Drita Lushi: Sara
| E Premte, 15.08.2014, 08:10 PM |

SARA

-tregim-

NGA DRITA LUSHI

“Arion, shko me shokët e tu!”- I tha Dea të vëllait, me zë lutës dhe urdhërues njëherësh.

Dea dhe Sara shpesh, nuk u pëlqente ta merrnin me vete Arionin e vogël.

Nuk është se kishin ndonjë diferencë në moshë,vetëm dy vjet ishin, e megjithatë kishte filluar tu pëlqente të rrinin e të flisnin për “sekrete” vajzash.

E të mendosh që ishin akoma dhjetëvjeçare të vinte të qeshje.

Arioni, u thërriste të dyjave njësoj “motra” si Deas ashtu dhe Sares që ishte shoqe me të motrën.

Ato kishin lindur në të njëjtin muaj ,në kopsht kishin vajtur së bashku, e në shkollë po ashtu.

Edhe shtëpitë i kishin në një lagje. Por edhe Sara e donte dhe përkëdhelte Arionin si vëllanë e vogël, sepse ishte vajzë e vetme dhe e ndiente këtë mungesë. Mirëpo me kalimin e viteve, vajzat filluan ta largonin Arionin, ta shmangnin e ai bëhej keq.

Edhe atë verë, familjet e kaluan së bashku në bregdet.

Morën shtëpitë e përvitshme me qira. Dy javë e kalonin hareshëm, me lojëra, not, volejboll, e shëtitje.

Vajzat kishin hedhur shtat,e ishin zbukuruar.

Edhe Arioni ishte rritur e ish bërë pak më serioz, kish filluar të shkëputej pak nga shoqëria veç me të motrën dhe Sarën.

Mirëpo ajo verë…

Ai nuk ia ndante sytë Sarës. E shihte kur futej në ujë,si lahej, si qeshte si notonte.

Kur dilte nga deti, ajo shkundte flokët afër shezlongëve ku ata rrinin,e piklat e ujit u binin atyre mbi trupa. Të gjithë qeshnin.

Pastaj ajo shtrihej në një peshqir në rërën e nxehtë, së bashku me Dean.Nuk rrinte fare ne çadër dhe ekspozohej e tëra në diell. Ngjyra e saj bronz, ato lakimet e ujit pas formave të saj, i zgjuan Erionit ndjesi të bukura dhe të reja.

Ai nuk linte rast pa qenë afër saj.I shihje përherë të tre, në baret buzë detit, në shëtitjet e mbrëmjeve.

Ai kish filluar të rrinte më shumë me vajzat këto pushime.

Syte blu të Sarës i ishin ngulur në mendje, e ai ndihej sikur i kish mbirë një pemë bukurie brenda vetes.

Nuk dinte të shpjegonte shumë gjëra, sidomos këto që po i ndodhnin këtë verë teksa shihte Sarën e bukur.

E ishte vetëm trembëdhjetëvjeçar.

Pushimet mbaruan shpejt, e ata u kthyen në qytetin e tyre. Prindërit filluan punën ndërkohe që ata kishin dhe një muaj pushime derisa të nisnin shkollën.

Në shtator, Sara shkoi në kolegj, duke lënë qytetin, ndërsa e motra Dea, vazhdoi shkollën e mesme, po aty.

Arionit iu krijua një boshllëk brenda vetes.

Mezi priste pushimet që ta shihte e të rrinin së bashku të tre.

Por ajo, edhe kur vinte, merrte Dean,mbylleshin në dhomë, flisnin e qeshnin pa pushim. Kur dilte për të ikur e përshëndeste me : “Ciao, vogëlush”, ashtu siç i kish thënë që kur ishin fare të vegjël.

Ai qeshte indiferent, po thellë i vinte aq keq, që ajo nuk shihte që ai ish rritur.

Edhe në verë, ato dilnin te dyja, e ai, me krenarinë e “burrit”, bënte sikur s’i interesonte se çfarë bënin. Por vetëm ai e dinte sa vuante, pse Sara nuk ia hidhte sytë si djalë, por vetëm si vëlla të vogël.

E ai zbukurohej, rrinte gjatë para pasqyrës, rregullonte flokët e u dilte, gjoja rastësisht përballë, edhe kur ndërroheshin në rrugë në xhiron e mbrëmjes në atë qytet jo të madh.

Atëherë, Sara i prekte me dorë flokët e ngrirë nga xheli, mundohej t’ia prishte e i thoshte me shkaka: “hë vëllaçko, po zbukurohesh për ndonjë vajzë?” e qeshte me të madhe bashkë me Dean, duke u larguar, e ai vazhdonte i mërzitur rrugën, bashkë me shokët e vet.

Pushimet verore kalonin shpejt, e ashtu dhe vitet.

Sara i dukej më e bukur se kurrë dhe sa herë e shihte apo takonte,e ndjesitë qe kishin lindur tek ai për atë vajzë,rriteshin,por edhe ai rritej e burrërohej çdo ditë.

Ishte një djalosh 16 vjeçar, me gjithë freskinë e bukurinë që i kish falur mosha dhe natyra.

Një Vit të Ri, Sara shkon për vizitë në shtëpinë e Deas, shoqëruar nga një djalë.

Arioni, pasi përqafon Sarën me mall, i jep dorën dhe djalit ezmer.

“Ky është i fejuari im, Iliri”- e prezanton, ajo.

“Ndërsa për Arionin të kam folur- iu drejtua ajo djalit në krah, - “është vëllai im i vogël që e dua shumë”-dhe i preku flokët me xhel e duke qeshur siç e kishte zakon.

Një ftohtësi i përshkoi trupin e arriti deri në zemër.

Aty kishte mbetur Sara.



(Vota: 17 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: