Entela Binjaku: Një shembull për vendin tim...
| E Hene, 11.08.2014, 08:44 PM |

Një shembull për vendin tim...

Nga Entela Binjaku

Fillimi i viteve ‘90 i gjeti të gjitha vendet ish-komuniste në kushte të barabarta sfidash që  përmbledhtazi lidheshin me: ndërtimin e demokracisë së brendshme dhe  zhvillimin e ekonomisë së  tregut lirë. Pavarësisht specifikave që mbartnin,  Shqipëria mund të mësonte  mjaft nga përvoja e këtyre vendeve, një pjesë e të cilave tashmë janë pjesë e  familjes së Bashkësisë Evropiane, aspiratë kjo edhe e shumë shqiptarëve në këtë kufi historik vitesh. Një ndër këto vende është Rumania i cili nuk e njeh kulturën e pandëshkueshmërisë, aq të shumë të njohur tek ne.

Prej disa ditësh Gjykata rumune e Apelit e drejtuar nga një zonjë, ka dënuar me 10 vjet  burg Dan Voikuleskun një njeri të biznesit, ish senator, profesor i ekonomisë, ish anëtar i dhomës së tregtisë, drejtues i një partie politike, njeri me shumë ndikim në jetën publike të vendit.

Dy gjyqtarët e cështjes, juristë të gjeneratës së re i dhanë dënim të këtij niveli një ish senatori që aktualisht zotëronte edhe një nga kanalet kryesore mediatike në vend. Shkaku ishte korrupsioni dhe shkeljet e konstatuara në privatizimin e pronës shtetërore,  i njohur si  rasti “ICA” (Instituti i kërkimeve bujqësore).

Elitat rumune e cilësonin Voikuleskun  si nga  “një nga elementët që ndikonte në brishtësinë e reputacionit të Rumanisë në arenën ndërkombëtare” ndërsa shoqëria e konsideronte si “vazhdimësi të bashkëpunëtorëve  të sigurimit të shtetit”.

Gjatë këtyre ditëve nëpër portale e rrjete sociale, opinioni publik rumun vlon nga entuziazmi për ndëshkimin e njeriut të pushtetshëm që ka abuzuar me pronën publike, ndërkohë që  analizat e ekspertëve pohojnë se ky është shembulli ku "askush nuk qëndron mbi  ligjin", dhe vlerësohet si moment kyç pjekurie në drejtësinë rumune.

Por,  në klimën politike të Rumanisë nuk është rasti i parë.

Për të ardhur deri këtu  drejtësia e këtij vendi i  ka dhënë ndëshkim  për shkeljet e kryera dhe për abuzimet me pronën e shtetit disa prej figurave të rëndësisë së lartë në jetën publike.

Konkretisht,  gjatë këtyre viteve përvec Dan Voikuleskut, ish senator  tashmë dënuar me 10 vjet burg,  nga drejtësia rumune janë dënuar: Këtëlin Voiku, ish senator me 7 vjet burg për trafik influence dhe falsifikim firmash; Ioan Avram Mureshan, ish ministër i bujqësisë dënuar  me 7 vjet burg për përftime të fondeve të shtetit;  Relu Fenekiu, ish ministër transportesh, dënuar me 5 vjet burg për përfshirje në abuzime fondesh;  Emilian Kutean, ish deputet, dënuar 5 vjet për mashtrim,  Virxhil Pop, ish deputet, dënuar  me 5 vjet për trafik influence. Adrian Nëstase, ish kryeministër 4 vjet për shantazh dhe marrje rryshfeti.  Xheorxhe Kopos, ish deputet dhe ish ministër 3 vjet dhe 8 muaj për evazion fiskal.

Ndërkohë ndëshkimi më i lartë që i është dhënë një figure të rëndësisë publike është 16 vjet burg për Radu Ion Fotino me akuzën për përvetësim dhe mashtrim me pronat e shtetit.

Ndërkohë në vendin tonë,  shoqëria shfaq një shkallë të lartë mosbesimi tek sistemi i drejtësisë dhe shteti i së drejtës me shtetin shqiptar nuk duken të kenë pika të përbashkëta. Jo më kot edhe në raportin e fundit të NDI-së aspirata evropiane e shqiptarëve argumentohej kryesisht me “nevojën për shtetin e së drejtës”.

Aktualisht drejtësia shqiptare ka rastin të tregohet profesioniste me vënien në vend të drejtësisë për  popullin nga pasuria e të cilit janë grabitur disa qindra milionë para. Rasti i fundit me të cilin po merret Prokuroria e Përgjithshme e vendit flet për një  vjedhje disa qindra milionëshe në Bankën e Shqipërisë,  gjë e cila  ka krijuar pështjellim të madh te qytetarët shqiptarë. Opinioni qytetar  u rrevoltua ndërsa mësoi se  një nga punonjësit e këtij institucioni  e kishte vjedhur vendin e tij të punës për katër vite rresht, “pa u vënë re nga askush” ndërsa zëvendësonte paratë me libra!

“I ndaluari” i vetëdorëzuar i kishte lënë këto para në lojra fati duke i bërë ato të parikuperueshme, gjë e cila e tejkaloi imagjinatën popullore sesi mund të trajtohen paratë e popullit në atë që është institucioni më i rëndësishëm financiar në vend.

Opinioni qytetar shqiptar nuk i vlerëson bindëse as  disa nga ndalimet e bëra për llogari të Prokurorisë,  duke kërkuar së pari dorëheqjen e drejtuesit të kësaj Banke e më pas ndëshkimin e të gjithë atyre që i shkaktuan vendit këtë dëm të madh financiar, ku paratë tashmë “janë zhdukur në drejtim të paditur”.

Aktivizmi qytetar në vend këto ditë po tregon një shkallë të re zhvillimi gjë e cila duket në protestat e të gjitha formave që njeh sot reagimi qytetar, në median e shkruar, atë vizive, sociale dhe në të gjithë blogosferën. Shumë të tjerë janë angazhuar në mbledhje firmash në një peticion ku kërkohet dorëheqja e drejtuesit të këtij institucioni, veprim i cili është duke u shtrirë në disa zona të vendit.

Por në gjithë këto vite drejtësia shqiptare ka ushqyer një mosbesim    madh tek qytetarët, duke treguar se “kultura e pandëshkueshmërisë” në këtë vend është fakt.  Në këto 24 vjet shumë ngjajrje që kanë ndodhur  kanë marrë përmasat e “superngjarjes” dhe  në përballjen me drejtësinë ato kanë mbetur “si përpjekje në tentativë”.

Ndaj që drejtësia  të mos ndjehet e paragjykuar ka nevojë të japë shembuj profesionalizmit  të gjetjes dhe ndëshkimit të fajtorëve.  Drejtësia nuk është fusha ku shqiptarët  ka shkëlqyer në këto 24 vjet zhvillimesh, edhe pse janë diplomuar me mijra juristë; Në shtetin më të varfër të Evropës,  besimi tek drejtësia është minimal, edhe pse qytetarët e tij mësojnë për pasuritë marramendëse të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe të disa prej drejtuesve nga  të gjitha ngjyrat.

Ndërkohë që në një vend tjetër ish komunist, realiteti i përballjes me drejtësinë është i ndryshëm, drejtësia tek ne  duhet të imponohet me parimin se “kush dëmton, ka detyrimin të c’dëmtojë” dhe “në rast abuzimi me pasurinë e shtetit, ndërsa ndëshkohet, abuzuesi duhet  të ç’dëmtojë!”.

Tek ne duhet të përforcohet  bindja se  ai që dëmton, duhet të ç’dëmtojë,  dhe nuk kanë pse të rëndohen xhepat  e qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, që sot ndjehen të zemëruar ndërsa janë vjedhur për vite të tëra, si në këtë rastin e fundit.

Zhvillimet në vendin tonë  i ngjajnë një rrethi vicioz që nuk lejon të marrë frymë shpresa për të ndëshkuar gjithkënd që ndjehet mbi ligjin, ndaj  ka nevojë të merren shembuj nga ato përvoja që ja kanë dalë mbanë të ndëshkojnë cilindo që ka abuzuar me pasuritë e popullit e ligjet e shtetit, pavarësisht sesa pushtet gëzon e sa ndikim ka.

Shembujt që vijnë nga Rumania edhe pse jo të vetmit, janë shembuj ku mund të gjejë kurajo drejtësia shqiptare dhe ku mund të gjejë frymëzim e besim populli, i cili tashmë është duke protestuar ndaj kësaj grabitjeje të madhe. Mbi këtë presion qytetar mund të ndërtohet edhe  shteti i së drejtës i cili kërkon bashkimin e të gjithëve rreth kauzave që qëndrojnë në themel të jetës përbashkët qytetare dhe në parimet e shtetit modern.



(Vota: 9 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: