Beqir Cikaqi: Berati - qyteti i 1001 mrekullive!
| E Merkure, 10.09.2014, 08:00 PM |

BERATI – QYTET I 1001 MREKULLIVE!

Ekskluzive nga Beqir M. Cikaqi,  Treviso (Itali)

Ka dy ide për emrin të sotshëm të Beratit: Legjenda ilire thotë:  bir e at  kanë filluar ta ndërtojnë  kalanë për tu mbrojtur...Bullgarët kur e kanë pushtuar këtë qytet  ia vunë emrin Qyteti i Bardhë - Berati i sotëm...

Përndryshe emri i qytetit iu ka nderuar disa herë nëpër shekuj. Kur kanë jetuar orestët-fis i pellazgëve, është quajt Orestiada. Antipatrea  në vitet 300 P.Kr. Romakët kur e kanë pushtuar e kanë quajtur Albanorum Oppidum (Fortesa e Arbërve). Perandoria Bizantine, ia vuri emrin në Pulheriopolis (Qyteti i bukur).Ndërsa, Bullgarët në Belgrad (Qyteti i Bardhë)...

Një proverb popullor thotë, edhe në raste pikëllimi:”U bë mirë që ndodhi kjo ngjarje , e u takuam...! Unë do shprehem se SEMINARI I 10-të MBARËKOMBËTAR  me mësuesit e Mësimit Plotësues në gjuhën shqipe në diasporë, që këtë vit u mbajt në Berat, ishte arsyeja e mire, që u njohëm me qytetin e bukur të Beratit, si me njerëzit, traditën, kulturën, historinë e lavdishme me të kaluarën e begatshme, me pozitën gjeografike e pamjen karakteristike...të këtij vendbanimi pellazgo - iliro - shqiptar. Normalish kan mbetur edhe shumë të tjera pa i kuptuar e vështruar.  Të gjitha këto veçori e karakteristika natyrore e njerëzore i japin Beratit epitetin e qytetit të 1001 mrekullive!

Në orët e para të pasdites së marte arritëm në Berat. Vendtakimi i parë i mësuesve që vinim nga Prishtina dhe atyre nga Tirana ishte Hotel TOMORI, aty çdo ditë drekonim edhe darkonim se bashku. Meqenëse kapaciteti i hotelit për shtretër ishte i kufizuar, na shpërndan në disa hotele ma të vegjël, p.sh  mua me mikun tim Ragip Thaçi që shoqëroheshim vazhdimisht, patëm fatin të vendosemi  te Hotel OSUMI në Lagjen Mangalem. Kur hyra në hotel që të akomodohemi, nuk me ra në sy pllakati i emrit të rrugës, por kur dola për të shkuar në seancën e parë plenare, nga kureshtja se si quhet rruga, e vërejta se mbante emrin KOSTAQ STEFA,  menjëherë më përshkuan emocionet, sepse këtë emër e kisha dëgjuar qysh në Itali. Ishte emri i martirit të demokracisë, i persekutuar nga regjimi komunist në vitin 1948. Vajzën e Kostaqit, Vitore Stefa Leka, një aktiviste e devotshme e migracionit shqiptar në Itali, e kam mike dhe m’i kishte rrëfyer gjithë mizorit e sistemit ndaj familjes Stefa. U interesova se a jeton dikush aty, por morra përgjigjen se janë në Itali të gjithë. Shtëpia ku ishte pllakati ishte e familjes së Vitores...

Lagjja e Mangalemit, ka një pamje karakteristike të shtëpive për shkak të pjerrësisë që ka tereni, shtëpitë janë të ndërtuar njëra mbi(pas) tjetrën, nga larg duken se dritaret e shtëpive janë njëra mbi tjetrën, nga ky konstruksion  i dritareve në Lagjen e Mangalemit, Berati njihet si Qyteti i një mbi një dritareve, që ne disa raste  devijohet kjo thënie  Qyteti i njëmijë e një dritareve!..

Para se te filloje seanca e Parë plenare, në qendrën kulturore “Margarita Tutulani” na organizuan një mirëseardhje me një program artistik nga fëmijët e shkollave, këngëtar dhe instrumentalist nga Berati.

Ndërsa  në fjalën përshëndetëse kryetari i bashkisë së Beratit, z.Fadil Nasufi përveç mirëseardhjes na njoftoi shkurtimisht për Beratin, i cili ndër të tjera potencoi:

“Berati është një krenari për Shqipërinë. Ka një histori 2400 vjeçare, unë dhe banorët e Beratit gjithmonë i ftojmë me fjalët: “Mirë se vini në Berat”,“ Ejani në Berat”. Berati flet vetë...Qyteti ynë shfaqet si një monument i pakrahasueshme i bashkekzistencës, duke na dhënë prova autentike dhe një seri të vërtetash që mbrojnë e ndriçojnë racën shqiptare, gjenezën tonë dhe i siguron mburrje gjithë kombit. S’ka se si të mos krenohesh me “Kodikët e Beratit” me “Beratinusin e Purpurt” të Shek.VI ! Si të mos ndihesh kryelartë me emra të shquar me famë evropiane si Muzakajt, Onufri, Qyprilinjtë, …Mandej vlerësimet dhe mbresat që kanë dhënë për Beratin personalitete, si: “Jam Onufri që vij nga qyteti i shumë ndritur i Beratit”, Shtarus, tha: “Berati është i bukur , për të qenë përjetësisht i bukur”. “Këto vlera, ky muze dhe qyteti i Beratit nuk ju përket vetëm juve por i përket gjithë njerëzimit” – Perez de Kuelar,...

Ju që do të jeni si vizitor të parë, do të  mrekulloheni  nga pamja panoramike dhe emblematike e Mangalemit që është si kurorë e artë në kokën e një Missi. Kur të e  vizitoni  qytetin dhe Kalanë, do të njiheni me Muzeun Kombëtar “Onufri” - ju mund të njiheni me të gjithë mjeshtrit e ikonografisë shqiptare:Onufri, Nikolla, Onufër Qiprioti, K. Shpataraku, Dinastinë e piktoreve Katro e Çetiri. Njëherazi, ju do të mund të vizitoni disa nga perlat e arkitekturës dhe pikturës bizantine e post bizantine që ndodhen brenda mureve të Kalasë dhe lagjeve muzeale që janë të mbuluara me afresket e piktorëve anonimë. Berati lexohet si një libër me poezi, kundrohet si një pikturë moderne, dëgjohet si një simfoni... Berati ju ç’lodh, ju fisnikëron, ju bën të ndiheni si në shtëpinë tënde dhe nga vizitor të kthehesh në banor të tij. Kënaqësinë dhe mbresat e pashlyeshme do t’jua shtojnë banorët e urtë, të mençur e mikpritës të Beratit…. Shkurt, jeni në qytetin e bardhë– me zemër të bardhë. Urojë të kaloni sa më bukur në Berat!

Ato që i potencoi  kryetari i bashkisë, ditët në vijim i përjetuam. Madje edhe shumëçka u njoftuam, i vërejtëm dhe i përjetuam, sidomos ngrohtësinë mirëpritëse të banorëve. U njoha edhe me shumë seminarist tjerë, që më parë nuk njiheshim!  Shumica nuk ishin vetëm thjesht mësues të shkollës shqipe në diasporë, por bartës të aktiviteteve kombëtare e kulturore që zhvillohen jashtë atdheut, si krijues, autor librash, këngëtar e kompozitor, gazetar, regjisor, skenograf, xhirues,etj. U njohëm në mes vete edhe me gazetaren e radio Athinës, programi në gjuhen shqipe Bardha Mançe, duke e krijuar një miqësi të ndërsjellë. U njoha me Hazirin, Linditën, Muratin, Luizen, Dardanin, Lebiben, Alferdin, Julianen, Qerimin, Almen,... u takova pas disa vitesh me miqtë e vjetër Ramadanin e Milaimin, etj.

Çdo ditë paradite ishim ne seanca plenare ku moderoheshin nga Nuhi Gashi(MASHT e Kosovës) dhe Rozalba Merdani(MAS e Shqipërisë), Bexhet Arbana e Marinella Duri. Në këto seanca ligjëruan: Liri Qoshi, Blerta Avdia, Gerti Janaqi, Erida Koleci, Ragip Gjoshi. Ndersa edhe vet seminaristet paraqiten ligjërata, promovuan libra e dokumentar, si: Arian Melonashi, Abdurrahim Ashiku, Kemajl Çallaku, Rifat Hamiti, Flutura Tafilaku, Driton Kajtazi, Dashmir Zaçe, Nexhmije Mehmetaj, Ina Arapi, Rexhep Rifati, Hazir Mehmeti, etj. Seancat  mbaheshin në Qendrën Kulturore “Margarita Tutulani” dhe në UNIVERSITETIN E BERATIT.Në fund të seminarit për vijuesit, u organizua ndarja e CERTIFIKATAVE, të nënshkruar nga Lindita Nikolla -ministre e Shqipërisë, dhe Ramë Buja -ministër i Kosovës. Të pranishëm ishin zyrtar të lartë, si: zv. ministri në detyrë Nehat Mustafa, Azem Guri-këshilltari i lartë ne MASHT-in e Kosovës, Imer  Avdiu nga Ministria e Diasporës, etj.

Në orët e mbas ditës organizoheshin veprimtari shoqërore-kulturore nga Bashkia e Beratit. Ndërsa mbas përfundimit të darkës, organizoheshin mbrëmje shoqërore me muzikë beratase, por edhe argëtime nga muzikanti tani më i njohur për seminaristët edhe nga vitet e kaluara, Dardan Gashi nga Prishtina që jeton e vepron në Gjermani. Në këto mbrëmje argëtuese që zgjasnin deri në orët e vona të natës, nuk mungonin as batutat, poezitë, monologët e dialogët nga vet seminaristët, ku spontanisht krijoheshin spektakle në vete...!

Nga qendra kulturore “Margarita Tutulani” e deri te Hotel Tomori e Universiteti i Beratit, dhe anasjelltas duhet përshkruar Bulevardin REPUBLIKA. Na u deshtë ta kalojmë disa herë për ato ditë, i cili ndonëse kryheshin punët  e rikonstruimit, hasnim në njerëz shumë  bujar e mikpritës, duke na nderuar e respektuar, madje edhe vet punëtorët që kryeni këto punë. Derisa në orët e mbrëmjes përgjatë kësaj rruge zhvillohej edhe shëtitorja me një numër të konsideruar pjesëmarrësve të moshave të ndryshme.

Galerinë e Arteve “Edward Lear”, që ishte fare pran qendrës kulturore u njohëm me ekspozitën e artistin  Agron Polovina, ku ishte pjesëmarrës edhe vet artisti. Gjithsecila pikturë kishte vlerën e vete, ndërsa ajo e Babë Dudë Karbunarës më bëri përshtypje, si mësues dhe si delegat i shpalljes së Pavarësisë me 28 nëntor 1912 në Vlorë së bashku edhe me tre personalitete tjerë nga Berati.

Mozeumi Kombëtar Etnografik, është një vend shumë tërheqës, i vendosur në të djathtë të rrugës që shkon për në kala. Mozeumi përfaqësonte një banesë me arkitekturë popullore beratase, tri shekullore, dy katshe, tipike e treves beratase. Në muzeum janë imituar gjitha objekte e vegla që janë përdor nëpër shekuj, si rrugica me dyqane, kazani i rakisë, mëngra e ullirit, etj. Janë format e dhomës së pritjes së fshatit, kuzhina, dhoma e pritjes për qytet, veshjet tradicionale, veglat ushqyese, etj. Të gjitha këto pamje  shoqëroheshin me shpjegimet e ciceronit dhe përgjegjësve tjerë të Mozeumit.

Kalaja është monumenti arkitektonik më antik i qytetit, që ndodhet në pjesën e sipërme në formë të trekanshit. Ajo është një kombinimi epokave dhe stileve të ndryshme: Romantike, Bizantine, Shqiptare, Otomane. Aty hasesh në objekte të ndryshme të banuara e të pa banuara, kisha e xhami të ruajtur e të shkatërruar nga vet koha.  Është një nga kështjellat më të mëdha të banuara, ku sipas statistikave banojnë rreth 350 familje...

Muzeumi Kombëtar Onufri, i vendosur në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, në kala në vitin 1986. Onufri është personalitet për beratasit, është njeri prej mjeshtreve të pikturës shqiptare të shek. XVI-të, Koleksioni i muzeut, sipas ciceronit, përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura, ku 106 janë ikona dhe 67 objekte liturgjike. Autorët këtyre veprave janë piktorë shqiptarë të shekujve XIV – XX-të si, Onufri, Nikolla, i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostadin Shpartaku dhe Çertirët. Ngjyra e këtyre veprave në një ekspozitë në Paris janë vlerësuar shumë nga kritikët e artit...

Berati ka shume karakteristika të veçanta, të cilat janë mrekulli në vete. Trojet e Beratit, sipas arkeologëve kanë qenë të banuara nga njerëz të civilizuar që nga shekulli VII para  erës sonë.  Tani janë tri lagje kryesore: Lagjja Mangalem, Kala dhe Goricë. Ka disa shkolla të mesme, Universitetin. Ka lumin Osum që kalon nëpër Berat, mbi të cilën është Ura e        Goricës e gjatë rreth 130 m, që është një nga monumentet e kulturës dhe të arkitekturës së Beratit dhe njëkohësisht një nga simbolet e tij, e ndërtuar fillimisht nga druri, mandej nga guri dhe së fundit e rindërtuar nga betoni. Ka disa Sheshe ndër ta  është Bulevardi “Republika”. Banorët  beratas iu takojn tri konfeksioneve fetare që gjithëmon kanë pasur tolerancë e respekt të mirëfilltë në mes vete: ortodoks, katolik dhe islam, ku janë edhe bektashinjtë. Kan objekte fetare, si kisha Shën Triadha dhe Shën Mëhilli. Nga xhamit më të njohura janë: Xhamia e Beqarëve dhe Xhamia e Plumbit.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze kombëtar. Ndërsa nga  8 korriku 2008, Berati është qytet i mbrojtur nga UNESCO.  E përfundojë këtë reportazh,dhe jam skeptikë se nuk e kam thënë meritoren për Beratin - Qytet i 1001 mrekullive ! ...



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: