishës. U bë meshtar në vitin 1920. Më pas vazhdon studimet dhe doktoron në filozofi, drejtësinë kishtare dhe atë civile. Pastaj ndoqi edhe disa seminare në Akademinën Papnore për diplomat të Selisë së Shenjtë. Ishte intelektual i dalluar, shumë i ngritur dhe mendimtar i thellë, kështu që tërë jetën punoi rreth kulturës së përgjithshme njerëzore dhe asaj të krishterë.

Dëshiroi t’i kushtohet pastoralit famullitar, shërbimit të përvuajtur meshtarak, mirëpo planet e Zotit ishin tjera. Gati menjëherë pas përfundimit të studimit qe dërguar në Poloni, në Varshavë, në Nunciaturën Apostolike. Pas kësaj përvoje diplomatike qe ftuar në Sekretariatin Shtetëror të Vatikanit. Në këtë punë askurrë nuk qe udhëheqës i ndonjë seksioni, por meshtar i vërtetë dhe, sa herë që e kishte të mundur, është angazhuar me shumë gëzim në pastoral, në veçanti me rini, në rrëfime, predikime, në takime me botën e thjeshtë e të varfër.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore i ndihmonte të mjeruarve, mori pjesë në kërkimin e personave të zhdukur, të lajmeve dhe ndihmës për të gjithë, në shpëtimin e të plagosurve dhe të rrezikuarve. Tashmë në Romë ishte familjarizuar mirë në punët diplomatike dhe pastorale, gati në studimet e përhershme, ku kishte krijuar shumë njohje dhe miqësi.

Si njeri i mendimeve, studimit, leximit, brendësisë, kulturës, përvujtërisë dhe thjeshtësisë, pakëz i mbyllur dhe përmbajtur në veti, shumë i sofistikuar, i dashuruar në filozofi dhe teologji, krijoi rrethin e vet të miqve dhe të njohurve.

·     NJERI I KISHËS DHE KULTURËS

Atë Hämingu për te thotë: “Ka pak njerëz të Kishës që kanë lexuar aq sa Pali VI”. Deri sa lexonte, ai meditonte, nënvizonte shprehjet, mendimet, përmbajtjet e rëndësishme. Sipas dëshmisë së kardinalit Sergjo Pigndollit ai kishte në duar katër vëllime dorëshkrimesh të ushtrimeve të tija shpirtërore. Ishte shumë i dhënë pas jetës së përshpirtshme, në meshtari.  Pas përfundimit të punës ditore në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, thuajse gati rregullisht, çdo mbrëmje lexonte, shkruante, përkthente, përgatiste predikimet, takimet, u informonte në përgjithësi mbi ngjarjet në Kishë dhe në botë. Kishte njohuri  të mira në shumëçka, thuajse gati në gjithçka. Në dialogim me të tjerët dinte të dëgjonte, të mësonte, të këshillonte. Mbi të gjitha përcolli jetën e Kishës në pjesë të ndryshme të botës.

Giovanni Battista Montini ishte njeri i „kulturës meditative“, siç thoshte atë Dezza, dhe pikërisht për këtë si papë kishte dëshirën e përhershme për dialog konstruktiv me kulturën bashkëkohore, me Kishat e ndara, me të gjitha religjionet e botës.

Mbi të gjitha ishte njeri i Zotit, apo siç thoshin disa miq të tij, “miku i Zotit”, meshtar i vërtetë, i kushtuar Hyjit, Kishës, në të mirë dhe shërbim të gjithëve. E donte thirrjen meshtarake dhe e jetoi besnikërisht, me përkushtim dhe gëzim  të plotë.

Sipas bashkëpunëtorit dhe miku të tij të ngushtë; kard. Sergjo Pignedollit, figura e papës Palit VI nuk mund të përshkruhet, sepse ishte jashtëzakonisht i pasur shpirtërisht, jashtë çdo kornize dhe shembulli. E donte dhe nderonte çdo njeri dhe me entuziazëm ishte interesuar për fatin e njeriut dhe njerëzimit. Kishte dëshirë të thoshte se Kisha,  të gjithë ne, duhet të jemi “ekspert në njerëzi!”.

Shpeshherë të tjerët nuk e kanë kuptuar sa duhet, ose e kanë keqkuptuar dhe interpretuar gabimisht. Ai e ka bartë edhe atë kryq gati gjatë tërë jetës së tij, dhe nuk është mbrojtur, arsyetuar…

·     NGA SEKRETARIA E SHTETIT - ARQIPESHKËV I MILANOS

Montini ishte i befasuar, me emërimin për arqipeshkëv të Milanos, një ndër ipeshkvijtë e rëndësishme të Italisë dhe të botës, në zemrën e industrisë dhe pasurisë së Italisë veriore. Shumëkush ka menduar, ndoshta edhe ka thënë: “Diplomati Vatikanas – arqipeshkëv i Milanos!?” Ai kurrë nuk aspiroi për lavd apo pozitë të lartë kishtare, mirëpo ishte njeri i përgatitur për të zbatuar vullnetin e Hyjit, ishte i dëgjueshëm ndaj Kishës. Pranoi detyrën e re si të rëndë, delikate dhe kërkuese, mirëpo njëkohësisht edhe si dërgim të madh, duke llogaritur mbi të gjitha  në ndihmën e Hyjit.

Si arqipeshkëv së shpejti filloi punën pastorale me stil të ri dhe kujdesin e veçantë për familje, punëtorë, për rini, për njerëzit e kulturës, për “Aksionin Katolik”, për solidaritet me të varfër.

Shpeshherë e me kënaqësi vizitonte famullitë e qytetit të Milanos, periferinë, për të parë – njoh – përjetuar personalisht kushtet e jetës, për t’u takuar me njeriun – besimtarin konkret në mesin e tij të jetës dhe të punës. Bashkëpunëtorëve të vet iu thoshte:” Bota është larg Zotit, Kishës. Për këtë është detyra e jonë t’ia afrojmë Zotit dhe Kishës me shembullin tonë, me kujdesin tonë pastoral, me çiltërinë tonë ndaj të gjithëve. Vetëm dashuria do të tregojë rrugën e vërtetë për të arritur deri te njeriu i sotëm, pavarësisht se ku ai jeton, punon, mëson, deri te njeriu konkret…”.

Shumëkush, duke parë angazhimin e tij të gjithanshëm në veprimtaritë pastorale, në kërkim të rrugëve dhe strategjive të reja të botës industriale dhe postindustriale, thoshin se është “kthyer” “Schusteri i dytë ”, duke aluduar në paraardhësin e madh të Montinit, një figurë e madhe dhe shenjtë e Kishës së Milanos.

Kështjella themelore e kardinal Giovanni Battiste Montinit, ishte dashuria ndaj Zotit dhe të afërmit, apo, siç thoshte ai: “dija për të dashur” për të “mos mbetur të përjashtuar dhe të vetmuar”. Me një rast u foli miqve të tij në Milano mbi vuajtjen e vetmisë dhe të vetmuarit, që ndonjëherë din të shndërrohet edhe në “momente ankthi”. Gjatë një bisede me Pignedollin në vitin 1962 ai tha: “Unë gjithë e më tepër po ndihem i vetmuar, gjithë e më tepër ndiej i braktisur nga njerëzit, sepse këta miq (fliste për miqtë e tij të vdekur, vr. ime) më ishin sikur urë.”

·     PALI VI – APOSTULLI I RI I BOTËS

Pas vdekjes së papës Gjonit XXIII, në një konklavë mjaft të shkurtër qe zgjedh për Papë kardinal Giovanni Battista Montini (21 mars 1963). Mori emrin Pali VI për t’i përngja sa më tepër apostullit të madh të popujve, Shën Palit.

Menjëherë pas zgjedhjes, tha: “Pjesa më e mirë e pontifikatit tonë do të jetë kushtuar vazhdimit të Koncilit të Dytë të Vatikanit, nga i cili të gjithë njerëzit vullnetmirë presin shumë… Paqa nuk është vetëm mungesa e luftës, por jeta në drejtësi dhe në dashuri… Kujdesi ynë pastoral do të jetë i drejtuar kah vazhdimi i veprës së madhe të paraardhësit tonë të madh Gjonit XXIII  – arritja e bashkimit.”

Pali VI tentoi që me vazhdimin e Koncilit në të gjitha mënyrat t’i shërbente Zotit, Kishës Katolike, gjitha Kishave të krishtera, botës mbarë. Përmes veprimtarive të ndryshme baritore, enciklikave, përmes takimeve dhe dëshmisë dëshironte të jetë, dhe ishte Urë – Urëndërtues – Pontifex mes Zotit dhe njerëzve, mes Kishës – Kishave dhe botës.

Shpeshherë ishte i lënë pasdore, i braktisur, sulmuar, i përjashtuar, i keqkuptuar dhe keqinterpretuar…Me dhimbje të madhe në zemër thoshte: “Ne shikojmë botën me simpati të madhe, mirëpo fatkeqësisht, bota këtë nuk po e vëren.”

Vuante për dashurinë ndaj të së vërtetës, për njeriun, për Kishën, të cilën e deshi aq shumë me tërë qenien dhe afshin e vërtetë të tij.

Kisha është Nënë dhe Mësuese e të së Vërtetës së shpallur, e dhuruar jetës, dashurisë të cilën duhet dhuruar të gjithëve, siç e shprehu Pali VI në enciklikën “Ecclesiam suam”, duke i dhënë Kishës drejtim, program, lartësim shpirtëror, si model njerëzor të cilin duhet kultivuar  në dimensionet e gjithmbarshme dhe për të mirën e të gjithë njerëzve. Pikërisht për këtë, shumëkush atë e ka definuar si “Papa i dialogut”.

·     DIALOGU SI DËRGIM

Për të pasur mundësi që të zhvillohej sa më mirë ky dërgim i madh, i dialogut mes të krishterëve të përçarë dhe të ndarë, si dhe mes feve të ndryshme në botën e sotme, në mënyrë sistematike dhe të vazhdueshme, Papa Pali VI themeloi “Sekretariatin për Jobesimtarë”,Sekretariatin për Bashkimin e të Krishterëve”, si dhe “Justitia et Pax”, “Cor unum”, Sinodin Ipeshkvor, dhe po ashtu zgjeroi edhe kolegjin e kardinajve.

Ai udhëtoi thuajse në të gjitha pjesët e botës, që të nxiste dhe përhapte dialogun, që ta bënte Kishën sa më të pranishme në botë, që të “forconte vëllezërit në fe”. Dialogu përbëhet në promovimin e vetëdijes, nderimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellët kudo të jetë e mundur kjo, për të pasur mundësinë që bashkërisht ta realizojmë një botë më të drejtë dhe më të mirë.

Në hapjen e pjesës së dytë të Koncilit tha: “Çka na përket neve, ne jemi të gatshëm për faljen e çdo lloj gabimi apo lëndimi, por edhe të kërkojmë falje. Ati ynë qiellor le ta pranojë në mirësinë e tij këtë deklarim dhe në mes nesh le të mbretërojë paqja vëllazërore… Neve edhe më tutje do të punojmë për të dhënë shembull të mirë të jetës dhe dashurisë së krishterë. Edhe nëse ngjarjet nuk do të mund t’i përgjigjen pritjeve tona, ne do të ngushëllohemi me fjalët e Zotërisë: s’ka gjë të pamundshme për Hyjin” (Lk 1, 37).

Për Dashurinë asgjë nuk është e pamundur. Për këtë Pali VI thoshte: “Le të hapen kufijtë e dashurisë… Ne do t’i duam të gjithë me dashurinë e Zemrës së Jezusit.”Në kërkim të paqes, të ballafaqimit me problemet e botës së sotme, në kërkim të bashkimit mes të krishterëve dhe në dialog me të gjitha religjionet, ishte i palodhshëm. Publikoi enciklikat: Ecclesiam suam, Mens maior, Mysterium fidei, Populorum progressio, Sacerdotalis coelibatus, Humanae vitae, Evangelium muntiandi.

Themeloi Ditën Ndërkombëtare të Paqes,  më 1 janar për çdo vit: ishte shumë i angazhuar rreth Vitit të Shenjtë 1975 me kremtime të ndryshme nacionale dhe ndërkombëtare.

Dashuria për njeriun konkret, për Kishën e Krishtit, ishte kontributi i tij i madh. Patriku Ekumenik Atenagora I e përshkoi atë si “Pali II”, pas Shën Palit, apostullit të botës.

“Pontifikati 15 vjeçar i papës Palit VI, nuk ishte i lehtë, sikur as problematika bashkëkohore e botës dhe Kishës”  kështu vlerësoi një gazetar i të përditshmes “Il Tempo”.

Për lëvizjen ekumenike Pali VI thoshte: “Askurrë nuk do të lodhemi së foluri se rruga të cilën duhet kaluar është e gjatë dhe  e rëndë.”

Kardinali Franz König, arqipeshkvi i famshëm i Vjenës, duke vlerësuar pontifikatin e Palit VI tha: “Ishte njeri i zhvillimit e jo revolucionit, njeri i përparimit, e jo i ngutësisë së verbër… Ai ishte Papë ekumenik, por mbi të gjitha Papë i paqes. Si i tillë, do të hyjë në histori papa Pali VI”.

Atenagora I tha: “Unë papën Pali VI e quajta Pali II, për të pasur mundësi ta krahasoja me Apostullin (mendon në Shën Palin, vr ime). Të dy ishin shtegtarë dhe lajmëtarë të Ungjillit të gjithë popujve… Ai është profet i madh i së ardhmes… Unë isha gjithmonë afër papës Palit VI…”.

Pali VI, vuajti shumë, shkaku i përndjekjeve brutale të të krishterëve në vendet komuniste të Lindjes. Bashkë me kardinalin Agostino Casarollin, ishte krijues i Ostpolitikës (politikës Lindjes, Ost=Lindje), që do të thotë i politikës së dialogut edhe me regjimet komunisto-ateiste, me qëllim që të krijohet së paku një hapësirë minimale e lirisë për Kishën e heshtjes. Për shkak të këtij disponimi. guximi dhe kujdesi të përhershëm të tij, disa e quajtën “Papa i të drejtave të njeriut”.

Në Vitin 1965, foli në Selinë e  Kombeve të Bashkuara mbi paqen, çarmatimin, varfërinë, mbi marrëdhëniet e reja ndërkombëtare. Fjalimin e tij e përfundoi me këto fjalë: “Kurrë më luftë!”

Mbi mbrojtjen e jetës, si dhuratë të Hyjit dhe prindërve, dhe kundër dështimit dhe mjeteve kontraceptive, publikoi enciklikën „Humanae vitae“, e cila kishte shkaktuar shumë shqetësime, mospëlqime, bile edhe kritika të hapura edhe përbrenda vetë Kishës. Mirëpo, ai i mbetet besnik Zotit, Kishës, vetvetes, edhe me çmimin e vuajtjes, shpeshherë i vetmuar dhe i braktisur nga shumica. Sot, pas një distance kohore, shumëkush në Kishën Katolike, në Kishat e ndara dhe në botë, përsëri zbulojnë personalitetin e madh të Papës Pali VI, mendimtarit, njeriut të lutjes, fesë, vuajtjes, guximit, thellësisë teologjike, të dialogut dhe dashurisë ndaj të gjithëve.

Në momentet e errësirës dhe ankthit për Kishën dhe botën, ai diti të qëndronte pranë timonit të anijes së Pjetrit, të jetë shenjë, Vëlla, Atë i të gjithëve, pa farë pompoziteti apo popullariteti të rrejshëm, por në qetësi, uratë, pendesë, që ta drejtonte njerëzimin kah e mira dhe e mbarja. Me tërë zemrën e tij i shërbeu Zotit, Kishës, botës. Vuajti shumë, mirëpo gjithmonë me dashuri dhe për dashuri. I qetë pushoi në paqen e Zotit në Castelgandolfo  në vitin 1978.

·     Papa Pali VI dhe e Lumja Nëna Tereze

Papa Pali VI ka përcjell me vëmendje, kujdes dhe dashuri atërore jetën dhe veprën e Nënës Tereze. Ja vetëm disa dëshmi dhe hapa konkret në këtë kuptim dhe drejtim. Deri sa shumë njerëz të Kishës, si dhe jashtë saj, nuk mund ta kuptonin karizmën e veçantë të Nënës Tereze, dashurinë flijuese dhe dhuruese për Zotin dhe Njeriun, pa kurrfarë dallimi dhe përjashtimi, Papa Pali VI pati mirëkuptim dhe përkrahje të plotë për Nënën Tereze, nëpërmjet saj, si thoshte ai “për veprën e Zotit”.

Do të mbes në histori vizita e tij baritore Indisë (1964), me rastin e Kongresit Eukaristik. Gjatë ditëve 3-6 dhjetor 1964 ishte Kongresi Eukaristik në Bombay, me pjesëmarrjen e Papës si dhe të Nënës Tereze. Përshtypja e Papës për jetën dhe veprën e saj ishte aq e madhe, tronditëse, sa që vendosi t’ia dhuronte automjetin  personal “Cadillac” me të cilin kishte lëvizur dhe udhëtuar në Indi me këtë motivim: “për t’i ndihmuar asaj në dobi dhe në të mirë të të varfërve”. Nëna Tereze e qiti këtë automjet në Loteri të Indisë dhe  fitoi mjaft para, kuptohet, si gjithmonë për të varfërit ndër më të varfër. Ky gjest e bëri Nënën Tereze shumë të njohur në Kishë dhe në botë.

Më 10 shkurt të vitit 1965 me dekretin papnor “Decretum laudis” Papa Pali VI e kishte pranuar dhe lartësuar bashkësinë  e “Misionareve të Dashurisë” si “kongregatë të të drejtës papnore”. Kjo ua mundësoi atyre që së shpejti të mund të përhapeshin dhe vepronin në mbarë botën. Fill pas kësaj mirënjohjeje dhe pranimi “Misionaret e Dashurisë” filluan zgjerimin në botë: në Venecuelë (26 korrir 1965), shtëpia e parë jashtë Indisë e kështu me radhë në Europë, Afrikë, Amerikë, kudo në botë.

Papa Pali VI përkrahu edhe themelimin e Shoqatës ndërfetre dhe ndërkombëtare “Bashkëpunëtorët e Nënës Tereze” më 29 mars 1969, duke  dhënë bekimin dhe pëlqimin e tij.

Papa Pali VI i kishte dërguar një çek personal “për të varfërit e Nënës Tereze”, duke përkujtuar dhe ndihmuar gjithnjë veprën e saj në dobi të të mjerëve në Indi dhe në botë.

Më 22 gusht 1968 Nëna Tereze hapi shtëpinë e parë të “Misionareve të Dashuris”, në Romë në lagjën “Torfiscale”, gjithnjë me ftesë dhe bekim të Papës Pali VI.

Më 6 janar 1971 Papa Pali VI ia dorëzoi Nënës Tereze “Shpërblimin për Paqe – Gjoni XXIII”, që dëshmonte edhe një herë nderimin, përkrahjen, dashurinë e tij për Nënën Tereze, për “Misionaret e Dashurisë”, për të varfërit e botës.

Këto janë disa nga çastet e bashkëpunimit mes Papës Pali VI dhe Nënës Tereze.

·     DUKE LUNDËRUAR NËPËR KUJTIMET E MIA

Ja një pjesë e rëndësishme e fjalës së rastit të Papës Pali VI drejtuar shqiptarëve nga vendet e ndryshme të botës me rastin e 500 vjetorit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, kur ndër të tjera tha:

Të dashur bij të Shqipërisë!
Ju urojmë sot në mënyrë të veçantë mirëseardhjen juve, që jeni mbledhur për të kujtuar 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, hero i kombit tuaj dhe i emrit të krishterë, pranë kësaj Selie Apostolike, që mund ta konsideroni shtëpinë tuaj atërore.
Ju takojmë me shumë dëshirë: vërtet, e dimë se fryma, më të cilën kremtoni këtë përkujtim, është ajo tradicionale e fisit(racës) tuaj, i cili, përmbi çdo interes, ka vendosur gjithmonë vlerat tradicionale të besës apo të besnikërisë në çdo impenjim, të nderës apo të nderit të vërtetë dhe, të burrnisë apo të tërësisë së virtyteve burrnore.
Fatosi Skënderbe ka qenë personifikimi i gjallë i këtyre virtyteve: ai jua ka lënë trashëgim, së bashku me lidhjen me miqtë e lashtë të atdheut tuaj, ndër të cilët rreshtohet me kënaqësi edhe Selia e Shenjtë, sepse u përket atyre, që nuk ju kanë lënë kurrë në baltë.
Këto virtyte, Gjergj Kastrioti i ka lënë amanet të shenjtë në atdhe e, edhe në diasporë e në mërgim.
E nëse historia ju ka parë të shtypur e të shpërndarë, mirësia e Zotit ka bërë që ju, me gjithë anëtarët e “gjakut tuaj të shprishur”, me aktivizmin e gjallë të lindur e me njohuritë e fituara, të ktheheni kudo në ndërmjetësues aleancash e bashkëpunimesh, që shpesh, ju kanë bërë paraprijës të ekumenizmit modern.
Urimi ynë, në këtë rast, për ju e për të gjithë shqiptarët, është që vuajtja të bashkohet gjithmonë me shpirtin tuaj tradicional heroik e, t’ju japë rast e meritë për të shërbyer si element mirëkuptimi e paqeje ndërmjet popujve e gjuhëve të ndryshme.
Do të realizohet kështu testamenti i Skënderbeut e, sërish, do të shkëlqejë në lavdi atdheu juaj, që është kaq i dashur për Ne e që e bekojmë me dashuri atërore”.

Pata rastin dhe kënaqësinë që personalisht ta takoja Papën Pali VI disa herë. Hera e parë qe me 7 shtator 1969 në Castelgandolfo, në Ditën e Studentëve të Kongregatës Propaganda Fide. Papa ishte me ne gjithë ditën, që nga mëngjesi e deri në orët e vona të mbrëmjes. Lozi me ne tombolë. Foli me ne sikur atë i mirë, kremtoi Eukaristinë me ne dhe për ne. Ishte sikur “njëri ndër ne”! Kur më prezantoi para Papës rektori i atëhershëm i yni mons. Jezerniku, Pali VI, më tha: “Jam i lumtur që së fundi edhe studentët shqiptarë mund të vijnë në Romë për t’u përgatitur për meshtari… E mjera Shqipëri, sa vuan! Guximshëm, Krishti e ka mundur botën!”

Në vitin 1975, kur udhëhoqa grupin e shtegtarëve të Ipeshkvisë Shkup-Prizren, Papa dëshironte  t’na përshëndeste në gjuhën shqipe. Me këtë rast më tha kështu: Gjithmonë i kam në zemër Shqiptarët, edhe sot dëshiroj të jenë afër meje, para syve të mi, që t’iu tregoj dashurinë time.”  Dhe pikërisht ishim në rendin e parë (gjatë Audiencës së përgjithshme, vr. ime) në Sheshin e Shën Pjetrit, afër Papës.

Gjatë viteve të studimeve të mia në Romë (1969-1975), Papa Pali VI për mua ishte orientim i sigurt, frymëzim i madh, shpeshherë edhe ngushëllim për Kishën tonë martire. Kishte një buzëqeshje të dhimbshme, ecje të ngadalshme e të rëndë, sytë të thelluar, zgjeruar, duart e dobëta, trup të plogështuar e të sëmurë… Por, prapë rrezatonte me shpresë, siguri, me përvujtëri dhe thjeshtësi, dhe qysh në këtë jetë ofronte “pamjen” e amshimit.

Sa herë nga dritarja ime në Kolegjin Urbanian mbi Gianicolo kam shikuar dritaren e Papës…Deri sa flinte qyteti, në dhomën e Palit VI deri në orët e vona qëndronte drita e ndezur.

Provania e Zotit ose rastësia deshi që të jem në Romë edhe me rastin e vdekjes së  Palit VI (6 gusht 1978). Qysh atëherë kam pasur mundësi të shihja, përjetoja për së afërmi këtë humbje të madhe. Qyteti i amshuar ishte thuajse i zbrazët, njerëzit ishin të pikëlluar. Secili dëshironte të komentonte jetën dhe vdekjen e Papës.

Jean Guitton duke analizuar dy papët e fundit shkruante kështu: “Papa Gjoni XXIII ishte pilot, ai i cili i jepte Kishës krah për të pasur mundësi të fluturimit - të depërtimit në botë. Ishte ky një guxim, një vepër e rëndësishme dhe profetike. Papa Pali VI kishte detyrë edhe më të vështirë dhe delikate, të realizonte Koncilin – ta tokëzonte aeroplanin i cili fluturonte…”

Një fjalë e urtë popullore shqiptare, thotë: “Vdekja gjithçka mbulon, vdekja gjithçka zbulon”. Për Papën Pali VI mund të themi: qysh pas vdekjes, janë të shumtë ata që zbuluan se ishte i madh, shumë i madh. Shumë njerëz do të duhet ende ta zbulojnë, kuptojnë, ndjekin.

Papa Pali VI lumturohet më 19 tetor 2014, ditën e Misioneve, ditën e lumturimit të Nënës Tereze, “përputhje” kjo që e ka dashur Zoti, Provania e Tij, Papa Françesku, që vetvetiu flet dhe dëshmon shumë.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: