Shefqet Dibrani: Studime për kulturën shqiptare
| E Hene, 01.09.2014, 07:11 PM |

STUDIM PËR KULTURËN SHQIPTARE

ZEF AHMETI: “ÇFARË ËSHTË KULTURA SHQIPTARE“, studim, botoi Sh. B. „Naimi“ & „Albanisches Institut“, Tiranë - St. Gallen 2014. ISBN: 978-3-9524201-1-9

Nga Shefqet Dibrani

Mr. Zef Ahmeti, është i njohur si studiues dhe përkthyes letrar, ndonëse vazhdimisht është marrë edhe me shkrime e trajtesa të tjera. Punimet e tij shkencore janë publikuar në revista të shumta në shqip dhe gjermanisht. Ai është autor i librave: “Mendimi mbi shtetin dhe kushtetutën”, Zagreb 2005, “Liria dhe demokracia – raporti i ndërsjellë”, Prishtinë/ St. Gallen, 2012, kurse libri “Çfarë është kultura shqiptare“, i avancon edhe më tej studimet dhe hulumtimet e tij.

Libri ndërtohet mbi një koncept të ri duke cytur hulumtime në këtë drejtim, përkitazi me nocionin mbi kulturën dhe prezantimin e saj. Ai, ka hulumtuar teori të shumta, ka shfletuar një literaturë të besueshme, ka bërë krahasime interesant dhe ka nxjerr përfundime të vyeshme. Edhe pse vet autori është pjesë e përditshmërisë dhe pranë kulturës gjermane, studimin e tij e gërsheton edhe me mendimet dhe pikëpamjet e personaliteteve të caktuara shqiptare të cilët nëpër kohëra kanë folur e trajtuar fenomene identike që kanë të bëjnë me sjelljen e individit dhe shoqërisë, ndërsa libri në fjalë në fokus ka kulturën politike, atë të administrimit publik dhe qasjeve diplomatike.

Në libër, këto mendime nuk rrinë pezull, ato krahasohen dhe interpretohen duke i përafruar edhe me mendimin kulturor e filozofik të gjermanëve dhe përgjithësisht të kulturës evropiane, që kanë ndikuar për një mendim më të drejtpërdrejt duke iu shmangur eufemizmave, pastaj trajtimit emocional, fjalorit patetik, dhe shprehjeve të tjera që i karakterizojnë studimet shqipe veçmas ato që kanë të bëjnë me “kulturën shqiptare?!”.

Studimi i kësaj çështjeje, si duket ka ardhur si rezultat i kërkimeve të shumta dhe i kontaktit të përhershëm me popujt tjerë. Ndoshta edhe shkollimet akademike për meditacion kanë bërë që “studimi mund të shihet edhe si një lloj rekomandimi për integrimin real të kulturës shqiptare në kulturën evropiane”, është shprehur dr. Kastriot Marku i cili është edhe redaktor i librit, por që mendon se libri duhet të shihet “si qasje integruese gjithëpërfshirëse dhe si qasje e individuale; si qasje e politikës dhe shoqërisë përballë rendit juridik, shtetit ligjor, sistemit politik, sjelljes ndaj shtetit dhe mbi të gjitha si qasje e kulturës politike dhe juridike të pushtetarëve shqiptarë në sjelljen e tyre në raport me pushtetin dhe qytetarin”. Zef Ahmeti, jeton në St. Gallen të Zvicrës, kurse librin e botoi “Naimi”, Tiranë dhe “Albanisches Institut”, në St. Gallen të Zvicrës, (2014).




(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: