John Kerry: Kërcënimi nga ISIS kërkon koalicion global
| E Marte, 02.09.2014, 06:21 PM |

Kërcënimi nga ISIS kërkon koalicion global

Nga John Kerry

Përveç prerjes së kokave, kryqëzimeve dhe akteve të tjera të ligësisë së paparë, të cilat kanë vrarë mijëra të pafajshëm në Siri, Irak dhe Liban, përfshi myslimanët sunitë besimin e të cilëve pretendon se e përfaqëson, ISIS-i (të cilin qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e quan ISIL ose Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit) paraqet kërcënim që e tejkalon rajonin.

Në një rajon të polarizuar dhe botë të ndërlikuar, Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë paraqet kërcënim unifikues për një numër të gjerë vendesh, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Ajo që nevojitet për t’u përballur me këtë vizion nihilist dhe axhendë gjenocidale është një koalicion global i mjeteve politike, humanitare, ekonomike, të zbatimit të ligjit dhe të inteligjencës për ta mbështetur forcën ushtarake.

Përveç prerjes së kokave, kryqëzimeve dhe akteve të tjera të ligësisë së paparë, të cilat kanë vrarë mijëra të pafajshëm në Siri, Irak dhe Liban, përfshi myslimanët sunitë besimin e të cilëve pretendon se e përfaqëson, ISIS-i (të cilin qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e quan ISIL ose Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit) paraqet kërcënim që e tejkalon rajonin.

ISIS-i e ka origjinën në atë që dikur njihej si Al Qaeda në Irak, e cila ka përvojë më shumë se dhjetëvjeçare në dhunë ekstremiste. Grupi ka grumbulluar një forcë luftuese të stërvitur prej xhihadistësh të përkushtuar me ambicie globale, duke shfrytëzuar konfliktin në Siri dhe tensionet sektare në Irak. Udhëheqësit e tij vazhdimisht i kanë kërcënuar Shtetet e Bashkuara dhe në maj, një terrorist i lidhur me ISIS-in i vrau tre persona në Muzeun Hebreik në Bruksel (viktima e katërt vdiq 13 ditë më vonë). Radhët e luftëtarëve të huaj të ISIS-it paraqesin kërcënim në rritje jo vetëm për rajonin, por për të gjitha ato vende ku do të mund të udhëtonin pa u pikasur – përfshi edhe në Amerikë.

Ka dëshmi që këta ekstremistë, nëse lihen jashtë kontrollit, nuk do të kënaqen duke ndaluar në Siri dhe Irak. Ata janë në numër më të madh dhe të financuar më mirë në këtë trupëzim të ri, duke përdorur naftë të marrë me pirateri, rrëmbimet dhe shantazhin për të financuar operacionet në Siri dhe Irak. Janë të pajisur me armë të rënda të sofistikuara të grabitura nga fushëbetejat. Ata tashmë e kanë demonstruar aftësinë për të zënë dhe mbajtur territor më të madh se sa çdo organizatë tjetër terroriste, në një rajon strategjik që kufizohet me Jordaninë, Libanin dhe Turqinë dhe në afërsi të rrezikshme me Izraelin.

Luftëtarët e ISIS kanë shfaqur barbari dhe mizori të pështirë. Edhe pse po i masakrojnë muslimanët shiitë dhe të krishterë në përpjekjet e tyre për të nxitur konflikt më të gjerë etnik dhe sektar, në të njëjtën kohë ata ndjekin një strategji të përllogaritur duke vrarë muslimanë sunitë si vetja për të fituar dhe për të mbajtur territor. Prerja e kokës e një gazetari amerikan, James Foley, ka tronditur ndërgjegjen e botës.

Me një përgjigje të bashkuar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe me koalicionin më të gjerë të mundshëm të kombeve, kanceri i ISIS-it nuk do të lejohet të përhapet në vende të tjera. Bota mund të përballet me këtë murtajë dhe në fund edhe që ta mposhtë atë. ISIS-i është i urryer, por jo i gjithëpushtetshëm. Tashmë kemi prova për këtë nga pjesa veriore e Irakut, ku goditjet ajrore nga Shtetet e Bashkuara kanë ndryshuar rrjedhën e luftimit, duke ofruar hapësirë që forcat irakiane dhe kurde të hidhen në ofensivë. Me mbështetjen tonë, udhëheqësit e Irakut janë bashkuar për të formuar një qeveri të re përfshirëse që është thelbësore për izolimin e ISIS-it dhe për ta siguruar mbështetjen e të gjitha komuniteteve të Irakut.

Goditjet ajrore si të vetme nuk do ta mposhtin këtë armik. Nga bota kërkohet përgjigje shumë më e plotë. Ne duhet t’i mbështesim forcat irakiane dhe opozitën e moderuar siriane, të cilët po përballen në vijën e frontit me ISIS-in. Duhet t’i çorientojmë dhe shkatërrojmë kapacitetet e ISIS-it dhe t’i kundërvihemi mesazhit të tij ekstremist në medie. Dhe duhet ta forcojmë mbrojtjen dhe bashkëpunimin tonë për të mbrojtur njerëzit tanë.

Javën e ardhshme, në margjinat e samitit të NATO-s në Uells, Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel dhe unë do të takohemi me homologët tanë të shteteve aleate evropiane. Synimi ynë është të sigurojmë ndihmën më të gjerë të mundshme. Pas takimit, Z. Hagel dhe unë planifikojmë të shkojmë në Lindjen e Mesme për të siguruar edhe më shumë mbështetje për koalicionin mes vendeve që janë nën kërcënim të drejtpërdrejtë.

Shtetet e Bashkuara do ta kenë presidencën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në shtator dhe ne do ta përdorim atë mundësi për të vazhduar ta ndërtojmë një koalicion të gjerë dhe për ta theksuar rrezikun që paraqesin luftëtarët e huaj terroristë, përfshirë edhe ata që i janë bashkuar ISIS-it. Gjatë sesionit të Asamblesë së Përgjithshme, Presidenti Obama do ta udhëheqë një samit të Këshillit të Sigurimit për të paraqitur një plan që merret me këtë kërcënim kolektiv.

Pothuajse çdo vend mund ta luajë një rol në këtë betejë. Disa vende do të ofrojnë ndihmë ushtarake, të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë. Disa do të ofrojnë ndihmë humanitare që nevojitet aq dëshpërueshëm për ata miliona njerëz që janë zhvendosur dhe viktimizuar në tërë rajonin. Të tjerët do të ndihmojnë për të ringjallur jo vetëm ekonominë e shkatërruar, por edhe besimin e thyer mes fqinjëve. Kjo përpjekje tashmë po vijon në Irak, ku vende të tjera na janë bashkuar për të ofruar ndihmë humanitare, ndihmë dhe mbështetje ushtarake për një qeveri gjithëpërfshirëse.

Përpjekjet tona tashmë kanë bërë që kësaj kauze t’i bashkohen dhjetëra vende. Sigurisht që në lojë janë interesa të ndryshme. Por, asnjë vend i denjë nuk mund t’i mbështesë tmerret e kryera nga ISIS-i dhe asnjë vend i civilizuar nuk duhet t’i ikë përgjegjësisë për të ndihmuar zhdukjen e kësaj sëmundjeje.

Taktikat e neveritshme të ISIS-it po bashkojnë dhe lidhin fqinjë me interesa tradicionalisht të kundërta për ta mbështetur qeverinë e re të Irakut. Me kalimin e kohës, ky koalicion mund të fillojë të merret me faktorët bazë që nxisin ISIS-in dhe organizatat e tjera terroriste me axhenda të ngjashme.

Ndërtimi i koalicioneve është punë e zorshme, por është mënyra më e mirë për t’u përballur me një armik të përbashkët. Kur Sadam Huseini pushtoi Kuvajtin në vitin 1990, Presidenti George Bush i parë dhe Sekretari i Shtetit James A. Baker nuk vepruan të vetëm apo me nxitim. Në mënyrë metodike, ata grumbulluan një koalicion vendesh, veprimi i bashkërenduar i të cilëve solli fitoren e shpejtë.

Ekstremistët mposhten vetëm kur vendet e përgjegjshme dhe popujt e tyre bashkohen për t’iu kundërvënë atyre.

(Shkrimi i Sekretarit Amerikan të Shtetit është botuar në New York Times)


gazetaexpress.com

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: