Kaltërina Meka: Nexhat Halimi - “Angështia”
| E Merkure, 17.09.2014, 06:11 PM |

Botime të reja

Zë i fuqishëm kundër harrimit

(Nexhat Halimi, “Angështia” – dramë, botoi Shtëpia Botuese “Fad”, në Prishtinë, 2014)

Nga Kaltërina Meka

Brenda një shkrimi letrar-një drame, po s`ngjau të  jetësohen çaste, ngjarje, rrjedha,  po s`ngjau të krijohen  rrugë të shumta përjetimi,  të krijohen  zgjidhje të  shumta  rikrijimi dhe rikuptimi,  të zgjohen të fshehta-magjike, që të ngjallet fjala e fjetur  në libër dhe të marrë shpirt  në skenë,  atëherë aty ka pak gjasa të hyjë drita, të pikojë dhe të flasë gjaku, të baraspeshohet imagjinata me realen, të ndihet dhe ndërlidhet deri në fund  fryma e intrigës me trungun e jetës. Gjithë kjo mund të realizohet dhe është domosdoshmëri për një krijim artistik të mirëfilltë.  Nexhat Halimi, tashmë i njohur në poezi, prozë e dramë, e shënon këtë të arritur me shumë sukses dhe pikërisht kjo mendoj e radhit ndër autorët e mirë te ne. Fjala është për dramën “Angështia”, në të cilën shtjellon një temë nga vorbulla e luftës së fundit atdhetare në Kosovë. Halimi, dramën e vet e ngre mbi motivin e dhunës së egër të ushtrisë e policisë serbe, me kaq pasoja për popullin duarthatë.  Apostrofohet sidomos urrejtja patologjike kundër femrës shqiptare, e cila nga armiku cilësohet fajtorja kryesore për përtëritjen e jetës në këtë tokë kaq herë të djegur deri në gur dhe prapë të rikthyer nga gjaku i derdhur... Drama nis me ikjen e një fshatari nga hordhitë serbe. Ai – për një dritare, ia del të hyjë në një shtëpi përplot gra e fëmijë-refugjatë, ku nuk ka burrë mes tyre. E zonja e shtëpisë – në pamundësi të gjej zgjidhje tjetër për të, i sugjeron të fshihet në dhomën e saj të gjumit, nën shtrat. Ai, natyrisht, nuk ka udhë tjetër. Ndërkohë, militarët serbë, ia behun në shtëpi. Oficeri serb sulet për ta dhunuar zonjën e shtëpisë, nënë e pesë fëmijëve. Gruas – për t`i ikur poshtërimit, nuk i ndihmojnë as stolitë e arit, që ia ofron dhunuesit.  I ikuri – i fshehur nën shtrat, tërë këtë akt e ndjek  përmes pasqyrës. Ai sa herë hamendet të dalë dhe të qërojë hesapet me oficerin, veçse është i vetëdijshëm se kjo do të thoshte të vriteshin gratë e fëmijët-refugjatë, të strehuar në shtëpi. Kjo e shtyn të heq dorë dhe të përjetojë vdekjen për së gjalli nën shtratin, në të cilin oficeri serb e poshtëron gruan. Akti i dhunshëm ndaj gruas, serbe e martuar për një shqiptar, i cili gjendet në radhët e UÇK-së,  nis spiralen vertikale psikologjike. Të ikurin e bren ndërgjegjja dhe nuk ia del t`ia fal vetes heshtjen e vet nën shtrat, ndërsa “derri” serb keqpërdorte gruan e luftëtarit të lirisë. I fshehuri nën shtrat betohet se nuk do të qetësohet kurrë pa u hakmarrë. Ik – i turpëruar nga shtëpia, vërtitet nëpër mal, gjysmë i çmendur. Ndërkohë, ia pret udhën njësitit serb, ia del ta vrasë oficerin, në strajcën e të cilit gjen sy, veshë, gishta shqiptarësh, që ai i barte t`i shpjerë në Serbi - trofe lufte. Aty gjen edhe stolitë e arit të gruas së dhunuar. Gjendja e tij gjithnjë e më shumë keqësohet. Të marrë veten i ndihmon një bashkëfshatar, por edhe një luftëtar, i cili – po kthehej në shtëpi. Luftëtari e merr me vete njeriun gjysmë të çmendur dhe niset me të në shtëpi të vet, aty t`i ndihmojë pak-pak të kthehet në vete. Befasia është tmerrësisht e rëndë, i ikuri ballafaqohet prapë sy më sy me gruan e dhunuar... Drama është thurur me mjeshtri; me intuitë të rrallë, me një ndjenjë të veçantë të ndërtimit të veprimit të dramës. Situatat, të përshkruara me tone tragjike, herë – herë të kompozuara edhe me shprehje lirike, bëjnë mozaik të ndërtuar në një mënyrë autentike. Gjë që ngrit gjithnjë emocion është ndjenja e fajësisë së qenë dhe të paqenë, të shpërfaqura në skenë të gjerë, sikur në ndonjë kështjellë që ndërtohet nga skalitës të mirëfilltë. As vendimi i palëkundur që të hakmerret nuk kalon pa zgjuar  tallaze të mëdha brenda shpirtit. Ai hakmerret dhe , natyrisht, sado që  hakmarrja është diçka që e liron sado pak nga ngarkesa e rëndë që ndien i ikuri, papë te ai, si dhe  te gruaja e dhunuar, pasojat mbesin të thella, plagët të pashërueshme. As ajo as ai nuk duan ta kujtojnë atë që përjetuan, por brenda vetvetes ajo megjithatë është e pranishme, i ndjek dhe i mundon. Drama është shkruar me një stil të rrjedhshëm, të qartë e të afërt, e cila gjë bën që lexuesit ta përjetonin deri në fund, e sidomos kjo do të ndodhte me shikuesit – dashamirë të tetarit, sikur drama të inskenohej, me ç`rast  do të merrte dimension të ri, do të merrte shpirt, jetë... Për fund, do cekur, se ky tekst i realizuar me shumë përkushtim  e  mban kujtimin gjallë të popullit për katrahurat që përjetoi nga policia dhe ushtria, e sidomos nga paramilitarët serbë, duke mos i harruar për asnjë çast masakrat e papara. Lufta këtu – në dramën “Angështia”, e shtrin vetëm hijen e vet të rëndë, ndërsa përplasjet ndodhin  brenda personazheve, të cilët pësojnë. Drama, me të gjitha tiparet që ka,  ngjallë mbresë të jashtëzakonshme edhe gjatë leximit, por vërja në skenë gjithsesi do ta ndriste edhe më fuqishëm  këtë lëndë impresive dramaturgjike, përmes së cilës autori nuk thërret për hakmarrje, por ngreh zërin kundër harrimit.



(Vota: 67 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: