Hysen Matoshi: Rrustem Berisha - “Guri i Gjeranës''
| E Merkure, 17.09.2014, 07:08 PM |

Një gur në kalanë letrare

(Rrustem Berisha - “Guri i Gjeranës” botoi “Fad” Prishtinë, 2014)

Nga Hysen Matoshi

Në krijimtarinë letrare të secilit poet mbetet diçka e papërfshirë në vëllime të veçanta. Ngurrimi i autorit për t’i bërë pjesë të përmbledhjeve, qoftë si rezultat i një vetëvlerësimi më rigoroz, qoftë si rezultat i shkujdesjes, jo rrallë e varfëron ndjeshëm opusin autorial. Përqendrimi i Rrustem Berishës në punën profesionale rreth mbledhjes, redaktimit, botimit dhe veçmas studimit të trashëgimisë sonë folklorike ka bërë që ai të shfaqet me një distancë kohore të komunikimit nëpërmjet poezisë, ndonëse në krye të herës ishte një pikë nisëse e tij në jetën kulturore e intelektuale. Kjo distancë kohore ndërmjet dy përmbledhjeve poetike (1979-2014) nuk është treguese e mungesës së përkushtimit dhe të interesimit të tij për poezinë. Libri “Guri i Gjeranës” është dëshmi se ai mbeti përgjithnjë i lidhur për dashurinë e tij të parë – për poezinë, si trajtë specifike e ligjërimit të ndjenjave, të botëkuptimeve dhe reagimeve.

Kjo përmbledhje është në vijën e tashmë të formësuar stilistike të autorit, si me me fjalësin, ashtu edhe me gjetjet poetike, me figuracionin e me format e shprehjes etj. Ndonëse në mjete shprehëse vërehet një evoluim i natyrshëm, përbërësit themelorë të kësaj poezie mbesin kryesisht të transmetueshëm në të gjitha fazat e poezisë së tij. Në kohën e shfaqjes së prirjeve hermetike në poezinë shqipe në Kosovë, Rrustem Berisha përcaktohet qartazi për kumtimin sa më komunikues të botës së tij poetike në raport me lexuesin dhe këtë përcaktim e ruan deri në ditët e sotme. Motivet, sikundër në librat e mëhershëm poetikë, kanë të bëjnë me përjetime e meditime që lidhen me vendlindjen, me Kosovën, me shenjat e identitetit kombëtar, me fëmijërinë, me familjen, me pararendësit dhe me pasardhësit, me shokët, me emra të përveçëm të kombit e të kontekstit tonë social-kulturor, me rrugëtimin e tij nëpër kohë, me kupat e mjaltit dhe të helmit që ia ofroi jeta etj.

Në të gjitha këto përjetime të zëshme, përveç mjeshtërisë letrare, si tipare esenciale të koherencës filozofike, veçohen sinqeriteti dhe kredoja morale e autorit. Në gati një gjysmë shekulli krijimtari letrare, Rrustem Berisha rishtazi del para lexuesit tonë me poezinë, e cila është programi i jetës së tij. “Guri i Gjeranës” nuk është vetëm objekti poetik i soditjes dhe i meditimit, ai është brenda vetjes së poetit, është stoicizmi i tij përballë valëve të jetës.



(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: