Mani Kombëtar
| E Diel, 22.01.2017, 05:14 PM |

Kadri Mani me gjym çaji në dorë zbavitet për Vitin e Ri!

Kombetar Manin e deshem aq sa per te mos e c'dashur kurre.

Iku ne humor. Dy dite para largimit na tregonte barsoleta me bjondina...!

Kadri Mani nuk ishte nje individ sepse: kur e pyesje ''si je'' pergjigjej per shendetin e Dardanise.

Baca Kadri meriton nderimin me te larte sepse:

Ishte Atdhetar qe ne vitet e para te jetes se ketushme.

Per ceshtjen madhore te lirise ne Dardani vuajti gati dy dekada ne burgjet e tmerrshme serbe.

Ne kulmin e erresires ofroi drite per femijet tane.

Ishte nje intelektual i plote.

Ishte pak Kastriot, pak Bogdan, pak Sefer, pak Jashar e, kuptohet, pak Rugove. Sa shume!

Poet e shkrimtar i shquar... i Kombetarizmave.

Shqiptar i paster me vizion te paster e kembengules perendimor.

Botues... e cfare botimi... Shqiperia Etnike.

Jo osmanit, po Manit.

Nderime edhe per bashkeshorten e Manit, Shukrijen, e cila i qendroi prane gjithmone.

Me mire dhe me hollesisht do te flasin ata qe e kane njohur nga afer Kadri Manin - njerin nga shqiptaret me te ndritur te kombit tone. Ne fund keni edhe kengen per Manin, kenduar nga mjeshtri i madh Agim Gashi.

Ilir Dardani, 08/10/2014

 

___________

SHPALOSJE KUJTIMESH PËR MIKUN TIM KADRI MANI

FJALA NË AKADEMINË PËRKUTIMORE PËR KADRI OSMANIN - MANI

NGA IDRIZ ZEQIRAJ - Zemra Shqiptare, 08.11.2013

Tashmë, u bë një vit që kur miku im i zëshëm, Kadri Osmani - Mani, shkoi në amshim. Në çdo mbremje në klikimin e parë, ke portali "Zemra Shqiptare.net", që moderohet në Londër, nga shkodrani Gëzim Marku, i ndihmuar nga Ilir Dardani me shokë, më shpërfaqet portreti fisnik dhe kënga mrekullisht e realizuar nga miku ynë Agim Gashi, i njeriut që përtej 70 viteve zemra e tij e dlirë rrahu për Kosovën, për Shqipërinë Etnike.

Për herë të parë e pashë në mesvitet '60-a, kur hyri në klasën tonë, në Gjimnazin e Pejës, përgjatë mësimit të letërsisë, për të agjituar dhe pajtuar shkollarët normalistë në revistën zëmirë "Jeta re", në kryesim të poetit dhe njeriut shumë të respektuar Esad Mekuli.

Kadriu, njeriu i idealeve të mëdha

Për herë të dytë, po në vitet  '60-a, e pashë dhe e njoha Kadri Osmanin në Shkollën "Rilindja" të Keçekollës, në Gollak, duke ndarë edhe dhomën me atë. Ishim kolegë në arsim, e respektoja dhe mësoja nga baca Kadri, ndonëse një dekadë diferencë moshe, por ai më trajtonte si të barabartë, pa shfaqur kurrë epërsinë e natyrshme që zotëronte.

Përgjatë jetës time në arsim në Kosovë dhe Shqipëri, kurrë dhe asnjëherë nuk kisha hasur që ndonjëri ta lërë qytetin dhe, për më tepër, kryeqytetin, nusen dhe fëmijtë, për t'u ngjitur dhe kaluar kodrina e male, me motivin logjik dhe idealin e madh - për t'i shërbyer arsimit dhe popullatës, fort izoluar, në atë kohë, në trevën e Gollakut.

Baca Kadri më thoshte se kjo është zonë e izoluar, se këtu janë personazhet e romanit "Gjarpijtë e gjakut", se kjo është zonë kufitare dhe pushteti serbo - sllav ka për synim shpërnguljen, boshatisjen e fshatrave, ndaj duhet të punojmë shumë. Dhe, kjo shpjegon arsyen e sakrificës të Kadri Osmanit, kur ai braktisë rrugët e asfaltuara të Prishtinës dhe zyren e ngrohtë të Redaksisë "Jeta re", për të përshkuar rrugët e pluhërosura verës dhe të baltosura dimrit, duke jetuar mes malesh të Gollakut.

Në atë kohë, Qendra shkollore "Rilindja" e Keçekollës kishte tri shkolla 8 - vjeçare dhe shtatë shkolla fillore (katër klasëshe). Kuadri shkollor, me përjashtime, ishte në procesin e kualifikimit. Varfëria në zonë ishte e skajshme. Përveç bagëtive, edhe ato në numër të pakëta, banorët e atjeshëm jetonin nga shitja e druve në Prishtinë.

Biblioteka - begatimi i mendjes - ëndrra e tij fisnike

Mungesa e bibliotekave ndër shkolla, mungesa totale e revistave për fëmijë, por edhe për mësuesit, e tmerronin njeriun e letrave Kadri Osmanin. Dhe, një ditë më thotë: "Nisu për Prishtinë dhe Shkup. Kërko nga redaksitë e librave  dhe të revistave të ndihmojnë zonën e Gollakut, për hapjen e bibliotekave shkollore dhe pajtim të përhershëm në revistat "Pionieri", "Fatosi" dhe Gëzimi, (dy të fundit botime të Shkupit), për fëmijë si dhe revistat "Zëri i rinisë", "Jeta re" dhe "Jehona", kjo e fundit botim i Shkupit.

Dera e parë në të cilën trokita ishte "Enti i botimeve të Kosovës", i cili vepronte në kuadrin e Ndërmarrjes Botuese "Rilindja". Qëllimshëm kërkova rastin për të hyrë në depon e madhe, prej nga bëhej shpërndarja nëpër libraritë e Kosovës. Që andej, u gjenda në zyren e drejtorit.

- Vij nga Shkolla "Rilindja" e Keçekollës dhe kërkojmë nga Ndërmarrja "Rilindja" t'i ndihmojë me literaturë krijuese, artistike shkollat në Gollak, - i thashë unë, sikur ta recitoja një vjershë.

-"Ne i kemi botimet e planifikuara, nuk kemi teprica, kemi edhe disa rregulla financiare", -  m'u përgjigj akulltazi drejtori burokrat.

-Megjithatë, unë isha në depon tuaj qendrore dhe pashë botime të vjetra, të stivuara, të plurosura, të harruara", - u gjegja unë serbez, pa ndrojtje fare.

"Ti koke (dhe jo qenke - shënimi im) mi i bibliotekave", - më tha drejtori, disi i shkujdesur.

- Shoku drejtor, edhe mësues, edhe mi, sikur nuk shkon", - i thashë unë, duke e shikuar ngultas dhe gadi përvajshëm.

- "Mirë, mirë, ta shohim këtë punë. Lene adresën", - dhe mbylli bisedën drejtori, për të mos u përgjigjur kurrë më. Fytyrën, sjelljen dhe emrin e drejtorit i mbaj mend edhe sot, sepse në vitet '60-a kishte fare pak drejtorë në Kosovë.

Kryeredaktorit te "Jeta re", bacë Esad Mekulit, ia përcolla përshëndetjet e Kadri Osmanit. Ai u interesua fortpër të dhe më foli me admiratë, për kohën që baca Kadri kishte punuar në "Jeta re". Kërkesës tonë bacë Esadi iu përgjigj pa ngurrim fare. Hapi depon modeste të redaksisë, ku përveç revistave, kishte edhe botime tjera.

-"Merr nga çdo titull libri dhe revista që janë më shumë se tre copë, pavarësisht vitit të botimit", - më tha baca Esad. Dhe, ashtu u bë.

Redaksia "Zëri i rinisë", e kryesuar nga Ali Sutaj, me një staf shumë simpatik, ka qenë e afërt me rininë shkollore. Ata kanë qenë gjithëherë vullnetmirë dhe të gatshëm për lehtësira pajtimesh kolektive, duke dhuruar edhe disa ekzemplarë të revistës falas. Por, ne kërkuam  edhe më shumë, si zonë skajshëm varfanjake. Dhe, mirëkuptimi nuk mungoi.

Për në Shkup udhëtoja për herë të parë. Ndërmarrja botuese "Nova Makedonia", shquhej për gjigandizëm në atë mjedis. Takimi me shkrimtarin dhe poetin ndjenjëhollë, Mehmedali Hoxha, ishte mbresëlënës.

_ Keni të fala nga Kadri Osmani, përkthyesi i përrallave indiane, qe ju i botoni në revistat e juaja, - i thashë unë. Ai falenderoi, duke lavdëruar Kadriun si bashkëpuntor të rregulltë.

Kërkesën tonë, për t'u pajtuar në revistat "Fatosi" dhe "Gëzimi", kryeredaktor i të cilave ishte ai, e mirëpriti. Atypëraty, urdhëroi një vartësin e tij, për të bërë një kontratë afatgjatë, me lehtësira të veçanta për zonën e Gollakut. Çuditërisht, vartësi maqedonas, nëpërmes telefonit, e akuzoi shefin e tij shqiptar, se, gjoja, po bën tregëti të fshehur me Kosovën! Shefi Mehmedaliu replikoi ashpër me vartësin e tij. Dhe, si për t'u ngushëlluar, e vuri në prehrin e tij vajzën e axhës tim, Hasimbege (emër ky i trashëguar nga vajza gjilanase, e cila luftoi për vëllazëni), nxënëse e klasës të katërtë, të cilën familja ma kishte dhënë me vete, për t'u mos u mërzitur vetëm, si mësues i ri dhe shumë larg familjes.

- "Tregoju shoqeve dhe shokëve në shkollë se xhaxhi Mehmedali, edhepse drejtor i botimeve në gjuhën shqipe, nuk po e përfillnin as vartësit e tij, bile edhe e kontrollonin, e përgjonin", - tha poeti i përlotur.

Ishin lot që flisnin më shumë se mijëra fjalë. Dhe, mori nga bibliotaka e zyrës së tij 47 botime, nga autorë shqiptarë dhe të huaj, të përkthyera, duke i thënë vajzës, tashmë e tronditur nga loti i poetit plak:

" I keni dhuratë nga xhaxhi Mehmedali, i vendosni në bibliotekën tuaj dhe i lexoni bashkë me nxënësit tjerë. Edhe revistat do t'jua dërgoj së afërmi. Përshëndeti të gjithë nga unë", - porositi përvajshëm poeti fort i dashur për fëmijë, fisniku i madh, Mehmedali Hoxha.

Për librat dhe revistat e sjellura, baca Kadri u gëzua si fëmija për lodrat e bukura. I thashë se ju njihnin të gjithë dhe ju kanë përshëndetur fort. I fola edhe për bisedën e bërë me drejtorin e Entit të Botimeve dhe ofezën e bërë ndaj meje. Baca Kadri shfryu në të shara e mallkime dhe u zotua se do të ballafaqohet me të. U pendova pse ia prisha disponimin dhe mundohesha  ta amortizoj fyerjen, me qëllim që baca të mos përballet me drejtorin në fjalë.

Kadriu ishte gojëtar i guximshëm

Edhepse të pesë anëtarët e Familjes Osmani nuk kishin të ardhura anësore, përveç rrogës të kryezotit të familjes, baca Kadri kurrë nuk ankohej për skamje dhe familja jetonte modestisht. Familja Osmani mysafirët i kishte të bollshëm. Miqve të vjetër iu shtuan edhe miqtë e ri gollakas, të cilët shquhen për miqësi dhe traditë shqiptare. Gollakasit na ftonin, herpasherë, në darkat e tyre dhe dimrit me dëborë, kur vështirërsohej rruga për në Orllan, nga ku furnizoheshim me ushqime, na sillnin për të ngrënë në banesën tonë - njëdhomëshme.

Kadri Osmani ishte gojëtar i shkathtë, i guximshëm edhe në ndejat e dhomave, jo vetëm në Llap e Gollak, por edhe në Dukagjin. Më kujtohet vizita e parë, në një gjysmëvjetor shkollor dimëror. Ai erdhi në fshatin tim, në familjen time në Studenicë të Istogut, së bashku me kolektivin e mësuesëve të Koliqit apo Kolaj, siç po quhet tani. Pas darkës u shtrua çaj i rusit, për herë të parë në këtë zonë të Dukagjinit. Dhoma e madhe e kullës tonë ishte përplotë me bashkëvendorë, të cilët kishin ardhur për t'i nderuar mysafirët e largët. Drejtori i shkollës, njeriu i mirë, Nazif Rama i përshëndeti dhe falenderoi të pranishmit, për nderimin që i bënin atij me shokë. Pastaj bisedën do ta vazhdonte Kadri Osmani, i cili prirje të gjithëmonshme ka pasur politikën, përkatësisht, hallet e mëdha të Kosovës të përvuajtur, edhepse kjo nuk ishte e lehtë për kohën.

Njeri modest dhe me humor

Kadri Osmani kishte një modesti proverbiale dhe përshtatje në çfarëdo rrethane që ndodhej. Në familjen tonë numerike, një kooperativë në miniaturë, në bashkësi familjare kaluar të 6O anëtarët, ekzistonte një kod i pashkruar. Statusi i mysafirit zgjaste vetëm tri ditë. Pastaj duhej të kyçej në punë, si të gjithë të tjerët. Dhe, kjo për dy arsye:

1.- Mysafiri nuk lihet vetëm në shtëpi, sepse konsiderohet mospërfillje, keqpritje; dhe

2.- shkëputja nga puna tej tri ditëve konsiderohej si jo e shëndetshme, dalje nga rendi i punës dhe krahasimi ishte pakëz vulgar, si trashja e qafës të kaut, pa i vënë zgjedhën.

Ky rregull familjar i ra për hise edhe bacës Kadri. Ishte verë dhe punët e nesërme ndaheshin në mbremje. Mysafiri privilegjohej me zgjedhje të punës që do të bënte. Dhe, unë me bacën Kadri preferuam ruajtjen e arës të mbjellë me shalqi, bostan, përgjatë natës. Një qen, më sakt, as qen dhe as klysh, gjatë ditës nuk i shpëtonte asgjë pa e hetuar dhe lehur, kurse përgjatë natës flinte i qetë dhe pa zhurmë. Dhe, në natën e dytë "të ruajtjes" tonë, mysafirë të paftuar kishin hyrë në një pjesë të parcellës dhe kishin shkelur lozët e shalqirit, që konsideroheshin dëm më i madh se sa marrja e disa kokërrave të shalqirit.

Baca Kadri u mërzit bukur shumë, pse gjumi e kishte tradhtuar. Ai mori një karton të bardhë dhe shënoi:

"Vizitorë të natës, ejani te Koliba, mund të hani dhe të merrni me vete shalqi të pjekur dhe jo kunguj (shalqi të papjekur - shënimi im). Shkelja e lozëve është më krim se sa vet vjedhja". Ndërkohë, qenin - klysh e zhvendosi në një kënd më të sigurtë të parcellës, "për të mos e shkelur hajnat e pakujdesshëm", - siç shprehej ai!

Kadri Osmani shquhej për humor. Duke qenë student në Institutin e Lartë Pedagogjik të Prizrenit, profesori i sintaksës, Fuat Ostrozubi, i thotë Kadriut të shkruajë një fjali të zgjeruar në dërrasën e zezë. Dhe, studenti Kadri shkruan:

"Profesor, sikur të ishe më pak budalla, do ta shihje veten se çfarë torollaku je"! Dhe, e lexon fjalinë zëshëm.

-"Prtofesor, a ta analizoj fjalinë", - i thotë studenti Kadri?  Profesori i bërë tym, ia kthen:

-"Fshije dërrasën e zezë dhe ulu në bankë. Kam faj unë që të nxjerr ty në dërrasë të zezë".

Dhe, vërtet, profesori ishte fort i përhumbur dhe kurrë nuk i qeshte buza.

Njeri me kurajo edhe përballë sëmundjes

Baca Kadri ishte në Shqipëri. Përkeqësimi i shëndetit e vuri në dilemë se ku do të trajtohej? Joshja e tij ishte ndonjëra nga klinikat e njohura të Evropës. Kërkoi t'i sigurohet një vizë. Kryeministri në ekzil premtoi të fliste me ministrin e brendshëm shqiptar për këtë kërkesë. Por, koha po kalonte. "Mos u bëfsh me ta qajtë hallin Rahoveci, se qesh Podrimja", -  thonë në Kosovë.

Më në fund, baca Kadri iu shtrua operacionit në Zvicër. Në ditën e dytë, ai ngrihet kujdesshëm, ulet pranë tavolinës dhe vazhdon të shkruajë, aty ku e kishte ndërprerë para anestezisë, mpirjes totale. Me gjthë lutjen, nuk u bindet motrave shërbyese, për t'u shtrirë në krevat. Edhe doktori dështon për ta bindur.

- "Ndjehem mirë", - i thotë atij.

Doktori do të thoshte se kemi të bëjmë me një pacient të veçantë, andaj ta përgjojmë nga afër, pa na diktuar ai. Dhe, baca Kadri, në faqen e tij të Internetit, do të shkruante:

"Kur jam bërë synet në Makreshin tim, në Kosovë, kam ndejur tri javë shtrirë në krevat. Kurse, tani, që u bëra operacion nga zemra në Zvicër, kam ndejur vetëm tri ditë në shtrat"!

Operimi i suksesshëm nga zemra, i dha forcë, e rinoi Kadri Osmanin. Pjesëmarrja aktive në veprimtaritë e Mërgatës shqiptare në Zvicër  dhe më tej në Evropë, ishte e mirëpritur dhe mbresëlënëse. Kthimi në auditor, në profesionin e edukatorit, të mësuesit, aq shumë i dëshiruar, i veteranit të arsimit - Kadri Osmani, ishte një përtëritje shpirtërore, rinore dhe freski mendore. Pjesëmarrja aktive në jetën kulturore të Mërgatës, në begatimin e Fondit Shtetëror të Kosovës si dhe në aksionet e tjera legale, institucionale, kanë lënë gjurmët e suksesit të pakontestueshëm të veprimtarit atdhetar, Kadri Osmanit - Manit.

Në Istog u formua grupi i parë ilegal nga Kadri Osmani

Kadri Osmani kishte një aftësi unike komunikuese me të gjitha kategoritë e njerëzve. Përgjatë vizitave që bënte në familjen tonë, qofshin ato individuale apo familjare, ai shfrytëzonte rastin për t'u takuar dhe njohur me djem të shkolluar të komunës të Istogut. Dhe, këtu do ta formonte grupin e parë ilegal, i cili pas disa vitesh veprimtarie, do të zbulohej, do të arrestohej dhe dënohej së bashku me Xhafer Shatrin, Binak Ulaj, Metë Shatrin, Jashar Aliaj dhe të tjerë.

Letra e Kadri Osmanit dhe rrjedhojat fatale të saj

Në verën e vitit 1973, Kadri Osmani, nëpërmjet një dysheje studentësh, një vajzë dhe një djalë, më dërgonte një letër me pyetjen. "Ç'të bëjmë"(?),  -  duke kërkuar përgjigjen me shkrim. Letra më është dhënë dorazi në Tiranë. Por, studentët e Prishtinës, të painformuar për pozicionin e Tiranës zyrtare karshi Kosovës, nisin një letër të dytë, me postë, nga qyteti jugor, Fier, me anë të së cilës kërkojnë, madje patjetër, përgjigje për letrën e dhënë dorazi në Tiranë.

Sigurimi Shtetëror e hapë, e lexon, fotokopjon letrën e tyre dhe e mbyllë sërishmi, për ta marrë unë. Edhepse e mora me mend se kopja e letrës është në duar të policisë sekrete, unë vendosa të përgjigjem në letrën e Kadri Osmanit me shokë, sepse ne nuk përziheshim fare në punët e Shqipërisë. Unë konsultova mikun tim, poetin dhe shkrimtarin Agim Gjakova, me të cilin kisha miqësi të ngushtë dhe shkrova një letër përgjigje prej 4 (katër) faqesh, të formatit A4, të shtypura me makinë. Përgadita dhe shtypa edhe disa materiale ndihmëse, në Ministrinë e Tregtisë, sektori i jashtëm, të gjitha në funksion të kërkesës të Kadri Osmanit me shokë.

Përballë Hotel "Dajtit", me një çantë në dorë, i shoqëruar nga një mësues i historisë, po prisja ta takoja dyshen studentore, për t'ua dhënë letrën, materialet ndihmëse si dhe literaturë artistike. Një oficerë i Sigurimit Shtetëror do të më afrohej, duke më thënë:

-"Idriz, të kërkon zëvendës-ministri i brendshëm...".

-Unë i thashë se po takoj disa studentë nga Kosova dhe pastaj po vij.

- "Jo", - më tha oficeri, - "duhet të vish tani, sepse shoku zëvendës-ministër ka një mbledhje më vonë".

Unë, për të mos bartur çantën, bukur të rënduar nga materialet e shtypura dhe librat, ia lëshova në dorë shokut  tim, mësues dhe vazhdova ecjen drejt Drejtorisë, i shoqëruar nga oficeri i Sigurimit. Kur ngjitëm në katin e dytë, gjithnjë i shoqëruar, hapet një derë, ku ishin mbledhur, pothuajse, të gjithë drejtorët e Drejtorive të Ministrisë të Brendshme. Mbajtësi i çantës ishte arrestuar dhe këtë e mora vesh vetëm disa muaj më vonë, edhepse ishte ngjitur çelisë, birucës, dhomës të vetmisë time.

Çanta ime kishte arritur para meje dhe ishte boshatisur e tëra, duke i shpërndarë të gjitha materialet mbi një tavolinë. Zëvendës-ministri mbante në dorë letrën e adresuar për Kadri Osmanin, me titull: "Taktika dhe strategjia për realizimin e Republikës të Kosovës", letër kjo e ruajtur në Arkivin Shtetëror Shqiptar.

- "Doni Republikën e Kosovës", - pyeti zëvendës-ministri me shpoti?

-Po, - u gjegja unë. Dhe,  ai i tërbuar bërryloi krahun!

- "Doni dy republika, dy shtete, për t ia kundërvënë Kosovën Shqipërisë, njësoj si dy Kina, dy Kore, dy Vietnama, dy Gjermani! Kjo është politikë subversive kundër Jugosllavisë, që ka për qëllim  prishtjen e marrëdhënieve jugosllavo - shqiptare", - përfundoi shefii i shefave të tjerë.

Atë ditë jam prangosur, për të vazhduar vuajtjen dhe persekutimin për 17 vjet radhazi burgjeve dhe kampeve të Shqipërisë. Edhepse asnjëherë nuk u lakua emri i Agim Gjakovës, nip i Haki Tahës, ekzekutori faktik i Milladin Popoviçit, presioni për ta pohuar emrin e tij ka qenë i madh. Megjithatë, Sigurimi kishte përcjellë lëvizjet e mia dhe pavarësisht këmbënguljes time se letra është, eksluzivisht, prodhim i imi, Agim Gjakova përgjatë 15 viteve do të përjetonte një lloj burgu të veçantë shtëpiak, i përgjuar, i shantazhuar dhe i cenzuruar deri në bllokim të botimit të krijimtarisë së tij letrare. Të njëjtin fat do ta kishte edhe bashkëshortja e tij ideale, Naime Daci - Gjakova, e bija e Haxhi Jahja Dacit, hoxhë i Istogut, i ekzekutuar, si nacionalist, më 1945, nga OZNA jugosllave, ndërsa dy vëllezërit e saj juristë, do të dënoheshin me burg, si pjesëtarë të organizimit ilegal të Adem Demaçit.

Persekutimin komiunist shqiptar Naime Daci - Gjakova do ta përjetonte rëndë, përshkak të dy fëmijëve shkollarë, Gëzimit dhe Fitores. Pritja e çdokohëshme e arrestimit dhe e dënimit të çiftit Gjakova, do t`i shkaktonte Naimes sëmundjen e leokemisë, për ta përcjellur në amshimin e parakohshëm. Ishte ky një krim i rëndë i vrastarëve stalinistë. Letra e destinuar për Kadri Osmanin do të ishte furtunë edhe në Ministrinë e Tregtisë të Jashtme, ku do të akuzoheshin për mungesë vigjilence dhe do të ndëshkoheshin disa kuadro, në mes tyre edhe Sali Mulosmani, pinjnoll i familjes të zëshme të Mulosmanëve të Malsisë të Gjakovë, Tropojë, familje ku kishin gjetur strehë krerët e Shqiptarisë, si: Bajram Curri, Isa Boletini, Hasan Prishtina me shokë. Pas disa muajve do të burgosej edhe Kadri Osmmani me shokë në Kosovë. Ekziston dyshimi i bazuar i denoncimit, i bashkëpunimit të gjithëmonshëm i Sigurimit Shqiptar me UDB-në jugosllave. Ishte një pabesi e madhe e shtetit shqiptar, e Shqipërisë komuniste, staliniste.

Njëjtësimi i liderit me atdheun dhe iluzionet boshe

Përkushtimi i Kadri Osmanit për lirinë ishte përmanent, i përhershëm, andaj edhe dënimet do të ricikloheshin. Pas vuajtjes të shumë viteve burgjeve jugosllave si dhe pëgjimeve policore në vijimësi, ai do të largohej për në Shqipëri. Shqipëria e viteve '90-a ishte në trazicionin e saj të egër. Në Tiranë do t'i afroheshin njerëz të gjithëfarë ujemësh, mjerisht. Në mes tyre shoku im i studimeve në Univesitetin e Tiranës, Hysni Milloshi, djemtë e Enver Hoxhës, Skënder Gjinushi dhe të tjerë.

Kisha jetuar tej dy dekadave në Shqipëri dhe njihja deri në detaje regjimin diktatorial dhe jetën mjerane gjysmë-shekullore shqiptare. Prandaj, ndjeja obligim moral ndaj shqiptarëve, sidomos atyre jashtë Shqipërisë londineze, t'ua përcillja një mesazh - sintezë, për të vërtetën, madje në shkallën sipërore, për Enverin dhe Atdheun e Shqiptarëve - Shqipërinë, të privatizuar kriminalisht nga lakeu filosllav Enver Hoxha me bandën e tij.

Bindjet, mendimet iluzive, jo vetëm ke populli i thjeshtë, me vetëdije të ulët politike, por edhe tek të shkolluarit dhe burgaxhinjtë politikë, përfshi këtu edhe simbolin e rezistencës, Adem Demaçin me shokë, më cyti për të shkruar dhe adresuar letrën për Demaçin, me titull: "Kur ndjenja mund arsyen". Reagimet qenë të shumta, të menjëhershme dhe tmerrësisht të vrazhdëta e skandaloze. Printe kryeparlamentari aktual, Jakup Krasniqi me shkrimin: "Tradhtia ndër shekuj", i pasuar nga komunisti i mykur Bajram Mehmetaj dhe lukunia tjetër enveriste e staliniste.

Në mesin e anatemuesëve ishte renditur edhe Kadri Osmani. Të gjithë morën përgjigjën time të faktuar në reagimin tim: "Pas teprimit - vjen marrëzia", përveç bacës Kadri, për ndershmërinë e të cilit nuk kisha asnjë dyshim, asnjë hamendje.

Përse e kurseva me përgjigje Kadri Osmanin?

a) - Bacën e njihja nga afër, kishim përjetuar momente të rënda përgjatë jetës ilegale, qysh në rininë time të hershme. Njeri i çiltër, i fjalës, i besës; atdhetar i gatshëm për çfarëdo sakrifice; me një dlirësi deri në skajet e shpirtit të tij.

b) - Atëbotë, m'u kujtua një rrëfim nga burgu i Spaçit, malësi e Mirëditës. Dibranët kishin burrëri dhe urti. Ishin fort lidhur mes veti, madje edhe në burg. Një ditë e sjellin në burg një djalë të ri. Horrat, hafije të burgut e joshin në shoqërinë e tyre. Njëri nga dibranët shqetësohet pse i burgosuri i ri shkoi ke njerëzit e këqinj. Dhe, këtë merakosje ia shpreh një të moshuari dibran, të cilin e konsideronin si të parë të tyre shpirtëror. Ky i fundit gjegjet:

"Nëse është brum i mirë, do ta gjejë edhe vendin e shoqërinë që i takon, pra, do të vjen në gjirin tonë. Në të kundërtën, do të vazhdojë tek ata". Dhe, vërtet, burgaxhiu i ri u kthye vet në rrethin e duhur.

Në Tiranë, Ramë Maraj, miku ynë i përbashkët, më lënë takim, për të nesërmen, ke pastiçeri "Rugova", tek Partizani i Panjohur. Shkoi në orën e caktuar. Në këmbë ngrihet një burrë, i qethur fort, me një buzëqeshje të ëmbël. Ishte baca Kadri. Më afroi në krahërorin e tij, më shtrëngoi fort, ashtu siç e kishte zakon ai. Dhe, u përlot. Deshi të thoshte diçka, por, e ndërpreva:

- "Të shkuara dhe të harruara", - siç thonë korçarët. Pas afro një ore ia bëhu zoti Maraj dhe unë e kuptova "hilenë" e tij. Pajtimi ynë u bë, madje pa ndërmjetës dhe pleq.

Dashuria e madhe bjeshkë, burgu i gjatë dhe mungesa e informacionit, për realitetin në Shqipërinë nënë, kishin qenë tri nga arsyet bazë të stopimit në kohë të Kadri Osmanit. Por, ai dogji etapat dhe, pa vonesë, do të këndellej. Dhe, do ta denonconte dogmën satanike komuniste në Shqipëri, duke polemizuar me Ilir Hoxhën, djalin e diktatorit Hoxha, me titull:

"Në Shqipërinë e babës tënd, gjeta rrugët e Bangladeshit". Dhe, ky ishte fundi i iluzioneve ideologjike, duke e kompensuar kohën e humbur, si askush tjetër në hapësirat gjithëshqiptare. Bindja ime e pamëdyshur se miku im i vjetër, Kadri Osmani - Mani, do të këndellet në përmasën e skajshme, tashmë, ishte e prekshme, transparente, e tejdukshme, madje në çdo fjalë të thënë, në çdo hap të hedhur. Ai do të bënte edhe atë, të cilën kurrë nuk ia kërkova: Do të më kërkonte falje publike për kundërshtinë e ashpër të bërë ndaj letrës time, drejtuar Demaçit, në shtypin ditor dhe në atë periodik. Ndërkohë, zotëri Adem Demaçi, në vizitën e parë në Gjermani, një vit pas botimit të letrës në fjalë, në pritjen që i bëmë në Sallën e Kongreseve, në Ludwigshafen, do ta pranonte vërtetësinë e shprehur nga unë në atë letër, duke pranuar se ka reviduar, ndryshuar bindjet, që dikur kishte për Enver Hoxhën dhe partinë e tij, sepse "vetëm të marrët dhe vdekurit nuk ndryshojnë".

Miqësia me Rugovën daton në fundvitet -60-a

Kadri Osmani ishte mik i hershëm i Ibrahim Rugovës. Edhe pas lirimit nga burgu në vitet e `90-a, baca Kadri me shokë ishte pritur me gëzim dhe përzemërsi nga dr. Rugova, i cili kishte një vlerësim suprem për të dënuarit politikë, për angazhimet e tyre për lirinë e Kosovës. Dhe, këtë konsideratë e dr. Rugova e lëndëzoi, duke i lartësuar shumë syrësh në udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në institucionet tjera të pushtetit paralel. Megjithatë, disa nga ish të burgosurit politikë ende mbetën në vëzhgim të rrethanave të kohës dhe hezitonin të jenë pjesë e Lëvizjes kombëtare, të sapo konsoliduar, të kryesuar nga njeriu i duhur, intelektuali i kompletuar dhe atdhetari i dëshmuar dr. Ibrahim Rugova, i cili, për nga rëndësia historike, në shërbim të kombit, nuk ka ndërmjetës që nga Gjergji ynë i madh.

Dhe, dita do të vinte. Kadri Osmani u rrjeshtua tërësisht djathtas.Tashmë, nuk kishte asnjë rezervë, asnjë mëdyshje se në udhëheqje të popullit të Kosovës ishte vënë vet Mesia, njeriu i dërguar nga Përendia, Pejgamberi vet - Ibrahim Rugova. Dhe, këtë emërtesë, këtë vlerësim i pari do ta jipte, publikisht, me shkrim, i burgosuri shumëvjeçar Kadri Osmani. Mendimin e shprehur, bindjen e tij do ta lëndëzonte në dy librat e tij, të përgaditura dhe të publikuara për dr. Rugovën: "Njeriu i Pavarësisë" dhe "Ibrahim Rugova fitoi në Kosovë  dhe në Hagë".

Parimësia - rrjedhojë e hatërmbetjeve

Parimësia e hekurtë e Kadri Osmanit - Manit ka cënuar miqësira të vjetra dhe të reja. Fort i zemëruar për krimet seriale në Kosovë, me autorë, tashmë, që dihen të së majtës ekstreme staliniste, djemtë heroikë të djeshëm, kundër pushtetit monist, që kanë vuajtur vite me radhë burgjeve jugosllave, në vend që të jenë pararojë e demokracisë, përkundrazi, janë vënë në shërbim të partive të krimit, duke u bërë pjesë e krimit, për rrjedhojë, duke stopuar proceset e mirëfillta demokratike.

Pendës të mprehtë e thumbuese të Kadri Os(Manit) nuk i shpëtuan as shokët, bashkëpunëtorë të dikurshëm të idealit. Zemrimi dhe hatërimi u bënë njësh dhe shpërthimi kaloi caqet e përmbajtjes. Ai ishte i bindur në të drejtën e tij, sepse rrjeshtimi partiak i shokëve ishte fatalisht i gabuar. Megjithatë, unë i kërkova mikut tim të hershëm, bacës Kadri, një qasje më racionale: Vlerësimin e shokëve tanë të përbashkët dhe të tjerët sipas metodës kineze, duke u shërbyer me  shifra: sa të mira dhe sa të këqija ka njeriu i shenjëstruar. Dhe, nëse pozitivja tejkalon negativën, fjalori do të duhej të ishte në raport me përmasën e shifrave. Sugjerimi im u pranua në heshtje nga baca Kadri. Ndërkohë, nuk mungoi as mirëkuptimi dhe fisnikëria e shokëve të idealit, të cilët, të aktivizuar në "Shoqatën e ish të dënuarëve politikë", të kryesuar nga zotëri Hydajet Hyseni, ishin në krye të organizimit të ceremonialit mortor të kolegut, bashkëvuajtësit, atdhetarit veteran Kadri Osmani - Mani.

Kadri Os(Mani) - polemist dhe publicist brilant

Botuesi i parë i fletushkës ilegale "Zëri i Kosovës", në vitet '70-a, në një bodrum të Prishtinës, Kadri Osmani, në nismë të shekullit të ri, do të fillonte botimin e revistës zëmadhe "Shqipëria Etnike". Përkushtimi i tij për këtë nismë, patriotike dhe fisnike, ishte aq i madh, sa që për herë të parë nuk do të ishin të një mendjeje me bashkëshorten e tij ideale, Shukrije Bunjaku - Osmani. Mospajtimi kishte bazë logjike:

- "Gjithë jetën kemi punuar për lirinë e Kosovës, tashmë, e bërë realitet. Botimi i një reviste në Mërgatë, është i kushtueshëm. Ne jetojmë me ndihmë sociale dhe kjo është një barrë e rëndë për ne dhe nuk e përballojmë", - arsyetonte zonja Shukrije. Ndërsa vendimi i bacës Kadri ishte i prerë:

-"Kosova e çliruar ende ka nevojë për një revistë të tillë, me orientim tërësor djathtas, si borxh dhe homazh i Nacionalizmës Shqiptare, e cila u përgjak, pamëshirshëm dhe krejt pameritushëm, nga bandat komuniste dhunuese, të ardhura në pushtet me ndihmën e Rusisë sllaviste".

Si kryeredaktor i revistës "Shqipëria Etnike", kam pasur fatin dhe nderin të bashkëpunoj  me mikun tim të vjetër, bacë Kadri Osmanin - Manin. Ai ishte shumë i vyeshëm dhe këtë e kërkonte edhe nga ne, bashkëpunëtorët. Kishte kritere dhe pretendime për cilësi shkrimesh dhe, herë-herë, deri në tepëri. Për këtë do t'i sugjeronte stafit botues: drejtorit Fazli Malokut, kryeredaktorit Idriz Zeqiraj  dhe zëvendës-kryeredaktorit Zeqir Lushaj me shokë, një intelektual solid dhe i suksesshëm në fushën e letrave, i cili ka realizuar intervistën më profesionale dhe më interesante me botuesin Kadri Mani - Osmani.

Poeti, publicisti i mirënjohur, Zeqir Lushaj, nga Malësia e Gjakovës, Tropoja, ishte i pari që shfaqi një mendim ndryshe nga shefi - baca Kadri, duke thënë se edhe ne jemi ndihmuar dhe mësuar nga dikush. Edhe fillestarët duhet të shprehin mendimet e tyre diku. Redaksia jonë, revista jonë duhet të jetë e hapur dhe mirëpritëse edhe për ata. Besoj se i kësaj mendjeje është edhe kryeredaktori", - shkruante zotëri Lushaj. Dhe, unë sikur u ftova për të dhënë mendimin tim nga kolegu Lushaj dhe e mbështeta, duke thënë se redaktimi i kujdesshëm i shkrimeve të bashkëpunëtorëve, e ngritë, realizon cilësinë. Dhe, baca Kadri "u dorëzua", u bind, madje pa rezistencë. Publicistika brilante e Kadri Os(Manit) do të mbetët përjetësisht në kujtesën e shqiptarëve të kudondodhur.

Studiusi, politikani dhe atdhetari zemërzjarr

Kadri Os(Mani) ishte student dhe studius i përjetshëm, në kuptimin më të mirë të kësaj emërtese. Burgjet e përsëritura do t'ia ndërprisnin edhe studimet në Universitetin e Prishtinës. Megjthatë, edhepse me shumë vonesë, për arsye objektive, të dënimeve seriale, me këmbënguljen e tij të pashoqe, ai do të diplomonte në Gjuhë letërsi shqipe. Në moshën 70 vjeçare do të magjistronte, rast unikal në Shqiptari dhe më gjerë. Dhe, me forcën shpirtërore e mendore, punonte për temën e doktoraturës, nga arritja e sigurtë e së cilës e pamundësoi shkuarja në amshimin e përjetshëm.

Mbingarkesa e skajshme politike, duke e parë, ditën për diell, se liria dhe pavarësia e Kosovës po tkurrën gjithnjë e më shumë, duke e bërë Serbinë hisedare në Kosovën e çliruar nga NATO - pakti, krerët pushtetarë aktual, të zënë peng nga krimet faktike, të bëra ndaj kuadrit ushtarakë dhe veprimtarëve të LDK-së, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë, për t'u shpëtuar prangave meritore, burgut, janë bërë të dëgjueshëmit e Serbisë dhe të miqve të tyre ndërkombëtarë, përkeqësoi, në përmasën e papërballueshme, zemrën e zjarrtë atdhetare të Kadri (Os)Manit.

Kadri Mani, edhepse i shtrirë në Klinikën Universitare të Kosovës, vazhdonte komunikimin elektronik me shokë, miq dhe dashamirë. Ai nuk po jipte asnjë shenjë të dobësimit fizik e shpirtëror. Dhe, këtë do ta vazhdonte deri në ditën e parafundit të amshimit të tij. Dr. Fehmi Cakolli, kreu i Kishës Protestante të Kosovës, me stafin e tij, me një përkujdesje xhentile, të mençur, do ta ndiqte nga afër gjendjen shëndetësore të besimtarit të devotshëm kristian - Kadri Manit, duke i vënë në dijeni, përmes postës elektronike, shokë, miq, dashamirë dhe opinionin e gjerë, të ish të burgosurit, i cili zë vendin e dytë, me kohëzgjatje të vuajtjes të dënimit politik në ish-Jugosllavi.

Kadri (Os)Mani iku kësaj bote për në amshim, duke na lënë me pengun e madh, pse nuk na përgaditi për këtë gjëmë, për ta përballuar më lehtë dhembjen, ndarjen e tij të gjithëmonshme; pse nuk dha asnjë shenjë të lamtumirës të përjetshme. Dhe, penda e tij e artë lëvizi mbi letrën e bardhë, deri në orët e fundit të shuarjes së tij fizike.

I përjetshëm qoftë kujtimi për mësuesin veteran, shkrimtarin, poetin, përkthyesin, publicistin, botuesin, studiusin,  të burgosurin politik shumëvjeçar, atdhetarin e madh dhe skajshëm të përkushtuar - Kadri Osmani - Mani.

___________

-Paç Dritë, o Kadri Mani!

-Rrenqethem sa herë e kujtoj e-mailin e mbrame të mbesës së tij: -Më tha gjyshi Kadri, lajmëroje Zeqirin se neser do të dal nga spitali…!

…Dhe vertetë doli, por…në krahët e të tjerëve…, per në rrugën e pakthim!

…E tillë është jeta!...dhe sot mu desh një hyrje e re… per intervisten e “vjetër”-

Nga Zeqir Lushaj - Zemra Shqiptare, 08.10.2013

Të dashur e të nderuar kolegë të redaksisë e ju lexues të ZSh-së,

E respektuar bashkshorte (heroike) e Kadri Manit, zonja Shukrie,

E nderuar krejt familja (Os)Mani, shokë,  miq  e koleg të Bacës Kadri!

Me ua thanë me fjalë zemre, as që më besohet se kemi një vit pa Kadri Manin. Dhe vertetë nuk e kemi një vit pa Të! Pse themi kështu?

Se, e kujtojmë çdo ditë.  E shohim çdo ditë në ballinë të revistës. E shohim çdo ditë në perberje të redaksisë si redaktor e koleg i perhershëm. E shohim në librat e tij që i marrim në dorë shpesh… E kujtojmë në biseda me shokë e me miq. Unë, per veten time e shoh dhe e ndjej kudo… Dhe shpesh, i hapi komunikimet e mia të ruajtura me miq e shokë, e tek fjalët e tija, të Kadri Trimit pra, ndalem më sëshumti. Nuk ju genjej se, shpesh edhe mërzitem, por më shumë aty gjejë forcë dhe moral, qendresë atdhetare, pathyeshmëri.

Kam shumë kujtime e korespondenca me Kadriun e paharruar dhe i ruaj me kujdes e dashuri. I ruej dhe ju rikthehem shpesh edhe kritikave të tij të rrepta. Kritika, edhe per mua, se jo rrallë edhe ziheshim por, me Atë Burr kurr nuk u zemëruam nder-veti. (Sa të bukura janë zëniet, por kur nuk ka zemërim!) Se Ai Njeri, ishte Një me Kritiken. Dhe me e bukura është se atij vertetë që i kishte hije kritika. Ia kam thenë shpesh edhe persëgjalli edhe publikisht.

…!

…E njoh nga afër që në vitet 90-të. E kam patur në shtëpi e në zyrë sa herë në Tiranë.

Ndjehem fatlum që realizova një intervistë me Bacen e  pavdekshem Kadri Mani kur paska qenë aq afer ndarjes nga jeta. E atë moment nuk e din kekrush se, siç thotë populli “e kemi më afer se këmishen veshë”!

Komunikuam bashk deri në çastet e fundit, ditet e fundit, minutat e fundit…!

Rrenqethem sa herë e kujtoj e-mailin e mbrame të mbesës së tij: -Më tha gjyshi Kadri, lajmëroe Zeqirin se neser do të dal nga spitali…!

…Dhe vertetë doli, por…në krahët e të tjerëve…per në rrugën e pakthim!

E, më thoni ju, të nderuar si mund ta harroj Unë kreshnikun Kadri? Kurrë e perjetë. Ashtu edhe si të gjithë Ju, që  ju drejtova në këtë hyrje të intervistës së vjetshme të cilen po e ripublikojmë.

Zakonisht per figura të tilla themi: -I perjetshem qoftë kujtimi i tij.

Per Kadri Manin, po e ndryshojmë pak:  -Kujtimi i Kadri Manit është i perjetshëm.

Ai nuk vdes në ideal as në ata që e kan njohur.

…!

…Ndiqeni intervisten dhe kujtojeni me dashuri Njeriun e Madh të Prishtines dhe të të gjithë Shqipërisë.

-Paç Dritë, o Kadri Mani!

-NJ, USA, 8 Tetor 2013-

____________

INTERVISTË

TRE ÇEREKË  SHEKULLI = KRENARI

(Festa tri-dimensionale e familjes së nderuar Kadri Mani- Prishtinë)

Ekskluzive nga  Zeqir Lushaj

-25 pyetje, pak (edhe) si të zorshme, në këtë Ditë të shënuar Trijubilare-

I. Pesë pyetje në lidhje me datlindjen:

1. Si ndjehesh në 75 vjetor? I gëzohesh Ditës së festës, apo ke nostalgji për ditët që kanë ikur?

Përgjigje: - Te libri që e kam botuar kam edhe një fotografi të kahershme, të përbashkët me gruan time, ku qenkam përgjigjur edhe në këtë pyetje, ende pa ma bërë: atëherë kemi qenë më të rinj, kurse tash jemi më të mençur!

2. Përse e ndërrove datë-lindjen? Aq më shumë pa i pyetur as prindërit dhe as gjendjen Civile!

Përgjigje: Prindërit na kanë vdekur, Ofiqaria ka refuzuar të ma përshtat mbiemërin nga-Osmani, në-Mani, prandaj e kujtoj me neveri atë gjendje “civile”!

Nuk jemi mësuar me kremtimin e ditëlindjeve, nuk e kemi pas shprehi... prandaj tri festat  i tkurrëm në një- trefish më pak (edhe) shpenzime!

3. Në këto 75 vite jetë, cili është viti që do të doje (më shumë), ta rijetoje përsëri, dhe pse?

Përgjigje: - Kalimi nga administrata në arsim: e kisha lexuar “Afërditën” e Sterio Spasës e po fluturoja pakrahë! Dhe merre me mend: ika nga redaksia e Revistës “Jeta e Re”, ku  isha daktilograf-depoist, kur Kuvedi i Krahinës pati blerë fotele të reja e neve na i fali të vjetrat! E lëshova Kryeqytetin e shkova në fshat me idealet e “Afërditës”!

Nga ajo kohë kujtoj kolegët: Xhelil Rama, drejtor, Fasli Maloku, Idriz Zeqiraj... me të cilët  edhe sot jemi tok ose në punë ose në restorantin “TRE PRINCAT”, në Taukbahçe  në Prishtinë! I kujtoj ish-nxënësit tanë, nga të cilët me disa edhe sot mbajmë lidhje... nuk po i përmend me emra se mos po e harroj ndonjërin e më hidhërohen! Kam  punuar jashtë orarit me nxënës më të dobët dhe kurrë s’kam dhënë nota të dobëta! Ama si çdo rregull që ka përjashtim, një nxënës rebel e kam përjashtuar nga Gjimanizi i Vitisë: ia pata dhënë paratë që ta blente abetaren e të më vinte në banesë për çdo ditë, ai kishte blerë cigare!!

4. Si e shpjegoni Ju, zotri Mani që: -Të gjithë i lutem Zotit për jetë të gjatë, ama, me u plakur nuk duam!?

Përgjigje: - E, kjo punë i mbetet Zotit ose Natyrës!?! Ne të dy që shkruajmë, sikur edhe të  tjerët si puna jonë, po lëmë gjurmë në histori: porosi-mesazhe-amanete!!! Ama kundështarët tanë me shkrimet e tyre ia kanë shkruar vetvetes aktakuzat! Prokurorët nga shkrimet e tyre do të ju ngritin paditë penale për vepra antikombëtare, sikur që janë: Rexhep Qosja, Rexhep Meidani...

5. Kush të nervozon më shumë: -Serbia… apo pleqëria?

Përgjigje: - As Serbia as pleqëria!! Po na nerovozojnë e po na çmendin shqipfolësit: kurrë s’kemi qenë në gjendje më poshtëruese! Në gjendje të pashpresë kur para syve tanë vdesin ose  vetëvriten pensionistët, invalidët e luftës... Tash kemi rënë nën robërinë vetanake! Nën robërinë e të huajve ka qenë fare lehtë të luftosh: ia ke sha gjuhën, ia ke sha himnin, ia ke sha flamurin...

Kurse tash deputetëve tanë-hajna: as nuk mund t’ua shash gjuhën, as himnin, as flamurin!!!

Nga bota e ndytë s’kemi përkrahje, ngase po na thonë se ne vetë po qevrisim!! Se jemi të lirë e të pavarur!!

Merre me mend, ne për festat tona familjare e kemi ftuar një dynja, por apostafat nuk i kemi ftuar ish-shokët tanë të ilegales as të burgjeve; dhe kuptohet se ata nuk vijnë, por edhe po të vinin, do të bëhej skandal pa një pajtim paraprak?- ngase ata i kanë duart me gjak! Dhe as po bëhen merak! Paskan qenë familjarisht të poshtër, nuk po distancohen as familjarët e tyre; vallë, a kanë pirë të nënës kulloshtër!?

II. Pesë pyetje lidhur me përvjetorin e martesës

1. Thonë se në rininë tende ke qenë shumë simpatik. Sa të sherbeu paraqitja në jetë?

Përgjigje: - Nuk di në kam qenë simpatik?- por kurrë nacisoid! Karakterin e fortë e kam trashëguar nga babai, kurse logjikën e fortë nga nëna!! Në rini kam qenë si plak, në pleqëri si i ri!!

Martesa jonë është bërë sa me simpati, poaq edhe me përkatësi politike: gruaja ime është nga një  fshat i vogël-Kosovicë, i cili shpesh quhet: Kosovica e vogël e burrave të mëdhenjë! Kosovica një fshat me 13 shtëpi e me 12 kaçakë! Janë të përmendur kaçakët: Lushi e Veseli, Ajet Bunjaku-Kosovica me tri rrethatore fishekësh!!! Kurse nga lagjja jonë, Bejtë Osmani.

Po çka mendon devja  e çka devejari?

Por çka po flasim ne të dy dhe kush na kupton!?- ne jemi të pushtuar edhe nga burokracia shkencore: FGJSH, Tiranë, 2006, f. 425, emrin-kaçak “e shpjegon”- cub mali!!

Devja e stërngarkuar nëpër vapë nëpër shkretirën e pafund, mendon se tash edhe pak e vjen në oazë ku do të pijë ujë të freskohet e të pushojë... ndërkohë që oaza nuk shihet në shkretirën e paanë, devejari ia hedh mbi shpinë edhe xhyben e vet! Dhe pas pak edhe ai vetë i gjuhet mbi shpinë!!

Dhe lexuesit që i ka “edukuar” Akademia, mund të thonë:

-Për çfarë bëjnë fjalë këta?- për cubni!?! Dhe, praktikisht del se rrahëm ujë në havan!

2. Sa vashave  ju ke thënë “Jo”, derisa hase në legjendarën Shukrije?

Përgjigje: - Atëherë ka qenë tjetër kohë, koha mësitnisë! Po Shukrija e ka pas hallën te një fqinji ynë, dhe ne kemi “biseduar” me ndërmjetësimin e kushërirës Zejnepe: dhe kur e kanë lyp gjithandej, ajo për mua ka thënë-po! Se është një djalë që po çmendet për të!

3. Me fjalët aq të zgjedhura që ia drejtoni bashkëshortes, mos doni ti thoni se: “je lindur për Kadri Manin”.

Përgjigje: - Ashtu disi! Dhe për mirënjohje: po i  the njeriut-mosmirënjohës, s’ka nevojë ta shash më tej me asnjë fjalë, që të gjitha i ke përfshirë!

Shukrijes i ka vdekur nëna në moshën 13-vjeçare (sikur edhe mua!), dhe kjo është bërë zojë shtëpie për pastrim e për gatim!! Shukrija është kujdesur edhe për mysafirë: unë në shtëpinë time kam qenë symsafir! Kurrë nuk më ka pyetur se ku po shkoj as kur po kthehem! Edhe ajo ka qenë e lirë, si  zogu në degë, ka mund të fluturojë për Amerikë e për Afrikë... as pa më pyetur mua! Desha të them, fjala-gjelozi, për ne as ka ekzistua as ekziston!!

4. Kush ka vuajtur më shumë: -Kadriu në burg, apo Shukrieja në ‘liri”?

Përgjigje: - Ajo më shumë me fëmijët, me shkollimin e tyre... por herën e fundit e kanë marrë pensionin tim edhe gjatë vuajtjes së dënimit! Kjo është e pakuptueshme për regjimin  enverist, po në titoizëm nuk është përndjekur familja për shkak të individit.

5. Po të ishe sot 20 vjeçar, a do të pranoje të hyje në “Big-Bradhër”?

Përgjigje: - Kategorikisht-JO. Te ZemraShqiptare e kam pas një  reagim: o anglez, mos u bëj anglez! Turpi i dyfisht është i atyre të “fejuarëve” apo edhe të “martuarëve”!?! Dhe shumëfish i prindërve dhe i të afërmëve të tyre!

III. Pesë pyetje, si risi-ist dhe shkrimtar-publiçist.

1. Kur e binde veten se, mund të shkruash artikuj, vjersha, libra?

Përgjigje: - Vjersha ime e parë, që nuk është botuar, e ka pas titullin: macja dhe miu: protestoja përse macja e masakron miun e vogël e të shkretë!? Kush e di në dorë të cilit redaktor burokrat ka rënë, dhe si ndonjë maçoku plak që i kalon miu përrreth mustaqeve, i mbyllë sytë, do t’i ketë ardhur mërzi edhe ta hudhë në shportën e hedhurinave!?

I vetmi i ndjeri Dr. Esad Mekuli ishte ai i cili me vjershë në dorë shkonte nëpër shkolla dhe e gjente autorin e bisedonte me të...

Pra, reagimi ndaj të keqes, ose mburrja për një vepër të mirë: u ndërtua një rrugë, një urë...e gjeti kuletën me para dhe ia ktheu pronarit...

Fshati ynë Makreshi i Poshtëm është midis Moravës dhe Gallapit, një fshat si një “doaganë” e fjalëve: si flasin moravalinjtë e si flasin malokët? Rrafshi ka qenë më i pushtuar, andaj edhe më i asimiluar, kodrat as i kanë vyejt pushtuesit as ka guxur të ngjitet andej nga krisja e mamëzerës shpat më shpat!

I përlepnicasi ose i koretinësi... thoshte:

-E mora një xhak (barrë) e nëpër një putinkë (rrugicë) shkova në mulli.

–Jo bre- ju thosha- thuaj edhe në- vodenicë (skr. mullirit) dhe u krye puna!

Kurse malokët e zgjasin  dhe e varisin zërin... pastaj zanorën-u, dhe-o e shqiptojnë disi si-ë:

-Pëla e bani vënë!

Kështu që, dëgjuesi e ka si zor ta marrë vesh në se vezën  e ka bërë pula apo pela!?

Po  më thoshte një katundare imja e martuar në Marec:

-Ti njëherë gabëve, dyherë gabëve... ti shumëherë gabëve!! Tito është për të gjithë...

2. Cila është vepra juaj letrare që e shikoni më me dashuri, dhe pse?

Përgjgije: - Dy kurorat sonetike: “SHQIPJA E LARTËSIVE”, kushtuar gruas time dhe:”NËNË TEREZA E SHQIPËRISË”, kushtuar nënës tonë Tereze që njëherit u bë edhe nënë e botës! Po citohet që Klintoni të ketë shkuar në Kalkuta te përmendorja e Nënës Terze e t’ia ketë puthur sandalët:

-Nëna Terezë, prehu e qetë, ta çova amnetin në vend, populli yt kosovar është i lirë!

Por, ajme, enveristë-stalinistët Nënën Tereze e quajnë shtrigë, kurvë!! Elemendët si Hydajet Hyseni, Qerim Pllana...

3. Cilin veçoni nga shkrimtarët shqiptarë-sot?

Përgjigje: - Pamëdyshje (jo-paekuivoke!), që veçoj Ismail Kadarenë, me kusht që kurrë më të mos e përmend politikën! Proçkën më të re e ka: Aleancën Kuq  e Zi të Shkodrës, e quajti studentët e Shkodrës kërkojnë! E pra, studentët janë përparimtarë, kurse Aleanca Kuq e Zi është enveriste-staliniste!!

Prandaj habitëm  se si Faik Krasniqi mund të jetë aq naiv e ta theksojnë vijimisht se është anëtar i Alencës Kuq e Zi!?- apo nuk e di?

4. Megjithëse ju na bëni përditë vërejtje drejtshkrimore, a e shihni se shqipja po shkruhet edhe më keq?

Përgjigje: - Bamir (bakeq) Top-tani thotë: mënd, vënd, kuvën, zëmër... gjë që është shkelja më drastike e standardit; duhet:mend, vend, kuven, zemër...

Komi(k)sioni separatist për përpilimin e fjalorëve, i stërvjetruar, duhet të shporret. Ata s’kanë turp që Fjalori i Mehmet Elezit e Bajram Qerimit... janë më voluminozë se ai i Akademisë!?!

5. Edhe sa libra ke në dorëshkrim dhe kur mendoni për t’i botuar?

Pergjigje: - Kam mbi  10 libra dhe  tash që u bëra “bos” mund t’i botoj!

IV. Pesë pyetje, si politikan:

1. Shumë ish të burgosur e urrejnë politikën, se ajo i futi në burg. Po Kadri Mani, ç’thotë?

Përgjigje: - Politika është një terren i rrëshqitshëm, rrëxohesh e çohesh, përgjakesh... por idealet e larta për liri, ta forcojnë zemrën-çelik! Por vetë fakti  se dikush ka qenë në burg, s’ka asnjë kuptim: burgu është stallë e stala është burg: kush jua ka përshkruar lopëve për atdhetarizëm që një jetë kanë qëndruar në stallën-burg?

Ata që bijen në burg rastësisht,  e përjetojnë burgun sikur edhe ordinerët- katastrofë!  Kurse politikanët janë të parapërgatitur, edhe për burg edhe për varr! Ja liri-ja vdekje! Politikani jeton ndryshe nga ordineri: çon jetë të dinjitetshme, lexon, nuk shoqërohet me këdo... po u përzieve me krunde, të hanë pulat!

2. Pse shumë politikanë ju lënë amanet fëmijëve të tyre: -Mos u merrni me politikë?

Përgjigje: - Ngaase janë budallenj! Njerëzit janë kafshë politike, ata që nuk janë-politike, janë thjeshtë-kafshë! Politika është ajka e kulturës dhe e qytetërimit.

3. Më shumë gabime ka bërë politika me Kadri Manin, apo Kadri Mani në politikë?

Përgjigje: - Koleg! Thonë se  tregtarët janë mashtrues, ama nuk janë që të gjithë mashtrues: shefi i furnizimit njofton për ardhjen e një artikulli sot një javë, dhe atë, shefin, e mashtrojnë, e dalin, padashje,- mashtrues! Në rastin tonë jopolitikanët  e mashtruesit ishin Adem Demaçi e Hydajet Hyseni, dhe neve na shembën xhambazët e politikës!!

Mehmet Hajrizi dhe unë i kemi  pas politikanë edhe vëllezërit para nesh, dhe ne nuk mund të gabonim, kur kishim përvojën e tyre.

4. Përveç Ibrahim Rugovës që e vlerësoni shumë, cilin tjetër mund ta përkufizoni si “ideal politik”?

Përgjigje: - Dr. Sali Berishën: ta udhëheqish Shqipërinë, mbase është ca më zor sesa ta udhëheqish Amerikën!? Pavarësisht që ka edhe gabime: gabimi e kobi i një partie fillon me nënçmimin e kuadrove të veta! Nuk është e ndershme që kuadri numër një, Idriz Zeqiraj, të punojnë në ndërtimtari në Gjermani!! Në kohën kur mund të jetë, të paktën, Drejtor i Radio-televizionit,   e të ndërpritet njëherë e mirë ajo: retherotull! (rretherrotull).

Presidentin e nderuar e tradhtoi edhe vetë Kryetari Bemir (bakeq) Top-tani! E ka shkurtuar emrin për të na mashtruar edhe ky pinjoll i tradhtarëve-Toptani!

5. -Je themelues i revistës ShqipëriEtnike. A mendon se, nipat e mbesat tona do ta arrijnë at’ Shqipëri?

Përgjigje: - Po, absolutisht PO! Shqipëria Etnike ekziston ndaj do të ribëhet.

V. Pesë pyetje, të përziera, “miks”:

1. Kadri, është njëri nga 12 sektet e tarikateve alivjane, e sa për Osman, dihet se kush është. A e pate të  veshtirë të kapërcesh mbi të dyja  e të shkosh të bekohesh në kishë?

Përgjigje: - Vetë bredhritja e gjatë mbi gjysmëshekullore flet vetë; por, më në fund, gjakimi i gjatë për bashkim kombëtar, dha rezultet e veta: unë në Prishtinë rashë në një shoqëri të shëndoshë, në elitën e Kryeqytetit: Dr. Femi Cakolli, mësuesi im i besimit, Abdurrahman Kelmendi-Duri, Hasan Dërmaku, Anton Nikë Berisha, Hajdar Fejzullahu... e kemi Shoqatën RENESANCA SHPIRTËRORE: Ishim në një mbledhje të NDSH-së me kryetar zotin Pashk Staka, një arsimtar veteran drenicak, Beqiri, tha:

-A pajtohemi ne sëpari me Pashk Stakën?

Ne të habitur i zgurdulluam sytë dhe po presim se ku do të dalë ky: si të “bashkohemi” kur jemi të bashkuar dhe vetë ne e kemi zgjerur Kryetar!?

-E!- Këtu qëndron dyfytyrësia shqiptare: a i kemi martesat e përbashkëta, a i kemi varrezat e përbashkëta...!?- andaj për bashkim sot flasin  kodoshët!

2. Në Kosovë, jo pak njerëz të quajnë Demaçi nr 2. Pse e sulmon kaq shumë Një-shin?

Përgjigje: - Kam ngurruar gjatë që ta sulmoja: pikërisht pse më quanin “Demaçi-2”- po mendoja: sapo ta kritikoj, do të thonë, ja bajraktari, nuk po i mjafton vendi 2, por do të dalë i pari!

Kisha parasysh edhe Romanin “Afërdita”: zoti Remko merrte ryshfet, Afërdita nuk merrte. Kur nxënësit i kthenin  vezët e shpjegonin se mësuesja Afërditë nuk i do vezët?- popullata e prishur, po thoshin:

-Shihe njëherë, zuska, nuk dashka vezë, dashka pula!

Jam duke shkruar libër kundër Adem Demaçit:

Adem Demaçi i ka spiunu shokët e vet në hetuesi dhe i ka shpërfillur në liri!!

Përgjigje me libër në libër të Prof. Dr. Hakif Bajramit: “EPOKA E ADEM DEMAÇIT”, Prishtinë, 2009, f. 67; si dhe: Prof. Dr. Hakif Bajrami: “ME RASTIN E 50-VJETRORIT TË DËNIMIT TË PARË TË ADEM DEMAÇIT, MË 1959 (“KOSOVA SOT”, 1-14  shtator 2009

Kur Jugosllavia ishte forcë e madhe në Ballkan, Adem Demaçi bëri Programin revolucionar për shkatërrimin e Jugosllavisë: ne veprimtarët ramë nëpër burgje, lamë nuset e reja, familjet... Kur filloi të prishej Jugosllavia, e ftuam Ademin dhe i thamë: tash është koha që ta realizojmë atë Programin tënd revolucionar?

-Jo, se unë kam zemër poeti!!! (Sabri Novosella)

Adem Demaçi karrierist, edhe sot nëpër autobusët urbanë llomotitë kundër Dr. Rugovës! Adem Damaçi e pati propozuar për Kryetare të Kosovës Rada Trajkoviqin!

3. Si do të reagonit nëse, Ditën e Festës suaj, në mes të pjesmarrësve, të shfaqej krejt papritur akademik Rexhep Qosja me një buqetë të madhe me lule në dorë?

Përgjigje: - Koleg! E ke fantazinë e zhvilluar! Qosja gjakatar me thënien e vet: Revolucioni i Vonuar Demokratik, e gjakosi Shqipërinë dhe Kosovën! Tash po ta jap një lajm të mirë: paska shkruar në pension akademiku Besim Bokshi, heshtak! Dhe në vend të tij qenka zgjedhur për Kryetar i Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës, akademik Hivzi Islami, demograf, i cili e ka filluar punën me kritika ndaj Qosjes!! Andaj unë ia urova detyrën dhe fillova bashkëpunimin me Akademinë, që deri më tash e ktheja kokën anash të mos e shoh as ndërtesën!

Tirana ia pati mpreh brirët Qosjes: po e quanin rilindas! Disa vajzusha po doktoronin me veprat e Qosjes pornografike-banditeske!

Po ju njoftoj për opinion, se ti e di, revista jonë “ShqipëriEtnike” për një dekadë Qosjen e ka pas në shënjestër të kritikave me mbititull: Mbi 100 intelektualë shqiptarë kanë shkruar për sjelljet antikombëtare të Qosjes!

Artikujt e parë kundër tij i kanë shkruar: Fadil Bujari, Kryeredaktor i “Rilindjes”, Akademik Fehmi Agani, unë... Me libra kanë dalë: Sylejman Aliu: FILOZOFIA E KRROKAMËS (Qosja para pasqyrës), Sami Krosi: “Mëkatet filozofike dhe shkencore, të Rexhep Qosjes së ri”, Shkup, 2001....

Kurse kusht për pajtim, unë e kam formuluar tekstin: kemi qenë llapaqena, betohemi e përbetohemi se nga sot (data) do ta bëjmë KTHESËN.

4.  Përveç operacionit të suksesshëm në zemër, çfarë tjetër i kujton Zvicrës?

Përgjigje: - Zvicra është një shtet reklamash! Reklamash gënjeshtare: kursi për gjuhën është gratis! Ndërsa kursin duhet ta pagush 40.000 franga!!!!

Shef për punë të brendshme ka qenë Aflred Këller, i cili e ftonte tinëzish në bisedë Sokolloviqin! Pastaj Karla del Ponte, proserbe, Dik Maty...Zvicra tradicionalisht, sikur edhe Franca, kanë qenë proserbe: madje ka qarkulluar një informatë se ushtria zvicrane ka marrë pjesë tok me ushtrinë serbe në rrethimin e Shkodrës!?! Kurse Franca që qe kthyer me ne, është meritë e Dr. Murat Bejtës!

5. A mendoni se, fakti që sot je një “milioner i ri- kapitalist”, do sjelli shumë ndryshime në Kadriun e derisotëm?

Përgjigje: - Unë nuk jam milioner! Kam një banesë komode dydhomëshe dhe kabinetin e punës, dhe meqë më ka kaluar mosha për veturë, do ta shes garazhdën që t’i botoj librat... kam tre fëmijë e 11 nipa e mbesa...,-i dashur koleg.

--------------

Të falenderoj miku im i vjetër, që pranuat të më jepni këtë intervistë. I lutëm Zotit që këtë mirësi të ma japin edhe në 80-vjetorin tuaj, veçse atëherë, aty, këmbëkryq në Prishtinë e jo nga përtej oqeanit…!

Zoti të nderoftë, Kadri Man Prishtina.

Zoti e nderofë revisten ZemraShqiptare, që të don e të respekton kaq shumë.

Mirë u pafshim, në përvjetorë të tjerë, më i moshur, por, edhe më i rinuar.

Të fala Shukrijes, krejt familjes Mani e shumë shokëve e miqëve asaj Prishtine e përrreth.

Për ZemraShqiptare dhe ShqipëriEtnike, nga Zeqir Lushaj , NJ, USA, Qershor 2012-

Publikuar më 10.06.2012

____________

Kadri Osmani, zemra e shqiptarise!

Nga Enver Bytyçi - Zemra Shqiptare, 06.10.2013

Kadri Osmani gjendet tash prej një viti në boten e amshuar. Ndërsa emri i tij, vepra e tij, kontributi i tij, trashëgimia e këtij burri të madh atdhetar na ka mbetur ne që ende jetojmë, e që nuk jemi të sigurt nëse do të shohim ditë më të mira apo më të liga se Kadri Osmani.

Kadri Osmani ishte një idealist atdhetar i pashoq. Nëse do të dini se cili është njeriu i pakompromis, duhet marrë si etalon, Kadri Osmani. Ai bëri kompromis vetëm me bindjet e tij. Por jo me servilet, antishqiptaret, hajnat, spiunët a hipokritët. Nuk ta përtonte burri idealist i Kosovës që të bënte debat me mikun e tij mët të ngushtë, nëse e ndjente se e drejta ishte në anën e tij. Nuk bënte ai sikur nuk shihte ose nuk dëgjonte, kur dikush shkruante keq e përsë keqi, ose kur dikushi fliste pa rrotlla.

Kadri Osmani mbtete në kujtesen e bashkatdhetarëve të tij si patriot i madh, si nacionalist i palodhur. Në shërbim të Kosovës ai u vu me shpirt e me trup. Perballoi sakrifica të panumërta dhe nuk u nda deri në ditën e fundit nga puna dhe lufta për atdhe, për komb e për familje.

Trinomi i Kadri Osmanit ishte atdheu ß Kosova, kombi ß Shqipëria dhe familja e ngushtë dhe e gjerë e tij, të cilën e kishte kult. Ai me mençuri vlerësoi lart figurat e kombit shqiptar, veçanërisht dy emblemat e tij, Nenën Terezë dhe Ibrahim Rugovën. Kur nderon këto dy figura të papërsëritshme në historinë e kombit tonë, ai mbart me vete lavdinë, parajsën dhe është i bekuar prej Zotit! Një prej atyre që Zoti i Madhë e ka bekuar, unë besoj se është edhe Kadri Osmani.

Qoftë i lavdishëm për jetë emri i tij! Ndërsa brezat që do të vijnë do ta mësojnë Kadri Osmanin në librat e tij si dhe në vepren e tij te shquar në luften për çlirimin e Kosovës!

____________

Në tremujorin e vdekjes së Kadri Manit

KADRI MANI – ZEMRA E ZEMRËS SHQIPTARE  DHE  SHQIPËRISË ETNIKE

Nga Ditari i së premtes  të 12  tetorit  2012

Nga Gani Mehmeti - Zemra Shqiptare, 12.01.2013

Nuk  më bën inerneti. Sot e bleva një kabllon e lidha variliesin në lap-top, dhe, disi hyri në Facebook. Hyra edhe në Zemra Shqiptare! Aty, po lexoj shkrime të  mira nga të tjerët për KADRI MANIN! Më interesoi se për ç’gjë janë gjithë ato shkrime me pietet aq të lartë! Jo, pse nuk i meriton Kadri Mani, por përse, përse? Kur ai para katër muajsh pati festuar tri festa: 1 Të martesës, 2. 50 vjetorin e shkrimeve e veprimtarisë  së tij atdhetare, dhe 3. 75  vjetorin e jetës së tij. Ishte kjo pikërisht më 17 qershor 2012. Pra e dija se nuk ka ndonjë jubile. Dhe, kur po lexoj më tutje, po i dëshirohet RRUGË E MBARË, që tani është bërë si një modë  me rastin e vdekjes së dikujt! Dhe, po...

KADRI MANI paska vdekur!

Paska vdekur në spital më 9. X. 2012 dhe qenka varrosur më 10. 10. 2012!

Unë tani kuptova dhe aq shumë ndjeva dhimbje për të, se lapsi nuk e rrok! Po, ja, këto i ka kurbeti: vdesin të afërmit, shokët, miqtë, të dashurit, dhe nuk e di, nuk kupton, nuk je aty të shmallesh me ta deri në ditën e fundit! Për këtë arsye e shumë të tjera, kurbeti është  rëndë,  jo se njeriu ka në dorë diçka , por vetëm që t’i gjendet pranë, e, siç thashë, të shmallet me ta deri në ditën e fundit! Jetë o jetë! Vdekje o vdekje, po shumë herët e more Kedriun! Ai ka pasur edhe shumë të thotë! Nuk i ka thënë të gjitha, as një të qindtën nuk e ka thënë, sado që ka thënë e ka shkruar për këto pasëdhjetë vite. Kadriu e thoshte krejt atë, ashtu si e dinte, si e ndjente, ashtu siç e shihte dhe siç ishte. Kadriu nuk turpërohej, nuk përkëdhelte askë kur nuk ishte për përkëdhelje, ia thoshte troç përpara syve me mjaft mllef kur nuk e kishte mirë dikush. Revoltohej e ishte i rreptë ndër dialogje e polemika. Ishte i papërkulur, siç kishte shkruar dikush nga shokët e tij. Nuk falte askë: as djalin, as vajzën, as shokun, as mikun kur nuk mendonte, kur nuk vepronte apo kur nuk shkruante Kobëtarisht. Ai kishte për ideal vetëm Kombin Shqiptar dhe Shqipërinë Etnike. Vetëm kjo e mundonte se si të arrihet, i revoltuar se nuk po punohej në këtë drejtim, natyrisht, tani,  nga dy shtetet shqiptare - Shqipëria dhe Kosova, të cilat e kanë për obligim të punojnë më shumë e t’imbledhin viset tjera të tyre t’i shtijnë nën juridiksionin shtetëror, duke u bashkuar pastaj, të gjitha në një. Besoj se ky është qëllim, ide dhe veprim i gjithë shqiptarëve të vërtetë.

E kemi vështirë të mos presim më shkrime të reja prej tij, ashtu siç na i jepte ai pa dorëza, por përplot shprehje të forta, me fjalë çfare e kërkonte natyra e shkrimit dhe njeriu, për të cilin e kishte fjalën. Ai i binte drejt, nuk sillej rrethit për të ardhë tek qëllimi! Aso fare, thoshte ai, duhet shpjeguar vetëm nxënësve, për t’i provokuar, sa po e kuptojnë për kë është fjala dhe  sa po dinë të vijnë tek qëllimi! Në politikë, kur nuk gënjen, duhet shkuar drejtë, që ta kuptojë secili, s’ka nevojë këtu për rrotlla. Për aso fare janë anekdotat, thoshte.

Vonë e njoha Kadriun. Na bashkoi ALB-SHKENCA, por mbetëm shokë, ama shokë të ngushtë. Unë shkoja tek ai sikur në shtëpinë time. Nuk e ndjeja veten ndryshe. Kam përplot të tjerë që jam njohur që herët, por nuk jam aq i  lirë sa isha në shrtëpine e tij! Po, sepse Kadriu të ftonte të rrije  e  të punoje, ndërsa do të haje ose do të pije, ashtu siç e kishte bërë gati për vete. edhe pse asnjëherë nuk ishte keq...

Kadriu jetonte në mesin e librave, fletushkave, gazetave e revistave... Ai lexonte shumë dhe shkruante shumë, por, polemizonte më shumë. Ishte fetar, kur feja ishte në favor të Kombit, dhe, ishte antifetar, kur feja ishte antikombëtare.

Kadriu, Kadriu që nuk linte askë pa ia thënë një barcoletë, shpesh edhe pa u përshëndetur ende me të. Nuk e di se si i kishte në majë të gjuhës, dhe, i kishte gjithfarësh, kështu që na i thoshte sipas  rastit e bisedës, siç i kërkonte vendi dhe kuvendi, që thuhet. Ai vetëm ua zgjithte grykën, e ato, sikur  derdheshin nga thesi!...

Kadri Mani, edhe një herë, Lavdi punës sate të madhe!

Kishte vetëm dy javë para se ta lëshoja Kosovën, kur me inisiativën e kushëririt, shokut e bashkëmoshatarit tim, zotëri Miftar Krasniqit, kishim ndërmend të dalim në vizitë viseve më të thella malore të trevës së Llapit, deri në Reçicën e Demë Ahmetit, dhe në Murgullmën e banuar nga moti në antikitet, por që në mungesë të hulumtimeve arkeologjike, nuk është bërë gati asgjë në këtë drejtim.

Në bisedë e sipër, Miftari propozon ta ftojmë edhe Prof. Dr. Shefki Sejdiun, i cili ka dëshirë të madhe të marrë rrugë për në këto vise. Miftari më thot se mund të marrim edhe dy  të tjerë në veturë, që të bëhemi pesë veta. Dhe, po. Unë e propozoj pikërisht Kadri Manin, ndërsa Prof. Dr. Shefki Sejdiu  propozon Halil Kajtazin, të cilit i paska premtuar se kurdo që t’i jepej rasti do ta qesi edhe deri në Llap, sepse të dy këta nuk kishin pasur rast ta shkelin Llapin përtej kryeqendrës së tij, Podujevës. Ishte kjo dita e 12 gushtit 2012, e diel.

Se do të ishte hera e fiundit e vizitës me Kadri Manin, nuk e kisha menduar assesi! Pati marrë ca shënime edhe për një reportazh, por unë ika në kurbet, dhe përveç edhe një ndeje tjetër në Prishtinë, po ashtu, bashkë edhe me Halil Kajtazin, nuk isha parë me të dhe as që kisha komunikuar.

Një e di se ai në shtëpi punonte shumë dhe aty, në shtëpinë e tij,  e kishte adresën Shqipëria Etnike. Prandaj, me plotë të drejtë unë e quaj Kadri Manin Zemrën e Zemrës Shqiptare dhe të revistës Shqipëria Etnike.

Në vazhdim, në shenjë përkujtimi të Kadri Manit në tremujorin e shkuarjes së tij në amshim, sjell edhe disa nga fotot e vizitës në trevën e Llapit, deri atje ku sot kufizohet me Serbinë Llapi dhe Kosova.

____________

NJE VIT PA KADRI MANIN

- Në shenjë përkujtimi e respekti ndaj tij, që shumë na mungon -

Nga Gani Mehmeti - Zemra Shqiptare, 08.10.2013

Me kalimin e ditëve, kalojnë edhe vitet. Shumë shpejt kaloi një vit pa të Madhin, Kombëtarin, Letrarin, Gjuhëtarin, Enciklopedistin, babin e barcoletave shqipe… Një vit pa familjarin, shokun, mikun. Një vit pa luftëtarin e madh kundër padrejtësisë, pa luftëtarin e lirisë, pa të burgosurin politik për çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbe,  pa reaguesin e menjëhershëm kundër pseudoshkencëtarëve, kundër të gjithë atyre që e meritonin. Kadri Mani nuk ia falte as sekondin asnjërit. Ai nuk e shikonte fare se kush ishte në kokë, ia kthente edhe shokut më të ngushtë kur e meritonte, i mbetej në fyt për çështjen kombëtare, për njerëzoren, për të drejtën. Ai mbante mend gjithçka dhe nuk harronte asgjë.

Ia kisha për lakmi se sa shumë barcoletat i mbante mend. Ai vetëm e zgjedhte  sipas muhabetit, dhe dukej, sikur i kishte ne grusht apo ne xhep, që sikur vetëm i nxirrte, apo sikur ua zgjidhte grykën e i derdhte, ashtu dukej, sikur pa fije mundi i radhiste e i thoshte. Karakteristikë e tij ishte se për secilën moshë kishte mjaft barcoleta.

Kadriu nuk e di sot për bisedimet, dhe për  lëshimet ndaj Serbisë pa asnjë kushtëzim. Krejt çka i ka kërkuar deri sot Serbia – i janë dhënë. Serbia sot është më shumë e pranishme në Kosovë se me Kushtetutën e 1974-ës. Serbia imponoi amnistinë, Sertbia caktoi zgjedhjet në Kosovë, dhe sërish kërkon edhe të hyjnë deri thellë në Kosovë zyrtarët e saj, kryetari, kryeministri, zëvendës kryeministrat e kryetarë partishë të Serbisë. Nuk është dëgjuar deri sot që, në fushata parazgjedhore, të marrin pjesë nga shtete të tjera, ndërsa Serbia kërcënon me ndërprerje bisedimesh, me mospjesëmarrje në zgjedhje, po qe se nuk lejohen të marrin pjesë në fushatë parazgjedhore edhe serbët e Serbisë!!!

Serbia ka zgjedhur pjesëtarët serbë në policinë e Kosovës, jo Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës. Serbia ka emëruar komandantin e policisë në Mitrovicë. Serbia bllokon rrugën për në kufi me Serbinë sa herë të dojë, Serbia financon serbët në Kosovë, pse ata punojnë për Serbinë nëKosovë.

I shkrova këto, se Kadri Mani, të paktën me shkrimet e tij, do ta denonconte këtë të quajturën Qeveri të Republikës së Kosovës. Se, me këto lëshime ndaj Serbisë, në fakt po na del një republikë prej kartoni, siç kishin thënë disa në Serbi menjëherë pas shpalljes së Republikës së Kosovës, më 17 shkurt 2008. Aso kohe nuk u kishim besuar, por tani po duket sheshit.

Kadri Mani ishte kundër ekstremizmit fetar islam në Kosovë dhe e luftonte atë.

Më poshtë, për ta përkujtuar Kadriun, sjellim  tri  foto  të Kadri Manit me shokë të tij, që shihet se ai ishte dashamirës i shkencës shqiptare, me të cilën merrej.

____________

Më 12.10.2013 në Sallën e kuqe në Prishtinë, u mbajtë  akademi  kushtuar 1 vjetorit të  kalimit në amshim të atdhetarit të paepur Kadri Osmani- Mani, organizuar nga Komuna e Artanës  – kryetari Bajrush Ymeri, ku përveç familjes morën pjesë edhe shokë, miq e dashamirë të tij. Në këtë akademi i pari u paraqit me kumtesë Bajrush Ymeri, së dyti Naim Shaqiri,  së treti Pashkë Staka, krytar i NDSHK-së, pastaj Nuhi Veselaj, pas tij aktori Sylejman Lokaj recitoi vargje nga krijimtaria e Kadriut dhe së fundi  u paraqit bashkëveprtimtari i tij Idriz Zeqiraj, i cili  me plot emocion evokoi  kujtime nga jeta e përbashkët me shokun e idealit Kadri Osmani.

Nuhi Veselaj, pasi paraprakisht përshëndeti familjen Osmani me në krye zonjën Shukrije, në mënyrë të veçantë  përshëndeti dhe falenderoi  organizuesin e kësaj akademie z. Bajrush Ymeri, pastaj parafolësit dhe të gjithë të pranishmit  lexoi kumtesën me titull:

Kadri Osmani – shëmbëlltyrë emblematike në rrugëtimin drejt Shqipërisë Etnike

Nga Nuhi Veselaj - Zemra Shqiptare, 16.11.2013

Formulimin e kumtesës sime “Kadri Mani - shëmbëlltyrë emblematike në rrugëtimin drejt Shqipërisë Etnike” e bëra jo krejtësisht mbi bazë të qëndrimit tim subjektiv, si krushk (mik shpije), shok ideali i Kadriut, por në radhë të parë sipas përshtypjes që më është ravijëzuar nga përmbajtja e bisedës mjaft të gjatë që pata me të, dy ditë para se të ikte në amshim. Ishte shumë I kthellët nga mendja, edhe pse dukej se ende ishte i enjtur. Madje, po këtë ide e ndesha të shprehur kryesisht edhe në faqet e portalit zemra shqiptare, citate këto që i po i sjell tash fill:

- Vdekja e Kadri Manit tronditi gjithë rruzullin shqiptar, ku ndihet fryma kombëtare shqiptare, ku ka aromë të Shqipërisë etnike (nga kumti i  redaksisë).

- Për shqiptarë të përmasave si Kadri Mani nuk ka dhe nuk do të ketë vdekje kurrë. Ai erdhi në jetë besnik i idealeve atdhetare dhe ishte krejt asht nga ashti I Mëmëdheut e si i tillë patriotizmën e quajti detyrë dhe nuk kërkoi kurrë përfitim prej tij. (Eduard Dilo, 13.10. 2012),

- Kaloi viti, pa të Madhin, Kombëtarin, Letrarin, Gjuhëtarin, Enciklopedistin, Babën e barcoletave…, pa familjarin, shokun, mikun…, pa luftëtarin e madh kundër padrejtësive, pa luftëtarin e lirisë, pa të burgosurin politik, pa reaguesin e menjëhershëm kundër pseudoshkencëtarëve, negociatorëve  servilë,  kundlër ekstremizmit fetar etj. (Gani Mehmeti, 10.10.213).

- Kadri Mani mbetet i përjetshëm, intervista e tij u lexua nga 1300 lexues dhe pati 30 urime dashamirëse (Zeqir Lushaj, 03.10 2013)

- Reportazhi për Kadri Manin brenda 24 orëve u shfletua  nga mbi 1200 vetë, kjo do të thotë se kemi të bëjmë me  një shqiptar të madh, sypatrembur…  (Baki Ymeri, 09.10.2013);

- Në revistën Zemra Shqiptare kanë hyrë e kanë dale shumë redaktorë, bashkëpunëtorë, miq e simpatizantë ngas gjithë trevat shqiptare dhe diaspora, dhe të gjithë ata mbeten të nderuar për aq sa kanë ditur e kanë mundur me dhanë ndihmesën e tyre, por Daniel Gazulli dhe Kadri Mani, të cilët u ndanë thuajse njëkohësisht nga jeta,  u dalluan. Këta dy janë shpallur për gjithmonë anëtarë (nderi) të redaksisë sonë.. Paçin dritë atje ku janë! …  madje në ballinën e ZSH mbahet fotoja e bacës Kadri me këngën e Ali Gashit…(Redaktori i përgjithshëm i ZSH-së, 03.10.2013);

- Kadriu, gjithmonë ka qenë në shënjestër të UDB-se, por ai sypatrembur  gjithmonë ka qenë në shërbim të atdheut…-(Xhafer Leci)

- K. Mani ishte etalon, pakompromis kundër servilëve, spiunëve e hipokritëve …(Enver Bytyçi);

- Kadri Osmani, cilësohet si një nga personalitetet më të dalluara të rezistencës kiombëtare që nga vitet e ‘6o-a,  Shembëlltyra dhe vepra e tij do të kujtohen vazhdimisht me respekt të veçantë (Jakup Krasniqi).

- Kadri Os/Mani – botues i pare i fletushkës ilegale Zëri Kosovës, do të fillonte në Zvicër botimin e revistës zëmadhe Shqipëria etnike (pa pasur kushte të volitshme material), ngase sipas tij Kosova e çliruar ka nevojë për një revistë të tillë me orientim tërësor djathtas .(Idriz Zeqiraj)

Nuk po citoj vlerësime të tjera, ngase më duket se mjaftojnë këto sa për të arsyetuar titullin që u vura kësaj paraqitjeje, por ç’është e drejta, as nga citatet e sapocekura, as nga fjala ime, as nga kujtimet e kujdoqofshin ato  gjithsesi nuk mjaftojnë për me e ndriçue sadopak shëmbëlltyra e Kadri Osmanit, këtij mandele të dytë kosovar, andaj  veprimtaria e tij duhet trajtuar jo vetëm sipas qëndrimit të tij politik momental  here si i majtë e hertë si i  djathtë, siç e përmend me vend Savet Hyseni, por duhet parë gjithashëm. Së këtejmi mendoj se fenomeni Kadri Osmani, si luftëtar i paepur, për të pare formëzimin e tij  atdhetar është mire të hulumtohet më thellë dhe sipas disa periudhave:

Së pari, duhet filluar që nga periudha 1935 -1941, sa ishte fëmijë në kohën e Jugosllavisë së Kralit, kur për të gjithë shqiptarët ishte zi e më zi, kjo futë domo0ddo ishte e pranishme edhe neë zemareat e fëmijëve/

Së dyti, periudha e shkurtë 1941 – 1944 tash kur rrethanat krijuan mundësinë që edhe në Makresh, që ishte fshat ndërlidhës I dy krahinëzave shqiptare Gallak e Anamoravë, si kudo në Kosovë e vise të tjera të robëruara, fillon të ndjehet shumë këndshëm flladi pranveror rilindës, me shkollë e flamur shqiptar.

Së treti, fatkeqësisht kjo periudhë dritësimi me frymëzim kombëtar zgjati shumë shkurt, ngase u rikthye po ajo errësirë robërie 1944 -1948 e në vijim me emrin mashtrues vëllazërim bashkim, barabarësi, të cilën familja e tij e përjetoi tmerrshëm, me burgosje e dënime të rënda, por edhe ky si nxënës 12 vjeçar, hëngri shuplakat e oznistëve serbë, të cilat do t’ia shtojnë mëllefin për rezistence sa të madhohej edhe pak. apo jo?!

Së katërti, ideali i ravijëzuar te ai ishte aq i fortë sa që nuk e la shpirtin të qetë as në periudhën e më pastajme, gjatë shkollimit, nëpunësimit, martesës, krijimit të familjes (me tre trashëgimtarë), saqë ky me vetëdije vijoj aktivitetin politik legal e illegal  për çlirim të tokave shqiptare e baashkimin me vendin amë, edhe pse e dinte se kështu po u hynte rreziqeve të mëdha.

Së pesti nuk ia thyen moralin e tij as vuajtjet me dhjeta vite në hetime e burgje të rënda, të cilat I përjetonte, siç thoshte ai, si turist , prej nga evërtet dhe më shumë u skalirt për luftë të mëtejshme politike-propagnadistike, por e perfeksionoj edhe me një armë tjetër: me krjime letraro-artistike të angazhuara.

Së gjashti, pas shumë katrahurave edhe nga kalimi në Shqipërinë Nanë, shpirti i tij nuk gjati prehje fare, atje kuptoi edhe më mire se duhej luftuar edhe kundër errësirës brenda shqiptare në të gjitha viset shqipfolëse.

Së shtati, edhe pse për nevoja shëndetësore iku në Zvicër, ku m vërtet gjeti shërim fizik (operoi zemrës me sukses) ky nuk u kënaq. Shfrytëzoi sadopak ndihmat që merrte si emigrant dhe kështu filloi botimin e revistës Shqipëria etnike, ku më qartë se gjithkund pareaqiti synimin e tij politik, masdje është interesant  se tash e më vonë pa dallim kush i dukej si nuk po vepronte sipas visionit të tij programor ai e kritikonte ashpër.

Së teti, edhe kthimi në Kosovën e lire pa forcat e ushtarake serbe ku veç tjerash e joshte edhe shkollimi I lartë I pakryer,  nuk e qetësoi aspak, jo pse  Kosova ishte, si me thënë, nën protektoratin ose mbikëqyrjen e  KFORIT, përkatësisht EULEKS-it, por ishin vetë shqiptarët me partite e tyre me programe jogjithëkombëtare që e bënin nervoz. Ky mbështjellim në luftat politike ndërpartiake brenda Kosovës e Shqipërisë e shqetësonte vazhdimisht deri sa e dha frymënën e fundit.

Sidoqoftë, pa u mohua angazhimi i tij propagandistik me gojë, por edhe organizativ etj. por ne  del me interes veprimtaria e tij letraro-artistike,  Për për hir përmases që ka kumtesa do të ndalemi fare shkrurtimisht në titujt e ndonjë të dhënë nga këto pesë vepra që autori I botoi në të gjallë të tij:

1.      Shqipja e lartësive (kurorë sonetike) 1988,  vepër kjo e shkruar në burg u botua derisa autori ndodhej në burg, e shkruar në kujtimi për të shoqen,, por si personazh tipik,I përgjitghësuar, me të cilën siç thotë ai në një vend tjetër ishin të gatuar prej një brumi…të sforcuar në luftën të pathyer per jetë…ku fjala kurrë nuk do të ketë lak -  e vërtetë kjo, sepse shqipet e larttësive,  as të fejuarat, as nuset e të bugosurve tanë politike të të gjitha trevave shqifolëse kurr nuk zhgënjyen.

2.      Falë të qoftë gjaku!  (poemë) Tiranë 1977, rib. në Podujevë 2008, vjershërim I stilit të lehtë, ku autopri himnizon punën e pajtimtarëve të të gjakut, duke përmendur mbi 30 emra të merituar,  të cilet sipas tij veprojnë për një:

Shqipëri etnike

me plot shkëlqim:

Me besë e nder

gjer në amshim…

3.      Nënë Tereza e Shqipërisë (kurorë sonetike), 1998, Vargje me plot frymëzim, kushtuar lumnimit të nanës së pesë konktineteve me origjinë shqiptare Gonxhe Bojaxhiu.

4.      Shqiptarët janë atje, (publicistike), ku është përfshirë lëndë tejet me rëndësi dokumentuese. Mendoj se studentët, jo vetëm të historisë, por edhe ata që mësojnë diplomaci dhe siguri shtetërore, duhet ta kenë si literature plotësuese. E thamë me rëndësi dokumetuese, ku shihet së fundi edhe implikimi i autorit edhe në luftën e UÇK-së (Së paku shih  të dhënat për Fehmi e Xhevë Lladrocin etj. )

5.      Nuset tona (2003),  roman i shkruar kryesisht në burg, ribot  si roman e dramë 2009. Kush e lexon me vëmendje nuk besoj se shpëton pa iu mbushur sytë me lot.  Një vlerësues i kësaj vepre, me rastin e promovimit, që iu bë në Prishtinë  i  pati thënë autorit, përafërsisht kështu:  mund të vdesësh, të ikësh fizikisht, po  kjo vepër nuk të lë vdesësh surrë hkrimtarisht!

Autori përmend edhe një vepër tjetër, “5o vjet histori gjysmë të humbur (tregime) si bashkautor me të shoqen Shukrije Bunjaku- Osmani, e cila me sa dime mbeti e botuar.

Në të vërtetë jo vetëm kjo por edhe shumë shkrime të tjera i mbeten të pabotuara ose të papërmbledhura në libër-letër. Me sa dimë vetëm  gjatë 2-3 viteve të fundit të jetës shkroi, qoftë poezi temash të ndryshme, madje në shembëllim të këngëve popullore që ua kushtoi disa personaliteteve të veçanta, qoftë  nga fusha publicistike, sidomos  reagime të rastit rreth dukurive të ndyrshme shoqërore, qoftë dhe nga fusha  e kultures gjuhësore etj., andaj po të përmlidhen të gjitha këto sigurisht vëllimisht do t’ua kalonin veprave e sipërcekura të botuara. Kjo mbetet sfidë jo vetëm për familjen, por edhe miq e shokë e sidomos për zyrtarët në shërbim të popullit që sadopak duhet ta kenë në vision ardhmerisnë kombëtare drejt Shqipërisë etnike.

Nuk thuhet kot se vetmia zbulon talente, ndërsa shoqëria (bashkëria) formon karaktere. Që të dyja këto dukuri I shohim në shëmbëlltyrën e Kadriut si letrar e atdhetar. Shumicën e veprave letrare autori l hartoi në mendje kryesisht sa ishte I izoluar në burgje. Së andejmi shpjegohen edhe kunorat sonetike, ngase soneti, aq më tepër kurora sonetike, përmban strukturën më të vështrirë të vjershërimit dhe në njëfarë mënyre kërkon kohë vetmie.

Është vërtetë se deri më sot veprat letrare e nga kultura e gjuhës të tij kanë mbetur të pavlerësuara nga kritika. Tashti para se të pëmbyll këtë paraqirtje timen do  të përmend  ndonjë të dhënë ose  shprehje interesante nga fusha e krijimtrasrisë së tij,  në lëmin  e gjuhësisë:

Në veprën Shqiptarët janë atje, letra XXVI, trajton nja 8 raste nga fusha e gjuhësisë,  shumica janë shtruar dhe trajtuar jo keq. Gjithashtu në temën për gradën master me titull “Neologjizhmat në gjuhën  shqipe”, të vlerfësuar nga Komisioni përkatës si një kontribut  modest, megjithatë, me sa pamë, edhe në këtë punim te ndonjë pike ndeshim gjëra  që zgjojnë interes.

Sidoqoftë, për të kuptuar sadopak aftësisnë e tij në të shprehurit letrar më mire se në stilin rigoroz linguistik shkëputa këto fjali:

1) Gjuha letrrare, poetike e standard, është pasuri me vlerë dhe kush tenton  të na  cenojë këtë prone të shenjtë do të reagojmë sikur shqiponja e maleve tona e cila hakërrohet e  kreshpërohet kur i cenohet foleja…

2) Kjo gjuhë duke marrë gjak të ri që përthith nga gjuha e përbashkët e gjuhës popullore ajo pasurohet vijimiaht me forma të reja… me fjalë të reja të krijuara me parashtesa,  prapashtesa, kompozita, togfjalësha të gatuara me mjeshtri të rrallë artistike e  kulturore …

3) Gjuha standarde është në njëfarë mënyre si vesha me të cilën njeriu del jashtë shtëpisë, d.mt.h duhet të jetë I kujdeshëm, për ndryshe, siç është shoqëria e shtresëzuar edhe gjuha është e shtresëzuar…

4) Ndjenja e atdhetarisë më gudulisë dëshirën që të hidhem pandashëm në punën e risimtarisë në gjuhën shqipe në vazhdë të rilindësve, por edhe tash në mënyrë që gjuhën tone ta bëjmë më muzikore, më melodike midis simotrave të saj… Fundja gjuhën të bëjmë më kumbuese, sepse gjuha kumbuese si zëri i gjylës së topit apo e kumbonës apo si e ritmit të zemrës,, sepse gjuha e tillë e mveshur me mençuri, elasticitet e logjikshmeri kuptohet se inkudrohet si virtyt në vetëdijen popullore (kombëtare), ngase gjuha e tillë nuk është më pak e dobishme se ekonomia dhe  dhe ushtria kombëtare…

Këtë synim – kërkesë e kishte edhe në zgjedhjen e temës së doktorates, por këtë synim ia la vetëm si dëshirë vajtja në amshim..

Pra sipas tij, e pëlqyer edhe prej nesh me ndonjë reserve, pikërisht me gjuhën bazament siç u formua kombi shqiptar, po me këtë gjuhë të sforcuar do të bëhet edhe Shqipërinë etnike, natyrisht pa harruar ekonominë, diplomacinë, ushtrinë, por në radhë të parë duhet të arrihet me shkollë, me shkencë, me urtësi, me autoritet të fituar brendakombëtar e ndërkombëtar, duke shfrytëzuar edhe shembëlltyrat e dy adhuruesve më të mëdhenj të tij, siç ishin Nanë Tereza dhe dr. Ibrahim Rugova, me të cilët e me vepra kushtuar atyre e idhi dhe emrin e vet.

Sidoqoftë, për Kadriun thonë se ishte I rrëmbyeshëm, lumë me dallga-dallga, etj..dikush thotë ashtu dikush kështu, por kam bindje të plotë se të gjithë janë të një mendjeje me mua se ai la gjurmë për lavdi në disha fusha të jetës e të veprimtarisë, por sidomos në rrugëtimin drejt Shqipërisë etnike gjithmonë do të përhijojë, bashkë me pelegrinët më të dalluar të kombit tone në marshimin drejt atij ideali të shenjtë, e cila  sigurisht nuk do të mbetet utopi, por do të bëhet realitet nga pasardhësit tanë idealistë, siç e dëshmon edhe nismnë-kërkesa më e re për anulimin e vendimeve të Konferencës së Londrës (1913), lidhur me Shqipninë Etnike.

Ju faleminderit,   Nuhi Veselaj

____________

VEPRIMTARI  KADRI MANI PËRHERË NË ZEMRAT E POPULLIT

Shkruan: Shaban Cakolli - Zemra Shqiptare, 24.11.2012

Personalitete të shquara si Kadri Mani, lindin rrallë, por jetojnë gjithmonë mes nesh, me fjalën e thënë e të shkruar,  me veprat e mëdha kombëtare, që populli do të ia ruaj përjetësisht.

Lajmin për vdekjen e  Kadri Manit, veprimtarit kombëtarë, të burgosurit politik, shkrimtarit, poetit e gazetarit, e kanë ndie dhimbje në zemër të gjithë veprimtarët dhe njerëzit e mirëfilltë.

Kadri Mani, ishte një veprimtar i një rëndësie të veçantë kombëtare, në çastet në të cilat po kalonte  Kosova.Një veprimtar i cili kishte zgjedhur rrugën e nderit, i cili poashtu me tërë qenien e vet po luftonte rrugën e turpit dhe tradhëtisë.Kadri Mani nuk i deshi kolltuqet e buta, edhe pse për to kishte forcë, aftësi e dituri.Ishte koha kur vendin tonë e kishte mbuluar errësira dhe egërsira fashiste,  për këtë Kadriun  e bëri të ndjejë këtë peshë të tragjedisë, dhe tërë qenien ia përkushtoi çështjes kombëtare.Ai mblodhi forcë e dituri në këto kohë furtunash e mjerimesh,  kohë varfërimesh të popullit, zgjodhi të bëhej pishtar i shkollave shqipe, përë të i dhënë rinisë dritë, forcë e dituri, vepër kjo e tij e cila hodhi rrënjë, u rrit e u zhvillua, si dhe forcoi vendosshmërinë e shqiptarëve për të u arsimuar e çliruar.Për këtë veprimtari kombëtare, Kadri Mani kaloj nëpër duart e represionit, burgjeve të  errëta, por gjëthnjë  mbeti  pishtar  drite.

Kadri Mani ishte dhe mbetet njeri i madh, për të cilin mund të flitet e shkruhet shumë.Të flasish për kontributin, shembëlltyrën, vendosshmërinë dhe përkushtimin e tij,  do të duhej shumë kohë e hapësirë.Ai ishte njeri  i madh, i cili tërë jetën  ia kushtoi çështjes kombëtare, i cili bëri përpjekëje të pandërprera, të frymëzoi atdhedashurinë dhe shpirtin e qëndresës së shqiptarëve.

Si i tillë, emri i tij do të i frymëzoj brezat për guxim, mençuri, ndershmëri, përkushtim dhe punë të mëdha kombëtare.

Kadri Mani lindi më 23 janar 1937 në fshatin Makresh i Ulët,  Bashkia e Artanës.

Shkollën fillore,  katër klasë i kreu në vendlindje,  ndërsa prej klasës së pestë mësimet i vijoi në fshatin Perlepnicë duke përfunduar klasën e tetë privatisht në Prishtinë dhe

Shkollën e mesme ekonomike pa shkëputje nga puna,  si arsimtar përcolli rikualifikimin në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren,  u diploma në Fakultetin Filologjik në drejtimin Gjuhë dhe Letërsi Shqiptare në Universitetin e Prishtinës.

Për Master,  u regjistrua ne vitin shkollor 2005,  ku edhe dorzoi temën: Neologjizmat në gjuhën shqipe dhe e kreu me shumë sukses.

Kadri Osmani-Mani,  bashkë me vëllëzërit dhe kushërinjtë e tij që nga viti 1949 -1990 mbi 100 vjet kanë vuajtur nëpër burgjet serbe për lirinë e çlirimit të atdheut nga thundra e armikut karpatian.

Kadriu nga 25 vite që ishte i dënuar i vuajti 17 vjet burg të rëndë.

Pas lirimit nga burgu më 1990 në Kosovë atij nuk i del askush në ndihmë,  në familje nuk i punonte askush. Detyrohet të shkojë në Shqipëri,  por edhe nga frika se do e mbyllin përsëri forcat e okupatorit serb.

As atje nuk e gjen ngrohtësinë e shtetit shqiptar,  "si që i kishin thënë derisa ishte në burg për Shqipërinë. Largohet nga Tirana dhe strehohet në Zvicër për disa vite,  punë nuk gjen se ishte në moshë,  mbase merr një ndihmë sociale nga organet zvicërane sa për të jetuar. Qëndrimin në Zvicër si mërgimtar nuk e deshti dhe pas lufte u kthye në atdhe.

Ka të botura shumë libra e ndër to janë:

• NËNË TEREZA E SHQIPËRISË • 50 VJET HISTORI GJYSMË E HUMBUR- PËRGJIGJE ME LIBËR NË LIBËR

• Shqiptarët janë atje(versioni 1); (versioni 2)

• Romani: Nuset tona,  më vonë edhe idramatizuar etj.

Botonte Revistën „Shqipëria Etnike“

Kadri  Mani do të jetë mes nesh me fjalën e tij të thënë e të shkruar, me veprat e tija të mëdha që do të ia ruaj populli përjetësisht.

Lavdi jetës dhe veprës së  veprimtarit Kadri Mani

 

KADRI MANI SHQIPE MALI

 

Teksti: Shaban Cakolli

 

Bajnë kuvend mali me malin

A e njohët ju Kadri Manin

E ka njoh çdo lis e kodër

Prej se ishte  Kadriu i vogël

Kokën lart e shpatullgjani

Ati i thonin:Kadri Mani

Që çdo ditë rrugëtoj në mes nesh

për të iu kthye folesë n´Makresh

Nga  Gollaku e  Artana

Qasi djali nuk ban nana

Që rrugëtoj në vapë e ngricë

Me i ndjekë mësimet në Përlepnicë

Në Gjilan e në Prishtinë

Me nxanë djali diturinë

Ato ishin vitet dyzet

me furtuna e me rrebesh

na zotonte regjim i keq

mos me i lanë shqiptart me ecë

Mos me u nxe dielli te dera

me i mbajtë n´terr nën xhemba e tela

Nuk e dinte shkja dushmani

se nuk mbyllej Kadri Mani

si kish njoftë shkjau Kadri Manat

për atdhe i thyajn prangat

Kadri Mani mendjehollë

zemra i rrihte veç për  Kosovë

nisi punën me ditar n´dorë

n´shkollë t´Gollakut në Keqekollë

se penguan vapë as ngricë

për inatë të kësaj hordhisë

me i dhanë dije rinisë

me zell punën e kish nisë

Ky veprim i bac Kadrisë

n´palcë ja futi frikën sllavisë

Për ta ndal hapin e tij

ja vuan prangat e shtinë n´qeli

Pesë herë burgje, n´proces  t´montuem

nuk e ligen, veq e forcuen

Neper burgje 17 vjet

doli rreze e vigjilent

Një njeri siq ish ai

se përulte, burg as stuhi

Kadri Mani dritë si pisha

hapi shkolla, nxor revista

shkrou libra për komb e besën

Për të madhen Nënë Terezën

Ruajti e ndriti gjuhen shqipe

nxor revisten"Shqipëri Etnike"

Njeri i madh me misione t´mëdha

Sot me ne nuk jeton ma

Ka lënë nam, e ka lënë vepra

që s´harrohet sa të jenë jeta

Nuk harrohet vepra e tij

hyn në libra e poezi

hyn në këngë me qyfteli

Ngado shqip ku jehon zani

Do t´kujtohet Kadri Mani

____________

Kadri (Os)Mani, njeriu i risive

Nga Idriz Zeqiraj - Zemra Shqiptare, 17.11.2012

Të mbledhur në rast morti: familjarë, miq, shokë e dashamirë të Familjes Osmani, për ta përkujtuar jetën dhe veprën, sa të përveçshme, aq edhe të zëshme, të njërit nga personalitetet e shquara të trojeve tona. Veteran i arsimit, veteran i ilegales shqiptare, veteran i burgjeve jugosllave, risimtar i pashoq, njeri i letrave, publicist e polemist i pakapërcyeshëm, nismëtar i shtypit ilegal, botues i suksesshëm i revistës zëmirë "Shqipëria Etnike" e, mbi të gjitha, atdhetar i devotshëm, njeri i idealeve të mëdha - Kadri (Os)Mani.

Kadri Osmani, u lind më 23 nistor 1937, siç e kishte emëruar, zëvendësuar Ai muajin janar, në kalendarin e Tij të neologjizmave të gjuhës shqipe, në Makresh të Poshtëm të Artanës, në shtrirjen gjeografike në mes Gallapit dhe Moravës.

Shkollimi i Kadri (Os)Manit

Arsimin fillor 4 klasësh e bëri në fshatin e lindjes; të pestën në Përlepnicë, ndërsa klasët e tjera të 8-vjeçares i plotësoi përmes provimeve private në Gjilan dhe Prishtinë. Shkollën e Mesme Ekonomike, seksioni Administrativ, e mbaroi pa shkëputje nga puna.

Pas punësimit në arsim, në Kolaj e Keçekollë, vijoi Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren, duke bërë rikualifikim për mësuesi. Ai krenohej me pedagogët e Tij të njohur: Demush Shala, Fuat Ostrozubi, Ylli Zajmi e tjerë.

Studimet në Fakultetin Filologjik, dega Gjuhë Letërsi Shqiptare, herë si student i rregullt dhe herë me korrespondencë,

i vijoi në Prishtinë, Tiranë dhe përsëri Prishtinë. Ka diplomuar në temën: "Disa risi në gjuhën shqipe", me mentor zhurjanin prof. dr. Imri Badallaj, në vitin 2005!

Pasioni për shkencën gjuhësore dhe arsimin

Kadri Mani ishte një purist, spastrues fanatik i gjuhës shqipe nga barbarizmat, fjalët e huaja, të hyra dhunshëm në gjuhën tonë. Ai voli, krijoi dhe sistemoi më se 170 neologjizma, fjalë të reja burimore shqipe.

Për ilustrim përmendim Kalendarin e Ri Shqiptar, reformën e bërë në emërtimin e muajve: Nistor për janar, Shkurt - pa ndryshim, Larcor për mars, Bleror për prill, Lulëzor për maj, Qershor - pa ndryshim, Korrtor për korrik, Veror për gusht, Frytor për shtator, Verdhor për tetor, Brymor për nëntor dhe Dimëror për dhjetor.

Pasioni i Kadri Manit për shkencën në përgjithësi dhe shkencën gjuhësore e letrare shqipe në veçanti si dhe arsimin, profesionin e mësuesit, ishte i një përmase dalluese në mjediset tona. Punoi mësues në shkollën 8-vjeçare në Kolaj, në shkollën "Rilindja" Keçekollë, në "Vladimir Nazor" në Prishtinë si dhe në gjimnazin "Boro e Ramizi" në Viti.

Edhe në Mërgatë u kyç vullnetarisht për mësimin plotësues në gjuhën shqipe: në Bernë, në Biencë; më vonë në qytezën Neuhausen Rheinfall në Zvicër. Motoja e Tij si mësues ishte: "Në klasën time nuk ka as politikë dhe as fe!! Kadri Mani ka lënë gjurmë në arsimin shqiptar dhe vlerësohet edhe sot si veteran i suksesshëm në procesin edukativo - pedagogjik.

Veprimtaria atdhetare dhe burgjet

Kadri (Os)Mani është veteran i ilegales shqiptare dhe i burgjeve jugosllave, duke zënë vendin e dytë në kohëzgjatje të vuajtjes të dënimit politik në Jugosllavi. I lindur dhe i rritur në një familje atdhedashëse, sikur trashëgoi opozitarizmin ndaj pushtetit pushtues.

Në vitin 1949, vëllai i madh Ramizi arrestohet për veprimtari armiqësore. Si pjesë e NDSH-së, të prirë nga Mulla Idriz- Gjilani, dënohet me 18 vjet burg të rëndë. Me këtë rast, OZN-a e merr nën hetim edhe Kadriun 12 vjeçar, nën akuzën se ka grisur parullat e vëna në vendet publike dhe ka shpuar sytë e Titos në fotografitë e tij. Edhepse Ai nuk ishte autor i këtyre veprimeve, u rrah dhe u maltretua nga policia. Ai ishte në dijeni se kush i ka bërë grisjet, por nuk tregoi asgjë. Ishte kjo përballja e parë represive me pushtuesin, i cili reklamonte me hipokrizi dhe bujshëm bashkim-vëllazërimin e kombeve dhe të kombësive në Jugosllavinë e Titos.

Për herë të dytë është akuzuar dhe dënuar në vitin 1968, për organizimin e grevave të punëtorëve në ndërmarrjen e mobileve "Napredak" të Prishtinës.

Për herë të tretë është burgosur më 27 nëntor 1969, me akuzën për veprimtari kundër rendit kushtetues jugosllav.

Për herë të katërt burgoset në vitin 1974, akuzohet si udhëheqës i Grupi Revolucionar, të formuar më 1972, duke e dënuar me 9 (nëntë) vjet burg të rëndë.

Për herë të pestë Kadriu burgoset më 12 janar 1984, pikërisht në ditën e vrasjes të shokëve të ilegales: Rexhep Malaj e Nuhi Berisha. Ishte dimër dhe kohë e përndjekjes të madhe të atdhetarëve shqiptarë. Rreth 200 syrësh u dënuan me 5 (pesë) shekuj burg. Kadriu dënohet me 15 vjet burg. Duke i mbledhur tri dënimet e përsëritura, rezulton ndëshkimi me 25 vjet, duke vuajtur 17 vjet burgjeve: në Prishtinë, Mitrovicë e Kosovës, Pejë, Beograd, Pozharevc, Nish, Leskovc, Dob, Maribor, Zagreb, Lubjanë.

Kadri (Os)Mani kishte aftësi të rrallë komunikuese e lidhjeje për veprimtari ilegale. Për atë nuk kishte kufinj gjeografik për këto lidhje. Andaj, në gjyqin e tretë dhe të katërtë u dënua me grupin ilegal të Istogut: Binak Ulaj, Xhafer Shatri, Mertë Shatri, Jashar Aliaj dhe të tjerë.

Kadriu ishte pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1968 si dhe pjesëmarrës organizator i demonstratave studentore të vitit 1981. Ai është pjesë e asaj plejade intelektualësh, i gatshëm për t`u sublimuar për çështjen kombëtare, për lirinë e Kosovës, për bashkimin me Shqipërinë. Ai ishte njeriu i cili me vetëdije të plotë humbi edhe atë pak liri relative personale, për të fituar lirinë kolektive.

Njeriu i shumë rekordeve

Kadri Mani shquhet për shumësinë e rekordeve të shënuara përgjatë jetës të Tij të trazuar dhe të mundimshme: veteran i arsimit, veteran i ilegales dhe i burgjeve. Filloi studimet në vitin 1965 dhe i mbaroi më 2005, edhepse ishte studiues i shkëlqyer. Magjistroi në moshën 70 vjeçare, me temën: "Neologjizmat në gjuhën shqipe". Por, Kadri Mani nuk u mjaftua me kaq. Ai synonte titullin e doktorit të shkencave filologjike. Përgjatë pesë viteve të fundit të jetës së Tij, Ai punoi temën e doktoraturës me lëndën: "Risimtaria në gjuhën shqipe", titull ky mjaft domethënës për njeriun e risive të shumta - Kadri Mani.

Kadri Mani ishte novator në nismat e veçanta, qofshin ato të karakterit kombëtar apo të atij privat. Ai, me shokë, ka nxjerrë dy numrat e parë të fletushkës ilegale "Zëri i Kosovës", në pranverë të vitit 1973. Dhe, pas dënimit e viteve të kaluara në burgje, në vitin 1980, njeriu i artit dhe i letrave, Heroi i Kosovës - Jusuf Gërvalla, do ta rinxjerrë sërishmi fletushkën emërmirë "Zëri i Kosovës".

Kadri Mani besonte shumë në fjalën e shkruar, në forcën e maxhinë edukative të shtypit. Autori i "Kapitalit", në shekullin e XIX-të, besonte fort dhe proklamonte se "një gazetë është në gjendje ta ringjallë një popull të vdekur"! Në mërgimin e Tij në Zvicër mendoi dhe veproi, duke realizuar botimin e revistës të ilustruar semestrale, me titullin sa simbolik, aq edhe pritës "Shqipëria Etnike". Për përgatitjen dhe botimin e saj Ai ftoi për bashkëpunim miq të vjetër dhe të rinj dhe rezulton mjaft i suksesshëm.

Njeriu i vendimeve të vështira dhe unike

Çuditërisht, risimtari i madh Kadri Mani, jo gjithherë është kuptuar, në masën e duhur, nga të tjerët, për vendimet personale e kombëtare:

- Kur ai la zyrën në redaksinë "Jeta e re" në Prishtinë, duke e lënë edhe nusen e re me tre fëmijët e mitur në lagjen e "Muhaxherëve" në kryeqytet, për t`u ngjitur në Gallapin kodrinor, duke përshkuar tri orë rrugë në këmbë, me qëllimin fisnik për edukimin shkencor e patriotik të nxënësve, në zonën kufitare me Serbinë dhe për t`u thënë shqiptarëve atje "rrini këtu, lut toka";

- Kur Ai filloi veprimtarinë ilegale nën hundët e UDB-së përgjuese, të vëmendshme dhe goditëse e pamëshirshme, e egër;

- Kur Ai sakrifikoi lirinë personale, madje pa u hamendur fare, pa çarë kokën për rrjedhojat fatale, në kërkim të lirisë kombëtare;

- Kur Ai edhe pas burgut të parë, të dytë, të tretë, të katërtë, të pestë - ishte i gatshëm e pa asfarë ngurrimi për burgosjet e tjera të radhës;

- Kur Ai, për hir të idealeve të mëdha dhe të parimeve të çelikta, prishi dhe humbi, dhimbshëm, shumë miqësira, madje edhe me shokët që kishte vendosur më parë qoftë edhe vdekjen e njëkohshme, kur dihet se jeta ilegale i ka edhe të papriturat e përgjakshme;

- Kur Ai, duke qenë pjesë e një familjeje të besimit fetar islam, madje vëllai i madh edhe me haxh të kryer, vendos, individualisht, t`i kthehet besimit fetar të të parëve, me një ceremonial të dinjitetshëm, në Liqenin e Batllavës, në shoqërim të Pastorit dr. Fehmi Cakolli, me ekipin e tij kishtar.

Pagëzimi publik protestant i Kadri Manit

Pas shumë hamendjeve, shtrohet pyetja logjike: Çfarë e shtyri Kadri Manin t`i kthehet fesë të të parëve - Krishterimit? Realisht, Kadri Mani ka qenë figurë dhe personalitet i njohur e publik. Ka qenë i hapur, i çiltër dhe shumë i pranishëm në media, sidomos në ato elektronike, internet. Ka përcjellur, ka komentuar, madje si askush tjetër, pothuajse, gjithëçka të publikuar në median ditore dhe atë periodik. Ai ka çmuar, deri në skajshmëri, kohën, pa humbur as edhe minutat bosh. Në ditën e dytë, pas operacionit në zemër, në një klinikë të specializuar zvicërane, do të shkëputej nga krevati, për të vazhduar shkrimet, aty ku narkoza ia kishte ndërprerë. Personeli mjekësor ishte dorëzuar para këmbënguljes të njeriut të letrave - Kadri Mani.

Dy vese tek njerëzit, të cilat Kadri Mani i ka urryer pamëshirshëm: mosmirënjohjen dhe hipokrizinë.

"Po i the njeriut - mosmirënjohës -, s`ka nevojë ta shash më tej me asnjë fjalë, që të gjitha i ke përfshirë",- thoshte Kadriu".

Klerikët myslimanë, të shkolluar në Universitetet arabe, thonë se "ai që nuk agjëron, nuk është mysliman". Nëse shqiptarët e Shqipërisë londineze u privuan dhunshëm nga feja, nga agjërimi, në vitet `60-a, dy dekada më vonë, shqiptarët e besimit myslimanë, në Kosovë, në shumicën absolute, zvetënuan vullnetarisht, në heshtje, ushtrimin e riteve fetare. Dhe, sot, numri i agjëruesve është simbolik, në raport me numrin e atyre që e kanë braktisur, duke harruar edhe ato pak "dovë", lutje në gjuhë të huaj, arabe, pa mësuar kurrë se cili ishte kuptimi i tyre.

Rrjedhimisht, është krijuar një situatë e veçantë, jo e zakonshme. Njerëz që besojnë në një Zot, por që kanë braktisur fenë islame, duke mos kryer ritet, obligimet e saj elementare. Dhe, duke mos përqafuar një fe, një religjion të dytë, kanë ngelur besimtarë, por pa fe të caktuar.

Risimtarët i kanë prirë njerëzimit

Shkollimi, arsimimi masiv i shqiptarëve të Kosovës, hopi cilësor i bërë në vitet´70-a, njohja në detaje të historisë kombëtare, konvertimi i dhunshëm, nga besimi i krishterë në besimin islam, i bërë nga Perandoria pushtuese Osmane, janë faktorë domethënës të këndelljes. Predikimi i disa klerikëve myslimanë, por edhe i ndoca "historianëve" tru mykur se "shqiptarët përqafuan vullnetarisht fenë islame", demantohet bindshëm nga gjetjet e dokumentacionit të kohës. Presionet e shumëllojshme të popullatës të krishterë, si mosdhënia e tapive të tokës dhe kërcënimi për t`ua marrë atë, për rrjedhojë, kërcënimi me uri të atyre që i rezistonin konvertimit fetar.

Një fakt tjetër logjik: Njerëzit prirën për ta përmirësuar dhe lehtësuar jetën. Andaj, bie ndesh me logjikën e shëndoshë, nëse aprovojmë tezën marroqe se "shqiptarët u konvertuan vullnetarisht, duke lënë ushtrimin e fesë krishtere, më të lehtë dhe më qytetëruese, për ta marrë fenë "vurmake" islame, e cila, vërtet, kërkon sakrifica për përmbushjen korrekte të kodeve të saj fetare dhe që kulmon me agjërimin një mujor të "Ramazanit".

Kompromisi "zbutës", të konvertohet në fenë islame vetëm kreu familjar, për ta shpëtuar sekuestrimin e tokës, shpjegon edhe misterin pse brenda familjes bashkëjetonin dy besimet: të fesë krishtere dhe islame!

Një shekull më parë, Evropa demokratike ua dhuroi pavarësinë shqiptarëve të Shqipërisë londineze. Ushtria pushtuese u largua dhe shqiptarët u çliruan fizikisht, por fenë islame ua la peshqesh, duke i lënë të pushtuar shpirtërisht dhe mendërisht.

Të thirresh në fenë islame dhe të mos përmbushësh asnjë nga obligimet kodike të saj, është hipokrizi e kulluar. Andaj, Kadri Mani urrente fort hipokrizinë dhe nuk heshti. E denoncoi këtë hipokrizi dhe veproi, për të mos mbetur pjesë e saj. I bëri publike bisedat dhe deklarimet hiç fisnike, bilëz, përçarëse, kriminale e antikombëtare të ndoca klerikëve islamë, sot ligjbërës në hierarkinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, të cilët nuk kursyen as epitetet: kurvë, magjupe, shtrigë, spiune e Vatikanit, spiune e Amerikës dhe tjera pisllëqe të turpshme, për të madhërishmen tonë, Nënë Terezën e amshueshme shqiptare, Nënën e Globit.

Kadri Mani kishte studiuar të gjitha besimet fetare. Dhe, bëri zgjedhjen e duhur, duke përqafuar besimin e të parëve, atë të krishterë. Vendimi i Tij është shumë më i drejtë, më parimor, më fisnik se sa ta ruante statusquonë hipokrite, kinse jam mysliman, por shpërfill të gjitha ritet islame?!? Ai për të qenë deri në fund i sinqertë edhe me njerëzit, edhe me Zotin, shënoi në Testamentin shkrimor arsyen e vendimit të marrë, vendin dhe mënyrën e varrosjes, pa u merakosur fare se çfarë do të mbllaçitnin fanatikët e çoroditur hipokritë dhe propaganda muxhahedine e talebaniste. Po kaq dinjitoz në ceremoninë mortore të Kadri Manit ishte edhe Pastori i Kishës Protestante, dr. Fehmi Cakolli.

Dhe, nëse sot Kadri Mani nuk do të kuptohet mirëfilli, nesër do të falënderohet për nismën e pritur, për kthesën e madhe. Risimtarët i kanë prirë njerëzimit dhe si të tillë janë përjetësuar në mendjet dhe zemrat e kombit, të njerëzimit, në Panteonin e Lavdisë. Ai zgjodhi të varroset në gjuhën e Naimit dhe të Fishtës, në gjuhën shqipe të të parëve dhe jo në atë të huaj, arabe. Pra, me të drejtë u tha dhe u përsërit nga ngushëlluesit, përgjatë - Të Pamës - për Kadriun, se Ai u varros si shqiptar dhe jo si arab, siç vazhdon rituali i trashëguar nga kohërat e mugëta të pushtuesit.

Luftarak i paepur dhe polemist brilant

Në një bashkëbisedim intervistues, që zëvendës-kryeredaktori i revistës "Shqipëria Etnike", Zeqir Lushaj bëri me Kadri Manin, vetëm pak ditë para amshimit të Tij, shpaloset jeta dhe vepra e njeriut atdhetar, risimtar dhe problematik. Kjo intervistë e vjelur me shkas, madje me nuhatje e parandjenjë frike, se po ikën kësaj bote njeriu i përkushtuar i tëri çështjes kombëtare, do të mbetet guidë, për ta studiuar shpirtin zemërak dhe luftarak të Kadri (Os)Manit. "Karakterin e fortë e kam trashëguar nga babai, ndërsa logjikën e fortë nga nëna",- thotë Kadriu.

Kadri Mani ka lënë një trashëgimi të çmuar, letrare dhe publicistike, të botuar në 8 (tetë) vëllime dhe, pothuajse, të gatshme për botim edhe 10 (dhjetë) vëllime të tjera. Stili i veçantë, satira, ironia për të keqen në shoqërinë tonë, dominon në veprën e Tij shkrimore. Ai ka qenë i drejtpërdrejtë, ka thënë të vërtetën lakuriqe, pa drojë e frikë e, mbi të gjitha, pa çarë kokën se çfarë dhe si mendojnë dhe reagojnë të tjerët.

Kadri Mani qysh tani ka krijuar boshllëkun në mediat elektronike të shkruara. Këtë shqetësim e kanë shprehur edhe moderatorët e zellshëm të "Zemrës Shqiptare", Gëzim Marku dhe Ilir Dardani.

Përballja me aleancat kundrakombëtare

Aleanca anakronike e paradoksale e stalinistë-enveristëve me islamistët vehabistë-muhaxhedinë pikëtuan armiq të përbashkët: Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, Nënë Terezën, Ibrahim Rugovën dhe Papën e Vatikanit. Themi aleancë paradoksale, sepse komunistët janë ateistë aktiv, të pa fe, të cilët, sipas përcaktimit të kreut të tyre, Leninit rus, jo vetëm që nuk besojnë vetë, por agjitojnë dhe i bindin edhe të tjerët të mos besojnë në Zotin. Por, kjo nuk u prish punë islamistëve të ndërkryer, të tërbuar, të çoroditur. Mjafton ta luftojnë krishterimin, më saktë, katolicizmin, sepse me orthodokësinë serbo-sllave bashkëpunojnë të dy palët në aleancë.

Kadri Mani e denoncoi këtë aleancë të turpshme. Ashtu siç ishin adhurues të këtyre figurave kombëtare shumica absolute e shqiptarëve, edhe për Atë ishin kryeheronj të luftës, të humanizmit, të paqes, madje në përmasën botërore. Sulmi ballor dhe në prapaskenë të kësaj aleance-bandë karshi shtetbërësit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, i cili me Flamurin e Skënderbeut dhe të Nënë Terezës, hyri në Kancelaritë e qendrave të vendosjes ndërkombëtare, me lutjen e madhe: "Shpëtoni trashëgimtarët dhe Atdheun e Skënderbeut dhe të Nënë Terezës, Kosovën, nga asgjësimi fizik, nga zhbërja si komb, nga falangat e Milosheviçit vrasës".

Aleanca-bandë, komuniste-islamiste e Kosovës, e futur nën çadrën e koracuar të klikës pushtetare të`97-ës, të Tiranës zyrtare, e prirë nga presidenti i dhunshëm, Rexhep Mejdani, u trimërua deri në masën e sabotimit të hapur të luftës, duke nisur edhe likuidimin fizik të kundërshtarëve politikë ushtarakë dhe civilë. Lakejtë stalinistë-enveristë të Kosovës, të strehuar në "Bllokun" famëkeq të Tiranës, intrigonin me krerët social-komunistë vendorë, përdornin megafonët e Mejdanit me bandë, për të denigruar institucionet legjitime të Kosovës, të ngritura me mund e sakrifica nga Presidenti Rugova me shokë, në kushtet e një terrori të egër të pushtuesit mizor serbo-sllav.

Paturpësia kulmoi kur banda e komunistëve të bashkuar sulmoi, marrëzishëm e trishtshëm, Presidentin Rugova, duke e akuzuar për tradhti, pikërisht kur Ai ishte marrë peng, përdhunshëm, nga kasapi i Ballkanit, siç e quan bota demokratike Slobodan Milosheviçin. Një akuzë e tillë, jashtë çdo logjike njerëzore, për Njeriun, i cili, urtësisht dhe mençurisht, përfitoi aleatë të fuqishëm, si Anglia e Franca, që dikur kishin qenë miq për kokë të Jugosllavisë, të Serbisë; për Njeriun që përtëriu miqësinë me Amerikën e zëshme, të prishur e të përdhosur nga aventurieri e lakeu rus-serb-aziatik, i pështirosuri Enver Hoxha; për Njeriun që solli NATO-n në Kosovë, me fluturaket e saj bombardues; për Njeriun vizionar, i cili parashikoi, tej dy dekadave më parë, agjendën e saktë të lirisë, të pavarësisë dhe bërjen e Shtetit të Kosovës. Dhe, risimtari Kadri Mani ishte i pari që e pagëzoi Presidentin Rogova me emrin e shenjtë: "Pejgamber i Kosovës".

Kadri Mani do të përballej fort me bandën shqiptare të`97-ës dhe atë të Kosovës, LPK-në, e cila do të evoluonte nga një organizatë e thirrur për veprime revolucionare, në një bandë kriminale. Në tubime të shumta gojarisht, me shkrime të përditshme, denonconte e mallkonte politikën kundrakombëtare të Tiranës zyrtare dhe të lakejve të saj - Lëvizjen staliniste-enveriste të Kosovës, synimet e tyre errëtake, për ta përçarë faktorin ushtarak e politik dhe pastaj popullin, për ta sabotuar luftën, duke e pamundësuar lirinë.

"Harresa" e pushtetarëve inatçi e hiç

Kadri Mani ishte mik i vjetër i Presidentit Rugova. Njohja e tyre daton në marsin e vitit 1965, kur Kadriu erdhi nga redaksia e revistës "Jeta e Re", për pajtime në Gjimnazin e Pejës.

Shpifjet e horrakëve komunistë për Presidentin vizionar e irritonin Kadriun. Dhe, Ai, në përgjigje publikoi librin: "Dr. Ibrahim Rugova triumfoi në Kosovë dhe në Hagë". Por, nuk u mjaftua me kaq. Botoi librin e dytë për dr. Rugovën, si personalitet e burrështetas markant. Ai nuk e bëri këtë, thjesht, për ta mbrojtur mikun e Tij Rugovë. Por, parimi i Tij për të thënë e mbrojtur të vërtetën, ishte dhe mbetet proverbial. Ai kurrë nuk ka qëndruar në rolin e spektatorit. Përkundrazi, ka qenë aktiv në të gjitha ngjarjet kardinale për kohën.

Heshtja zyrtare qeveritare dhe e mediave, të censuruara rreptë nga shefat stalinistë pushtetarë e qyqarë të Kosovës, me rastin e shuarjes fizike të Kadri Manit, është dëshmi e privatizimit të shtetit dhe të shpërdorimit kriminal të pushtetit. Pavarësisht ndëshkimit me harresë të njeriut që bëri aq shumë për popullin, kombin, Ai do ta mbijetojë heshtjen dhe harresën e tanishme pushtetare, duke i kthyer ata në hiç, ashtu siç janë njëmendësisht uzurpuesit, me plumb e gjak, të pushtetit në Kosovën tonë, keqas të përdhosur dhe të përtokur.

Kadri Mani u mungon sot jo vetëm Familjes të Tij të nderuar, miqve, shokëve dhe dashamirëve të shumtë, por edhe lexuesit shqiptar gjithsesi. Ikja kësaj bote, lamtumira e Tij, është një humbje e madhe për letrat dhe mendimin shqiptar.

Ne, miqtë, dashamirët, atdhedashësit, në mirënjohje për sakrificat e bëra për popullin, kombin, për më shumë se gjysmëshekulli, të Kadri Manit, vazhdojmë të lutemi kolektivisht, që shpirti i Tij i dlirë të gjejë prehje në Parajsë.

Lavdi jetës dhe veprës të begatë të Kadri (Os)Manit!

____________

KADRI MANI =Ylli që rrezatoi Gallapin

(Evokim kujtimesh për Kadri Osmanin-Mani, profesorin revolucionar, atdhetar me përmasa kombëtare, njeriu që frymonte me popullin e thjeshtë dhe me ngrohtësinë e shpirtit ua kthente shpresën për të jetuar e gjallnuar, të cilën shpresë e kishin humbur që moti nga zullumet e Tito-Rankoviqit dhe hyzmeqarëve të tyre)

Si u njoha me Kadri Osmanin-Mani?

Nga Fazli Maloku  -  Zemra Shqiptare, 15.11.2012

Ishte viti shkollor 1965-66. Unë në pamundësi të vazhdoja shkollimin më tej,  (nga gjendja e rëndë sociale në familjen time, ku na mungonte edhe buka), pasi që kisha mbaruar vitin e tretë të Normales, u punësova si mësues në fshatin Kolaj-ish Koliq. Fshati Kolaj gjindet rreth 20 kilometra në verilindje të Prishtinës, i banuar krejt me shqiptarë, (kishte veç një familje të vetme serbe). Fshati përbëhej nga pesë lagje kryesore; lagja Ahmetaj, Bicaj, Peraj, Hajdaraj dhe ajo Goxhufaj, me një sipërfaqe gjeografike ndër fshatrat më të mëdha të Prishtinës. Në fshat punonte shkolla e plotë tetëvjeçare, paralele e ndarë e shkollës fillore "Rilindja "në Keqekollë. Fati im i mirë: -këtu gjeta shokët, Kadri Osmani-Mani nga Prishtina,  Idriz Zeqirajn nga Studenica e Pejës, Abaz Pllana nga fshati Milevc i Prishtinës, Adil Fetahu nga fshati Rimanishtë i Prishtinës dhe disa mësues vendorë (shumica e tyre ,pra e vendorëve, vetëm me shkollë tetëvjeçare të kryer). Nga gjithë këta, për nga aftësitë profesionale, për nga përkushtimi dhe dashuria për të kontribuar, për nga pjekuria intelektuale si dhe për veçori Atdhedashurie, dalloheshin Kadri Osmani-Mani, Idriz Zeqiraj dhe Adil Fetahu. Them me plot përgjegjësi, se vetëm këta i përmbushnin kriteret për ta ushtruar detyrën e shenjt të Mësuesit-pedagogut, por mbi të gjithë shëndritëte figura markante e Kadriut. Kadriu, por edhe Idrizi, në fillim punuan me mua po thuaj si me një nxënës, duke më ofruar literaturë pedagogjike shumë të nevojshme si dhe Romane për të lexuar e bashkëkomentuar. Në këtë mënyrë ata dëshironin ta mbushnin boshllekun tim si i pakualifikuar që isha , por, duke pasur parasyshë edhe moshën time 18 vjeçare.

Mbaj mend se romanin e parë që ma dha për ta lexuar, miku im i shtrenjt Kadriu,  ishte romani "Gjarpijtë e Gjakut"të autorit Adem Demaçi, i botuar në dy pjesë tek Revista "Jeta e Re". Profesor Kadriu bëri reforma të mëdha në të gjitha shkollat në Malësinë e Gallapit. Hartoi plan-programin për zhdukjen e analfabetizmit sidomos për femra të rritura, dukuri kjo shumë prezente në këto vise. Luftoi fuqishëm dhe me guxim lokalizmin ose më mirë të shprehem bajraktarizmin, por edhe urrejtjen dhe ndasitë sipas mëhallëve, fatkeqësisht e ngulitur edhe tek mësuesit vendorë! Dhe jo rrallëherë mund ta dëgjoje nga mësuesit vendorë, duke na u drejtuar ne mësuesve siç na quanin ata "jabanxhij", "mos e kalo atë nxënës se është i kësaj apo asaj mëhalle"! Dukuri këto tepër të shëmtuara. Kadriu  me sjelljen e tij të shkëlqyer dhe shembullin përsonal,  bëri që autoriteti i mësuesit të rritet tek çdo familje fshatare, si dhe që mësuesi të jetë novator dhe prijës i të gjitha zhvillimeve shoqërore në fshat. Kadriu arriti që për herë të parë, në të gjitha shkollat e fshatit të Malësisë së Gallapit, nxënësat të furnizohen dhe ta shijojnë nektarin e Revistës për fëmijë "Pionieri".   Nisur nga gjendja shumë e rëndë sociale e fshatarëve, me iniciativën e tij, në të gjitha Këshillat e Arsimtarëve u mor vendimi që Revista "Pionieri" nxënësve të iu ipej gratis dhe këtë ta mbulojë secili mësues për klasën e vet nga paga vetanake. Po ashtu, me përkushtimin më të madh arriti ta nxjerri në dritë,  Fletushën shkollore "Ylli i Dritës", me punimet e nxënësve të shkruara në prozë e në poezi. Fletushkë kjo e përgatitur mjaftë mirë si në aspektin teknik edhe në atë artistik e profesional.

Siç është tashmë e njohur, në vitet e pësëdhjeta e gjashtëdhjeta, regjimi komunist i Josip Broz Titos përmes strukturave pushtetare dhe veçanërisht përmes sherbimit famëkeq të UDB-së, me sjellje gjithmonë kërcënuese e duke ushtruar vrasje tinzare e dajak tek shqiptarët, në veçanti tek shtresat e varfëra e të pa shkolluara, kishte arritur që kudo të mbjelli frikë dhe pasiguri, në mënyrë që shqiptarët duke u nisur nga kjo jetë e papërballueshme, ta marrin rrugën e pakthim për në Turqi. Për këtë ishte përgatitur mirë tereni dhe po thuaj të gjitha strukturat e shtetit propogandonin dhe punonin me zellin më të madh në këtë drejtim. Ishte trasuar edhe rruga institucionale.

Në vitin 1953, në qytetin e Splitit në Dalmaci, nga Titoja ishin të ftuar përfaqësuesit e Greqisë dhe Turqisë që për shpërnguljen e shqiptarëve të sinkronizoheshin veprimet e përbashkëta për realizimin sa më mirë të këtij plani gjenocidial për shqiptarët. Po në këtë takim, J.B.Tito dhe përfaqësuesi i Turqisë Fuad Kyprili, nënshkruan marrëveshjen e ashtuquajtur"marrëveshja xhentelmene", me të cilën u ripërsërit konventa shtetërore Jugosllavo-Turke e vitit 1938 për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi. Për zbatimin e kësaj marrëveshje Titoja angazhoi drejtëpërdrejt Aleksandër Rankoviqin, ministrin e brendshëm Federativ.

Duke e parë këtë gjendje të mjerueshme të popullatës së këtyre fshatrave, profesor Kadriu bëri edhe hapin tjetër që për kohën ishte e pabesueshme. Me një guxim të pa shoq doli hapur në mbrojtje të fshatarëve nga veprimet e hordhive të regjimit, celula këto partiako-udbeske, duke e rrezikuar seriozisht jo vetëm profesionin por edhe qenjen e tij jetësore. Po e konkretizoj këtë me dy shembuj nga shumë sish:

Në lagjën Peraj, jetonte një familje tepër skamnore e bacë Rexhepit. Vetëm sa e kishte martuar djalin e vetëm me një vajzë po ashtu skamnore, por punëtore dhe mjaftë e bukur. Klyshët e Rankoviqit e kishin nuhatur këtë sorkadhe dhe me pretekstin se mbanin armë pa leje filluan ti vardiseshin e ta kërcënonin. Djalin e posamartuar e nxirrnin nga shtëpia e fusnin në mal (gjithë shtëpia ishte e vetmueme dhe e rrethuar me mal), e rrahnin pandërprerë, duke e joshur që ai të bëhej spiun i tyre dhe e gjithë familja një jatak për ta, qëllimi final ta poshtronin edhe moralisht. Kadriu kishte kuptuar për tragjëdinë që po i kanosej kësaj familje. Pa hezituar mori dy shokë me vete, vizitoi këtë familje duke ua marrë edhe deklaratat me shkrim të gjithë anëtarëve të rritur për veprimet banditeske të policëve të Tito-Rankoviqit. Kadriu me që ishte edhe krrespodent i gazetës "Rilindja" e njifte mirë këtë profesion. Me që nuk dinin shkrim lexim, shenjat e gishtrinjve ua kishte marrë duke përdorur ngjyrën e stilolapsave. Në fillim ata ngurronin të deklaroheshin nga frika e hakmarrjes, por Kadriu me aftësinë e tij arriti ti bind, duke u dhënë kurajo se ne mësuesit do tu gjindemi pranë në çdo situatë, dhe s'bashku më lehtë do ta përballojmë situatën e krijuar. Për këtë turp të policisë së postkomandës të Keqekollës, ai njoftoi me shkrim të gjitha instancat përkatëse të Kosovës, duke kërkuar që veprimet e tilla të ndaleshin me njëherë dhe të mirren masa ndëshkuese për ata që këqpërdornin detyrën dhe uniformën e shtetit. Por hijenat asesi nuk ndaleshin. Urgjentisht dërguan djaloshin e posamartuar në sherbimin ushtarak. Edhe Kadriu kundërvihej me guxim të pashoq. Djaloshit ia rregulloi sherbimin ushtarak njëvjeçar dhe e solli në shtëpi.

Në gjithë Malësinë e Gallapit u krijua një situatë tepër e nder. Konfrontim i hapur në mes punëtorëve të arsimit dhe policisë fashiste rankoviçiane. Udhëtimet që i bënim në fundjavë për vizitë në familjet tona, me të vetmin kombibus privat që qarkullonte në relacionin Prishtinë- Keqekollë, ishte po thuaj e pamundur që policia e Keqekollës të mos zinte "pusi", duke e ndalur kombibusin për ti legjitimuar dhe kontrolluar vetëm punëtorët e arsimit, në prezencën e popullatës, me qëllim të uljes së autoritetit të tyre, por ndodhte e kundërta. Postkomanden e Keqekollës e drejtonte simbolikisht një mjeran shqiptar e quanin J. Ll., por në të vërtetët komandën e mbante në duart e veta zv postkomandanti, krimineli Dragan Nikoliqi.

Kadriu tani më, kishte kaluar në Shkollën Amë (siç e quanim atëherë), në Keqekollë, ku ishte fare pranë edhe Stacioni policor. Një ditë në shkollë vjen një fshatar-Qerimi për të qarë hallin, se derrat e Kriminelit Dragan po ia shkatrronin bereqetin duke ia “lëruar” arën e mbjellur me grur, dhe ai nuk donte me dëgju për dëmin. Dhe kush tjetër për veç Kadriut do ta mirrte guximin të ballafaqohej me Draganin e tërbuar për bereqetin e një fshatari?! Kadriu e këshillon fshatarin që ai pa hezitim ta vras derrin e Draganit duke e marrë vet Kadriu përgjegjësin e kompensimit të derrit dhe ballafaqimin me vet Draganin. Kështu edhe u veprua. Bacë Qerimi një burrë i guximshëm vrau derrin mu në mes të arës e mbjellur me grur. Kadriu në rolin e advokatit i parapriu padisë me shkrim ndaj kriminelit Dragan Nikoliqit për dëmin që po ua shkakton ai me derra jo vetëm fshatarëve por edhe oborrit të shkollës. Bile s'bashku me bacë Qerimin trokiten derë më derë në zyrat përkatëse, derisa arritën më në fund në zyrën e Xhevdet Hamzës,  drejtues i policisë së Kosovës. Kadriu duke i argumentuar me fakte konkrete, bile edhe me fotografi përkatëse, arriti ta bind shefin e policisë për këto veprime të policëve të tij. Xhevdet Hamza,( njëri nga drejtuesit e LNÇ të Kosovës), mori vendim të guximshën duke e larguar zv.postkomandantin-kriminelin, Dragan Nikoliqin nga policia.

Në këtë mënyrë profesor Kadriu mishrohej me vuajtjet dhe problemet e fshatarëve duke bërë përpjekje mbinjerëzore për tu dalë në ndihmë novojtarëve. Kështu, autoriteti i profesor Kadriut dita- ditës rritej jo vetëm tek kolegët , por edhe më shumë tek fshatarët hallexhinj. Krahas kësaj rritej edhe urrejtja e Udbashëve e sherbëtorëve të tyre lokal ndaj profesor Kadriut. Ne shokët, i rrinim afer Atij nga frika se do ti ndodhë ndonjë e keqe nga kurthet që mund t'ia ngrihnin dhe shpesh kjo na bente të dukeshim sikur  ishim truprojet e Tij.

Me të drejtë mund të thuhet se për këtë kohë sa veproi profesor Kadriu në këto anë të Malësisë së Gallapit, u shëndërrua në një yll të vërtetë, i cili rrezatonte rreze lirije dhe shprese për fshatarët që të mbijetojnë gjithë këtë katrahurë të cilën e ushtronte pushteti pushtues me në krye Tito-Rankoviç.

Vepra e profesor Kadriut, në gjithë Malësinë e Gallapit,  edhe sot e nesër e per të gjatë mot, do të mbahet mend. Ai do të kujtohet si një revolucionar i vërtetë, si një atdhetar përmasash kombëtare dhe mbi të gjitha si një militant i çeshtjes kombëtare shqiptare, për çlirim e bashkim kombëtar. Ideali i profesor Kadriut ishte bërja e Shqipërisë Etnike.

Lavdi Veprës të profesor Kadri Osmani-Mani!

____________

Për Atdhetarin e Kombit Kadri Mani, ruaj shumë kujtime

Nga Xhafer LECI - Zemra Shqiptare, 18.11.2012

Kadri Osmanin-Manin e kam njohur në vitet 1970-a dhe 1980-a, përmesshtypit tëatëhershëmlegal dhe ilegal, kurse përsonalisht, për herë të parë e kam takuar në Tiranë, në verë të vitit 1994. Atëherë pata udhëtuar nga Gjermania për në Shqipëri së bashku me Arban Hoxhën, ish i burgosur politik. Atje e takuam bacën Kadri, në shoqërim me Sami Dërmakun dhe Sali Bashën, që të dy ish të burgosur politikë.

Në këtë tubim përkujtimor dëshiroj të shpalos vetëm disa kujtime të mia të paharruara, përmes të cilave do të përpiqëm që sado pak të ndriçoj dëshirën e madhe të Kadri Osmanit-Manit që lidhet me studimet e Tij mbi të kaluarën e kulturës, besimeve dhe traditave tona të lashta kombëtare.

Memikun tim Kadri Mani kam marrë pjesë në disa mbledhje të subjekteve politike, klubeve e shoqatave, si në Kirchheim -Teck, Ludwigsburg në SHKSH “Bardhosh Gërvalla” në një tubim të Bashkësisë së Intelektualëve, ku merrte pjesë edhe sekretari i atëhershëm Rexhep Elezaj e shumë të tjerë, në Metzingen në një tubim që kishte organizuar Tefik Kallaba me shokë, në Heilbronn në Resturantin “Pizzeria Sonne” të pronarit ulqinakut-Osman Doda, në Göppingen në lokalet e SHKSH “Nanë Tereza”, me ç`rast pati zhvilluar një bisedë me Mr.Mazllum Hasimja, në lidhje me gjuhën dhe letërsinë shqipe e tjerë.

Ruajmbi 100 mesazhe e letërkëmbime të postuara përmes postës elektronike, deri pak ditë para se të ndërronte jetë baca Kadri, jemi shkruar e telefonuar mes vete.

E kisha mik shtëpie, shkoja familjarisht në Zvicër dhe Prishtinë. Edhe Ai vinte tek unë në Gjermani dhe Gjilan.

Bashkësia Shqiptare në Zvicër,në qytetin Arbon, në qershor 1998, pati organizuar njëSimpozium shkencor, me rastin e 2000 vjetorit të Krishtërimit te shqiptarët.

Këtë organizim të madh, ku morën pjesë qindra bashkatdhetarë e zvicranë, intelektualë e dijetarë shkencorë, nga të gjitha trojet dhe Mërgata jonë shqiptare. Këtë Simpozium e patën organizuar kryetari i Bashkësisë, ing. Ahmet Asani dhe Krist Coli, bashkë me kryesinë e Bashkësisë etj. Në këtë Simpozium pati marrë pjesë edhe baca Kadri, unë me kushërinin tim Xhavit Leci etj.

Më 09.09.2007-të, baca Kadri më merr në telefon dhe më thotë: Xhafer, unë jam në Gjilan, dua ta vizitoj këngëtarin Demir Krasniqi, a din ku banon ai? Jo i them nuk e di por e pyes njerin nga vëllezërit e mi, ata e dinë. Shkuam tek Demiri bashkë me bacën Kadri dhe vëllain tim Femiun. Demiri na priti shumë ngrohtë, na dhuroi nga një libër dhe na tregoi disa nga veshjet kombëtare… na foli edhe për luftën, vujatjet e tij…

Bacës Kadri dhe Demirit u tregova se sot kam një takim me disa kushëri të mi në Kamenicë, nëse keni dëshirë mund të vini edhe ju, u thashë. Me kënaqësi u përgjigjen të dy. Shkuam në Kamenicë në Hotel -Restorant “Jehona”, aty ishin mbldhur nja 20 kushëri të mi, disa prej tyre ish ushtarë të UÇK-së, Lulzim A.Leci, Xhevat Sh.Leci, Xhemajl Leci, i plagosur gjatë luftës, me dy djemtë e tij Milaimin e Lulzimin, po ashtu pjesëmarrës në luftë,etj…Kur fliste baca Kadri të gjithë e dëgjonim në heshtje sikur të mos kishim gojë. Nja 4 orë u kënaqëm duke biseduar për gjithçka e sidomos për të burgosurit politikë dhe luftën e fundit.

Diku rreth orës 23.00 na erdh një lajm i dhimbshëm, kishte vdekur djali i axhës tim Shefki Hetem Leci, baba i kolonel Xhevat Lcit, i cili ishte aty me neve në ate mbrëmje të gëzuar deri ora 23.00. Shpejt, pa u hamendur, i thashë vëllait tim Femiut: Merre veturën time dhe çoje në Gjilan bacën Kadri dhe Demirin.

Nga ai gëzim, kaluam në një dëshpërim të pa pritur.Të nesërmen u bë varrimi i Shefkiut të ndjerë, morën pjesë qindra miq, shokë, dashamirë e qytetar të Kamenicës. Shefkiu i ndjerë, shofer autobusi, ka qenë një burrë shumë i ndershëm dhe i dashur për të gjithë ata që e kanë njohur, prandaj edhe varrimi dhe të pamet për te ishin madhore.

Me vrasjen e komandantit, kolonel Tahir Zemaj, më 04 janar 2003, qe hapur të pame në Felbach-Stuttgart të Gjermanisë dhe në Spreitenbach afër Zürich-ut nëZvicër. Në Spreitenbach mora pjesë me Kadri Osmanin-Mani dhe Mejdi Laçajn, me ç`rast shpreha ngushëllimet dhe shqetësimin për krimet politike në Kosovë.

Në Prishtinë, me rastin e ceremonisë të përurimit të Katedralës “Nëna Terezë”, më 4 shtator 2010, morëm pjesë sëbashku me bacën Kadri dhe djalin e Tij, Rabitin. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, iu drejtua me një fjalë rasti pjesëmarrësve të ceremonisë, në mesin e të cilëve ishin edhe Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i dërguari i posaçëm i Papa Benediktit XVI, Imzot Zef Gashi, përfaqësues të lartë të Kishës Katolike, besimtarë të shumtë katolikë dhe të besimit islamë. Presidenti Sejdiu, në fillim të fjalës së tij, shprehu ndjenjën e thellë të respektit për Presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën dhe Imzot Nikë Prelën, të cilët kishin vënë gurin e themelit të Katedralës. “Këta dy kolosë të Kosovës e bekuan gurthemelin e Katedrales, të pagëzuar me emrin e shqiptares të madhe, Gonxhe Bojaxhiu, e mbiquajtur “Nëna Terezë”, e cila botërisht u shpall “Personalitet i Shekullit XX”, duke e lartësuar emrin e Kosovës dhe të shqiptarëve kudo në botë”, – tha ai.

Me këtë rast baca Kadri më pati pyetur se çka mendoj unë për Katedralen?

- Unë i thashë se kjo Katedrale e zbukuron dhe i jep Prishtinës një pamje të një qyteti të metropoleve evropiane. Evropa është kontinent i krishtërizmit. Edhe ne shqiptarët jemi popull evropian. Kadriu ma ktheu: “Keni plotësisht të drejtë”.

Jo vetëm se e kisha mik Kadri Manin, por shumë më tepër e respektoja për trimërinë, vendosmërinë dhe punën e Tij të madhe dhe të palodhshme që bënte Ai për çështjen tonë kombëtare. Duke e ditur se Ai ka qenë i dënuar më 25 vite burg, prej të cilave i ka vuajtur 17 vite, që me të drejt unë e quaj Kadri Manin, pas Adem Demaçit, i burgosuri politik numër dy në Kosovë.

Vetëm ata që kanë vuajtur burg dhe familjet e tyre mund t`i përshkruajnë vuajtjet e tyre. Në një pyetje që i pata bërë me një rast bacës Kadri:

- Çka keni përjetuar më së rëndi gjatë viteve të burgut? Nga shumëçka që më ka treguar, po ceku vetëm një:

“- Me një rast në qeli në Maribor të Sllovenisë ma lëshuan nxemjen, kush e di sa, ndoshta 50 grad e më shumë. Krejt rrobet i hoqa nga trupi im i djersitur, dukësha sikur të isha la në ndonjë pishinë. Pas disa minutave ma lëshuan të ftohëtit, me ç`rast teshat m`u ngrinë në trup, sytë, goja dhe krejt trupi”.

Paramendoni se me çfarë metodash barbare e çnjerëzore ushtronte dhunë UDB-a jugosllave kundër shqiptarëve të pafajshëm, vetëm pse kërkonin barazi kombëtare, që të jetojnë të lirë e të barabartë, si të gjithë popujt tjerë jugosllavë.

Këtoditë pata një bisedë me djalin e Kadri Manit, Yllin, i cili më foli për vuajtjet e familjes së tij, duke më thënë:

“- Xhafer, tash kam mbushur 48 vjet, gjithësejt nuk i kam kaluar 5 vite sëbashku me babain tim. Kur kam qenë fëmijë, baba ishte në burg. Pas viteve të 1990-a unë jetoj në Gjermani, kurse baba im jetonte në Zvicër e Kosovë”, – më tha Ylli.

Kur mora lajmin e hidhur për vdekjen e Kadri Osmanit- Mani, më 10 tetor 2012, udhëtova me avion nga Shtutgarti në Prishtinë, për të marrë pjesë në ceremoninë mortore.

Në njërën nga sallat e Fakultetit Filozofik, të organizuar nga Shoqata e të Burgosurëve Politikë, u bënë homazhe pranë arkivolit me trupin e pajetë të Kadri Manit. Pastaj u mbajtë një Akademi Përkujtimore, në nderim të jetës dhe të veprës të bacës Kadri. Fjalën kryesore e mbajti shoku i Tij i ilegales dhe i burgut, Binak Ulaj, duke përshkruar jetën dhe veprën madhore të njeriut të pamposhtur, Kadri Osmani-Mani. Fjalë miradije për ish të burgosurin shumëvjeçarë tha edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, profesor Ibrahim Gashi.

Kadri Osmani – Mani ka lënë Testamentin shkrimor për mënyrën dhe vendin e varrosjes. Dëshira e Tij e fundit ishte varrosja në varrezat e të parëve të Tij, në Makresh të Poshtëm, aktualisht, nën administrimin e komunës të Artanës-Novobërdë. Pjesëmarrja ishte solide e dhembja e madhe e të gjithë të pranishmëve në ceremoninë e varrimit.

Baca Kadri ka lënë pas vetes bashkëshortën Shukrijen, djemtë: Rabitin e Yllin, vajzën Hidajeten si dhe nipërit dhe mbesat.

Krejt këto që i thashë këtu janë fare pak, në krahasim me veprën e madhe të Kadri Manit.

Lavdi jetës dhe veprës të njeriut të madh e stoik – Kadri Osmanit- Mani!

Göppingen, 28.10.2012

____________

Kadri Mani ishte pendë e ndritur e kombit, luftëtar, veprimtar dhe ish i burgosur politik nën regjimin jugosllav!

Nga Asllan DIBRANI

Vdekja e Kadri Manit tronditi gjithë rruzullin shqiptar, ku ndihet fryma e kombit shqiptar, aty ku ka aromë të Shqipërisë etnike, aty ku lulet i mbolli Kadri Mani për një Shqipëri të bashkuar. E tronditi botën shpirtërore të krijuesve në frymën kombëtare, na tronditi ne, ish të burgosurëve politik për çështjen kombëtare, që në kazamatet serbe ndamë një mollë në 4 pjesë! Kadri Mani la zbrazëtira në krijimtarinë e tij, si publicist, gazetar në rubrikat aktuale në të gjitha mediet, sidomos në faqet e Internetit, ai la zbrazëtirë në teatrot artistike, i cili edhe në moshë të shtyrë ishte aktiv. Kadri Mani la zbrazëtirë në zemrat e ish nxënësve të tij, familjarëve të tij. Kadri Mani la zbrazët hapësirat e gazetave që ai i drejtonte, por edhe në ato që bashkëpunonte, që ishin si qendër informative dhe shkëmbimi të kulturës, artit, politikës, ekonomisë e shumë gjërave tjera, që i kishte në plan për hedhur në letër për interesin e rrafshit kombëtar, ai luftonte të këqijat qe u fërkoheshin për çdo ditë rreth strumbullarit kombëtar, progresiven e ndihmonte deri në realizimin e programit të tij dhe frymëzimin qe kishte për një “Shqipëri Etnike”.

Kadri Mani ishte pendë e ndritur e kombit, që nuk pushoi se vepruari edhe në çastet e fundit të jetës në spital. Kadri Mani ishte patriot me virtyte më të larta qe ka një shqiptar për kombin e vet. Kadri Mali ishte një arrogant dhe i pa fytyrë për të pa- fytyrët, për tradhtarët, injorantët , pseudopatriotët, maskagjinjtë, abuzuesit, intrigantët dhe njerëzit demagogë pranë çështjes kombëtare të vendit, që cënonin integritetin e kombit. Kadri Mani brezit të tanishëm i la vepra, porosi, edukatë, frymëzim si të duhet atdheu, andaj ta përkujtojmë këtë njeri të regjur për çështjen kombëtare. Të qoftë dheu i lehtë o Kadri Mani dhe veprat që lë pas vetes, shëmbëlltyra jote, lë t`i shërbejnë këtij populli qe t’i sjellin dritë për idealin tuaj të “Shqipërisë Etnike”, që veprove dhe punove për te deri në ditën e vdekjes. Andaj qofsh i bekuar edhe në atë botë, o i madhi dhe i shtrenjti miku im Kdri Mani. I rikujtoj vuajtjet dhe dhimbjet që na u krijuan sa ishim në burgun ma famëkeq të Serbisë në Nish, nga terrori serb, por ai gjenocid u përcoll fatkeqësisht edhe deri ne ditët e sotshme nga tradhtarët e vendit dhe bashkëpunëtorët e okupatorit, nga e cila ti e mbajte gjithmonë pendën e mprehtë nuk i lë, por i godite me fakte dëshmi dhe argumente …

Lajm tepër i dhimbshëm ishte i asaj dite kur dëgjova për vdekjen tënde. Ishte një lajm tepër i hidhur për neve ashtu si edhe për juve e nderuara Familja Mani, që keni organizuar ketë të pame sot në Göppingen! Në këto raste vështirë se mund të gjej fjalë për ta lehtësuar dhimbjen dhe shpirtin tuaj, që gjendeni shumë të pikëlluar me rastin e humbjes se më të dashurit tuaj. Është tronditëse për JU si dhe për NEVE dhe gjithë “Kombin Shqiptar”. Lotët nuk më rrjedhin aq lehtë, por ky lajm tragjik e bëri të veten, nga kujtimet e së kaluarës së hidhur, por edhe të lavdishme që dha ky burrë i kombit shqiptar për çështjen e “Kombit Shqiptar dhe për Shqipërinë Etnike”, që rrënimi i sistemit jugosllav ishte edhe vepër e babait tuaj o Yll Kadri Mani me familje, që jeni prezent dhe ju falënderojmë për organizimin e kësaj të pamje, të cilën e pasoi edhe një ore përkujtuese për te ndjerin Kadri Manin. Babai i juaj dhe miku ynë Kadri Mani ishe njeriu më i pathyeshëm në burgun famëkeq të Nishit, që mbi gjysmën e burgut e kaloi në qelitë e shtëpisë së bardhë, që shumë shokëve tanë ju mbetën eshtrat në atë burg të egër dhe famëkeq për shqiptarët. Hyri në burg dhe doli i palëkundur, përkundër reprezaljeve dhe torturave që u ushtruan kundër tij .

Tani do ta lexoj edhe një poezi

 

Kushtuar Kadri Manit

mikut tim nga Burgu i Nishit!

 

Qelitë e burgut në Nish, Serbi

të mërdhini kockën trupin e gishtëri

vetëm një ideal kishe o i madhi Kadri

ta bëjmë nënën Shqipëri.

I shtrirë në beton të ftohtë

e i torturuar me kërbaç

e pash dhe e preka horizontin

e murit dhe gjurmëve për ardhmërinë

aty e pash edhe gjakun e gjyshërve

dhe stërgjyshërve tanë

i skuqur dhe i vizatuar

me gjak për liri.

Gjurmët e çizmes së armikut në mur

fluskat e borës t`i mbuluan këmbët

batanijet e kuajve të lagura

nga dritaret e thyera

shkëlqenin nga acari.

T`i kujtoj vuajtjet tua Kadri Mani

birucën e derës në dhomën e vogël

ushqimin që na e dhanë si qenëve

e bukën e ngrirë!

Kadri Mani o burrë i kombit

të kujtojmë për shumë mot

qe luftove për vendin tatë

ishe dhe mbete patriot!

E nderuara familja Mani, të nderuar miq, të nderuar bashkëpunëtor të mediave tjera, të nderuar publicistë dhe gazetarë, dramaturgë dhe bashëkolegë te të ndjerit Kadri Mani, me këtë rast i pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta. Përmes jush dëshiroj t`i shprehu dhembjen dhe ngushëllimet edhe farëfisit të gjerë të familjes Mani, në emrin tim dhe ish të burgosurëve politikë, në burgun famëkeq të Nishit, në Serbi, që ishim bashkëluftëtarë të të ndjerit Kadri Manit. Pranoni ngushëllimet tona më të sinqerta në emrin tim , në emrin e familjes time dhe grupit nga emrat e të burgosurëve në atë burg famëkeq . Pranoni edhe nga një pjese e të burgosurëve politikë edhe në Gjermani që kam kontaktuar me ta!

Po i përmendi emrat me sa vijon ;

Nga Berat Luzha, Martin Çuni, Sejdi Veseli, Gani Krasniqi, Hydajet Hyseni, Sylë Muja, Gani Koci, Ramadan–Gashi Dobra, Xajë Nura, Sali Sefa, Bajram Kosumi, Kadri Llugaliu, Sali Salihu, Rexhep Maqedanci, Musli Kosumi, Muhamet Rogova, (Xhemail Krasniqi i vdekur në burgun e Nishit nga keqtrajtimet)! Sejdi Elezi, Bedri Bajrami, Hasan Ukëhaxha, Enver Dugolli, Agim Sahiti, Halit Berisha, Sabri Sopi, (Gursel Sylejmyani, dëshmor i vrarë në luftën e Jezercit në Ferizaj me gjthë vëllain Bajramin) !?. . . Sejdullah Musliu, Jonuz Musliu, Myslim Dobruna, Selim Zhubi, Hysen Gega, Sherif Konjufca, Milaim Krasniqi, Vehbi Fetahu, Xhevat Zeka, Ali Lajqi, Emin Krasniqi, Ahmet Isufi, Salih Mala, Ramiz Arifi, Skënder Vardari unë, Asllan Dibrani dhe Ti, i madhi Kadri Osmani, që ishim në shërbimin e atdheut.

Të qoftë i lehtë dheu i Shqipërisë Etnike! Të ndritë varri i tokës së bekuar që aq shumë e deshte, punove dhe sakrifikove për te! Me dashuri, respekt dhe pikëllim të thellë e krenari, nga miku i juaj AsllanDibrani.

Faleminderit për vëmendjen pjesëmarrës të nderuar, faleminderit që gjet kohë ta kujtojmë këtë njeri që la vrragë të mëdha ne zemrat tona.

Shtutgard 28.10.2012

____________

A I MBETEM BORXH EDHE SA ISHTE GJALLË VEPRIMTARIT TË SHQUAR SHQIPTARË KADRI MANIT

Nga Xhevat Rexhaj - Zemra Shqiptare, 20.10.2012

Njerëzit e veprave të forta në aspektin kombëtar, shpesh mbesin të anashkaluar edhe per të gjallë të tyre. Një diç e tillë ndodhi edhe me një njeri, një të burgosur, një publicist, një poet, një veprimtar dhe thjeshte një shqiptar i dalluar i çështjes shqiptare në përgjithësi, dhe asaj të Kosovës në veçanti.

Kadri Mani nuk ishte thjeshtë një shqiptar, ai ishte një emër i veçantë me veprat dhe me personalitetin e tij, ai në disa raste nuk u kuptua, apo thenë me drejt nuk deshën të tjerët ta kuptonin, ngase e kishin zili, e kishin inat dhe e urrenin sepse Kadriu e fliste të drejten, e mendonte dhe e shkruante te vërteten, e përcillte dhe e dokumentonte faktin, i tillë ishte Kadri Mani, i tillë mbeti ai Burrë që këto ditë iku për në amshim. Që në fillim une do sjelli një pjesë të fjalës së Kadriut, dhënë në intervisten mikut  tonë të çmuar Z. Zeqir Lushaj:

Kush të nervozon më shumë: -Serbia… apo pleqëria?

Përgjigje: - As Serbia as pleqëria!! Po na nerovozojnë e po na çmendin shqipfolësit: kurrë s’kemi qenë në gjendje më poshtëruese! Në gjendje të pashpresë kur para syve tanë vdesin ose vetëvriten pensionistët, invalidët e luftës... Tash kemi rënë nën robërinë vetanake! Nën robërinë e të huajve ka qenë fare lehtë të luftosh: ia ke sha gjuhën, ia ke sha himnin, ia ke sha flamurin...

Kurse tash deputetëve tanë-hajna: as nuk mund t’ua shash gjuhën, as himnin, as flamurin!!! Adem Demaçi karrierist, edhe sot nëpër autobusët urbanë llomotitë kundër Dr. Rugovës! Adem Damaçi e pati propozuar për Kryetare të Kosovës Rada Trajkoviqin”

Kur lexohen me kujdes këto fjali të thëna nga goja e mendja e Z. Mani atëherë lexuesi dhe vrojtuesi e kuptojne se sa bukur dhe sa kthjelltë  Z. Mani tregonte  atë që ai e dinte dhe atë qe ai e njifte, ngase i njifte edhe personazhet e fëlliqura të cilat ai i permendë shpesh, dhe vërtet këto fjali të Z. Mani janë më shumë peshe, se sa edhe një libër historie a publicistike.

Kadri Mani, një shqiptar që qendroi në kampet dhe burgjet serbo-sllave për më shumë se 17 vite, K. Mani ishte një shqiptar që kishte kurajon dhe kishte mendjen e shedoshë, se Kosova do të fitojë lirinë e vet kur në krye te saj do të vijne njerëz të lapsit, dhe njerëz me gjak të kulluar kastrioti, këte  Z. Mani shpesh here ma ka thëne edhe personalisht në takime dhe ndeja të cilat i kishim të shpeshta, sidomos në vitet e 90-ta, dhe ato  viteve 2000 gjer më 2004, kur edhe ne nga Schaffhauseni do e përcjellim për në Dardani, ngase Kadriu do e lëshonte Zvicrën përgjithmonë. Kadri Mani pra, do të jetojë disa vite në Kantonin e Schaffhausenit, dhe këtu ne se bashku me Kadriun do të kishim shumë biseda dhe shumë aktivitete e sidomos në Nëndegen e LDKsë, kishim edhe konfrontime për çështje të caktuara, ai ishte shumë rigoroz dhe shumë kritik ndaj matrapazeve të luftës, dhe shumë të ish burgosurve politikë për të cilët fliste gjëra aq interesante  (për te keq), saqë vërtet njeriu mbetej i pa mend, dhe pa tekst se mjerisht të tillët e morën edhe timonin e Kosovës me turre e me kërcënime.....?!

Në Schaffhausen unë pata njoftuar Z. Mani edhe me disa historianë dhe shkrimtarë zviceran, dhe ata që të gjithë kishin një respekt  të veçantë për  Z. dhe Zonjën Mani, dhe shpesh edhe qëndronim në vizita te njëri tjetri. Kadri Mani vertet mahniste bashkëbiseduesit, vërtet i jepte bisedave një kahje që të detyronin të ishe kureshtar, dhe me këto biseda u mësuan dhe u dashuruan edhe miqtë zviceranë të cilët kërkonin shumë mendime nga Z. Mani, se si do dukej Kosova e pas çlirimit e çështje të tjera. Përgjigjet e Kadriut ishin të shpejta, por shumë të rrepta, dhe ai frikën kryesore e kishte nga kapja e shtetit në duart e kontrabanduesve dhe kriminelëve, të  cilët rrejshëm, do e dëmtonin emrin e luftës, Kadriu e thoshte troç se enveristët dhe islamistët do e sjellin Kosovën në një gjendje kaotike, kur edhe perëndimi do të pendohet se përse u ka ndihmuar shqiptareve.  Me këtë rast do të ceki origjinal një thenje të Kadri Manit, në takimin që kishim në Kryesinë e Shoqatës mike Zvicerano-Shqiptare të Schaffhausenit, dhe në një rast Z. Kadri do të shprehej  kështu; “Fati më i madh i shqiptarëve është që shpëtoi Ibrahim Rugova i gjallë, dhe përmes kësaj fatmirësie Kosova do të qendrojë e fortë dhe do të stabilizohet, deri dikund edhe pse falangat staliniste-enveriste të orkestruara nga deshtakët dhe përçarësit e kombit dueti Qosja-Demaçi, do të bëjne çmos që me spiunet e tyre të grupeve marksiste leniniste të LPKsë do të jenë kujdestarë të krimeve, dhe do të mbjellin virusin e të keqes në territorin dardan?, Une kam friken se do te ketë  edhe likuidime dhe atentate të shumta ndaj veprimtarëve Institucionalistë, rugovistë, dhe besa i rrezikuar do të jetë edhe vetë Presidenti  Rugova....”,  kështu u pat shprehur Z. Mani jo vetëm një herë, por shpesh në shumë  takime e festa të caktuara.  Dr. Phil. J. Zimmermann dhe Dr. Phil. M. Wütrich kishin një respekt  të veçantë për bashkëshortët Mani, dhe ne së bashku shpesh vizitonim dhe takoheshim  së bashku, ku bashkëbisedonim për shumë tema.  Kadri Mani edhe  pse në moshë aso kohe, nuk ndalej se vepruari, së shkruari, e donte të flisnim për Fletoren e tij Shqiperia Etnike, dhe me një rast në St. Gallen në një manifestim të Grupit të 10 të Degëve të LDKsë pati thënë  kështu: “Po ta ketë jeten e gjatë Ibrahim Rugova, dhe po të mësojë më shumë nga Rugova  Sali Berisha , atëhere më shpejtë  do të kemi Shqipëri Etnike, ngase vetem ne krye me Ibrahim Rugoven mundet te realizohet diç e tillë, e jo me Ballkaniada të Demaçëve dhe me Revolucione të poshtra të Qosjes...”, edhe këtu në këto shprehje, dhe mendime të tija vërehej qartë se sa simpati dhe dashuri kishte  Z. Mani për Presidentin Rugova, sa shume e çmonte ai Rugoven, e sa shumë e adhuronte Nanën Tereze dhe Gjergj Kastriotin.

Vitet e fundit të qendrimit të tij në Schaffhausen, ishin pakëz të vështira për Kadriun, ngase ai gjitha mjetet që merrte nga pensioni i tij i shpenzonte për Fletoren- Shqipëria Etnike, ai ndihmonte në projekte te caktuara, dhe shpesh e kritikoja qe tani me të kujdesej me shumë për veten e vet dhe bashkëshortën, por ai gjithnji thoshte, i kemi te gjitha dhe për mua sa te jem gjallë çështja e kombit ështe mbi të gjitha, paraja ështe e ëmbël vetëm për profiteret dhe hajnat e popullit të vetë, sikur që i kemi ne sot disa liderë e politikajë të cilët i kanë duart edhe të zhytura me gjakun e shqiptarëve, dhe dikur medoemos, do i vjellin ato hajni, kështu thoshte me mllef  Z. Mani: Vërtet të gjitha këto edhe ndodhën në skenen kosovare, të gjitha këto të cilat e i parashifte Z. Mani e tronditën trungun shqiptar, dhe i plaguan shumë Familje të çmuara shqiptare si rezultat i vrasjeve pas shpine të aktivisteve dhe të figurave madhore të Dardanise. E vërtet është se edhe z. Mani kërcenohej, shahej, etiketohej  nga disa qarqe të caktuara kuqaloshësh, ngase atyre iu pengonte qasja dhe realitieti të cilin e tregonte Z. Mani për disa të burgosur, për disa figura që dikur ishin të dyshimtë, nepër agjentura të caktuara, dhe edhe sot e kësaj dite mbeten të dyshimte, ngase krijuan grupe dhe klane kriminale në trojet sheiptare.

Një natë para se të kthehej për në Dardani, une dhe miku im Dr. J. Zimmermann  shkuam në banesen e Kadriut, dhe aty morëm me vete me automjet 5 paketa me libra dhe fletushka, letra e dokumente që ti merrja në banesen time, që ti ruaja gjerë sa të organizonim një transport extra për në Prishtine, pasi që Kadriu me bashkëshorten Shukrijen të nesërmen fluturonin me aeroplan, dhe nuk kishin mundësi të i merrnin të gjitha ato libra. Ishte vërtet e vështire kur u përcollem dhe i uruam fluturim të mbare, por edhe ishim të kënaqur une dhe miku ynë  J. Zimmermann, se më në fund Kadriu shkonte ne vendin e vet të lindjes, që e deshi dhe e lau me veprimtarinë e tij për dekada me radhë.

“O Xhevat Rexhaj, o rugovist  i fort, une po ti la këto libra e materiale se të besoj shumë, dhe këto jane pasuria ime me e madhe që kam sot në te shkruar....” keshtu me tha Kadri Mani ate natë kur i deponova pakot e tija ne banesen time.

Të gjithë librat dhe materialin e lënë te unë, ia derguam dhe Dr. Zimmermann, me një transportues, dhe pagesen ia beme në emër të Shoqatës kulturore “ Zvicerano-Shqiptare” pasi që une dhe Dr. Phil J. Zimmermann  ishim Co-Presidentë    Shoqatës.

Me, tani më, të ndjerin Kadri u takuam në vitin 2010 përseri, në një ditë zie, kur Istogu dhe Kosova i jepnin lamtumirën e fundit një Burri të fortë të  Kosovës, Kryetarit  të Istogut dhe Nënkryetarit të LDKsë, Z. Fadil Feratit. Ne e bëmë një ndeje  dhe bisedë vëllazerore me Kadriun në Istog, une i thash o Kadri, po o Burr ti je në moshë e besa edhe pakëz  i sëmurë, dhe megjithatë paske ardhur në Istog që të besh nderimin e fundit  për Fadil Feratin, je i Madh o Kadri i thashë, dhe ai më ktheu  përgjigjen duke qeshur; O Xhevat Rexhaj, po ti ke ardhur sot prej Zvicrre 2000 km larg, e lëre unë këtu nga Prishtina, për Fadil Feratin do të shkoja edhe në Himalajë, ngase ishte nji Burrë i madh i Kosovës, kështu tha Kadri Mani...

Kadri Mani ishte kudo ku bëhej fjale për shqiptarinë, ishte kudo dhe kurdo i gatshem të respektonte figurat shqiptare, por valle a ia bëme ne për së gjalli të tij sa duhet nderimin dhe respektin, kam friken se jo, kam friken se nuk ishim gjithnji kur ai pati nevoj për neve. Megjithate vetë emri dhe vepra e tij mbesin madhështia e quajtur Kadri Mani.

Po, ashtu si tha Kadri Mani për Fadil Feratin, tani do e them une për Kadri  Manin.

Nuk ta dhamë të merituaren deri sa ishe gjallë o Kadri Mani, por mbetesh një shqiptar me emër të denjë në Historinë e Dardanisë, mbetesh Burrë Kosove për mote - o Kadri Mani. Lavdi jetes dhe vepres tuaj e pushofsh i qetë në tokën e Dardanisë.

Ngushëllime Zemrës Shqiptare, Fletores Shqipëria Etnike e ngushllime shqiptarëve kudo për vdekjen e Kadri Manit.

____________

NE DUHET TA NXJERRIM GJAKUN E KEQ PREJ SYRIT PËR TË ARDHUR DERI TEK LIRIA

Nuk na fliste shumë për këtë dënim të moshës kur i lëshonte trupi ujë dhe mendja i bënte protestë

Shkruan: Ramiz Dërmaku - Zemra Shqiptare, 14.10.2012

Kadri Mani, tani, pushon i qetë në varrezat e fshatit të lindjes së tij. Atdhetari, intelektuali, Kadri Mani, ishte një prej personaliteteve me rëndësi të madhe kombëtare në Kosovë, trojet etnike shqiptare por edhe në diasporë. Tani pushon, ngase kurrë nuk kishte pushuar më herët, që nga mosha shumë e re, kur dikush i spjegonte për luftën që bëri populli shqiptar gjatë tërë historisë, i spjegonte për padrejtësitë që ju kishin bërë e i bëheshin akoma, por ai i spjegonte.., por edhe ky tani lexonte për luftërat dhe sakrificat e tij gjatë historisë së tij. Dikush ia shtoi dashurin ndaj çështjes kombëtare. Dikush i spjegoi për kufijt dhe teritoret shqiptare, dhe ky si i ri u brymos me atdhetarizëm i cili e mbajti gjallë deri në vdekje. Në takimin e Bashkimit të Intelektualëve Shqiptëtarë në Mërgim- BISHM-i, nga Gjermania dhe Bashkimit të Intelektualëve Shqipëtarë nga Zvicëra, të mbajtur në BERN, në klubin” Hasan PRISHTINA”, ai neve na thoshte; ne duhet ta nxjerrim gjakun e keq prej syrit për të ardhur deri te Liria.

I frymëzuar, me ide atdhetare ai e fillon herët veprimtarinë e tij, dhe nuk do ta ndal deri në vdekje. Për veprimtarinë e tij atdhetare, ai nga regjimi barbarë e kriminel serb ai do të “shpërblehet”.., dihet me burgim. Nuk na fliste shumë për këtë dënim të moshës kur i lëshonte trupi ujë dhe mendja i bënte protestë.

Thoshte, - mësova shumë dhe më behej se jam në shkollë. Shkollimin kurrë nuk e zinte në gojë, e merrte për detyrim. Përbuzjen diferencuese e kishte më shumë se Goli Otokun, - kjo është sëmundje e një përmase më të gjerë, - thoshte, dhe e mbante me shumë inat një dukuri të tillë.

Atdhetari dhe i burgosuri politikë z. Kadri Mani, është shenja e emrit të përveçëm, shenjë e cila flet vetëm shqip. Shenja e mendimit, për një rrëfimtar të rrallë, vizionar i cili e tregonte fillimin e të qenit dhe fundin midis polariteteve kohore.

Do të mësohemi edhe pa atdhetarin Kadri Mani, i cili ishte gjithëkund dhe kudo. Ai i frymëzuar nga atdhetarizmi i Rilindasëve tanë nuk pushoi kurrë së vepruari edhe pse e maltretoi, burgosi, dënoi regjimi serbë.

Unë e di se ai kishte nevojë për qetësi. Por e di se ne nuk kishim nevojë për vdekjen e tij. Kadri Mani- kishte nevojë për pushim, e neve sot nuk na duhet kjo heshtje, sepse dikush duhej të na zgjonte. Ai bëhej edhe zëdhënës i masës kur dikush e vente në gjumë, ai, nuk na lëinte të qetë.Në diasporë, në Kosovë. Shqipëri dhe trojet tjera etnike do të ndihet mungesa e juaj. I nderuari dhe i respektuari z..Kadri Mani, mik i dashur tek ne dhe tek ZEMRA SHQIPTARE ,do të ndihet mungesa e juaj. Tani do ta shohim një ndryshim. E ai ndryshim është se mbetem pa një zë të fuqishëm, nga më të fuqishmit, të ndërgjegjës kombëtare në media, të krijuesit në krijimtari, të parashikuesit në të ardhmen e vendit. Mbetëm pa të parë një, dy, tri ditë, e do të bëhen edhe muaj e vite,por veprimtarija juaj do të jetoj ajo është radhitur në radhët e para të atdhetarëve.

Një shenjë emri në gjeografinë e kulturës së një kombi, njësiti karakterizues, identifikues, i unifikimit, një tipar i radhë historik.

Ka një ndryshim pas dy tri dite pa ty, o Kadri Mani. E mësuam Vetminë e Madhe. Vetminë që ti e jetoje për kohë të gjatë, e rrëfeje në sirtarin e iluzioneve dhe na thoje ne, - nuk është varri vetmia, - varri është heshtja ku të tjerët të lënë në qetësi, ngase frikohen. Frikën e vetminë i kishe figura që i shikoje në syrin tonë, në dukurinë e kësaj mase kur ndodhej në ankandin historik, ku koka u rrinte kah ulurinin ujqit e stepeve.

Ka dy, tri,katër ditë pa ju o i madhi Kadri Mani. Dy tri .., ditë i stereotipeve në kuantitetin e fjalës publike. Kush e thotë si ti sot fjalën me peshë? Kush ia prishë qetësinë e ditës vetit o burrë!? Dhe viti nuk qenka i madh kur nuk jetojnë njerëz të mëdhenj, si ti.

Atë Zef Pllumbi na mësoi proverbin popullor, “Rrno për me tregue”. Po e jetojmë kohën për ta rrëfyer o burrë, e unë po ta rrëfej ty sot se vazhdon heshtja. Aq sa e rrëfejmë, e heshtim. Ne e kemi një dënim në mendësinë tonë, - mohimin.

Pra krejt në fund u shpreh ngushllime familjes së atdhetarit Kadri Mani, shokëve, miqëve dhe portalit informativ “Zemra Shqipëtare”.

Drejtorit: Gëzim Marku

Mario Braha

Ilir Dardani

Zeqir Lushaj.., etj

Baki Ymeri.., dhe të gjithë lexuesëve të “ZEMRËS SHQIPËTARE”

Zoti e bekoftë KOSOVËN

Weingarten-Gjermani

____________

KOKËN LARTË  (Kadri Manit)

 

Ilmi Veliu - Zemra Shqiptare, 14.10.2012


Kokën e mbajte lartë, prej ditës kur u linde

Tradhëtarin, armikun, po edhe mikun, e binde

Dhe u plasi truri

Ua mbushe sytë me lot

Për ty kësulëbardhin

Që u rrite në këtë tokë.

Aty, ku të ra koka, trupin e ngrite

Amanetin e të parëve, në zemër e ruajte.

Qëndrove ballëlartë, kundrejt armikut

Para shpirtkeqit, po dhe  zemërligut.

Me trupin drejt e ballin lartë

Edhe kur ti thyen eshtrat me dajak

Kur tu vërsulen qentë e gjarpërinjtë

E ti trishtuan pleqtë e fëminjtë.

Kur ta dërrmuan shtyllën e kurrizit

Ti regjën plagët me kripë,

Ti u bëre shkëmb-mbishkëmb,

-pa frikë.

Ashtu  trup drejtë dhe kryelartë

Të goditën kërbaçët e parë

Dhe kur ti shkulën thonjtë me danë

Ta shtypën gjakun në damar,

Ti, qëndrove dhe nuk e ule kokën…

Ballin e mbajte lartë

Edhe  kur të mungoi liria

Ti mbulonin gjurmët, që flet historia,

Dhe ta mohuan fisin,të parin.

Të gatshëm, të ta zhdukin edhe  varrin.

Kryelartë, kur të ndoqën

Shtrënguan, ndrydhën e shtrydhën

Të mbështetën për mur,

Ti u bëne murë, gurë mbi gurë.

Kur të lidhën në pranga,

Mbërthyen e gozhduan,

Të shanë e pështynë,

Ti e mbajte kokën lartë.

Dhe i  mundove sadopak.

Kryelarti ka bukurinë e vet

nuk gjunjëzohet dotë e as pështyhet lehtë.

Kafshatën e mjerimit, kur duhej ta kapërdishë

E mbajte premtimin, që me trupin drejt të rrishë

Po edhe kur të mbyllën në  qelitë e Kosovës

Në Kazamatet e Dubravës

E zandanet e Goliotokut.

Të ligut kurrë nuk iu përule

Ballin e mbajte lartë, nuk  e ule.

Të keqit nuk iu përule e as gjunjëzove  kurrë

Edhe  kur të mori vdekja

Me kokën lartë, si burr.

____________

Kadri Mani idealist që i mbeti besnik Shqipërisë Etnike

Shkruan: Safet Hyseni - Zemra Shqiptare, 13.10.2012

Disa thonë se vdiq Kadri Mani! Unë se them dot, për këtë s’kam guxim as që ta përmendi, dhe nuk ka kush të më bind se Ai vdiq! Atdhetari nuk vdes kurrë! Ai nuk ka vdekur, as kombëtarisht dhe as fetarisht (asnga ana e çdo religjioni që ta marrësh). Në çdo religjion thuhet se “ndërrojë jetë” që do të thotë se ai nuk ka vdekur, por kjo nga çdo aspekt është absolute dhe unë nuk e kam ndërmend të them më tepër, sa i përket anës fetare. Nga ana kombëtare vepra e të ndjerit Kadri Mani (që tani fizikisht nuk është në mesin tonë) kërkon studim të gjithanshëm, është shumë dimensionale, si nga aspekti i sakrificës ilegale (veprimtarisë kombëtare ilegale), asaj shkencore, publicistike dhe mendimi i tij filozofik. Kadri Mani në shumë sfera të jetës ka lënë gjurmë të pashlyera, ka bërë aq sa ka mundur për familjen, më shumë për rrethin, dhe gjithçka për kombin. Për veprën që na ka lënë pas, për punën që ka bërë, për mendimin e tij progresiv dhe për dimensionin kombëtar ka të thuhet shumë, ka çka thuhet dhe kam shpresë se miqtë ë tij, idealist e Shqipërisë Etnike, e Djathta Shqiptare madje nacionalistët e vërtetë të kombit patjetër që do e thonë se e kanë pas në ballë, të papërkulur, kanë ecur bashkë me Kadri Manin dhe janë krenuar kur kanë qëndruar afër tij, kanë bashkëjetuar, bashkëvepruar e mbi të gjitha kanë sakrifikuar shumë. Të gjithë që e kanë njohur, dhe që e njohin sakrificën shqiptare në Kosovë dhe më gjerë, të gjithë ata që din dhe duan kanë çka të na thonë, dhe do ishte mirë që këtë ta bëjnë, por duke filluar nga ata që e kanë njohur, nga ata që kanë bashkëpunuar, nga të afërmit dhe ata që kanë bashkëjetuar, nga të betuarit që kanë bashkëvepruar, padashje apo me dashje nga ata që kanë bashkëvuajt dhe në fund ata që e mbështetin dhe e mbështesin idenë e tij, por jo vetëm të tij, ata që e mbështesin Programin e Lidhjes së Prizrenit, se ai nuk donte program tjetër (Shqipërinë Etnike). I pari që e morri guximin është banori i burgut Asllan Dibrani, që një kohë dhunshëm si shumë të tjerë ka bashkëvujat në burgun e Nishit. Askush tjetër nuk mund të sjellë pasqyrën e burgut, por vetëm një bashkëvuajtës, askush tjetër nuk mund të flas për veprën e tij më mirë se një bashkëveprimtar, askush tjetër nuk mund të flasë për mendimin e tij se sa një krijues që krijoj bashkë me te, askush tjetër nuk mund të flasë për guximin, trimërinë se sa një sakrifikues që eci bashkë me Kadri Manin. Vepra dhe veprimtaria e tij kap sferën më të madhe ku duhet t’i përkushtohet studiuesi shqiptar. I ndjeri dhe i pavdekshmi Kadri Mani është simboli i pathyeshëm, është simboli i qëndresës që eci në kohë dhe radhiti vepra atdhetare në çdo vend që ia dha mundësia, në çdo skaj të atdheut të tij. Veprimtarët shqiptar nuk dallonin shumë në ide gjatë shtypjes dhe persekutimit në ish sistemit jugosllav dhe në sipërfaqe dukej se që të gjithë janë të majtë apo i takojnë ideologjisë majtiste. Po të gjykosh drejtë dhe të futesh në studime më të thella, dhe po të thirresh pak edhe në kohën që thuhet kinse demokratike shihet dhe vërehet se një pjesë bukur e madhe vetëm deklarativisht i kanë takuar kësaj rryme. Kjo është vërejtur edhe në veprimtarin e shumë ish të burgosurve politik si në Kosovë por edhe më gjerë, por padyshim që fitimtar kanë dal shumica, d.m.th vija majtiste pasi që kanë pasur mbështetjen më të madhe në ish sistemet të cilët e kishin krijuar njeriun e vet. Rryma e djathtë ajo nacionaliste ku defilonin pjesa më e vogël, bile ata edhe nuk guxonin që ta thonë hapur dhe kur këtë e bënin ishin më shumë të persekutuar dhe apriori të demaskuar edhe nga vetë ilegalët apo veprimtarët shqiptar, andaj ata mbetën edhe më të persekutuar edhe në sistemin tjetër kinse demokratik. Rrymës së djathtë i ka takuar veprimtari Kadri Mani si dhe shumë të tjerë si Metush Krasniqi por që kanë mbetur ende të pastudiuar për të njërën apo arsyen tjetër. Veprimtarët që i takonin kësaj rryme por që nuk shpreheshin hapur ngase kukonin mbështetjen e shtetit amë mund t’i hasni dhe gjeni si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni, por edhe sot nacionalistin e vërtetë është vështirë ta takosh në pozicione vendosëse  e aq më pak udhëheqëse. Këtë kategori jo që nuk e duan vetë shqiptarët, por ka shumë rryma, shumë shërbime shtetesh të ndryshme, që merren më llojin e tillë që në Evropë shqiptarët të udhëtojnë të ndarë. Dallimi është shumë i lehtë të bëhet në mes këtyre dy rrymave, por për ta dëshmuar është shumë i vështirë. Të majtët në vend të kombëtares kanë dredhin, në vend të drejtësisë kanë dhelpërinë, janë këto vese që u trashëguan nga ish sistemi apo më mirë thënë nga ideologjia komuniste sllave. Kadri Mani nuk e deshi as dredhin dhe as dhelpërinë andaj mbeti idealisti më i madh i krijimit të Shqipërisë Etnike të cilën Shqipëri e gdhendi me veprimtarin e vetë, dhe ai këtë përherë e mendonte se do bëhet, por do bëhet atëherë kur e djathta shqiptare do ngadhënjejë në gjithë hapësirën e hartës të Shqipërisë Etnike. Për të zbërthyer veprimtarin, idenë dhe punën atdhetare të Kadri Manit ka shumë pena, duke nis nga ajo e Zeqir Lushajt i cili i pari na e dha lajmin e ndërrimit jetë të veprimtarit të palodhur e më pas edhe të tjerët që shkruan më pas, por do ishte më mirë që çdo njëri t’i përkushtohej sferës ku më së shumti është i denjë për të dhënë të vërtetën apo afërsisht të vërtetën. Këtë e meriton Kadri Mani, por duke zbërthyer veprën e tij më së shumti do i kontribuonim të ardhmes sonë shqiptare.

____________

Kadri Mani, njeriu i Madh i Shqiperise Etnike

Nga Ilir Dardani - Zemra Shqiptare, 27.10.2012

Kane kaluar 75 vjet qe nga koha kur lindi nje njeri: Kadri Mani! Ose Kombetari Mani. Ne sot mbajme zi per te sepse gjithe jeten na mbushi me bardhesi. Me Manin tone kemi shkembyer edhe replika te ashpra, por qe te jap vleresimin tim per te nuk eshte dashur te nderroje jete! Lindi me 23.01.1937 ne Makreshin e Ulet te Artanes, por ai theu kufirin e mbare fshatrave dhe qyteteve te Shqiperise se Tij Etnike. Ai ishte dhe mbetet Shqiponje qe fluturon ne cdo cep te Shqiperise. Nderroi jete dhe do na mungoje, por ai nuk ka vdekur. Nuk vdes Kombetari, sic nuk kane vdekur Kastrioti, Rugova e Jashari.

Qe ne vitet e para te jetes se tij mesoi se kishte lindur ne nje vend te pushtuar. Ishte vetem nje femije kur filloi qendresen kunder bishave serbe, shqipfolesve serbofile e turkofile dhe nuk do te ndalonte deri me 09.10.2012, dite ne te cilen  filloi jeten prane Zotit.

Lajmin per largimin e Kombetar Manit nga ne e prita pikellueshem sepse ishim mesuar me te dhe kombi kishte nevoje per pranine e tij. E deshem Manin per gjithcka ishte. Shume shqiptare e priten dhimbshem kete lajm, por jo te gjithe. Disa shqipfoles turkoshake e shkjashake, me komentet e tyre qe sigurisht nuk jane publikuar, u gezuan sepse do mungoje intelektuali i madh dhe burri i guximshem qe nuk pajtohej kurre me antishqiptaret qe kerkojne varrin e kombit te lashte shqiptar.

Jeta dhe Vepra e Kadri Manit do jete burim qiellor frymezimi per te gjithe shqiptaret qe vleresojne jeten dhe njeriun. Engjellin e Lirise, Pastertise dhe Zhvillimit Kombetar do e kemi perhere mes nesh. Kadri Mani, Atdhetari, mesuesi, poeti, shkrimtari, gazetari dhe publicisti,  eshte Nderi i Zemra Shqiptare dhe i Kombit Shqiptar.

Ngushellime per te afermit, per te gjithe ata qe i japin jete faqes sone kombetare dhe per te gjithe shqiptaret.

Zot, te lutem kujdesu shume per Kadri Manin Tone!



(Vota: 36 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: