Drita Lushi: Larg kontinentit, nëpër udhë të kaltra
| E Enjte, 28.08.2014, 08:04 PM |

LARG KONTINENTIT, NËPER UDHË TË KALTRA

Udhëpërshkrime vere.

NGA DRITA LUSHI

Vjet, teksa pushoja në Sarandë, shihja e heshtur dritat e Korfuzit, ishullit aq afër dhe aq larg(dikur) për shqiptarët e buzëdetit. Gjithnjë me grishte dëshira që ta prekja atë ishull..I premtova vetes që do ta vizitoja patjetër.

Kështu,vendosëm së bashku me familjen, që të pushonim disa ditë në Korfuz, dhe  zgjodhëm për këtë fillimgushtin.

Nisim rrugëtimin drejt Gjirokastrës e prej andej,drejt  pikës kufitare të Kakavijës. Rradha e gjatë në kufi, dhe temperaturat  e larta na bënin që shpesh  të humbnim durimin, por gjithsesi ne vazhduam.Pasi kalojmë doganën, nisim rrugën drejt  Janinës Atë, e kisha vizituar  edhe më parë,por këtë herë Janinën do ta linim në të majtë për të mbërritur në Igumenicë dhe prej andej ne port.

Rruga ishte e gjatë, dhe ishte hera e parë që e shkelnim( në terrritorin grek). Megjithse shumë orë udhëtim, përsëri kurioziteti për të parë e për të ndjerë pak aventurë dhe liri pushimesh larg përditshmërisë thuajse të njëjtë, bëri që të mos e ndjenim lodhjen.

Në Igumenic  mbërrijmë në 15.15 thuajse fiks  me tragetin që do të  na çonte në ishull.

Të gjitha gjërat atë ditë për çudi,po i bënim në limitet kohore, dhe kjo na jepte një ndjesi të veçantë aventure, drejt një ishulli që se kishim shkelur kurrë, duke lënë pas Kontinentin!

Pamja nga trageti ka ndjesitë e veta individuale që më shumë përjetohen sesa mund të shpjegohen apo shprehen. Udhëton nëpër blu-në e qielldetit  dhe zhytesh në mendime dhe imagjinatë ku humb dhe harron të këmbesh fjalë me bashkëudhëtuesit. Por, sapo syri  kap ishullin dhe konturet e tij të lashta, jam e sigurt qe çdokush thotë pa u menduar :Sa bukur!

I themi  “mirdita”vendit ku kroçierat gjigande, tragetet, anijet, skafet, avionet e barkat që të vijnë aq afër, të ftojnë drejt një mikrobote të re dhe të bukur.

Lashtësia dhe qytetërimi sapo lëmë portin, të ftojnë drejt njohjeve, të vërtetave të tanishme dhe të fshehtave shekullore. Ullinjtë si pleq të moçëm të ftojnë në një paqe të sigurtë ndërsa je e rrethuar e tëra  nga blu, dhe kaltërsi.

Një ishull me sipërfaqe mbi  300 km katror, në të cilin më i spikaturi është turizmi.

Personalisht, pushimet s’i kam parë asnjëherë si ngujim në një vend, por si lëvizje, kuriozitet, zhbirim, njohje.

Nëse do të ndihesh si vendasit, të mësosh si jetohet, si shpenzohet, si pushohet , si psoniset, si shëtitet, duhet marrë  një shtëpi me qera; Këtë bëmë dhe ne.

Ky, ështe një komoditet që të fton në privatësi dhe qetësi, por nisur nga ana ekonomike për shqiptarët është shtrenjtë.

Nje hartë të bënte mjaft punë, por dhe një çift shqiptar që jetonte prej 22 vitesh në ishull e që i njohëm atje, ishin orjetuesit tanë në dëshirën për të parë të veçantat e ishullit.

Një pasdite ia kushtuam vajtjes në Perithia, një fshat i lashte vendosur në një pikë të  lartë të ishullit, ku mund të vizitoje fshatin e vjetër dhe shtatë kisha që datonin me mbishkrime rreth shekullit të 17-të.Kjo  ishte një ndër gjërat qe s’duhej lënë të të ikte pa e parë. Gjithmonë kam menduar që pa njohur të kaluarën e një vendi, nuk mund të kuptosh të tashmen e tij, atë që zhvillohet dhe ekzsiton në atë vend.

Vizita në  kalanë e qytetit, ose qytetin e vjetër sic thuhej ndryshe,ishte plani i një dite të tërë.

Veç antikitetit, aty gjeje një universitet artesh, bibliotekë dhe barkafe; Në një fare mënyre ishte si një ndërlidhje ose vazhdim i lashtësisë me të sotmen.

Pastaj,kalojmë në këmbë dhe qytetin e sotshëm ku  dyndja e turistëve ishte masive e të mendosh që temperaturat ishin shumë të larta. Megjthatë çdo gjë ka vendin e saj. Në humanët, nuk tërhiqemi para asgjëje, kur duam ta bëjmë një gjë e bëjmë dhe pikë.Duke kaluar nëpër rrugicat e qytetit të zhurmshëm herë herë më bëhej se isha në rrugicat e Venecias. Ishte thuajse i njëjti stil ndërtimi.Vendasit thonin se edhe ullinjtë në ishull i kishin mbjellë italjanët.

Nuk harrojmë të kujtoj-më që kemi vajtur edhe për të shijuar detin dhe diellin, për të dalë në psonisje në shijim e drekave dhe ushqimeve të ndryshme.

Një festë e veçantë ishte ajo që bëhej në zonën ku ishim vendosur ne,nën ritmin e muzikës, këngëve, valleve në rrugë dhe servirjes së ushqimeve në ambjent buzëdetit, ku mes fishekëzjarresh pritej kthimi i anijeve dhe peshkatarëve.Nuk e mësova plotësisht se cili ishte simboli i k saj feste, por natyrisht u përfshimë bukur në të.

Festa të tilla, bëheshin thuajse çdo javë në zona e fshatra të afërt.

Ditët lëviznin me shumë shpejtësi.

Mëngjeset zbardhin të paqta. Eshtë momenti më i bukur per tu ndjerë dhe për ta ndjerë fillimin e një dite; Veç dallgët e detit që e kemi komshi dhe karshi, dëgjohen të lehta a thua se dhe ato  janë në zgjim dhe, fëshfërijnë fjalë të qeta nga  frika se mos  zgjojnë banorët e turistët.

Zgjimi në ishull është i vonë ndryshe nga ne shqiptarët që  zgjohemi herët me shëtitjet buzëdetit, me lokalet që hapen herët e mund të pish kafenë qysh orët e para të agut.

E rrethuar nga ullinjtë dhe deti, ndihesh në një mbretëri të paqtë të një ishulli të lashtë.

Hotelet kanë dyndje turistësh dhe janë shumë më lirë se shtëpitë  e zonës, nëse prenotohen në formë paketash.

Ishulli ka gjire të bukur, det të pastër, ka rërë, ka privatësi ndihesh lirshëm dhe qetë.Është një ishull i pastër dhe ullinjtë i japin një gjelbërim të bukur në sintoni me blunë e detit dhe kaltërsinë e qiellit.

Me ato ç’ka pashë them se edhe aty ndihej kriza që ka përfshirë Greqinë dhe shtete të tjerë evropianë. Nuk ka nevojë për gjera të mëdha, që ta kuptosh këtë. Këtu nisem nga mungesa e mirëmbajtjes së shumë objekteve apo vendeve që ishin në varësi të shtetit. Gjithsesi për mua dhe çdo njeri, duhen përvojat, udhëtimet, eksperiencat…

Por….

Eshte mëse e vërtetë shprehja, që “gjërat e bukura i kemi çdoherë afër nesh, mjat’të kemi dëshirë t’i shohim”

Bregdeti shqiptar ka plazhe vërtet shumëëë të bukur, dete e brigje mahnitës, për të cilët kam shkruar me shumë dëshirë e dashuri. Mund të mungojnë gjëra të vogla, por kurrsesi s’do ti ndërroja me tjetër…



Gusht, 2014.

(Vota: 26 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: