Reshat Kripa: Medet, s’ke një shtatore!
| E Premte, 05.09.2014, 07:08 PM |

Ne 65 vjetorin e ndarjes nga jeta

Medet, s’ke një shtatore!

Nga Reshat Kripa

3 tetor 1949. Në hotelin “Leksington” të New Yorkut, pushonte së rrahuri zemra juaj, i paharruari Mit’hat Bej Frashëri, Aposulli i shqiptarizmës. Në gjashtëdhjetepesë vjetorin e ndarjes tuaj nga jeta, unë kam një brengë. Do të kisha dashur që ky përvjetor të përkujtohej në atdheun tuaj, për të cilin sakrifikuat gjithçka, ashtu siç e meritonte figura juaj e shkëlqyer. Do të kisha dashur që zyrtarët shqiptarë të kishin ngritur një komision të posaçëm për ceremoninë e kësaj përkujtimoreje dhe jo ta ngrinin për shtatëdhjetë vjetorin e robërimit të atdheut. Do të kisha dashur që faqet e medias së shkruar dhe asaj vizive të ishin mbushur me shkrime dhe pamje të aktivitetit tuaj atdhetar, letrar dhe politik, por edhe  këto janë të mbushura me hymnizimin e ditës së robërisë apo me intervista me shkaktarët e kësaj katastrofe që kaloi vendi ynë. Do të doja që akademikët dhe historianët të organizonin konferenca shkencore për ju dhe kontributin tuaj, por edhe këta i ka mbuluar heshtja. Mbi të gjitha  do të doja që eshtrat tuaja të shenjta    preheshin    truallin ku keni lindur. Tre  vjet  më parë, me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, u premtua se ato do të silleshin në atdhe por, çuditërisht, ky premtim mbeti vetëm në letër. Duket sikur politika shqiptare është e orientuar vetëm majtas. Përse? Askush nuk përgjigjet.

Në këtyo çaste më dalin parasysh vargjet e pavdekshme të xhaxhait tuaj, Naimit, dhe më duket sikur ato janë shkruar posaçërisht për ju:

Kur më shihni që jam tretur,

Mos pandehni se kam vdekur,

Jam i gjallë e jam në jetë,

Jam në dritë të vërtetë!

Ju nuk keni vdekur i madhi Mit’hat Frashëri, vigan i historisë shqiptare! Megjithëse një pjesë e politikës shqiptare vazhdon t’ju konsiderojë si “armik” apo “reaksionar” dhe një pjesë tjetër preferon t’ju kalojë në heshtje, ju, si një kollos i kësaj toke, jeni ngritur mbi të gjitha figurat  e epokës në të cilën jetuat. Kjo vlen edhe për ditët tona. Ju  jeni lartësuar si një Promete, ndërsa ata do të zhyten në llumin që kanë përgatitur vetë, sepse ju jeni fitimtari, sepse fituan idealet tuaja të larta dhe sot Shqipëria po mundohet të ndërtojë  atë që ju ëndërruat.

Një popull nuk rron dot pa ideal, pa një shtytkë, pa një qëllim që e bën të eci, të punojë, të përpiqet dhe të përparojë, Pa një fuqi morale, pa një pikë drejt së cilës duhet të rendin së bashku, njerëzit dhe popujt vdiren dhe shuhen...”

Kështu shkruanit ju vite më parë. Shkruanit pasi kishit luftuar vetë për një ideal. Ne e ndjejmë ende zërin tënd të ngrohtë E kemi ndjerë shumë shpejt, vite më parë, në Kongresin e Manastirit, ku ishe kryetar i tij. E kemi ndjerë në vitet e shpalljes së pavarësisë  si Ministër i Punëve Botore ku zëri yt ishte dominues mbi të tjerët dhe ku nuk pranoje të bëje kompromis me idealet., E kemi ndjerë gjatë qeverisjes së princ Vidit si Ministër i Postave dhe Punëve Botore, E kemi ndjerë si Ministër pa portofol në qeverinë e Durrësit të kryesuar nga Turhan Pasha (1919), E kemi ndjerë si përfaqësues i organizatës “Vatra”  në Konferencën e Paqes në Paris më 1920 E kemi ndjerë në vitet e Republikës si ambassador  i Shqipërisë në Athinë deri në vitin 1926 dhe mbretërisë shqiptare ku zëri yt ishte violina e parë e politikës. Por në një shkallë më të lartë e kemi ndjerë në vitet e pushtimit nazi-fashist, kur që në ditët e para të tij ishe ti dhe shokët e tu ata që do të hartonin programin e asaj lëvizje të madhe nacionaliste, që më vonë do të merrte emrin “Balli Kombëtar”. Ti ishe me të vërtetë Balli i këtij kombi. E kemi ndjerë gjithashtu në vitin 1949 kur themeloje në SHBA Komitetin Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, që do të luftonte për vite të tëra për rivendosjen e demokracisë në vendin tonë.

Por ajo që do të linte gjurmë në jetën tuaj, si në asnjë rast më parë ose më prapa, do të ishte testamenti që ju i linit trashëgiminë tuaj të çmuar  atdheut të shtrenjtë. Më 4 mars 1929, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës ju bëtë testamentin sipas të cilit:

“1. Çdo pasuri të tundshme dhe të patundshme, libra. mobilje. karta, plaçka e të tjera, i lë për krijimin e një “Instituti Albanologjik”që të jetë një qendër e studimeve shqiptare, të mbrojë, të zhvillojë, të qendërsojë dhe të udhëheqë studimet që i përkasin Shqipërisë dhe shqiptarëve.

2. Dua që nga biblioteka ime private të mos shkëputet asgjë. Të gjitha librat të rrinë bashkë.

3. Gjithë sa më kanë mbetur nga im atë dhe nga ungjërit dhe që sot formojnë muzeun  tim

familjar, dëshëroj që të ruhen prapë në formë të një muzeu të vogël bnrenda në institute.”

Më poshtë vijojnë edhe  nëntë pika të tjera.  Ky është vetmohimi juaj, i nderuar Mit’hat Bej. Dhe nuk mund të ishte ndryshe. Ju vazhduat në vazhdën e atit tuaj të nderuar që, vite më parë kishte bërë të njejtën gjë. Dëgjoni si thotë kënga popullore për të:

Abdyl prishe pasurinë, vajte në Berlin,

Hyre te Bismarku brenda për një bisedim.”

Çfarë i kërkoi ati yt  Bismarkut? Këtë na e thotë kënga:

           S’jemi grekër, as bullgarë. as nga Mali Zi,

Jemi vetëm shqipëtarë dhe duam liri.”

Lirinë e atrdheut kërkonte ati juaj që shkriu pasurinë e tij personale për të. Zhvillimin e këtij atdheu kërkonit ju me testamentin tuaj, duke dhuruar gjithë pasurinë tuaj.

Por a u plotësua amaneti juaj? Rreth 40.000 vepra të bibliotekës “Lumo Skëndo” sot ndodhen në bibliotekën kombëtare. A nuk do të ishte në nderin e saj që, për hir të vetëm kësaj, kjo të quhej “Biblioteka Lumo Skëndo”? Megjithatë një gjë e tillë nuk është realizuar. Ruhen veprat e dhuruara prej tij per emri i dhuruesit është lënë në harresë. A do të vijë vallë dita që kjo padrejtësi të zgjidhet/ Unë nuk e di.

Ja edhe një amanet tjetër juaji i parealizuar:

“Do të doja që varri im të jetë  në një cep të kopshtit , në të majtë duke hyrë nga porta e rrugës. Mbi këtë varr dua një copë gur të madh dhe një qiparis. Më duket sikur do të jem ruajtësi i institutit, sikur do të marr edhe unë  një pjesë pasjetore në gjallërimin e tij.”

Kush do ta realizojë amanetin e këtij dishepulli? Natyrisht që, në një shtet normal, kjo do të ishte detyra e shtetit shqiptar për të cilin ai sakrifikoi gjithçka, deri në fund të jetës së tij. Por, siç e kam theksuar edhe më lart, një pjesë e shtetit shqiptar e ka shpallur armik, ndërsa pjesa tjetër kërkon ta kalojë në harresë. A duhen lënë të prehen në dhe të huaj eshtrat tuaja? Megjithse ai shtet ju mirëpriti dhe ju dha një vend të merituar për t’u prehur, eshtrat tuaja ende nuk e kanë gjetur prehjen. Ato duan të pushojnë në atdheun mëmë.

Sot në Shqipëri ekzistojnë dy parti politike që e quajnë veten pasardhëse të organizatës nacionaliste të krijuar nga ju. Çfarë bëjnë ato për sjelljen e eshtrave tuaja në atdhe? Partia “Lëvizja e Legalitetit”, një parti tjetër nacionaliste, ia arriti të sillte në Shqipëri eshtrat e liderit ta saj, naltmadhnisë Zogu i Parë, madje të ngrinte edhe një shtatore të tij në kryeqytet dhe bëri shumë mire. Nderoi Mbretin por nderoi edhe veten e saj. Po ju, si ka mundësi që nuk keni mundur të realizoni këtë detyrë të shenjtë? Të njejtën pyetje do të doja t’i bëja edhe shoqatës që mban emrin “Lumo Skëndo”.  Po mundët përgjigjuni.

Mos vallë ju pengojnë mjetet finaciare? Ky do të ishte arsyetimi  më i papranueshëm. Bëjuni thirrje biznesmenëve të djathtë, bëjini thirrje diasporës shqiptare, bëjuni thirrje qytetarëve të djathhtë dhe do të shihni se si do t’iu përgjigjen. Para dy vjetësh, një miku im, ish i burgosur politikë, ngriti problemin e rikthimit të eshtrave të udhëheqësit të nacionalizmit shqiptar në atdhe. Ai premtoi se shpenzimet mund t’i garantonte vetë. Nuk u realizua pasi, për fat të keq, shpresonim se një gjë të tillë do ta realizonte shteti.

Do të doja të ishit në çdo qytet    Shqipërisë.  Do    doja  t’ju  shikoja  nëpër  libra  dhe

gazeta, nëpër radio dhe televizione Do të doja që emrin tuaj ta mbanin institucionet më të rëndësishme të vendit. Do të doja ta shikoja emrin tënd në shkollat, në bulevardet dhe sheshet e qyteteve. Do të doja ta shikoja përmendoren tuaj në sheshin kryesor të kryeqytetit. Por këto janë vetëm dëshira të miat. A do të realizohen vallë?

Sillini eshtrat e Prometeut të Shqipërisë në atdhe! Vendosini ato në kopshtin e Institutit të Albanologjisë, ashtu siç e ka lënë amanet, ose pranë eshtrave të atit dhe xhaxhait të tij, në kodrat e liqenit artificial. Në rast se Bashkia e kryeqytetit do t’iu pengojë, gjë që unë nuk e besoj, atëherë vendisini brenda varrit ku prehen eshtrat e të atit. Le të prehen së bashku eshtrat e dy burrave të shquar të kombit shqiptar.

Para syve më dalin tre vargje nga soneti i shkëlqyer që miku im dhe adhuruesi juaj, Uran Kostreci jua ka kushtuar juve, i nderuari Mit’hat:

I Ajkës Kombit, prijs, o Lumo, o burrë,

Që nga të kuqtë u shave, t’hodhën gurë,

Ti, ngel profet, medet, s’ke një shtatore!



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: