Pëllumb Gorica: Historia në këngë
| E Diel, 31.08.2014, 08:05 PM |

HISTORIA    KËNGË

NGA PËLLUMB GORICA

Kënga bashkë me gëzimet dhe fatkeqësitë i kanë shoqëruar banorët e krahinës së Sulovës, në rrugën e jetës. Kënga sulovare është e pastër, e çiltër, ashtu siç janë vetë banorët e kësaj krahine. Ndër shekuj u kanë kënduar virtyteve më të mira, trimërisë, guximit e sidomos atdhetarisë, luftërave, përjetimeve të dhimbshme, sakrificave, ngjarjeve historike, figurave të njohura, dukurive shoqërore, vuajtjeve, hasmërisë, gëzimeve familjare. Këngët janë edhe një kronikë popullore e zhvillimit të ngjarjeve, duke  i shprehur qartë tablot e rezistencës dhe të luftës për liri të popullit kundër pushtuesve të huaj. Sulova historikisht është e përmendur për atdhetarizëm, trimëri e bujari, duke dhënë kontributet e veta në të gjitha ngjarjet madhore të vendit.  Këngët të krijuara pas jehonës së një ngjarje a një beteje, të kënduara në mjedise familjare e shoqërore mes miqësh, në raste festash, gëzime familjare, në netët e gjata të dimrit, apo në pushimin pas punës sipas rastit, në ara e me bagëti, në paqe e në luftë kanë trasmetuar ngrohtësi emocionale.

Nuk ka dasëm apo gëzim shoqëror ku të mos jetë ngritur kënga, ku njëri ia ka hedhur e tjetri ia ka pritur, ashtu siç dinin. Gratë në magje, nën përkundjen e djepit, me furkën e leshit a në tezgjah, por më shumë këndonin këngët më të bukura në gëzimet e mëdha. Burrat, më shumë, duke kuvenduar me gotat e rakisë përpara, ku edhe në mes të gëzimit të festave shkëmbenin urimet pas këngëve gjithë mençuri por edhe gjithë mirësi ‘‘ Të këndoftë zemra!’’, ‘‘Ju lumtë goja!’, ‘‘Gaz paçi gjithmonë!’’. Sipas edhe një tradite të moçme burrërore në mes të dollive këndohej këngë. Rakia ua ndizte gjakun e po u ndez gjaku, ndizet edhe kënga. Në vitet e socializmit ato janë kënduar nga grupet folklorike të fshatrave, në festivalet folklorike rajonale dhe kombëtare, të cilat gjallëruan jetën kulturore të kohës. Duke pasuruar repertorin ngritën dhe përhapën vlera folklorike, që ndonëse nuk shquheshin për një nivel të lartë artistik përpiqeshin të pasqyronin jetën e gjallë, traditat, gëzimet, përpjekjet për liri, heroizmin që kishte karakterizuar të parët në shekuj.

Në Enciklopedinë Elbasani”, faqe 200, shkruhet: “Sulova hyn në zonën e tretë polifonike të Elbasanit, ka ngjashmëri si zona e Dumresë dhe e Myzeqesë.” Gratë dhe burrat sulovarë këndojnë të veçuar dhe kanë këngët e veta. Rrrallë ka ndodhur bashkë. Kënga interpretohet nga një grup i përbërë nga 5-6 vetë. Brenda grupit dallohet marrësi, pritësi, të tjerët mbajnë iso 3-4 vetë, por asnjëherë më pak se dy. Këngët në përgjithësi janë të shtruara. Zëri i marrësit, ngrihet kurse pritësi e pret me të shtruar, pa kthesa, pa ngritje e ulje zëri. Isoja i mbështjellë butë këngët dhe në tërësi ato dalin melodioze e njëkohësisht komunikuese dhe shprehëse. Pauzat e krijuara në mes të vargjeve, bëjnë që ajo të këndohet me kënaqësi. “Në luginën e Sulovës ndeshim shpesh këngën dyshe të kënduar të grave. Vajzat e gratë kërcejnë e këndojnë polifonik, me një mbajtëse e pritëse dhe iso’’, shkruan studiuesi elbasanas Mithat Stringa në “Almanak Elbasani’’, faqe 92.

Jo me synimin e një studimi të mirfilltë, por, duke hedhur një vështrim disa këngëve të vjetra, të kënduara në Sulovë nga këngëtarë të vjetër apo edhe të tjerë, që këndojnë edhe sot, për ngjarje patriotike e figura të njohura historike  të paktën në këto dy shekujt e fundit deri tek LANÇ,  të mbledhura në kuadrin e një botimi, do të shkruajmë për disa këngë të vjetra dhe të reja. Një pjesë e këngëve të vjetra gjatë kohërave humbën aktualitetin, u zbehën, mbetën rrugëve, u deformuan, por edhe janë harruar, bashkë me një mori brezash, që i kanë krijuar e kënduar. Në këto këngë, krahas të tjerave, është pasqyruar lufta e pareshtur e popullit tonë në tërësi për liri e pavarësi, sidomos ato gjatë pushtimit osman.

E njohur është kënga: ‘‘Për Lidhjen e Prizrenit’’, e kënduar në gëzimet familjare, në festat patriotike, por edhe nga grupi artistike i Mollasit, Sulovë e Poshtme, në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës më 1978.

“Në Prizëren trimat shqipëtarë,

njëri tjetrit besën i dhanë.

Abdyl Frashëri tha një fjalë:

Burra trima shqipëtarë.

Gegëri e Toskëri,

të lidhim besën për Shqipëri,

të bashkuar të luftojmë.

Lirinë të fitojmë.”

Në përgjithësi, këngët për figurat atdhetare janë të shumta. Janë kënduar në Sulovë këngë për Skënderbeun, Abdyl Frashërin, Ismail Qemalin, Bajram Currin, Riza Cerovën, etj. “Kënga për Ismail Qemalin”. Sa bukur e thotë populli:

“Medet shokë na mori malli,

ku gjendet Ismail Qemali,

Paris brenda te krali,

hyn e del o si zog mali.

Shqipërinë duan të na ndanin,

kanë zbritur komitat nga mali.”

Për figurat patriotike të krahinës gjithmon është kënduar, sepse ata kanë patur një shpirt të madh liridashës me akte trimërie të pashoq në çështjen tonë kombëtare. Një këngë e vjetër është edhe ajo, që i kushtohet Merko Cërrikut, patriotit të Rilindjes Kombëtare në Sulovë. Merko Cërriku mori pjesë në protesta kundër pushtuesëve osmanë, duke u ndodhur përherë mes bashkëfshatarëve të tij pa iu trembur syri. Sipas historive gojore, ai dallohej për mençuri natyrore, por edhe për virtytet e trimërisë, fjalës, besnikërisë, guximit. Këto cilësi e bënë, që të lidhej me atdhetarë nga Elbasani, Berati, Gramshi, Aqif Pashë Elbasanin, Hysen Sulovarin, Xhile Liçin, Servet Zaloshnjën, Isuf Qosen, duke marrë pjesë bashkë me ta në shumë ngjarje historike të kohës. Pushtetarët turq me aktet e tyre, me tatimet e rënda që vendosnin ndaj popullit ngjallnin protesta e revolta, në krye të të cilave qëndrojnë patriotët. Kujtohet ngjarja e luftës me asqerët turq në fshatin Gjyralë të krahinës Dumresë. Ngjarje që ndodhi andej nga fundi i viteve 1800. Kjo ngjarje e ardhur gojë më gojë deri në ditët tona, ndërmjet vargjeve të një kënge, pasqyron trimërinë, guximin, ndihmën që i jepnin njëri-tjetrit. Kjo këngë ka  edhe një veçori. Ajo është krijuar nga bashkëluftëtarët e tij, në çastin kur u sulmuan asqerët turq (ushtar).

“-Nga udhë e mbarë o ju asqerë?

-Ja gjer këtu në Gjyralë!

-Në Gjyralë ju mo shkoni,

se Puçe Lamçja ështe gjallë.

-Ç’ke Puçe që rri mejtuar?

asqerët të kanë rrethuar,

që ke porta gjer te fiku,

bënë dyfek Merko Cërriku.”

Vend të veçantë në morinë e këngëve historike zënë edhe ato që i kushtohen luftës së popullit tonë, për mbrojtjen e territoreve kufitare kundër shovinistëve fqinjë. Sulovarët të inkuadruar në një batalion rezervistësh u nisën në ndihmë të Shkodrës së rrethuar nga serbo-malazezët në fund të vitit 1912. Sipas dokumenteve arkivore, botimeve, por edhe historive gojore të trasmetuara deri në ditët e sotme, në luftën për mbrojtjen e Shkodrës morën pjesë mbi 100 luftëtarë sulovarë, afërsisht një për çdo familje sulovare. Pothuajse nuk kishte fshat të Sulovës që të mos kishte në Shkodër djemtë e tij vullnetarë. Këtë pjesëmarrje e dëshmojnë edhe vargjet e kësaj kënge, që këndohet në Sulovë:

“Zunë kapojtë po këndojnë.

këta yjet po rrallojnë.

Zunë djemtë dhe po shkojnë.

pa i pyesni ku po shkojnë?

-Gjer në Shkodër do qëndrojmë.

Në Tarabosh do luftojmë,

Taraboshi brigje-brigje,

digje Esat pasha digje.”

Në Luftën e Parë Botrore, Austro-hungarezët për të realizuar synimet e tyre u orvatën të shfrytëzonin edhe ndjenjat e popullit. Përveç dhunës ushtarake që ushtruan për punët e tyre ndërtimore, austro-hungarezët, me aktet barbare si gjithë pushtuesit e tjerë, futën përçarje, grindje dhe vranë njerëz të pafajshëm brenda fshatit e krahinës, sipas parimit të vjetër ‘‘përça e sundo’’, dhe me anë të ekspeditave ndëshkimore me hir a me pahir, që t’u rrëmbenin pasurinë kërkonin t’i nënshtronin banorët. Sulovarët duke qënë si gjithmonë atdhetarë nuk iu bindën  edhe këtyre pushtuesëve. Me pak fjalë me veprimet e tyre barbare austro -hungarezët shkaktuan një ngjarje të rëndë në Dragot të Sulovës. Ngjarje që, edhe pse ka kaluar  një shekull, përcillet deri në ditët tona edhe në vargjet e një kënge:

“... Moj kapsolle ta lumsha çarkun.

ua mbushe me pluma barkun.

Ti o nemse (austriak),  ti ore  boshnjak,

nuk është kjo shtëpi  pa plak…”

Më 1 shkurt të vitit 1925, forcat zogiste vranë në Sulovë, kundërshtarin e regjimit të Zogut, patriotin, publicistin, mësuesin, Salih Çeka. E vranë këtu, të krijonin edhe konflikte me Sulovën, si mbështetëse e lëvizjes fanoliste që pruri ngjarjet demokratike të Qershorit 1924. Grupi artistik i Mollasit në Sulovë të Poshtme, në vitin 1965 i kushtoi një këngë.

“Në vitin njëzet e pesë

Sali Çekë medet, medet.

Ish mësues i vërtetë,

ti punoje natë e ditë,

që ti jepje popullit dritë.

Në Sulovë të dërguan,

xhandarët të pushkatuan,

popullin e hidhëruan,

ai kurrë s’të harron

edhe sot ty të kujton.”

Këngët e Sulovës ka vënë në qëndër të tyre edhe trimat që u flijuan në LANÇ, të frymëzuara nga ndjenja e respektit për gadishmërinë, kontributin dhe aktin sublim të vetmohimit. Të shumta janë këngët për dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. E njohur në Sulovë është kënga: “Dëshmorit Osman Gjini”.

“O moj Sulovë e dëgjuar je,

për trimat e tu, që ranë për Atdhe.

Mes trimave ishte dhe Osmani,

vetëm për liri atij i rrihte xhani.

Ishte shumë i ri kur në luftë doli,

pushkën nga dora kurrë se lëshoi.

Luftove Osman dhe re për liri,

thellë në gji të mban toka Shqipëri”

Të shkruash për këngët historike të Sulovës është krenari, sepse vet historia e Sulovës është e mbushur me ngjarje dhe kur ndjen këtë krenari, aq më tepër madhërohesh për traditat dhe virtytet. Folklori, si një pasuri e madhe shpirtërore e krijimtarisë së popullit tonë është shprehje e gjallë e jetës, virtyteve, ndjenjave të gëzueshme dhe kranari kombëtare.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: