Vangjush Saro: Precedenti i gradës zero...
| E Marte, 05.08.2014, 07:59 PM |

Precedenti i gradës zero...

Përndryshe: Marrëzia e mohimit total

Nga Vangjush Saro

Vjedhja monstruoze në Bankën e Shtetit, për çka po flitet e do të flitet gjatë, në një vështrim, ishte një përpjekje e dëshpëruar për ta trazuar vendin dhe për ta kthyer atë në nivelin zero; jo thjesht nga pikëpamja e sigurisë financiare, por edhe në kontekstin e mungesës së shtetit. Te ne, janë të shumta dhe të herëpashershme episodet që duket se shpien në këtë stad rrënimi. Një shumicë shqiptarësh, më së pari ata që janë në majë të politikës, të krimit, të përfshirë në klane, nuk ndalen përpara asgjëje, mjaft të majmen vetë dhe të kryejnë "detyrat" për llogari të lobeve që qëndrojnë prapa tyre. Ditë më parë, në Kuvendin e Shqipërisë, disa ligje të rëndësishme kanë kaluar me kartonat e shumicës së majtë, duke na kujtuar kështu se për çështje themelore, edhe më tej, politika dhe shoqëria shqiptare do të vazhdojnë të ndjekin modele të vjetra, një prej të cilëve është prapë ai i precedentit të nivelit zero. Me fjalë të tjera, edhe në këtë episod, kemi një marrje e rimarrje të praktikave të mohimit total e të vënies së gjithçkaje në dyshim; kjo etje për rrënim, shpjegon edhe mungesën e tolerancës dhe të bashkëpunimit.

Le ta "përkthejmë" edhe njëherë, thjesht e sipas këtij "kodi", shfaqjen më të fundit të dukurisë, atë të miratimit të njëanshëm të ligjeve e të Reformës Vendore. Thelbi do të ishte: Nuk ka asgjë, asgjë, asnjë arritje; ka vetëm gënjeshtra. Kjo ishte edhe flluska e sapunit e deklarimeve të opozitës së djeshme, që sakaq u përvetësua dhe po "fryhet" edhe nga opozita aktuale. Në një kuptim më të gjerë, paqendrueshmëria, frymëzimi për t'u kthyer në kuotën zero, mohimi total dhe përbaltja kanë pushtuar një pjesë të mirë të shoqërisë shqiptare. Në të gjitha temat e mundshme, në vlerat shoqërore, në histori, në kulturë e art, në mendim e në ndërtim, aplikimi i precedentit të gradës zero, mbetet një shenjë e qartë e ridukjes së hijeve të së shkuarës, kur kishte vetëm... arritje socialiste dhe kurrgjë tjetër. Ka njerëz që mund të pyesin se ç'lidhje kanë këto kohë e këto rende me njëri-tjetrin (!) Është fjala - në një sens artistik - që shumë syresh kanë dëshirën për të shijuar në vetmi fitoret e dyshimta, vdekjen e nesërme.

Jam shprehur edhe më parë, nuk mund të ecet edhe më tej me qëndrime esktremiste, tipike shqiptare, kur qoftë për një gjë madhore a qoftë për një detaj, pozicionet e palëve, të klaneve, pse jo edhe të individëve, janë diametralisht të kundërta dhe të papajtueshme. Është e qartë që shumë terma e shumë tema të së shkuarës së afërt (mbase edhe më shumë se aq) duhen parë dhe rishqyrtuar në një dritë tjetër. Por në këto e sipër, ne s'mund t'iu vëmë shkelmin të gjitha prurjeve e dukurive të atyre dekadave, duke thirrur në ndihmë metodat maoceduniste, që pastaj të gjykojmë e të dënojmë sipas praktikave staliniste e enveriste dhe kështu, ç'mbetet? T'ia fillojmë sërish nga e para, nga zero. Këtu, në kuton zero, ka shumë njerëz që kanë zënë radhën për të përfituar ndonjë kockë, pasi të jetë bërë e mundur, sipas tyre, rrënimi i gjithçkaje: këta janë politikanë, që pasi i thithën të gjitha llojet e gjireve, duhet të mbijetojnë duke coptuar edhe këtë gji të fundit; janë gjysmëintelektualë e gjysmëletrarë të dështuar a të vonuar (në mos të parealizuar), që mëtojnë të rrëzojnë lisa e, duke qenë shkurre, të zënë vendin e tyre, në një pamje me përmasa dhe kolor grotesk.

Është bërë e turpshme tashmë, që herë pas here, me dhe pa shkak, të nisen fushata turpërimi kundër njeriut më të njohur të letrave shqipe, I. Kadaresë. Mirë se një pjesë e krijimtarisë dhe jetës së tij mund të ketë edhe "hije"; por po kujtoj një emër tjetër të njohur të kulturës shqiptare, P. Markon. Duke u përpjekur të kuptojmë vuajtjen e shtrirë në kohë dhe jetën plot peripeci e ndalesa të tij dhe nëse nuk do të vlerësonim ndërkaq veprat e tij më të arrira ("Qyteti i fundit", "Nata e Ustikës", etj.,) do ta shumëfishonim absurdin që shoqëron jetën dhe veprën e personalitetit dhe emrit të nderuar. Ç'është e vërteta, nuk se shohim ndonjë dashamirësi të madhe edhe ndaj tij. Po fundja edhe Petroja, gjithsesi, jetoi dhe botoi në ato dekada (që tani gjenden nën sulme të vazhdueshme deri në zhdukje të çdolloj gjurme a përftese). Po martiri i atij rendi, P. Arbnori, që kishte këto ditë një përvjetor dhe s'u kujtua nga askush? Kush nxjerr kunja me atë të shumëvuajtur? Ne thjesht jemi të sëmurë nga ajo që quhet prapambetje dhe shpesh shndërrohet në intolerancë. Me përemrin "ne", kam parasysh institucionet dhe klanet, por edhe individë të lodhur, që nuk duan askënd veç lëkurës së tyre dhe që e kanë merak rrënimin e ditëve dhe të muajve e viteve e shekujve të këtij vendi. Por nuk duhet dhe s'mund të pajtohemi me çdolloj histerie e të shkelim me këmbë gjithë sa është trashëguar, vetëm e vetëm se disa nuk mund të menaxhojnë dot urrejtjen e tyre. Në Shqipëri dhe në komunitetet e diasporës, ku gjithashtu nuk mungojnë lehësit, këto refrene të trishta mohimi e zvetënimi, dikur duhet të pushojnë.

Ka edhe forma të tjera të shfaqjes së dukurisë e precedentit të nivelit zero. Riciklimi i politikanit S. Berisha, nënkupton pak a shumë një rikthim atje tek ishim, një gradë zero për t'i marrë dorën vend e pa vend dikujt që pothuaj e ka mbyllur karrierën me shumë probleme. Po ashtu, disa njerëz, të dhënë më shumë nga sa duhet ndaj individëve që mbetën nëpër studiot e televizioneve për shkak të lidhjeve miqësore e klanore, ngushtësisht atyre në Tiranë, përpiqen të vënë pikën mbi i në kurriz të të tjerëve. Duke folur për disa pak emra, ata mendojnë se kanë përgjithësuar fenomenin dhe kanë "larë duart" me krejt aradhën e krijuesve dhe gazetarëve që ani, përpiqen të sjellin idetë dhe mendimet e tyre në media të ndryshme. Politikani B. Topi, në një intervistë do kohë më parë, duke folur edhe për F. Lubonjën, ka tjerrur një ligjëratë të tërë në lidhje me temën e varësisë së mediave e të gazetarëve dhe analistëve. Sigurisht që ka mjaft të varur, të paguar nga aksh pushtet e klan; por pse na u dashka kufizuar vështrimi deri këtu e deri te Lubonja - me të cilin s'kam asgjë personalisht, shumë shkrime e biseda të tij i vlerësoj - ndërkohë që ka edhe zëra të pavarur, ka edhe gazetarë e intelektualë që kanë paguar për shkak të paanësisë së tyre, madje bash në kohën kur zotëria në fjalë ishte nënkryetar e më pas President i partisë në pushtet...

Askush nuk mund të marrë përsipër të na drejtojë në precedentin e gradës zero, të vjedhë apo të lejojë vjedhjen dhe pastaj të fshihet apo të mbrohet nga politika. Askush nuk mund të na ofrojë (në kulturë,  gazetari a gjetkë) përgjithësime vetiake e që bien erë,  ngase ai për vete është një i harruar apo aq e ka fushën e njohjes e të tjera këso, tema të cekura mbase edhe më parë. Ky vend nuk ka nevojë të kthehet sërish dhe herë pas here në gradën zero; e ka bërë këtë disa herë. Ia kanë bërë. Ia kanë bërë ata që kanë qenë protagonistë në këto episode të ulëta, të përsëritura, por që falë lidhjeve të cilat shumica e shqiptarëve nuk i dinë, ende mbijetojnë. (Si simbol i gradës zero, i vetmi rast kur e vlen termi.) Mbase do hapur krahu për më shumë pjesëmarrje të partnerëve në këtë tranzicion grotesk. Duhet ende shumë kohë që të kemi dhe të besojmë institucionet tona, për të mos u sjellë si vandalë me pasurinë, kulturën dhe emrin e këtij vendi.



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: