Elvi Sidheri: Gjeostrategjizma!
| E Enjte, 02.10.2014, 09:07 PM |

Gjeostrategjizma!

Nga Elvi Sidheri

Një shkrim i agjencisë ndërkombëtare të lajmeve ‘Reuters’ i ditëve të fundit, që kishte për temë kryesore, problemet e autoriteteve të Kosovës me fluksin e të rinjve kosovarë drejt masakrave ndëretnike civile në Siri dhe Irak, mënjanë shumë aspekteve të tjera, vinte në dukje një fakt tejet të rëndësishëm.

Fakt i cili lidhet kryekëput me situatën aktuale në Siri dhe Irak, ku teksa konflikti i armatosur, është duke iu afruar kufirit turk, gjasat janë të forta që ky shtet, të jetë duke u përgatitur për një ndërhyrje ushtarake tokësore në territorin sirian.

Në të vërtetë Kalifati i marrë i shpallur muaj më parë midis Sirisë dhe Irakut, i gjendur nën peshën e bombardimeve amerikane tjetërkund, është duke u përqendruar në një ofensivë drejt zonave kurde dhe kryesisht qytetit Kobani, që ndodhet fare pranë Turqisë.

Rrethimit të egër dhe përparimit të kalifatistëve gjakatarë, kurdët deri më tani, i janë përgjigjur me armatimin e tyre të lehtë, me vetëmohim dhe thirrjen për ndihmë nga vëllezërit e tyre kurdë të Turqisë, të cilët rrjedhimisht kanë mësyrë kufirin për t’u vajtur atyre në ndihmë.

E sigurtë është ndërkaq, se po të mos kish qenë për këtë ‘bashkëpunim’ ndërkufitar midis kurdëve të Sirisë me ata të Turqisë, sot të gjithë do të ishim dëshmitarë të një mega-masakre katastrofike, në rast se kalifatistët do të kishin hyrë në qytetin Kobani, dhe do të kishin vënë dorë mbi popullsinë e atyshme civile.

Në ndërkohë, roli i deritanishëm i Turqisë në këtë katrahurë, ka qenë ai i spektatorit të interesuar, por që ende i ruan të pasmet e veta larg zjarrit të konfliktit...

Një konflikti, në të cilin gjithësesi, sipas të gjitha shenjave, shteti turk është përzjerë prej kohësh, duke mbështetur dhe u mundësuar “udhë të lirë”, terroristëve të çfarëdollojshëm nga tërë bota, me qëllim që të luftonin ndaj regjimit të presidentit Asad.

Këtu pra, arrijmë edhe në pikën e parë themelore të këtij shkrimi...

Artikulli i sipërcituar i agjencisë së lajmeve Reuters, flet faktikisht ndër të tjera, edhe për një organizatë joqeveritare “bamirëse”, që në Kosovë vepronte e financuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim (Türk İşbirliği ve Koordinasyon Ajansı), që është hetuar lidhur me dyshimet se nën mbulimin e aktiviteteve bamirëse, ka financuar (me fonde shtetërore turke), aktivitetin dhe promovimin e kalifatistëve të rinj “potencialë”, ashtu si edhe fuqizimin e vetë kalifatit në Siri dhe Irak.

Sipas Reuters, deputetët opozitarë në Turqi jo rrallë kanë kërkuar shpjegime nga qeveria e Ankarasë, lidhur me aktivitetin dhe financimet e dyshimta filo-terroriste të kësaj agjencie shtetërore turke.

Atëherë?

Me çfarë sysh dhe faqesh, me çfarë të drejte, morali apo fytyre mendon presidenti i gjithëfuqishëm turk Erdogan dhe kryeministri i tij ideues i tezave neo-otomane (Davutogllu), që të ndërhyjnë në Siri, kundër kalifatit dhe kalifatistëve, që vetë kanë mbështetur dhe financuar për kaq kohë?

Por, meqënëse politika rezulton shpesh që të jetë një art mjaft pragmatist, atëherë edhe arsyetimet e mirëqena në këtë këndvështrim, mungojnë apo mënjanohen.

Thënë kjo, në një moment kur të gjithë papërjashtim, gjendemi përballë një rreziku gjithnjë e më në rritje, që po i kanoset kujtdo, edhe atyre (Erdogan-Davutogllut dhe aparatit të tyre autokratik shtetëror)... që këtë “murtajë” kalifatiste mesjetare, të fanepsur jashtë kohe dhe realiteti, nga rrethanat e një ambienti tepër të koklavitur si ai i Lindjes së Mesme, e patën ndihmuar të formësohet, duke synuar arritjen e qëllimeve të tyre gjeo-strategjike, nëpëmjet larjes në gjak të një populli fatkeq si ai sirian.

Sepse në llogari të fundit, njerëz më fatzinj se sirianët, vështirë se bota e sotme të ketë parë ndonjëherë...

Një popull i lashtë me mjaft tradita dhe një të kaluar madhështore, që e sheh veten të përfshirë në një konflikt të tmerrshëm ku shkelet çdo ligj dhe normë e luftës, ku sakrifikohen si shtazë jetët civile, ku përplasen interesat e tërë fuqive të mëdhaja e të mesme të planetit, midis një regjimi shumëdekadësh që nuk rrëzohet dot me forcë nga pushteti, ekstremistëve libanezë të Hesbollahut, kalifatistëve të marrë fondamentalistë dhe një opozite laike të pafuqishme.

Sirianëve dhe vetëm atyre u duhet qarë halli në këtë mes.

Qofshin ata sunitë, alauitë, kurdë, druzë apo të krishterë (që si të krishterët e tjerë në Irak e Egjipt, u harruan qëllimisht në fatin e tyre të lig e tragjik, nga bota e qytetëruar e krishterë, e që të mos kishte qenë për thirrjet e vazhdueshme papnore nga sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, do të qenë mbuluar nga pluhuri i dheut mbi kockat e tyre të përvuajtura, dhe ai i harresës Perëndimore).

Regjimi autokratik me prirje të theksuara anakronike ekspansioniste neo-otomane dhe prapanike anti-laike, i presidentit Erdogan dhe kryeministrit Davutogllu, po vendos të ndërhyjë ushtarakisht kundër kalifatit në Siri, për shkak se rrezikun tanimë e ka tek dera, asgjë më tepër.

Ky produkt monstruoz që po përgjak Irakun dhe Sirinë, aq sa i ka futur tmerrin një bote të tërë, është krijuar ndër të tjera, edhe si pasojë e një investimi madhor turk, dhe ky fakt nuk mund të fshihet tashmë që Erdoganit, i është shteruar interesi për t’i përdorur këta të marrë, për zbatimin e qëllimeve të tij gjeostrategjike.

Thënë përmbledhtazi, kalifati i ka dalë duarsh Erdos dhe Davutogllut...

Rënia e qytetit kurd të Kobanit, që prej gati tre javësh po i qëndron një sulmi të kalifatistëve nga tre anë të ndryshme, do të bënte që shumë qindra mijëra kurdë sirianë, të vërshonin drejt Turqisë, duke e ndezur kështu edhe më tepër krizën humanitare në këtë vend, ku gjenden edhe rreth një milion e gjysëm refugjatë të tjerë nga Siria.

Po ashtu, edhe pakënaqësia e hapur e kurdëve të Turqisë kundrejt qeverisë erdoganiste të Ankarasë, do të rritej në mënyrë të skajshme, nëse Turqia do të vazhdonte të dridhte zinxhirin, teksa kokat e civilëve kurdë sirianë, fluturojnë dhe ngulen hunjve pak kilometra nga kufiri i këtij vendi të madh.

“I’ve created a monster”(krijova një monstër), thuhet nëpër filma, kur një Frankenshtajn apo diçka e ngjashme, i del duarsh ndonjë shkenctari të çmendur me ca dërrasa mangut, që pasi e ka prurë në jetë një krijesë shtazërisht gjakatare, pendohet, ose thjesht konstaton, se nuk ka më asnjë lloj kontrolli mbi të.

E tillë është edhe pozita e aparatit shtetëror Erdogan-Davutogllu, lidhur me ngritjen dhe financimin, hapjen dhe përkushtimin e korridoreve të lira për kalimin nëpër Turqi, deri në kufirin sirian, të militantëve kalifatistë, si dhe gjithë privilegjet e tjera që kalifati pati gëzuar për vite me rradhë.

Preteksti formal, për të qetësuar atë pjesë nacionaliste të opinionit publik turk, që nuk do ta honepste lehtë një ofensivë tokësore të ushtrisë turke kundër kalifatit në Siri, vetëm për të mbrojtur popullsinë civile kurde aty, është gjetur po ashtu...

Dhe ky përfaqësohet nga tyrbja e Sulejman Shahut (Süleyman Şah Türbesi).

Pra të gjyshit të themeluesit të Perandorisë Osmane, Osmanit të I-rë, që gjendet diku afër kufirit turk në anën siriane buzë lumit Eufrat, aty ku kalifatistët prej kohësh janë të pranishëm dhe përbëjnë një kërcënim direkt edhe për ushtarët turq që ruajnë këtë varr (që është gjithashtu një enklavë sovrane turke në territorin sirian, sipas një marrëveshje franko-turke të vitit 1921).

Lëvizja tjetër gjeostrategjike, që ndër shumë të tjera syresh, meriton sot vëmendje, është deklarata e fortë e ministrit të jashtëm rus Sergej Lavrov, i cili zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s drejt IRJ Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës e cilëson si një veprim që nga ana ruse do të mund të shihej si: “Një gabim, e në njëfarë mënyre edhe si provokim, e në përgjithësi si një sjellje e papërgjegjshme, që dëmton ndërtimin e përbashkët të ‘sigurisë’ në Europë.”

Një ndryshim madhor ky i qëndrimit rus, së paku ndaj antarësimit potencial të IRJ Maqedonisë në NATO, që deri pak ditë më parë mjaftohej me pohimet se Rusia nuk ish e lumtur nga zgjerimi i Aleancës së Atlantikut të Veriut, por që megjithatë IRJ Maqedonia, ish e lirë që të zgjidhte anën e saj në lojën gjeostrategjike të Europës së sotme.

Duke parë zhvillimet e fundit në Ukrainë dhe tjetërkund, është e qartë se Rusia, po nis të ndërhyjë sërish sa më larg dhe më thellë që të jetë e mundur, në situatën e kontinentit europian, duke mëtuar haptazi që të shfrytëzojë problemet me hapat integruese të vendeve të vogla ballkanike, si tre kandidatët e sipërpërmendur për antarësim sa në BE, aq edhe në NATO.

Situata sidomos në IRJ Maqedoni, realisht është edhe më ‘pjellore’ për pretendimet e reja ruse, të cituara së fundi nga ministri i jashtëm Lavrov, ngaqë siç dihet, qeveria dhe partia e kryeministrit jetëgjatë Gruevski, gjithjnë e më tepër, po e sheh të ardhmen e pushtetit të vet, larg integrimit në BE dhe antarësimit në NATO.

Rast ky që po tentohet të shfrytëzohet me shpejtësi nga politika e jashtme e rishëndruar rishtazi në agresive, e federatës ruse.

Jo “rastësisht” edhe ftesës për të marrë pjesë në samitin e vendeve të NATO-s në Uells pak kohë më parë, presidenti maqedonas Ivanov, nuk iu përgjigj, duke shmangur pjesëmarrjen në këtë eveniment.

Leksioni pra?

Rusia megjithë bagazhin e autokracisë së rafinuar ekspansioniste putiniste, si kundërpeshë dhe kundërvënie ndaj Brukselit dhe Uashingtonit, po vjen sërish për të lëshuar rrënjë në Ballkan...

Aty ku tashmë prej kohësh janë instaluar fort edhe tentakulat e politikës po aq autoritariste neo-otomane të regjimit Erdogan-Davutogllu.

Fati ka dashur që ne shqiptarët, prej 5 vitesh të jemi në anën tjetër (atë të qytetëruarën dhe demokratiken) të gardhit, në NATO, nën ombrellën e së cilës, “viruset” putiniste, bëhen më të përballueshëm të paktën, tani që krahun tonë e kemi zgjedhur njëherë e mirë, vulosur dhe nënshkruar.

Problemet tona këto ditë, kufizohen me ndonjë monument përkujtimor të përballjes përfundimtare me regjimin gjakatar monist, me kalifatin tonë komunist që ndaj popullit të vet dhe klerikëve shqiptarë, nuk u pat sjellur aspak më njerëzisht, sesa kalifatistët në Irak e Siri, që rrënohet si pa të keq, ndërsa shumëkush bën llogje e pi kafe.

Monumenti me dy gishta në Kavajë, nuk ish i PD-së, sepse dy gishtat duan të thonë “LIRI”, përpara se tjetërgjë...

Ish pikërisht liria, ajo që qytetarët e Kavajës, kërkuan 24 vjet të shkuara, kundër atij regjimi që me shenjën e grushtit të ngritur lart në ballë, simbol që akoma e bëjnë rëndom enveristët shallëkuq-lidhur të vonuar, kur i qurrosen fotove e kremtimeve të diktatorit e diktaturës, i privoi banorët e këtij vendi nga “LIRIA” përgjatë plot 45 viteve.



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: