Remzie Zekolli: Fatmire Duraku - Puthja e peshkut
| E Enjte, 11.09.2014, 07:33 PM |

Botime të reja

Fatmire Duraku

Puthja e peshkut

Nga Remzie Zekolli

Me një bagazh  të pasur  librash (publicistikë, romane, eseje, poezi  për të rritur,  tregime të shkurtra për fëmijë), Fatmire Duraku del para lexuesit me përmbledhjen e re me tregime “Puthja e peshkut”. Libri  ka katërmbëdhjetë tregime të shkurtra dhe secili shquhet për rrëfimin e lehtë, gjuhën e pasur dhe të rrjedhshme, që i ndihmon mjaft lexuesit të hyjë në botën e pasur të tyre. Autorja ia ka dalë me sukses të  shtjellojë detaje  nga jeta e përditshme sot dhe këtu. Personazhe janë të vegjlit dhe të gjitha bëmat kanë të bëjnë me ta dhe  për ta,  për lojën e tyre, mësimin, miqësinë, për ëndrrat dhe dëshirat e tyre. Në këtë mënyrë, brenda librit – nga tregimi në tregim, lexuesi përjeton gjëra interesante, të cilat i përjeton çdo ditë në të përditshmen e vet dhe nuk i heton. Ndër të tjera lexuesi i vogël-nxënësi do të mësojë pse janë shkronjat të ylberta, si puth peshku, pse janë sytë e pikëlluar të Deas, si ndihet trëndafili i këputur e me radhë.

Kështu, krijohet një botë interesante - me plot befasia, një botë mes ëndrrës dhe realitetit, një botë që fisnikëron. Tregimet – të shkurtra, në radhë të parë, për hir të  afrisë dhe ngrohtësisë që rrezatojnë do të zgjojnë kërshërinë që libri të lexohet me një frymë.

Do theksuar për fund se autorë të shumtë që merren me kritikë letrare  në Kosovë dhe në Shqipëri, krijimtarinë artistike të Durakut e kanë vlerësuar si një botë të veçantë, e cila ka sjellë risi,  frymë të re, në sferën e shkrimit të poezisë.

Farmire Duraku, deri tash ka botuar romanet “Te vorri i Çikës”,  Fshehtësia e tre shpirtrave” dhe “Plepi i thyer”, librat me poezi  “Pse ike kur më puthe” dhe “Vjedhësi i çasteve”, “Vagëllim mbi ujë”, “Peri i padukshëm”, “Gjaku i trëndafilit”, librat me tregime për fëmijë “Magjistari nga Fira”, “Jastëku çudibërës”, “Strajca magjike” si dhe librat “Shpirtëzimi i fjalës”-Leksikoni i letrareve shqiptare në Kosovë, “Zëri i unit”, Antologji e poeteve shqiptare në Kosovë, “Pesha e fjalës”-Bisedë.

Libri ka 48 faqe dhe e botoi SHB ‘FAD’ e Prishtinës, 2014.



(Vota: 55 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: